Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, ka zbuluar rolin e lajmësit që Kryeministri Rama ka luajtur gjatë turit të tij nga Ankaraja në Athinë.
Çavushoglu ka ftuar homologun e tij grek, Nikos Dendias, të takohen në Tiranë, sipas propozimit që kreu i qeverisë shqiptare kishte bërë. Nga ana e tij, Kryeministri Rama nuk ka dhënë asnjë detaj nga vizita e tij në Athinë, ndërsa takimet private të tij me ministrin Dendias dhe Kryeministrin Mitsotakis treguan se ai përcillte një mesazh diplomatik nga Presidenti Erdogan.
Këtë rol të kreut të qeverisë Rama e njoftuan dhe mediat turke ditën që Rama qëndronte në Athinë me Kryeministrin Mitsotakis. Çavushoglu ka treguar të plotë rolin që Edi Rama ka kërkuar të luajë në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë.
“Pas datës 11 janar Turqia kishte deklaruar se mund të fillojmë takimet. Në kuadër të kësaj gjëje, Kryeministri shqiptar Edi Rama na ka ftuar mua dhe ministrin Dendias për të mbajtur bisedime në Tiranë. Dhe në të njëjtën ditë Dendias kishte refuzuar. Miq tanë janë angazhuar në negociata.
Por, ne jemi gati që sot. Ne ftojmë Greqinë në bisedime të mbajtur takimin e parë në janar. Ne jemi vendi pritës. Miqtë tanë që po kryejnë këto negociata do të përcaktojnë historinë e tyre me homologët në Greqi. Por, ne jemi gati duke nisur nga sot.
Pas këtij takimi të parë, unë do të shkoj përsëri në Tiranë me ftesë të Edi Ramës dhe jam gati të takohem me ministrin e Jashtëm grek, Dendias. Uroj që ministri grek të pranojë ftesën e Kryeministrit Rama dhe të takohemi në Tiranë”, tha Çavusoglu.
Këtë deklaratë Çavushoglu e bëri gjatë një konference për mediat me homologun e tij qipriot turk Tahsin Ertugruloglu në Ankara.
GREQIA
Ministria e Jashtme e Greqisë njoftoi mbrëmë se Athina dhe Ankaraja do të ulen në tryezën e bisedimeve më 25 janar në Stamboll dhe jo në Tiranë.
Në deklaratën e Ministrisë së jashtme të Greqisë thuhet se: “Raundi i parë i bisedimeve paraprake do të zhvillohet në Stamboll më 25 janar 2021. Sipas burimeve diplomatike, pala turke komunikoi me Athinën. Ankaraja propozoi që raundi i 61-të i Kontakteve Hulumtuese të zhvillohej në Stamboll më 25 janar 2021, një ftesë të cilën Athina e pranoi”.
Menjëherë pas ftesës së ministrit të Jashtëm turk, Ministria e Jashtme e Greqisë kishte mohuar se kishte një ftesë zyrtare nga Ankaraja.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Alexandros Papaioannou, konfirmon se nuk ka asnjë ftesë zyrtare nga Turqia, por në rast se do të ketë atëherë Greqia do e pranojë për të diskutuar e negociuar ne bazë të ligjit ndërkombëtar.
“Ministria e Jashtme greke nuk ka marrë asnjë ftesë nga Ministria e Jashtme turke në lidhje me të. Greqia, siç dihet, ka shprehur gatishmërinë e saj për t’iu përgjigjur, në rast të një ftese përkatëse nga pala turke, në bazë të Ligjit Ndërkombëtar mbi caktimin e zonës së EEZ-së dhe shelfit kontinental”, tha Papaioannou.
MITSOTAKIS
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka reaguar lidhur me ftesën për dialog nga ana e Turqisë.
Gjatë një konference të përbashkët nga Lisbona me homologun e tij portugez Anostas, Mitsotakis ka thënë se Greqia do të marrë pjesë në kontaktet eksploruese ku të caktohet një datë, bazuar në vendimet e Këshillit Europian. I pyetur në lidhje me vërejtjet e z. Tsavousoglu, se Ankaraja dëshiron të fillojë kontakte kërkimore në janar, z. Mitsotakis e përshkroi atë si “pozitive që Turqia shpreh vullnetin për të filluar procesin” , duke shtuar se qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e dialogut janë të nevojshme.
“Mjaft luajtët rolin e ‘burrit të mirë’ dhe uluni në tryezën e dialogut. Të caktohet një datë dhe të ulemi në dialog. Shpresojmë që ftesa turke të jetë për të folur mbi çështjet me të cilat po përballemi“, është shprehur Kryeministri grek Mitsotakis.
Rama: Me Erdoganin kam marrëdhënie miqësie dhe partneriteti
Kryeministri Rama sqaroi dje se përse marrëdhëniet e tij me Presidentin Erdogan nuk është marrëdhënie interesi.
“Sa i përket pyetjes tjetër, marrëdhënia ime me Presidentin nuk është marrëdhënia më jep, të jap. Është shumë e thjeshtë. Shpeshherë në teoritë e konspiracionit këtu është thënë, çfarë nuk është thënë, por marrëdhëniet e mia me Presidentin Erdogan e me të gjithë ata që janë në krye të vendeve të tyre e me të cilët, unë kam marrëdhënie, është një marrëdhënie reciproke, respekti dhe në raste të caktuara, miqësie. Në marrëdhëniet me homologët apo me partnerët tanë, unë jam i barabartë dhe kërkoj nga secili e kam marrë këtë, barazinë. Pastaj, pse Presidenti Erdogan e bën këtë, është shumë e qartë. Është pjesë e një partneriteti dhe një miqësie tradicionale mes dy vendeve. Natyrisht, edhe e marrëdhënies që ne kemi, unë dhe ai. Është fare e qartë. Të gjitha këto bashkë ndikojnë, por thelbi është që është një marrëdhënie miqësie dhe partneriteti dhe këto janë vetëm një pjesë e gjërave që kemi rënë dakord, siç është një lajm shumë i mirë ndërtimi i spitalit. Ne kemi premtuar Spitalin e Fierit, ne kemi bërë shumë përpjekje për Spitalin e Fierit, por asnjëherë nuk na ka dalë llogaria për shkak se bëhet fjalë për një spital që kërkonte një financim të konsiderueshëm dhe në kushtet, kur ne kemi pasur shumë elementë të tjerë të sistemit tonë shëndetësor për të financuar. Kemi studiuar disa skema edhe me PPP dhe me financim direkt dhe nuk ia kemi dalë”, u shpreh Kryeministri Rama.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al