Mihal Popi: Si më ndihmoi punëtori i Qazimit për rolin

Dec 11, 2015 | 20:45
SHPËRNDAJE

Ka kaluar shumë kohë që kur është realizuar ajo bisedë. Pedagogë e studentë të Institutit të Arteve ishin kuriozë të dinin më shumë rreth jetës artistike, të një prej aktorëve që themeluan teatrin shqiptar, Mihal Popi. Ishte 14 nëntor i vitit 1975. Por edhe më e hershme ishte koha kur Mihal Popi duhet të realizonte rolin e Qazim Mulletit, ish-prefektit të Tiranës. Shqipëria kishte vetëm 4 vjet që ishte çliruar dhe njerëzit e kishin shumë të freskët portretin e Qazim Mulletit.

qazimi

“Kisha drama, kisha hall të madh”, u thotë Mihal Popi kolegëve pedagogë e studentëve të arteve. Sot, shumë vite më pas, Xhelil Aliu e rikthen këtë bisedë, nga kemi shkëputur vetëm një pjesë prej saj, në të cilën Popi flet për realizimin e rolit të Qazim Mulletit. Përveç tekstit të Besim Levonjës. Popi kishte marrë të dhëna nga ish-sekretari i Mulletit, por ndihmësi i tij më i vlefshëm ishte një punëtor që kishte bërë meremetime në shtëpinë e ish-prefektit. Ishte ai që e merrte në “provim” Mihal Popin.

Xhelil Aliu: Falë penës së Besim Levonjës e sidomos interpretimit të M. Popit, ne kemi një komedi me emrin “Prefekti”, e cila sot është në fondin e artë të dramaturgjisë shqiptare. Komedia tërhoqi vëmendjen e publikut që në shfaqjet e para të saj dhe vazhdoi të qëndrojë në skenë për vite e vite të tëra. Aty M. Popi e shkriu tërë talentin dhe mjeshtërinë e tij për të nxjerrë një personazh të shkëlqyer me emrin Qazim Mulleti.

Mihal Popi: Besimi ka qenë një aktor shumë i mirë. Unë kam pasur shumë shokë, por njeriu ka një ose dy më afër zemrës së tij. Për mua ka qenë Besimi. Ai pati bërë nja dy-tre skeçe për Qazim Mulletin. Një ditë më thotë: Dua që të bëj një komedi për Qazimin. – Bëje, i them. – më është mbushur mendja që ti do të ma luash këtë rol… – Do të përpiqem i them. Se Besimi mund edhe ta shkruante më parë Qazimin, por ai ishte në kërkim të aktorit. Kur u bind se unë mund ta bëja, vendosi t’i hyjë punës. Në atë kohë, viti 1948, president i Komitetit të Kulturës dhe Arteve ishte Foto Stamo. Kërkuam gjashtë muaj për t’u përgatitur, por vetëm tre na lanë. Veçse Qazimi më është dukur më i vështiri nga të gjitha rolet që kam luajtur. Pse? Sepse vetëm 4 vjet kishin kaluar nga çlirimi dhe Tirana e njihte mirë Qazimin. Isha vërtet në hall, se po të mos i ngjaja atij, atëherë dështonte pjesa. Jo për vete, por mua më vinte keq për Besimin. Kështu që i hyra punë mes përgjegjësi.

Vangjush Furxhi: Si punuat ju për atë rol?

Disa gjëra m’i dha vetë Besimi, disa të tjera i mora nga ish-sekretari i Qazimit. Kurse një pjesë të mirë të ndihmës ma dha një punëtor që pati punuar te Qazimi për meremetime. Atë unë nuk mund ta pyesja me gjuhë profesionale, siç e duam ne aktorët, se ai punëtor ishte, por përgatisja nga një fragment të vogël dhe e thërrisja aty në kabinën time për ta parë. Ai më shihte mua si interpretoja, kurse unë shihja atë se si po i dukej, si reagonte, ç’efekt i bënte. – Hë ore si të duket?- e pyesja. -Tamam ore… tamam, – përgjigjej ai. Pas katër-pesë ditësh i tregoja një fragment tjetër, e kështu me radhë. Prefektin filloi ta vërë Andon Pano dhe e vazhdoi ai rusi, Kriçko. Por edhe ai e vazhdoi ashtu siç i thoshim ne, se ne kishim mbaruar në tavolinë dhe ai filloi direkt në mizanskenë. Por në atë kohë ne nuk e dinim ç’ishte mjeshtëria e aktorit. Atë filluan të na e mësojnë, regjisorët e ardhur nga Bashkimi Sovjetik.

Esat Oktrova: Sa herë e keni luajtur Qazimin?

Nja njëqind e ca herë (106 herë).

Esat Oktrova: Njëqind e ca herë jo njëlloj. Si bënit për të mos qenë njëlloj nga mbrëmja në mbrëmje, nga shfaqja në shfaqe?

Aktori duhet ta freskojë vazhdimisht rolin e vet. Të paktën, kështu thonë. Mirë- po është ndryshe të thuash e ndryshe të bësh. Janë dy gjëra të ndryshme. Teksti i sotëm i Qazimit, siç thoshte besimi, ka për autor kolektivin, ose më mirë Mihal Popin. Ai kënaqej, se unë në çdo shfaqje bëja pastrim dhe riparim të tekstit. Kishim sufler Tef Palin dhe gjatë shfaqjes unë interpretoja, kurse ai mbante shënim. Pas nja njëzetë a tridhjetë shfaqjesh na doli tekst i ri, të cilin e pranoi me kënaqësi dhe autori.

Esat Oktrova: Por edhe kur teksti nuk ndryshon, ju nuk jeni i njëjti në çdo shfaqje…

Varet shumë edhe nga partnerët. Po unë, pas çdo shfaqjeje të re nuk flija. Mendoja me vete: Pse kjo kështu, pse ajo ashtu? Sonte bëra këtë, po sikur nesër ta provoj edhe atë… Dhe çdo herë vija me nga një gjë të re. Shkoja nga një orë para orarit dhe rrija me ata punëtorët e skenës duke biseduar për shfaqjen e mbrëmshme. Se ata, vërtet punëtorë ishin, po komentonin shumë bukur me atë mënyrën e tyre, se përnatë me atë punë merreshin. Po unë kam pasur edhe një hall tjetër, se kam pasur shumë fëmijë. Tani ata janë burra, janë gra, po atëherë në shtëpi më duhej të punoja pasi binin fëmijët për të fjetur, se zhurma më shqetësonte.

Esat Oktrova: Sa fëmijë?

Nëntë fëmijë, pesë vajza e katër djem…

Vangjush Furxhi: Cilat role u janë dukur më të vështirë?

Më i vështirë më është dukur Qazim Mulleti, se Prefekti i Gogolit. Se Prefekti i Gogolit mund të ishte edhe ashtu siç e luaja unë në ’47- n. Por për Qazimin nuk mund të thuhej kështu. Rinia e sotme s’e pat njohur dhe mund të thotë: “edhe kështu mund të ketë qenë”. Por në atë kohë, kur e kam luajtur unë, ishte e vështirë. Dhe jo vetëm për Qazimin, por edhe për role të tjerë tanët. Janë shumë të vështirë se duhet vërtetësi.

Vangjush Furxhi: Ku e shihni ju humorin e personazhit?

Unë s’kam luajtur asnjëherë komedinë e personazhit, por dramën e tij. Si rezultat dilte komedia. Për shembull, a ka më budallë se ai Zhyrdeni, te “Borgjezi fisnik”? Nuk ka. Mirëpo unë kam luajtur të kundërtën. Jam përpjekur të luaj më të zgjuarin. Keni parasysh kur ai më- son ato reverancat. Kur vjen tek ajo dashnorja e tij, duhet të hedhë tre hapa për ta bërë reverancën. Ky bën dy hapa dhe, meqë i avitet shumë asaj, i thotë: Me leje, bëj një hap më mbrapa. – Çfarë?- habitet ajo. – Shiko budallaqja, nuk e di që për të bërë reverancën duhen tre hapa!- i thotë ky i “mençmi”! Domethënë, të luash gjithnjë të kundërtën, e jo si disa që kërkojnë të bëjnë komedi. Komedia luhet vetëm nëse luhet kështu. Me Qazimin unë ndërroja nga tri këmisha me djersë në çdo shfaqje, kisha dramë, kisha vërtetë hall, kurse spektatori qeshte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura