Nafta në Shpirag, Rama: Premium si e Arabisë Saudite, investimi total deri në 7 miliardë euro

Aug 23, 2023 | 12:22
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama thotë se nafta e zbuluar në Shpirag është e një cilësie shumë të mirë, e njëjtë me atë që nxirret në Arabinë Saudite.

edi rama

Në një konferencë për shtyp, kreu i qeverisë tha se përgjigjja përfundimtare për naftën e Shpiragut do të jepet në tetor nga kompania.

Më tej ai shtoi se nëse gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve, investimi do të jetë 3-7 miliardë euro.

“Paralelisht me testin qe do të fillojë në tetor, po përgatitet njëkohësisht edhe plani masiv i investimit. Gjithë ajo rezervë për t’u nxjerrë sipër duhet të hyjë në infrastrukturën përkatëse, për ta transportuar dhe për ta nxjerrë në tregun vendas dhe të huaj. Lajmi tjetër fantastik është se nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë. Është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë.

Burimet e naftës që janë zbuluar më parë dhe që shfrytëzohen janë burime të një nafte të rëndë që përdoret për bitum apo solar, por nuk është një naftë që mund të hyjë në konsumin e automjeteve dhe vlera e saj është shumë modeste.

Sipas analizave të bëra në laboratorin e Holandës, nafta e zbuluar në Shpirag është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën Premium të Arabisë Saudite.

Investimi i parashikuar dhe projekti që do realizohet nga kompani nis me 3 miliardë euro dhe projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme, pasi do të fillojë puna për një sërë shpimesh për të krijuar gjithë kompleksin e nevojshëm për nxjerrjen e kësaj pasurie është 7 miliardë euro investim në vendin tonë”, tha nder te tjera Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura