Ministrja Ekonomi: Brandi që ka Shqipëria quhet Edi Rama

Nov 4, 2016 | 10:16
SHPËRNDAJE

Taksat, pagat, monopolet prioritet dhe e ardhmja e ekonomisë. Ku do të jetë ekonomia shqiptare pas 10 vitesh. Në një bashkëbisedim me studentët e pedagogët e Universitetit Europian të Tiranës, ministrja Milva Ekonomi ka dhënë përgjigje për të ardhmen dhe ndryshimet e ekonomisë shqiptare.

14963043_10157721430030301_199742028_nPërgjigjja pikante për marrëdhëniet me Kryeministrin Edi Rama dhe dy sfidat madhore: derregullimi dhe industria e mikpritjes.

Përse është i rëndësishëm raporti “Të bësh Biznes 2017” i Bankës Botërore publikuar para pak ditësh dhe çfarë përcjell ky raport te biznesi?

“DoingBusiness” publikohet çdo vit që nga viti 2003 nga Banka Botërore dhe rankon vendet për të parë se sa e lehtë është të bësh biznes në vendin përkatës. Përgjithësisht, ka një lloj konkurrence midis vendeve që tregojnë se kanë ndërmarrë reforma, i kanë kryer me shpejtësi dhe nëse shpejtësia me të cilën punon një vend është e krahasueshme me një vend tjetër. Pra, nuk mjafton vetëm të bësh reforma, por duhet t’i bësh shpejt dhe të përcjellshme te biznesi, në një kohë që i plotëson me përmirësimet e nevojshme të kuadrit legjislativ. “DoingBusiness” për vitin 2017 tregoi që Shqipëria kishte rritur shumë pozicionin e vet. U përmirësuam me 32 vende, duke arritur në pozicionin më të mirë historik që kemi pasur ndonjëherë, në vendin e 58-të. Raporti tregon që edhe cilësia e kryerjes së reformës ishte e mirë. Ajo që në raport quhet “distance to frontiere”, distanca nga eksperienca më e mirë, nga pozicionin 61.3, lëvizi në pozicionin 68.9, duke iu afruar më shumë 100. Këto ishin dy indikatorë që treguan që ne bëmë reforma, i bëmë shpejt dhe i bëmë me cilësi të mirë.

Në çfarë nivelesh është Shqipëria për atë që njihet si zinxhiri i vlerës?

Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar pranë Universitetit të Harvardit ka krijuar atlasin e produktivitetit në botë, ku mund të shihet se si në 50 vjet ka evoluar produktiviteti i vendeve kur ato shkëmbejnë mallra me vendet e tjera. Për fatin tonë të keq, produktiviteti i ekonomisë sonë është ende i ulët. Ne kemi shumë nevojë që të rrisim produktivitetin e disa sektorëve të ekonomisë dhe kjo pa dyshim që është një gjë që nuk bëhet dot vetëm. Kjo duhet bërë me mendjet e ditura që nuk ndodhen vetëm në administratë, por janë gjithkund. Duke thënë që këta janë sektorët që ne mendojmë të zhvillojmë dhe mundësia për të bërë një biznes duhet të jetë e lirë, gjithsekush që ka një ide duhet të nxitet dhe të bëjë një biznes, por ama ka shumë nevojë për një komunikim të vazhdueshëm midis entit administrativ, iniciativës së lirë, midis mendjes së ndritur dhe fondeve të mbështetjes së sipërmarrjes.

A do të ndërhyjë sërish qeveria me ndonjë reformë tjetër në sistemin e taksimit?

Në fakt, Shqipëria nuk është vendi që ka taksat më të larta në rajon. Le t’u hedhim një sy investimeve të huaja direkte, ne jemi vendi i dytë në rajon për nga sasia e investimeve të huaja direkte. Thënë këtë gjë, unë nuk dua të them që ne nuk do të mendojmë për sistemin e taksave, por është shumë e rëndësishme që ne të mendojmë se duhet t’i japim qëndrueshmëri sistemit. Një investitor që do të vijë dhe të investojë në Shqipëri nuk e ka aq të rëndësishme të kuptojë që ky sistem është i lartë apo është më i ulët, por e ka shumë të rëndësishme të kuptojë që qëndrueshmëria në këto nivele taksash, do të jetë e sigurt për një periudhë të caktuar vitesh. Kjo është pyetja më e rëndësishme së cilës duhet t’i përgjigjet Shqipëria, kur vjen një investitor i huaj, ndjekur nga lehtësimi i procedurave dhe këtë po tentojmë. Duhet të jemi gjithmonë me një dritare unike dhe sa më shumë unike ta bëjmë dritaren tonë kur dikush kërkon të investojë në Shqipëri, aq më mirë do të jetë. Përveç kujdesit në nisjen e një biznesi, e rëndësishme është edhe kujdesi që ne duhet të bëjmë gjatë viteve të para të fillimit të biznesit, AIDA e ka quajtur “aftercare”, dhe ndjek biznesin, i cili mund të ketë pengesa që vijnë nga implementimi i idesë, që mund të mos jenë të parashikuara. Duhet të ketë një njësi të vogël për biznesin që bën kujdes gjatë gjithë kohës, sepse biznesi funksionon mirë kur e kupton që për atë ka vëmendje. Mund të kesh iniciativë të lirë, por iniciativë të lirë përkundrejt disa rregullave, sa më pak të jenë, por të jenë mbikëqyrëse, aq më mirë është dhe për vetë biznesin.

Nëse e shikojmë në një periudhë afatgjatë rreth 10-vjeçare, ku duhet ta shohim projektimin e Shqipërisë, për sa i përket rritjes ekonomike, në një vend që do ta sigurojë rritjen ekonomike dhe punësimin bazuar te lëndët e para, do mendohet për një riindustrializim të sektorëve produktivë, apo do përqendrohemi te shërbimet, shërbimet e brendshme, si turizmi apo transporti, apo dhe shërbimet e jashtme?

Kjo është një pyetje shumë e mirë. Duke thënë që energjisë i kemi dhënë vëmendje, mendojmë se duke eksportuar lëndë të parë, ne kemi shansin për të rritur zhvillimin ekonomik të vendit. Që të bëjmë këtë gjë, sektori i energjisë ka nevojë për shumë investime. Ne eksportojmë produkte që janë gjysmë të përpunuara. Kemi një situatë që popullsinë tonë e kemi vërtet më shumë urbane, në statistikë, por në fakt jetën një popullsi urbane e ka lidhur më shumë me zonën rurale, ku ka ferma të vogla dhe në fakt prodhimi vjen nga fermat. Kemi vënë re në këto vite se prodhimi bujqësor është rritur, po ka qenë i pazoti që të shkojë jashtë tregut shqiptar. Shpesh kemi parë nevojë se produkti ka nevojë për t’u përpunuar, apo dhe për t’u ruajtur afatgjatë. Por dhe po të ngresh këto industri, natyrisht që ke nevojë për investime. Nuk bëhen dot pa pasur investime. Sektori tjetër që bën shërbime është sektori i turizmit. Çfarë bën ai? Ai importon shërbime, sepse dikush që do të vijë turist në Shqipërisë e prenoton shërbimin në vendin e vet dhe e konsumon në vendin tonë. Në përgjithësi, sektori i turizmit ka akoma pak shanse për të qenë shumë atraktiv, sepse Shqipëria është një vend, i cili mesazhin e vet kryesor aktualisht e jep si një vend që është i pazbuluar dhe njerëzit kanë shumë nevojë që të shikojnë atraksione të reja e të zbulojnë vende të reja. Shqipëria sot ka një armë shumë të fuqishme në turizëm, që është pikërisht e panjohura. Shqipërinë duhet ta njohin. Ky është një sektor që kërkon disa rregulla. Nuk është se nuk kërkon investime, por kërkon vendosjen e disa rregullave që kanë të bëjnë me atë që quhet marka shqiptare dhe mikpritja shqiptare, industria e mikpritjes shqiptare. Edhe për këtë ka nevojë për investime. Kështu që në këtë zhvillim që ne duam të marrim për 10 vjet, natyrisht që e rëndësishme është që të kuptojmë se sa shumë mundësi kemi të investojmë dhe duke investuar ku ne mund të marrim më shpejt. Besoj që për Shqipërinë, sektori i energjisë dhe sektori i turizmit do të mbeten sektorët prioritarë dhe pastaj sektori tjetër për nga prioriteti do të jetë sektori i agropërpunimit, i cili, ashtu si turizmi, do të jetë sektor që do t’u lihet më shumë iniciativa privatëve, ndërsa sektori i energjisë do të jetë sektor ku do të ketë vëmendje shtetërore për ta zhvilluar. Kështu që në vitet që do të vijnë, këta do të jenë, sipas mendimit tim, sektorët që do zhvillohen dhe ku do të fokusohen kryesisht investimet.

Qeveria ku ju bëni pjesë, njësoj si Partia Demokratike kur qeveriste, po bëni rritjen e pagave në kohë fushate. Ku ndryshoni ju nga Partia Demokratike?

Ku ndryshojmë ne nga Partia Demokratike? Ndryshojmë nga idetë që kemi. Ne i kemi të ndryshme idetë. Nuk besoj që rritja e pagave lidhet me fushatën, nuk e besoj këtë. Rritja e pagave nuk lidhet me fushatën. Shqipëria i mbajti të ngurtësuara deri tani të gjitha lëvizjet që mund të bëheshin në pagë, dhe ishte një moment që u bë reflektimi për rritjen e pagave, sepse vjen si kërkesë e domosdoshme paga, pasi vazhdimisht qeveritë i rrisin dhe paga minimale vazhdimisht rritet e kjo është një kërkesë normale që ne të rrisim pak aftësinë konsumuese dhe ta bëjmë Shqipërinë edhe më kompetitive në tregun e punës. Nuk është çështje fushate, është çështje reflektimi, pasi kishte ardhur momenti për të rritur pagën. E ndërkohë sektorët që po rriten janë sektorët e atyre shërbimeve që i bëjnë më mirë popullatës, si sektorët e shërbimit shëndetësor, arsimor, të policisë, ish-ushtarakët, ndërkohë në administratën e lartë pagat nuk po rriten.

Çfarë vendimi duhet të ketë për monopolet në të ardhmen?

Ne duhet të luftojmë për një ekonomi të lirë. Duke thënë këtë, natyrisht që monopoli nuk mund të ketë pjesë këtu. Duhet ta konsiderojmë një mish të huaj në trupin e ekonomisë shqiptare. Pjesa tjetër e rëndësishme është shtimi i të dhënave dhe analizave për këtë gjë. Duhet të bëhemi gati për të grumbulluar të dhëna. Në Shqipëri nuk është aq e lehtë të grumbullosh të dhëna. Unë vij nga fusha e të dhënave dhe e di që nuk është e lehtë të grumbullosh të dhëna dhe e di që nuk është e lehtë që me të dhëna të bësh analiza të kësaj natyre, por ka aq shumë shembuj përqark nesh që këtë gjë e marrin dhe e analizojnë, dhe pastaj e rekomandojnë në një formë zgjidhjeje që mund të ketë problem, sa unë besoj që është një nga ato fusha që në fakt MZHETTS duhet të punojë me akademikët, është nga ato fusha që duhet të ulemi bashkë ta mendojmë se si është rasti dhe se si ta zgjidhim. Nuk jemi ne në administratë aq të zotë për të ngritur modelin e për të dhënë rekomandime te kjo fushë.

Nëse ju veçoni 2-3 politika ekonomike prioritare që keni sot si ministri, mund të na thoni se cilat janë ato?

Në ministri unë do të vlerësoja dy gjëra prioritare: E para, është derregullimi, që është shumë i rëndësishëm dhe, e dyta, është industria e mikpritjes. Këto të dyja.

A ka një vlerësim real midis potencialit ekonomik të Shqipërisë dhe asaj se çfarë jep ajo? A ka një matje për efiçencën e produktivitetit tonë?

Në MZHETTS ka një departament që merret me zhvillimin ekonomik. Aty është vendi që vërtetohet kjo pyetje, sa është hendeku, midis asaj që kemi potencial dhe i asaj që realizojmë në të vërtetë. Ka një iniciativë për të bërë një lloj matjeje, një lloj përqasjeje për këtë gjë. Si ju që keni bashkëpunime apo binjakëzime të pafundme dhe te ne ka disa qasje nga organizatat ndërkombëtare e ne për këtë jemi duke kërkuar një ndihmë nga një grup kërkuesish nga Suedia. Por edhe këtu ka vend për më shumë bashkëpunim me akademikët për të realizuar një kërkim të përbashkët.

Ju jeni një ministre e re dhe pa ngarkesë politike, veprimtare e shquar e shoqërisë civile. Ky pozicion a ju bën pa peshë apo të dekompleksuar?

Të marrësh detyrën e ministrit duke mos ardhur nga një forcë politike e drejtpërdrejtë nuk është aq e lehtë, pasi ti kërkon që të bësh edhe disa ndryshime personale në kuptimin që posti i ministrit është një post monokratik dhe ti duke ardhur nga shoqëria civile, vjen në një stil pune demokratik. Pra, duhet të bësh një lloj shndërrimi personal nga një person me stile demokratike do të shndërrohesh në një person me stil monokratik, sa gati jeni ju të ma lini mua ta mbaj këtë peshë dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme. E dyta, duke ardhur nga akademia, vjen nga një sektor ku produkti ka shumë rëndësi të bëhet në kohë. Në qeverisje kjo është edhe më e rëndësishme, pra të zbatosh në kohë. Pra, duhet t’i rrish punës në kokë që ta bësh në kohë. Sigurisht që ”shefat” e kanë shumë të rëndësishme që detyrën ta bësh në kohë dhe kjo ka të bëjë me menaxhimin e strukturuar. Nga ky këndvështrim, unë besoj që përvoja ime e mëparshme më ndihmon dhe nuk më bën të jem një person i kompleksuar apo një person që nuk ka peshë, sepse, në fund të fundit, në qeverisje ne matemi sa mirë i bëjmë detyrat. Dhe në qeverisjen aktuale ne kuptohemi për detyrën që bëjmë mbi bazën e një programi matës të aktiviteteve të realizuara që quhet programi i 600 ditëshit. Pra, në fund, ajo që të jep peshë është se sa mirë i ke bërë ti aktivitetet e tua. Prandaj për këtë gjë je në një lloj konkurrence pozitive me kolegët e tu, sepse duhet të bësh detyrat dhe peshën e merr te realizimi i mirë i detyrave.

Mendoni se mund t’i ndryshoni ide Kryeministrit Edi Rama, apo ai ka ide fikse dhe nuk ju dëgjon? Përse Edi Rama duhet të mbajë edhe një mandat të dytë si kryeministër?

Kryeministri dëgjon, është një nga ata burra që dëgjon me shumë vëmendje. Unë shumë shpesh mendoj që nëse ka një brand aktual Shqipëria përtej kufirit, unë mendoj që brandi që ka Shqipëria sot quhet Edi Rama. Në çdo takim ndërkombëtar që kemi shkuar, nga diskutimet që bën, tezat që ngre për diskutim, të bën shumë përshtypje, sepse është nga ata njerëzit që globin e ka te koka. Ai i ka dijet te mendja dhe di t’i përdorë shumë mirë në momente të caktuara. Dhe për këtë arsye mund të them që bëhet brand, sepse ka aftësinë e të dëgjuarit të përgjithshëm dhe të transmetuarit të idesë te të tjerët. Ai dëgjon. Nëse ka një gjë që do t’i pëlqejë dhe atij i bindet intuita dhe logjika e tij që kjo gjë është e duhur, ai e dëgjon këtë gjë. Një profesionist që të bëhet i mirë, ju e dini që ka nevojë për 10 mijë orë pune. Nëse ti nuk ke bërë 10 mijë orë pune te puna jote e zakonshme, do të thotë që ti nuk je ende i zoti. Ndërkohë që të bësh 10 mijë orë pune të duhen 6 deri në 7 vjet. Në një moment si ky reformator, që ka kaq shumë reforma, gjëja që duhet të kuptosh është mos heqësh dorë nga ajo që ke nisur, çoje deri në fund dhe ndrysho duke perfeksionuar gjëra që dalin si të nevojshme nga zbatimi, por mos ndrysho vijën, nuk duhet të ndryshosh vijën. Pra, në këtë moment unë them që vijat janë ato që po udhëheqin, ajo që mund të përmirësohet janë gjëra të tërthorta që mund të lindin nga implementimi. Nuk ka ndonjë gjë që mund të ndryshojë. Gjërat duhet të shkojnë përpara kështu siç janë, duke iu referuar reformës, por mbi bazën e parritur jo për të bërë ndryshime të mëdha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura