“Mehmet Shehu qau për fejesën e djalit!”- Zbulohet ditari sekret i Enver Hoxhës! Prapaskenat e takimit në vilën e ish-diktatorit: Tirana ziente për krushqinë me Turdijtë, Lilua më tha…

Nov 2, 2021 | 21:14
SHPËRNDAJE

Takimi-sekret-Mehmeti-Qau-Enver-HoxhaGazeta Panorama.al publikon sot ditarin sekret të mbajtur me shkrim dore nga vetë Enver Hoxha. Dokumenti ekskluziv i ruajtur shumë fshehtë si fotokopje e origjinalit, nga një funksionar i lartë politik i asaj kohe, hedh dritë të qartë mbi të gjitha ngjarjet dhe ashpërsimin e marrëdhënieve mes Enverit dhe Mehmetit.

Janë ditët më të nxehta mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Enverin e kanë informuar, vetëm një ditë pas vizitës së urimit në shtëpinë e Mehmet Shehut, se vajza me të cilën ishte fejuar Skënder Shehu vjen nga familja e Turdive. Familje në atë kohë e cilësuar si reaksionare dhe me disa pjesëtarë të burgosur e pushkatuar nga regjimi.

Enveri thërret urgjent nga Korça ish-kryeministrin. Është fillim shtatori i viti 1981, viti më mistik i historisë komuniste. Ish-diktatori, me një kujdes të madh ka mbajtur shënim të gjitha bisedat me Mehmetin në ato ditë. Bëhet fjalë për tre takime të datave 11, 12, 13 shtator 1981.

Pas takimeve, Enveri ka rikthyer të gjithë bisedën në fletët e bllokut të tij. Zbardhja e tyre bën të qartë vështirësitë dhe emocionet e atij fillim shtatori. Sot, ngjarja bëhet më e plotë, më e logjikshme dhe më e vërtetë. Fejesa e “gabuar” e djalit e ka bërë Mehmet Shehun, ish-kryeministrin e hekurt, të gjunjëzohet me lot në sy para Enver Hoxhës.

Ish-diktatori, shkruan kështu në ditarin e tij për takimin e datës 11 shtator. Në fletën e parë të të cilit shkruhet “Gabimi i rëndë politik i shokut Mehmet Shehu”. Thirrja e Mehmetit urgjent nga Korça, takimi në vilën e Enverit, janë të detajuara të gjitha në ditarin-dorëshkrim. Sot gazeta do të publikojë ditarin për takimin e 11 shtatorit. Si reagoi Enveri kur u informua për biografinë e vajzës, justi fikimet e Mehmetit dhe ndjenjat e tij për djalin.

Enveri ndihet i fyer se pse nuk ishte informuar personalisht nga Mehmeti për fejesën. Ai nuk e pranon këtë fejesë dhe i thotë:  “Unë do ta them mendimin tim se ç’duhet të bëç, por meqë nuk më pyete kur e bëre këtë, mendoje vet se ç’duhet të bësh dhe se më pas dëmtohet partia”.

Faksimile-Ditari-Enver-Hoxha-takimi-Mehmet-Shehu-Panorama.al

Gabimi i rëndë politik i shokut Mehmet Shehu 11.09.1981

Shokun Mehmet e lajmërova të linte punën në Korçë dhe të vinte në Tiranë. Ai u kthye dhe i shtrova çështjen e djalit të tij Skënderit, i cili u fejua me vajzën e Turdiut, profesor. Biografinë e Turdiut dhe të gruas së tij nga Pipajt po e bashkëngjisim. Kjo martesë e palejueshme nga ana politike u bë nga Mehmeti pa më pyetur fare mua dhe pa më dhënë as lajmin që e fejoi djalin. Këtë fejesë e mora vesh rastësisht nga lliri, të cilin e kisha thirrur për të pritur nusen e Mehmetit në shtëpi. Kur më tha Lilua, Nexhmia dhe unë u gëzuam dhe të nesërmen vamë ta uronim Mehmetin dhe Fiqretin për fejesën. Ne vajtëm në shtëpinë e re.

Aty ishte dhe nusja. Bëmë fotografi me nusen dhe me të tjerët, si zakonisht. Mehmeti dhe Fiqreti ishin të gëzuar. Të hënën Mehmeti, nëse nuk gabohem, shkoi në Korçë dhe të martën unë u informova se me ç’njerëz u bë kjo krushqi. Natyrisht u çudita pa masë dhe u revoltova.

Pyeta shokët e Byrosë nëse kishin dijeni. Disa më thanë “po” dhe disa të tjerë “jo”. Kurse Tirana ziente. Disa thoshin se, “nuk e besojmë që ta dijë Mehmeti”, disa, “si e bëri Mehmeti”, disa të tjerë “kjo është e dënueshme” etj, etj. Që fejesa u krye, une e dija dhe vajta urova, por vallë a e dinte Mehmeti këtë përbërje reaksionare, të arratisur, të pushkatuar, eksponentë të reaksionit shqiptar etj. Prandaj e thirra Mehmetin dhe e pyeta: Para se të bëje fejesën e djalit, pyete për familjen e prindërve? Mehmeti u përgjigj me seriozitet: “Pyeta. E di që në familje ka të arratisur politikë, ka dhe të pushkatuar etj”.

I them se ke bërë një gabim politik. Kjo është një shkelje e vijës së Partisë, kjo është e dënueshme, etj. Si e bëre ti këtë gabim të madh? Natyrisht ai u trondit dhe njoha se ky ishte një gabim shumë i rëndë.

“Po ja, e bëra. S’e mendova mirë. Më tërhoqi sentimenti i sëmurë karshi djalit”.

Dhe djali kështu, djali ashtu. (Djali i tij ka lënë 2-3 vajza. Ka bërë skandale që unë nuk i dija, por në këtë rast m’i thanë shokët, të cilët i kritikova rëndë, që jo vetëm nuk ia vunë në dukje Mehmetit, por m’i fshihnin dhe mua dhe m’i thanë kur bëhen kapicë.)

I them Mehmetit, “jo vetëm ke bërë këtë gabim të madh politik, por a more mendim dhe duke i njohur këto biografi të Turdive të më pyesje edhe mua”. Përse veprove kështu? Duhet të analizosh shkaqet dhe ç’mendon të bëç? Unë do ta them mendimin tim se ç’duhet të bëç, por meqë nuk më pyete kur e bëre këtë, mendoje vet se ç’duhet të bëç dhe se më pas dëmtohet partia. Më tha se ka përsëritur dhe ka bërë shumë gabime të rënda dhe se do të mendohet për masat që duhet të marrë.

Përshtypja ime ishte se ai ishte i bindur kur e bëri këtë fejesë dhe nuk ishte e gabuar. E kish mendjen të fjetur dhe të qetë. Kur e pyeta m’u përgjigj me seriozitet se ku kishte gabuar kjo fejesë dhe kur ia shpjegova se ra në grackë, u trondit, qau, por prapë nuk e kthjellonte dot gabimin.

Akoma bindjen se kish gabuar rëndë nuk e realizonte plotësisht. Kjo ishte një ndjenje sentimentale për personalitetin e tij, për mendimet e tij të pagabuara etj. E përcolla duke e këshilluar të reflektonte thellë dhe të më komunikonte vendimin…

Enver Hoxha Silva turdiu

Biografia e vajzës së profesor Turdiut 

Indiferent gjatë okupacionit, por edhe pro Ballit.
Babai i profesorit;

Avokat i kriminelëve të luftës që gjykuam. U fut në burg dhe u pushkatua.

Vëllai i profesorit: Ballist i poshtër, i deklaruar nga ne kriminel lufte, në listë.

Një vëlla tjetër: S’deshi të kthehej në Atdhe nga Jugosllavia kur u kthyen të gjithë studentët. Braktisi Atdheun për Jugosllavinë.

Nëna e vajzës: Familje e Pipës nga pasanikët e Shkodrës

Një vëlla i saj pushkatuar nga ne si armik politik.

Një vëlla tjetër i arratisur pasi doli nga burgu.

Një motër e arratisur jashtë për çështje politike.

Një motër imorale, metres e një tregtari durrsak i pasur: Manushi.

Vëllai Arshi Pipa, udhëheqës i shquar i emigracionit, tradhtar në Amerikë.

Një ose dy motra të tjera imorale

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura