“Mos e ço Shqipërinë drejt greminës”- Berisha thirrje Ramës: Prano qeverinë teknike! Në të gjithë Evropën po ndodh rotacioni! Një apel edhe për socialistët e zhgënjyer

Jul 11, 2024 | 21:57
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të pranojë qeverinë teknike dhe të mos e çojë vendin drejt greminës.

Në fjalën e tij para protestuesve, Sali Berisha deklaroi se vendi ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Vetëm zgjedhje të lira janë shpëtimi i Shqipërisë, por me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka. Të bashkohemi për qeveri teknike

Kushtrimi im shkon për socialistët e zhgënjyer dhe ata pa partitë. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtimi i Shqipërisë.

Të bashkohemi për të lidhur besën për qeveri teknike. Me zgjedhje të lira ne do fitojmë.

Mos e drejto Shqipërinë drejt greminës, prano qeverinë teknike. Më të gjithë Evropën po ndodh rotacioni”, u shpreh lideri demokrat.

PJESE NGA FJALA E SALI BERISHES

Do bashkohemi për çdo prind që nuk siguron dot vaktet e fëmijëve.

Do bashkohemi për çdo fëmijë që nuk merr dot më shumë se një – dy vakte në ditë.

Do bashkohemi për çdo të sëmurë, që i dorëzohet sëmundjeve sepse nuk ka ilaçet jetike.

Do bashkohemi për çdo të ri, që nuk ka asnjë mundësi për të nisur jetën në këtë vend të grabitur.

Do bashkohemi për t’iu rikthyer dinjitetin shqiptarëve.

Për t’i rikthyer votën e lirë shqiptarëve.

Për t’i kthyer Shqipërisë demokracinë dhe çelur asaj dyert e integrimit në BE.

Dhe rrugën e këtij bashkimi kombëtar, Partia Demokratike e ka shtruar.

Duke vendosur shembullin e bashkimit tonë në diversitet.

Çdo parti e madhe europiane, çdo partie e madhe amerikane, është e tillë sepse njerëz të ndryshëm, madje edhe kundërshtarë të ndryshëm, bashkohen në diversitet, për një të mirë madhore.

Sot edhe Shqipëria ka një parti të tillë.

Kjo është Partia Demokratike e Shqipërisë.

Partia që tani ka mision të vetëm shpëtimin e Shqipërisë së bashku me opozitën shqiptare.

Dhe për këtë mision, bashkimi në diversitet i çdo force opozitare, do na bëjë të pandalshëm.

Dhe siç na mëson historia, kur shqiptarët bëhen bashkë, mrekullitë ndodhin.

Me bashkim, Partia Demokratike e shpëtoi opozitën e vërtetë dhe flamurin e saj.

Me bashkim dhe mosbindje civile do arrijmë qeverinë teknike, zgjedhjet e lira dhe rotacionin politik.

Me bashkim, shqiptarët do shpëtojnë Shqipërinë dhe flamurin kombëtar.

Zonja dhe zotërinj, Edi Rama e ka mbyllur ciklin e tij. Vetëm një i çmendur mund ta imagjinojë se Edi Rama do qeverisë 4 vite të tjera.

Prandaj, sot në emër të Partisë Demokratike, në emër të frontit të gjerë opozitar, në emër të çdo shqiptari që ka mbi trup edhe shpirt plagët e Rilindjes dhe në emër të flamurit kuq e zi, unë sot i jap këtë paralajmërim Edi Ramës:

Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme.

Qeveria teknike është zgjidhja më e thjeshtë për ty.

Ke bërë gjenocid ndaj shqiptarëve Edi Rama.

Nëse vetë ndërgjegjja jote, do zgjohej një çast për të kuptuar çfarë i ke bërë Shqipërisë, ajo do ulërinte.

E përsëris Edi Rama, në emër të shqiptarëve, mos e drejto Shqipërinë drejt abisit, greminës.

Prano qeveri teknike. Me urgjencë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura