Meidani: Vjedhje e madhe paraje te zemra e parasë, Guvernatori të dorëhiqet

Aug 4, 2014 | 10:14
SHPËRNDAJE

Ish-Presidenti Rexhep Meidani

Ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, ne nje interviste per gazeten “Panorama” shprehet se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani duhet të japë dorëheqjen pas vjedhjes në këtë Bankë. Sipas tij, ajo që ka ndodhur në Bankën e Shqipërisë është dëshmi tronditëse për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, që mezi e shtyn muajin me paratë e pakta të fituara me sakrificë.

Ish-kreu i shtetit e cilëson reformën territoriale të domosdoshme dhe se duhej të ishte kryer kohë më parë. Por ai vëren dhe disa shkelje të parimeve kushtetuese të sanksionuara në Kushtetutë. Sipas tij, ndryshimi i kufijve të njësive vendore duhej të ishte bërë me miratimin e popullatës, për të cilën ai nuk është i qartë sa është bërë. Meidani kujton se këto ndryshime në Zvicër bëhen gjithmonë me referendum.

Për ish-kreun e shtetit, Himara asnjëherë nuk është cilësuar si vend ku ka minoritet grek, ndërsa mendon se reforma territoriale nuk mund të shndërrohet në “gracka” për procesin e integrimit europian, vetë kriteret fondamentale të tij!

Profesor, maxhoranca miratoi reformën territoriale, e cila mori 88 vota në Kuvend, por që në përfundim mori kritika nga opozita, nga aleatë të PS-së (PBDNJ) dhe nga të zgjedhur vendorë. Si e vlerësoni këtë reformë?
Kjo reformë ka qenë tepër e domosdoshme që shumë vite më parë, por procesi i realizimit të saj është zhvendosur në kohë si pasojë e konfliktit shumëvjeçar politik pozitëopozitë, pavarësisht se cila parti ka qenë në pushtet e cila në opozitë. Si proces i domosdoshëm me interes kombëtar, i lidhur ngushtë me perspektivën e zhvillimit demokratik, institucional, ekonomik e social të vendit ai duhej të ishte rezultat i një mirëkuptimi mbarëpopullor, i arritur nëpërmjet konsensusit të plotë midis forcave politike. Kjo është vërejtja e parë më tepër morale që, pas një durimi të gjatë të pozitës, i adresohet më shumë opozitës! Por, për mendimin tim, ka dhe diçka tjetër që bëhet sikur harrohet dhe që lidhet me bazën legale të këtij procesi dhe miratimit të tij. Konkretisht, sipas nenit 108 të Kushtetutës, në paragrafin e parë të tij, sqarohet se: “Njësitë e qeverisjes vendore janë komunat ose bashkitë dhe qarqet. Njësi të tjera të qeverisjes vendore rregullohen me ligj” (si p.sh., rasti i minibashkive), ndërkohë që në paragrafin e dytë thuhet se: “Ndarjet administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore caktohen me ligj mbi bazën e nevojave e të interesave të përbashkët ekonomikë dhe të traditës historike” (gjë që pretendohet dhe në rastin e tanishëm); por ama menjëherë po në këtë paragraf theksohet prerë se: “Kufijtë e tyre nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to”. Me këtë formulim, në vende si Zvicra, kërkohet patjetër referendum. Sidoqoftë, bazuar në këtë kërkesë kushtetuese, për mua, pyetja legale mbetet po ajo e shumë muajve më parë. Pra: A është marrë ky mendim? Si është marrë ky mendim? Si ka qenë përqindja e popullsisë në favor të këtij projekti? Si është llogaritur ajo? Apo na duhet ta marrin gjithçka si të mirëqenë, madje thjesht të pranojmë shifrën 67% të deklaruar solemnisht, pse jo dhe të “imagjinuar” nga z. Çuçi! Prandaj, në këtë kuptim, dhe numri 88 që ju përmendni në pyetjen tuaj është thjesht një numër force, por jo numër kushtetues…

Kryeministri tha të enjten se në Himarë ka minoritet grek, deklaratë që u shfrytëzua nga aleati i tij Dule. Ju keni qenë President, është pranuar Himara si zonë minoritare? Si e shikoni bashkimin e Himarës me Vranishtin?
Jo, asnjëherë. Aq më tepër që zonat minoritare kanë histori shumë më të hershme. Qytetarë minoritarë mund të ndeshen kudo në qytete dhe fshatra të Shqipërisë, por që një zonë konkrete të konsiderohet minoritare duhet të plotësohen kritere të qarta historike të lidhura me origjinën, praktikat e zakonet e trashëguara në kohë, me ritet e veshjet, me këngët e jetës dhe të vdekjes, me nuancat kulturore, gjuhësore etj. Por, për fat të keq, me arkaizma nacionalistë të fundshekullit të 19-të dhe fillimshekullit 20-të vazhdohet të luhet ende sot. Madje, viktima të këtij vështrimi tashmë primitiv kanë qenë, në vitet e fundit, edhe mjaft qytetarë shqiptarë të emigruar në Greqi, që për të “mbijetuar” kanë qenë të detyruar për të ndryshuar gjithçka, deri emrat dhe mbiemrat tyre, jo më origjinën e tyre etnike e fetare! Nën këtë “trysni” kanë qenë dhe jo pak qytetarë të Himarës dhe të zonave përreth, sidomos me futjen në lojë të skemës jo dinjitoze të “pensioneve të dhuruara” që, normalisht, duhet të vërë në mendime çdo qeveri shqiptare para pensionistëve të saj… 
Përsa i përket pjesës së fundit të pyetjes tuaj nuk mund të them ndonjë gjë të veçantë, sepse nuk e njoh mjaftueshëm peshën ekonomike apo përmasën konkrete të popullsisë të pjesëve përbërëse të kësaj zone, sidomos ndërlidhjen midis këtyre pjesëve.

Çështja e Himarës përfshiu dhe qeverinë greke, ku u bënë publike nga ana e fqinjëve negociatat dhe telefonatat të zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Venizellos me homologun e tij Bushati, duke i kujtuar procesin e integrimit në BE. Si i vlerësoni këto ndërhyrje?
Nuk më duket aq oportune. Aq më tepër që Greqia, edhe pas deklarimit për daljen nga kriza e rëndë, “noton” ende sot shumë pranë kufirit të kësaj krize. Por, nëse gjëra të tilla janë të vërteta, nuk janë as serioze, as nuk i shërbejnë fqinjësisë së mirë. Po ashtu, personalisht nuk besoj se çështje të sajuara, si ajo e Himarës apo çështje ende të pazgjidhura midis dy vendeve, si ajo e kufirit detar apo ajo e pronës për çamët e larguar me forcë nga trojet e tyre autoktone në Greqi, të mund të arrijnë të shndërrohen në “gracka” për procesin e integrimit europian, vetë kriteret fondamentale të tij!

Si e vlerësoni pjesëmarrjen e PDIU-së në momentet e fundit të diskutimit të reformës territoriale, ndikimin e saj për ndryshimin e variantit nga 39/47 njësi në 61 dhe pakënaqësitë e aleatit Dule?
Në politikë, sidomos në vendimmarrje të caktuara dhe të rëndësishme, kanë ndikim jo vetëm profile individuale dhe protagonizmi i tyre, por dhe interesa konkrete grupore e partiake; në ndonjë rast, pse jo, edhe me prapavijë elektorale. Përveç trysnisë së shërbimit e shtrëngimit!…

Një javë më parë maxhoranca u vu në një sprovë numrash në Kuvend, ku katër deputetë të saj u larguan nga salla duke prishur kuorumin e nevojshëm për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Si e vlerësoni këtë “rebelim”, i cili të enjten u duk sikur nuk kishte ndodhur kurrë?
Nuk ia vlen të merresh me analiza ngjarjesh sporadike, aq më tepër që “rebelime” të tilla ndeshen në çdo Parlament demokratik të botës. Ato u shërbejnë si “skupe” mediave, sidomos kur këto të fundit ndodhen në boshllëk apo situata vanitoze. Por, nga analiza e tyre nuk arrihet asgjëkund. Ato më shumë vlejnë për “humor” kafeneje, pse jo edhe si “garniturë” për pirje birre! Ndërkohë, është tjetër gjë kur analizohet e flitet për reagim programor dhe linjë politike, për qëndrime parimore të përsëritura për çështje të ndryshme (siç u duk, fillimisht, pozicionimi për ligjin e Gardës) apo për stabilitet e konsistencë në shpallje objektivash e pozicionimesh, individësh të grupuar (si në rastin e verës 2009, me grupin e përfaqësuar nga 8 anëtarë të Kryesisë së PS-së si: Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani, Kastriot Islami, Saemira Pino, Eva Allushi, Mimoza Hafizi dhe Edlira Haxhiymeri, apo dhe mjaft “senatorë” të tjerë socialistë si: Ylli Bufi, Marko Bello, Viktor Doda, Mark Nikolli, Anastas Angjeli etj., që publikoi, brenda një kohe të shkurtër platformën alternative për PS-në). Në fakt, ajo që mungon në PS, apo në partitë e tjera politike shqiptare, është moslejimi apo moslegalizimi i fraksioneve brenda partisë. Kjo, edhe pse shumë drejtues, para zgjedhjes së tyre në krye të partisë, kanë kandiduar duke përqafuar, mbështetur e premtuar tezën e fraksioneve, të cilën e kanë braktisur menjëherë pas zgjedhjes së tyre, duke u justifikuar me lloj-lloj marifetesh në dëm të demokracisë së brendshme partiake.

Ju keni kritikuar në vitin 2011 premtimin e hapjes së 300 mijë vendeve të reja të punës për një mandat katërvjeçar, duke përllogaritur se për këtë do të duhen investime në shifrat e 4 miliardë eurove investime. Si e vlerësoni trendin e punësimit dhe të investimeve në 300 ditët e para të kësaj qeverie?
Unë thjesht arrita në ato përfundime duke u nisur nga disa llogaritje modeste. Ata që, në atë kohë, duke i shërbyer kryetarit, m’u turrën “trimërisht” në kongres apo media si gjoja specialistë ekonomikë, sot, vetëm heshtin! Ndoshta, në pozicionet e tyre drejtuese, të detyruar dhe nga trysnia militante partiake, ata mund të kenë kontribuar gjatë këtij viti qeverisje edhe në rritjen e papunësisë! Aktualisht, gati pas një viti qeverisje, pavarësisht propagandës dhe hapjes (ose rihapjes) së zyrave të punësimit, “vakuumi” i këtij premtimi është krejtësisht evident, aq më tepër që, në mesatare vjetore, ai nënkupton hapjen e 75mijë vendeve të reja të punës. Besoj se, sot, ata që, në atë kohë, nuk merrnin vesh nga numrat dhe aritmetika, të paktën tani ta kenë kuptuar atë “gafë numerike elektorale”, ndoshta dhe duke vazhduar për të “mikro-gënjyer” mbi “mega-gënjeshtrën” e asaj kohe…

Një megaskandal përsëri me paratë ka ndodhur në Shqipëri, ku nga Banka e Shqipërisë janë vjedhur nga punonjës të saj rreth 8 miliardë lekë për një periudhë katërvjeçare. Si e shikoni zinxhirin e përgjegjësive për këtë skandal? Cila është përgjegjësia që duhet të mbajë guvernatori Fullani?
Nuk është vetëm një vjedhje e madhe paraje te zemra e parasë, por është dhe një dëshmi tronditëse për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë që mezi e shtyn muajin me paratë e pakta të fituara me sakrificë e punë të ndershme. Po ashtu, ajo është shprehje sa e vetëbesimit të tepruar në drejtim dhe hallkat e ndryshme të tij, po aq e mungesës së përgjegjësisë dhe disiplinës, mbi të gjitha e kërkesës së llogarisë dhe e kontrollit (auditit) të brendshëm ose të jashtëm. Ndërsa, lidhur me përgjegjësinë konkrete penale të gjithsecilit, këtë përgjigje le t’ia lemë drejtësisë; ndërkohë që lidhur me shkallën konkrete të përgjegjësisë morale (pa pasoja juridike) në detyrë, edhe dorëheqja është mekanizëm demokratik në botën ku kërkojmë të integrohemi…

ARISTIR LUMEZI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura