Moska do të duhet të zgjedhë ose gjalpë, ose armë

Jul 5, 2022 | 8:06
SHPËRNDAJE

auto_Atalayar_Josep_Borrell_4_01638008961JOSEP BORRELL

A janë të dobishme sanksionet kundër Rusisë? Po, ato tashmë po godasin rëndë Vladimir Putinin dhe bashkëpunëtorët e tij dhe efektet e tyre në ekonominë ruse do të rriten me kalimin e kohës.

Që kur Rusia shkeli qëllimisht ligjin ndërkombëtar duke pushtuar Ukrainën, BEja ka miratuar gjashtë paketa sanksionesh kundër Moskës. Masat tona tani synojnë afro 1.200 individë dhe 98 subjekte në Rusi, si dhe një numër të konsiderueshëm sektorësh të ekonomisë ruse. Këto sanksione u miratuan në koordinim me anëtarët e G7-s. Efektiviteti i tyre rritet nga fakti se mbi dyzet vende të tjera (përfshirë vendet tradicionalisht neutrale) i kanë miratuar ato ose kanë marrë masa të ngjashme.

Deri në fund të vitit 2022, ne do t’i kemi reduktuar importet tona të naftës ruse me 90% dhe po reduktojmë me shpejtësi importet e gazit. Këto vendime po na çlirojnë gradualisht nga një varësi që prej kohësh ka penguar zgjedhjet tona politike përballë agresivitetit të Vladimir Putinit. Ai ndoshta besonte se Evropa nuk do të guxonte të përfshihej në sanksione për shkak të varësisë së saj energjetike. Kjo nuk është më e parëndësishmja nga llogaritjet e shumta të gabuara të regjimit rus gjatë këtij konflikti. Natyrisht, heqja dorë nga energjia ruse kaq shpejt krijon gjithashtu vështirësi serioze për shumë vende të BE-së dhe për disa sektorë ekonomikë. Por ky është çmimi që duhet të paguajmë për të mbrojtur demokracitë tona dhe të drejtën ndërkombëtare, dhe ne po ndërmarrim hapat e nevojshëm për t’i trajtuar këto probleme në solidaritet të plotë.

Disa mund të pyesin a kanë vërtet ndikim në ekonominë ruse këto sanksione? Përgjigja e thjeshtë është po. Ndonëse Rusia eksporton shumë lëndë të para, ajo gjithashtu nuk ka zgjidhje tjetër veçse të importojë shumë produkte me vlerë të shtuar të lartë që nuk i prodhon vetë. Për të gjitha teknologjitë e avancuara, ajo është 45% e varur nga Evropa dhe 21% nga Shtetet e Bashkuara, krahasuar me vetëm 11% nga Kina.

Në fushën ushtarake, e cila është vendimtare në kontekstin e luftës në Ukrainë, sanksionet kufizojnë kapacitetin e Rusisë për të prodhuar raketa precize si Iskander ose KH 101. Pothuajse të gjithë prodhuesit e huaj të makinave kanë vendosur gjithashtu të tërhiqen nga Rusia dhe makinat e pakta të prodhuara nga prodhuesit rusë do të shiten pa pajisje mbrojtëse (airbag) apo marshe automatike.

Industria e naftës po vuan jo vetëm nga largimi i operatorëve të huaj, por edhe nga vështirësia e qasjes në teknologji të avancuara si shpimet horizontale. Aftësia e industrisë ruse për të sjellë puse të reja në qarkullim ka të ngjarë të kufizohet. Së fundi, për të ruajtur trafikun ajror, Rusisë do t’i duhet të tërheqë shumicën e avionëve të saj nga qarkullimi në mënyrë që të rikuperojë pjesët rezervë të nevojshme për të mundësuar fluturimin e avionëve të tjerë. Kësaj i shtohet edhe humbja e qasjes në tregjet financiare, shkëputja nga rrjetet kryesore kërkimore globale dhe ikja masive e trurit.

Sa i përket alternativës së ofruar nga Kina për ekonominë ruse, në realitet ajo mbetet e kufizuar, veçanërisht për produktet e teknologjisë së lartë. Deri më sot, qeveria kineze, e cila është shumë e varur nga eksportet e saj drejt vendeve të zhvilluara, nuk e ka ndihmuar Rusinë të anashkalojë sanksionet perëndimore. Eksportet kineze në Rusi kanë rënë në përputhje me ato të vendeve perëndimore.

A do ta bëjnë këto ndikime të rëndësishme dhe në rritje Vladimir Putinin që t’i modifikojë llogaritjet e tij strategjike? Ndoshta jo në të ardhmen e afërt: veprimet e tij nuk udhëhiqen kryesisht nga logjika ekonomike. Megjithatë, duke e detyruar atë të zgjedhë ose gjalpë ose armë, sanksionet e mbyllin në një morsë që gradualisht po shtrëngohet.

Lidhur me ndikimin e këtyre sanksioneve mbi vendet e treta, veçanërisht vendet afrikane, të cilat varen nga gruri dhe plehrat kimike ruse dhe ukrainase, është e qartë se ku qëndron përgjegjësia për sa i përket krizës ushqimore. Sanksionet tona nuk synojnë në asnjë trajtë apo formë eksportet ruse të grurit apo plehrave kimike, ndërsa Ukraina pengohet të eksportojë grurin e saj nga bllokada në Detin e Zi dhe shkatërrimet e shkaktuara nga agresioni rus. Nëse do të lindin çështje të tilla që lidhen me sanksionet tona, ne jemi të gatshëm të vendosim mekanizmat e duhur për t’i trajtuar ato. Unë i kam informuar homologët e mi afrikanë për këtë dhe u kam kërkuar që të mos mashtrohen nga të pavërtetat e autoriteteve ruse në lidhje me sanksionet tona.

Përgjigjja e vërtetë ndaj vështirësive në tregjet botërore të energjisë dhe ushqimit është fundi i luftës. Kjo nuk mund të arrihet duke pranuar diktatin rus, mund të arrihet vetëm me tërheqjen e Rusisë nga Ukraina. Respektimi i integritetit territorial të shteteve dhe mospërdorimi i forcës nuk janë parime perëndimore apo evropiane. Ato janë baza e të gjithë së drejtës ndërkombëtare. Rusia po i shkel ato pa e vrarë mendjen. Pranimi i një shkeljeje të tillë do të hapte derën e ligjit të xhunglës në shkallë globale.

Ndryshe nga sa menduam në mënyrë disi naive vetëm disa vite më parë, ndërvarësia ekonomike nuk nënkupton automatikisht një qetësim të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse tranzicioni në një Evropë si fuqi, për të cilin kam bërë thirrje që në fillim të mandatit tim, është imperativ. Përballë pushtimit të Ukrainës, ne kemi filluar të kalojmë nga qëllimi në veprim duke treguar se, kur provokohet, Evropa mund të përgjigjet. Meqenëse ne nuk duam të shkojmë në luftë me Rusinë, sanksionet ekonomike janë tani në thelb të kësaj përgjigjeje. Ato tashmë kanë filluar të kenë efekt dhe do të kenë edhe më shumë në muajt në vijim.

*Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë/Zëvendëspresident i Komisionit Evropian

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura