Kurora e miss-it dukej se ishte ajo që i mungonte portretit me buzëqeshje dominuese, që e dallonte nga të tjerat. Sara Karaj është 19-vjeçarja e shpallur “Miss Shqipëria 2015” në skenën e improvizuar në Voskopojë. Për të mësuar më shumë se çfarë fshihet pas pamjes së një vajze të bukur e që jeton në Londër, Sara zbulon më shumë nga vetja në këtë intervistë për gazetën “Panorama”.
U shpalle “Miss Shqipëria” në një show të organizuar në Voskopojë. Cila është pika jote më e fortë në pamje, pra ajo që të bëri të dallosh nga të tjerat?
Fiziku për të cilin kujdesem, gjatësia dhe buzëqeshja. Por nuk mendoj se është thjesht një pikë e fortë. Janë disa mes të cilave do të veçoja besimin, vetësigurinë, përkushtimin dhe përgjegjësinë gjatë ditëve të organizimit të “Miss Shqipëria”.
Cila ishte CV-ja jote në këtë garë, të cilën e fitove?
Unë jam Sara Karaj, 19 vjeçe, vajza e rritur në një familje mes dy prindërish të mrekullueshëm, dhe me dy motra shumë të dashura e të ëmbla. Jetoj në Londër dhe vazhdoj universitetin në degën e Menaxhim-Biznesit. Hobet e mia janë sporti dhe modelingu.
Si ndodhi që u bëre pjesë e një konkursi bukurie si ky dhe deri ku shkojnë ambiciet e tua?
Më kanë pëlqyer që e vogël konkurset e bukurisë, në mënyrë të veçantë “Miss Shqipëria”, sepse kisha dëgjuar më parë për këtë shtegtim në vende të bukura të Shqipërisë dhe që çdo vit zhvillohet në një vend historik. Kështu aplikova dhe u bëra pjesë e garës. Ambiciet në jetë kanë të bëjnë më shumë me profesionin, që do të bëj kur të mbaroj studimet e larta.
Nga cili pjesëtar i familjes e trashëgon bukurinë?
Mendoj se familja ime është më e bukura. Të gjithë janë të pashëm e gjithë nur, por unë i ngjaj gjyshes sime, e cila u nda nga ne dy ditë përpara se unë të bëhesha pjesë e “Miss Shqipëria”.
Mbaje numrin 14. Ishte numri që të solli fat?
Numerologjia ka shpjegimet e saj, por unë nuk jam e fiksuar pas saj. I besoj fatit ndonjëherë dhe ky ishte fati im, të rrëmbeja kurorën duke mbajtur numrin 14-të.
Kjo kurorë do e ndryshojë jetën tënde, apo do të mbetet një kujtim i bukur rinie?
Një kurorë bukurie nuk e ndryshon tërësisht jetën e një vajze. Sigurisht që ndikon në të ardhmen, kështu që tani unë duhet të jem më e vëmendshme. Pikërisht për shkak të kurorës do të jetoj mes Londrës dhe Tiranës.
Shumë miss-e në vite sot janë pjesë e botës së televizionit. Ti e synon?
Bota e televizionit më pëlqen, por nuk dua të jem e fiksuar për t’u bërë pjesë e saj. Nëse vjen një ftesë, pse jo?! Me sa di e kam informacion, regjisori Petri Bozo i bën gjithnjë pjesë të eventeve të tij fitueset. Ku i dihet, mund të jem prezantuese e “Netëve të Klipit Shqiptar”! Kjo do të thotë që unë tashmë jam në rrugën për t’u bërë pjesë e televizionit. Eksperienca të tilla nuk më trembin, përkundrazi, i mirëpres!
Ke ndonjë talent me të cilin mburresh?
Nuk di të kem ndonjë talent të veçantë. Por mund të them se kam disiplinë të hekurt, të edukuar nga prindërit. Serioziteti me të cilin i shoh e i marr të gjitha detyrat e punët, përkushtimi për t’i çuar deri në fund angazhimet që marr. Në fakt, talent kam për të dëgjuar e ndarë çdo gjë me motrën time, Alketën.
Profesioni yt i së ardhmes, cili do të jetë?
Profesionin e së ardhmes mendoj se e përcakton shkollimi im, po ku i dihet, ndoshta ndryshon.
Do të përfaqësosh Shqipërinë në “Miss Globe”, që mbahet në Kanada. Mes të bukurave të botës, cilat vende kanë bukuri të parezistueshme?
Bukuritë latine sigurisht që janë të preferuara sot për publikun. Por mendoj se të gjitha bukuritë, kur janë të dukshme, janë të parezistueshme për t’u vlerësuar. Është herët për të treguar për pjesëmarrëset e “Miss Globe”. Kur të jem atje, do ta kem një ide më të qartë! (qesh)
Ekziston një rregullore për të mbajtur kurorën, çfarë varësie do të kesh nga produksioni këtë vit? Çfarë ke të ndaluar të bësh?
Të fitosh një kurorë bukurie do të thotë që, pasi të kesh zbukuruar kokën me kurorën e artë, të jesh më e vëmendshme ndaj produksionit, të konsultohesh, të ndash biseda që kanë të bëjnë me oferta, të cilat gjatë këtij viti të mbretërimit nuk do të mungojnë. E ndaluar? Çdo gjë që është e ndaluar e nuk i përputhet së pari karakterit tim. Të mos shëmtohem (qesh), të ruaj natyralitetin, të mos shtoj kilogramë, të mos flas pa u menduar e, kryesorja, të mos harroj që jam “Miss Shqipëria”.
Dhe si e mban trupin në formë?
Më pëlqen të respektoj vaktet e ushqimit, të ha shëndetshëm dhe të mos konsumoj pije të gazuara. Menyja ime përbëhet nga shumë zarzavate, pak brumëra, palestër dhe sport sistematikisht. Pra, me rregullat që më janë vendosur edhe nga prindërit, e që unë i kam tashmë mënyrë jetese.
KLOTILDA HARKA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al