Argjentina po përpiqet të zgjidhë një mister mjekësor pasi 57 marinarë u infektuan me koronavirus pas 35 ditësh në det, pavarësisht se i gjithë ekuipazhi u testua negativ para se të linte portin.
Anija e peshkimit “Echizen Maru” u kthye në port pasi disa nga anëtarët e ekuipazhit filluan të shfaqnin simptoma tipike të COVID-19, tha të hënën Ministria e Shëndetësisë për krahinën jugore Tierra del Fuego.
Sipas ministrisë, 57 detarë, nga 61 anëtarët e ekuipazhit, u diagnostikuan me virusin pasi iu nënshtruan një testi të ri.
Sidoqoftë, të gjithë anëtarët e ekuipazhit kishin kaluar 14 ditë karantinë të detyrueshme në një hotel në qytetin e Ushuaia. Para kësaj, ata kishin rezultate negative, tha ministria në deklaratë.
Dy nga marinarët e tjerë janë testuar negativ, dhe dy të tjerë janë në pritje të rezultateve të testit, tha komiteti i operacioneve të urgjencës së krahinës. Dy marinarë u shtruan në spital.
“Është e vështirë të përcaktohet se si u infektua ekuipazhi, duke marrë parasysh që për 35 ditë, ata nuk kishin asnjë kontakt me tokën dhe se furnizimet u sollën vetëm nga porti i Ushuaia”, tha Alejandra Alfaro, drejtoresha e kujdesit shëndetësor parësor në Tierra del Fuego.
Një ekip po shqyrtonte “kronologjinë e simptomave në ekuipazh për të vendosur kronologjinë e infektimit”, tha ajo.
Kreu i departamentit të sëmundjeve infektive në Spitalin Rajonal Ushuaia, Leandro Ballatore, tha se besonte se ky është një “rast që del nga parashikimet e të gjitha botimeve, sepse një periudhë inkubacioni për këtë kohë nuk është përshkruar askund”, shkruan AFP.
“Ne ende nuk mund të shpjegojmë se si shfaqen simptomat,” tha Ballatore.
Ekuipazhi u vendos në izolim në bordin e anijes dhe u kthye në portin e Ushuaia.
Argjentina tejkaloi 100,000 raste totale të dielën, dhe numri i vdekjeve u rrit në 1.859. Shumica e infeksioneve janë në zonën e Buenos Aires.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al