NATO, pritshmëri kritike nga Samiti i Washingtonit!

Jul 8, 2024 | 7:58
SHPËRNDAJE

NGA GJENERAL PIRO AHMETAJ piroahmetaj

Sytë/vëmendja e kancelarive, institucioneve, instituteve, medias, faktorëve dhe ekspertëve të sigurisë strategjike janë drejtuar në Washington, USA, ku në mesin e kësaj jave, pra në datat 10 dhe 11 korrik 2024 do të zhvillohet Samiti i 37- të i Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO).

I ftuar në forumin e “Senior Ekspertëve të Kolegjit të Lartë të NATO-s”, dëshiroj që nga Roma të ndaj një përmbledhje strategjike mbi mjedisin e sigurisë si dhe “8 Pritshmëritë Historike” të 32 vendeve anëtare (përfshi RSH) prej këtij samiti historik: “Për mbrojtjen kolektive, ardhmërinë e Aleancës Euroatlantike, gjunjëzimin e Rusinë-Putiniste në Ukrainë, marrëdhëniet me BE, stabilitetin e Ballkanit Perëndimor etj.”:

*** Mbi Samitet e NATO-s (?) si dhe Pse (?), pikërisht në Washington, Aleanca Euroatlantike është e destinuar të nënshkruaj historinë e përtej 100-vjetorit të themelimit (1949 -2049)?

Pikësëpari, Samitet e NATO-s nuk janë “rutinë e përvitshme”, por ngjarje në udhëkryqet kritike të përballjes me rreziqet e sigurisë kolektive, që kaneë si qëllim: “Për të përditësuar dhe modernizuar konceptin, fuqinë ushtarake, rregullat e angazhimit dhe procesin e vendimmarrjes së Aleancës”.

Në historinë 75-vjeçare të NATO-s (1949- 2024), nga gjithsej 37 Samite, vetëm 10 janë zhvilluar përgjatë Luftës së Ftohtë (në 40 vjet), ndërsa 27 prej tyre mbas 1990 deri 2024!

Ndoshta jo rastësisht, po në Samitin e Washington-it (1999), për herë të parë NATO u zgjerua me 3 vende të kampit lindor (Poloninë, Hungarinë dhe Çekinë), ndërsa edhe mbas këtij Samiti, pra në 25 vitet e fundit, numri vendeve anëtare është dyfishuar (nga 16 në 32, përfshi së fundmi me Finlandën dhe Suedinë)!

Numri 3 herë më shumë i Samiteve mbas ‘90 si dhe dyfishimi hartës së zgjerimit, flasin më fort se të gjitha fjalimet në Washington, Bruksel etj., për dinamikën e paparashikuar të kërcënimeve në 25 vitet e fundit dhe që e legjitimoi NATO-n për 75 vitet që lamë si: “Aleanca më e suksesshme e historisë së njerëzimit”!

Së dyti, në rrafshin gjeopolitik, ky Samit pritet të jetë historik, pasi do të adresojë një nga udhëkryqet më kritike mbas përfundimit të Luftës së II Botërore si dhe themelimit të Aleancës (1949), pasi: “Mbahet pothuaj 29 muaj mbas agresionit neo-nazist të Rusisë kundër sovranitetit të Ukrainës-stoike si dhe për të sprovuar rendin e sigurisë Globale dhe statuskuone gjeopolitike të vendosur mbas Luftës së Ftohtë”.

Në këtë mjedis të sigurisë, prioriteti Nr.1 i agjendës së Washington-it, pritet të jetë modernizimi i fuqisë së pakonkurrueshme ushtarake, përfshi ekspozimin e armëve bërthamore/deterrence: “Përfrenimin, shkurajimin dhe shpagimin ose hakmarrjen ndaj armiqve që guxojnë të provokojnë apo sulmojnë Aleancën”.

Prandaj mbas këtij samiti, Forcat e Gatishmërisë së Lartë të NATO-s planizohen të arrijnë në mbi ½ milioni (si asnjëherë në 75 vjet), si dhe do të dyfishohen kapacitetet e luftimit të Forcave Ajrore dhe Detare, për të garantuar mbrojtjen kolektive (artikulli-5) nga vende armiqësore, shtetet apo organizatat terroriste, etj.!

Ndërsa për kërcënimet fatale të Putinit, se: “Rusia do të shkelë traktatin e Armëve Bërthamore nënshkruar nga Presidentët Gorbaçov dhe Regan në 1987 dhe se do t’i bëjnë gjëmën qytetërimit”, përgjigja nga Samiti i Washington-it pritet të jetë e ftohtë: “Nëse vetëm do të guxonte”, Rusia jo vetëm do të damkosej përjetësisht si “shtet terrorist”, por dhe do të ndëshkohet në mënyrë shembullore nga fuqia e USA/NATO. Ndërsa Putini dhe zullumqarët rreth Tij, ashtu si nazistët, Millosheviçët etj. do dënohen: “Për krime kundër njerëzimit”!

Së treti, ky Samit është i “destinuar” të bëjë histori, pasi mbahet mbas gati 880 ditë/net luftimesh të përgjakshme në fushëbetejën “jo vetëm për Ukrainën”, por edhe ndaj kredibilitetit, fuqisë ushtarake dhe interesave gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike (ShBA/NATO/ UK/BE).

Prandaj ky Samit pritet dhe do të skalitet si ndër ngjarjet më madhore që ka zhvilluar Aleanca prej 75 vitesh, pra që prej themelimit të saj (1949), pasi krerët e 32 shteteve anëtare, mblidhen në Washington për të demonstruar vullnetin politik, kohezionin e palëkundur si dhe vendosmërinë për ta mbështetur Ukrainën deri në fitoren e luftës kundër të keqes së përbashkët (Rusisë-Putiniste).

Kështu, në Washington, NATO do të demonstrojë mbështetje pa kompromis ndaj fitores jo vetëm të Ukrainës: “Mbi 300 miliardë euro armatime të gjeneratës së fundit (140 miliardë euro nga USA dhe 160 miliardë euro nga BE (psh., anëtari më i ri, Suedia 6.6 miliardë euro), nga përdorimi i aseteve të sanksioneve ndaj Rusisë etj.”.

Pra, në Washington do të konfirmohet se për Aleancën Euro-atlantike: “nuk ka opsion tjetër përveçse fitores me çdo çmim të luftës ndaj Rusisë”. Për më tepër, që mbas gjunjëzimit në Ukrainë, Moska do të gjendet më e izoluar si dhe do të humbasë peshën gjeopolitike në botë, përfshi Detin e Zi, Ballkan, Mesdhe, etj.

Së katërti, ky Samit zhvillohet në kohën e duhur, por dhe me pritshmëri kritike: “Për të modernizuar strukturat, armatimet, pajisjet dhe infrastrukturat ushtarake bazuar në parimin e ndarjes së barrës, pra rritjen në minimumi 2% të buxhetit të mbrojtjes”, në mënyrë që Aleanca të mbetet e pathyeshme: “Për t’u përballur me çdo kërcënim, në çdo kohë, nga çdo drejtim dhe ndaj cilido armik potencial”.

Për më të qartë, po citoj Sekretarin e NATOs, Stoltenberg, i cili një muaj para Samitit, pikërisht në Washington e cilësoi: “2 % të GDP-së vetëm si minimum”, ndërsa shtoi që 25 vitet të fundit, 2% ka qenë vetëm një objektiv i papërmbushur nga shumica dërrmuese e vendeve anëtare. Si e tillë, në këtë Samit do të përshëndetet fakti që nga vetëm 5 vende para luftës në Ukrainë (2022), buxheti i mbrojtjes në 2024 arriti në 2% për 23 vendet e NATO-s, pra rritjen më të madhe të 3 dekadave të fundit pa përfshirë USA me buxhetin rekord 1 trilion dollarë si dhe vendet europiane të NATO-s me mbi 500 miliardë euro (½ trilion).

Së pesti, Samiti i Washington-it pritet të promovojë projekte me peshë të shtuar për integrimin e teknologjive, infrasktukturave, sistemeve dhe aftësive të avancuara kibernetike, armatime luftarake të telekomanduara në distancë (dronë); të inteligjencës artificiale, kompanive private si dhe kohezionin e shoqërisë në hapësirën euroatlantike me arkitekturën dhe misionin e mbrojtjes kolektive të NATO-s.

Së gjashti, pas zgjerimit me Suedinë dhe Finlandën si kundërpërgjigje e luftës së paprecedentë të Rusisë, Samiti i Washington-it (aty ku në 1999, pra 25 vjet më parë nisi zgjerimi) pritet të rikonfirmojë “politikën e dyerve të hapura” edhe për Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, Gjeorgjinë, si dhe forcimin e bashkëpunimit me vendet me “status të privilegjuar” si Australinë, Japoninë, Zelandën e Re, Korenë e Jugut, Izraelin etj., që si gjithmonë do të jenë ftuar për të marrë pjesë edhe në këtë Samit Historik për Aleancën.

Për sa posaçërisht Ukrainën, shtoj se në më pak se një muaj para këtij Sami, po gjatë vizitës në Washington, Sekretari në detyrë (në 1 tetor zëvendësohet nga Kryeministri holandez, Mark Rutte) Stoltenberg, konfirmoi se: “Mbas fitores së luftës, Ukraina do të jetë vendi 33 i Aleancës”, ndërsa në këtë Samit do të formalizohet “Komitetit NATO – Ukrainë”, pra një hap më afër anëtarësimit.

Së shtati, 29 muaj luftime në Ukrainë vërtetuan se Kremlini i ka humbur edhe shpresat për të minuar kohezionin mes NATO-s dhe BE. Prandaj 32 vendet e NATO-s (27 edhe anëtare të BE) në Washington do të mirënjohin “rolin jetik të SHBA-ve”, pasi me mbi 1 trilion USD (buxheti-2024) ose 2 herë më shumë se 31 vendet e tjera NATO-s, mban barrën kryesore të shpenzimeve të mbrojtjes si dhe fuqisë ushtarake. Thënë këtë, në Samit do të konfirmohet edhe domosdoshmëria e forcimit të marrëdhënieve transatlantike, pra e partneritetit strategjik USA/NATO – BE. Duhet konsideruar po ashtu se, krerët e 27 vendeve të Parlamentit Europian, vetëm 10 ditë me parë (29 qershor 2024) miratuan një zëri një Plan Veprimi (2024-2029) dhe një paketë ambicioze mbështetëse me 500 miliardë euro (20-fishin e sa aktualisht), me qëllim: “kapërcimin e dobësive aktuale si dhe ngritjen e një ushtrie të ndërveprueshme për kërcënimet, kryesisht nga Rusia”.

Gjithsesi, kjo përpjekje dhe ky Projekt i BEsë, që sigurisht nuk është i Ri (Marrëveshjes Berlin-Plus, themeluar në 2002), në Washington pritet të konfirmohet se kurrsesi nuk ka si qëllim për të konkurruar me USA/NATO, as dublikuar shpenzimet për aftësitë luftarake, por do të jenë programe, struktura, pajisje dhe infrastruktura komplementare, kryesisht për operacionet paqeruajtëse, emergjencat civile etj..

Së teti, në Samit priten mesazhe të qarta edhe për marrëdhëniet me Kinën, si dhe mbi domosdoshmërinë kritike për zhvillimin e frymës së bashkëjetesës paqësore, Masave të Mirëbesimit Reciprok, si dhe të dialogut pa kushte për paqen, vlerat demokratike dhe axhendën e integrimit Euroatlantik edhe të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kështu, në Samit pritet të konfirmohet se Rusia – Putiniste, e ka humbur edhe betejën për të ndezur një front të ri lufte të Kinës kundër Tajvanit apo frymëzuar oshilacionet e Millosheviçit dhe ekstremistët e tipit Dodik, duke kërcënuar “me agresion ushtarak” jo vetëm sovranitetin territorial të Kosovës, por edhe prezencën e KFOR-t si dhe statuskuone dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Euroalantike në Rajon.

Në shtesë, ky është Samiti i 11-të (pas 2009) që Shqipëria ulet si anëtar me të drejta të plota në “tavolinën mes të barabartëve të Aleancës Euroatlatike”! Në kapacitetin e “Ekspertit për Sigurinë Kombëtare, Rajonin, si dhe ndër kontribuuesit e udhëtimit 15-vjeçar të RSH pas anëtarësimit në NATO (2009), po parashtroj respektivisht pse Samiti i Washington-it do të jetë historik edhe për RSH dhe 6 rekomandime strategjike për angazhimet e RSH përtej këtij Samitit:

1. Partneritet strategjik, kohezion dhe konsensus të pakushtëzuar (krah të ShBA-ve) për të gjitha vendimmarrjet, projektet dhe operacionet e NATO-s në interes të mbrojtjes kolektive (artikulli 5); mbështetjen “më shumë se modeste” ndaj Ukrainës si dhe rol/vend lider në promovimin e bashkëjetesës paqësore, stabilitetit demokratik, interesave gjeopolitike dhe agjendës Euroatlantike në rajon.

2. Të konfirmojë vullnetin politik dhe vendosmërinë e Tiranës Zyrtare për transformimin e Sistemit të Sigurisë Kombëtare, në përputhje me Konceptin e Mbrojtjes Kolektive, duke përditësuar, transformuar dhe modernizuar: “Konceptin, balancat demokratike të pushteteve, strukturat, pajisjet; aftësitë operacionale dhe kulturën e bashkëpunimit mes Institucioneve/Agjencive përgjegjëse, në interes të sigurisë së jetës, shëndetit, pronës, dhe mirëqenies së qytetarëve; promovimin e vlerave euro-atlantike; mbrojtjen e interesave kombëtare si dhe përmbushjen e detyrimeve të RSH në NATO”.

3. Të rikonfirmojë angazhimin për të mbajtur “minimumi 2%” GDP-së prej 2024 e në vazhdim”, me synimin e zhvillimit të kapaciteteve kombëtare të afta përmbushjes e detyrimeve në kuadër të mbrojtjes kolektive si dhe përballimin e rreziqeve te sigurisë së qytetarëve; stabilitetin e rendit demokratik, sigurinë kibernetike, mbrojtjen nga dezinformimi dhe influenca ruso-kineze etj..

4. Të përmbushë përgjegjësitë e vendit pritës (Host Nation), në modernizimin e Bazës Ajrore të Kuçovës, rivitalizimin industrisë ushtarake për prodhimin e municione etj., detyrime që burojnë nga SOFA, protokolli i Parisit etj., marrëveshje që RSH i ka nënshkruar para vitit 2013.

5. Mbështetjen pa kompromis si dhe promovimin e përpjekjeve të Kosovës dhe BosnjeHercegovinës për anëtarësim në NATO, duke konfirmuar në Washington se kjo “qasje mençur” e zgjeron hartën e paqes së qëndrueshme në Rajon. Po ashtu, të konfirmohet roli/vend lider në zhvillimin e projekteve të përbashkëta me Kosovën dhe vendet e Ballkanit (përfshi Serbinë) ndaj kërcënimeve asimetrike: “terrorizmi, mbrojtjen kibernetike, krimi i organizuar, emergjencat civile, etj.”.

6. Ndërsa, aktorët politikë si dhe faktorët shtetërorë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare do i këshilloja që: “mesazhet e Samitit të Washingtonit, humbja e luftës, kolapsi ekonomik si dhe diskreditimi ndërkombëtar që e pret pas lufte Rusinë – Putiniste (përfshi peshën në Ballkan), mbart edhe një rrethanë të favorshme gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSH në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha (SHBA/NATO/UN/BE), për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat kombëtare në Rajon, Mesdhe etj.”.

Për ta përmbyllur, besoj edhe më fortë që ky Samit, që po zhvillohet në kryeqytetin e “bekuar për të bërë histori”, do t’i miradresojë udhëkryqet kritike për sigurinë, paqen dhe vlerat demokratike në hapësirën euroatlantike. Prandaj mbetem shpresëplotë se Samiti i Washington-it do të projektojë NATO-n e fund shekullit 21, pra për të mbetur si: “Aleanca më e fuqishme e njerëzimit edhe për 75 vitet që vijnë …”!

* Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv.President i Këshillit Atlantikut; si & ish:- Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA, Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura