Ish-Presidenti Alfred Moisiu mbështet ligjin për importin e mbetjeve të riciklueshme, duke vlerësuar përcaktimet e reja në ligj.
“Edhe në 2012-n isha pro referendumit dhe firmosa i pari, sepse ligji ishte total, ishte global, ndërsa tani kemi të bëjmë me një ligj që specifikon qartë se çfarë mbetjesh do të importohen, të cilat janë klasifikuar si lëndë e parë, e dorës së dytë”, është shprehur ish- Presidenti Moisiu për “Top Channel”.
Por ka dhe një arsye tjetër se pse ish-presidenti ka ndryshuar qëndrim. Ish-kreu i shtetit vlerëson dhe gjendjen në të cilën ndodhen institucionet e vendit.
“Institucionet e shtetit nuk janë më ato që kanë qenë, aparaturat po ashtu, aq më tepër që ligji përcakton tri pika për hyrjen e tyre dhe në këtë mënyrë ka siguri. Ne, po të vazhdojmë kështu, izolohemi, siç u izoluam në kohën e Partisë së Punës dhe skafeve, por kështu nuk mund të ecet përpara. Shqipëria do të zhvillohet”, deklaron ish-kreu i shtetit.
Moisiu ka qenë një nga kundërshtarët më të fortë të ligjit të mbetjeve që nga koha kur ishte në detyrën më të lartë të shtetit, në 2004-n, kur u propozua një ligj për importin e plehrave me destinacion asgjësimin e tyre, por dhe në 2012-n, kur ka qenë një nga firmëtarët që kërkuan referendum popullor për ndalimin e importit të tyre.
“Unë sigurisht kam qenë dhe jam kundër importit të plehrave, por jo kundër disa mbetjeve të specifikuara dhe me kushte të sigurisë. Historia e kësaj ka filluar që në 2004- n, kur unë isha kryetar shteti dhe u kam thënë përfaqësuesve të shoqërisë civile që kur të shtriheni ju te kamioni, do shtrihem dhe unë. Por atëherë ishte problemi për të importuar mbetje për t’i djegur në Shqipëri, ishte krejt tjetër problem”, u shpreh dje ish-presidenti.
Ai ka parë nga afër se si punon industria e riciklimit dhe aty ka krijuar idenë se mbështetja e kësaj industrie do të ndihmonte në zgjidhjen e problemit të mbetjeve të brendshme.
“Kur kam vizituar një nga fabrikat e riciklimit dhe u kam sugjeruar atyre drejtuesve që duhet ju vetë kështu siç ma shpjeguat mua, duhet t’ua shpjegoni edhe njerëzve, sepse për mua ju keni të drejtë dhe unë do t’ju mbështes”, deklaron ai. Në fund, ish-presidenti ka dhe një mesazh për qytetarët e shoqërinë civile.
“Unë mendoj që ne duhet të kemi më shumë besim tek institucionet, edhe kur ato s’janë në rregull, ne duhet t’u kërkojmë të jenë në rregull, sepse ndryshe ne s’do bëhemi shtet kurrë”, u shpreh Moisiu.
Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve u miratua të enjten e kaluar në Kuvend me 63 vota pro, 27 kundër dhe 4 abstenime, pas 10 orësh debat mes maxhorancës dhe opozitës. Për të rritur transparencën e ligjit, LSI propozoi një amendament, i cili i lejon shoqërisë civile monitorimin e këtyre mbetjeve në pikat doganore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al