Nga Piro AHMETAJ*
Fatëkeqësisht, krahas pandemisë, RSh është duke u përballur me pasojat e riciklimit të llavës së zjarreve.
Ngushëllime vllazërore familjes së të ndjerit Andrea Haxhiaj. Mirënjohje për personelin e Emergjencave Civile (EC), ushtarakëve të FA, policisë së shtetit, median si dhe kenar për solidaritetin mbarë-kombëtar.
Jemi në kohën e duhur të bëjmë 1 vlerësim përmbledhës të gjëndjes si dhe kontribuar me disa rekomandime strategjike mbi domosdoshmërinë e përmirësimit të modelit zyrtar dhe efiçencës së Sistemit të EC në RSh.
Duhet të jemi të drejtpërdrejtë, të ndershëm dhe të sinqertë që në fillim me qytetarët: “garancia e parashikimit dhe mbrojtjes 100% nga fatkeqësit natyrore është mision i pamundur”.
100 % garanci nuk e siguron as SHBA, as Franca, Gjermania, Japonia etj. Thënë këtë, mbetet përgjegjësi kritike e hallkave Shtetërore, të zhvillojnë strategji, struktura, kapacitetete dhe rregulla angazhimi për të parandaluar dhe shmangur në maksimumin e mundshëm pasojat si dhe menaxhuar me përgjegjshmëri EC.
Ndërkohë, Shteti ka “legjitimitetin dhe përgjegjësinë kushtetuese” të përdorë kapacitetet, përfshi forcën për të “kufizuar të drejtat dhe liritë”, si dhe për të ndëshkuar pa mëshirë këqbërësit (nëse ka), për veprimtari antiligjore, dëmtimin e ambjentit dhe infrastrukturave që kanë impakt në jetën e komunitetit.
Shoqëria civile, komuniteti i biznesit dhe qytetarët kanë krijuar një traditë fisnike solidariteti me banorët e zonave të prekura nga EC, kështu edhe për në 13 vatrat e zjarreve.
Përgjegjësia dhe “detyra numër një” e qeverisë mbetet të mbrojë me çdo kosto dhe rikthejë në normalitet jetën e komunitetit të kërcënuar nga fatëkeqësitë e natyrës, por askujt nuk duhet t’i shkojë në mënd që, kjo mbështetje u jepet atyre për mëshirë, si bamirësi apo për votë elektorale!
Si rutinë cinike, mavroKryetari i Opozitës që “fle, krihet dhe hakërrehet në karrike edhe mbas humbjes turpëruese të radhës”, e urdhëron Qeverinë: “ti ndalojë me patjatër dhe pa fare pasoja dalldisjet natyrës”!?
Në planin afatshkurtër, nevojitet që masat të fokusohen tek jeta e njërëzve dhe infrastrkturat ktitike.
Ndërsa si masa afatmesme, duhet “mirëpeshuar rreziqet” dhe nga zgjidhjet “mikro” të kalohet në plane “makro”, për të evituar në maksimumin e mundshëm përsëritjen e tyre në të ardhmen.
Në planin afatgjatë, duhet të fokusuar në përmirësimin rrënjësor të eficencës së sistemit EC, duke konsideruar objektivat, mënyrat dhe mjetet (ends, ways & means) për përballimin e listës se kërcënimeve të EC.
Duhet ta pranojmë që megjithë përpjekjet dhe përmirësimet kemi një sistem ende të brishtë të EC, krahasuar edhe me vendet e rajonit.
Problemet e sistemit të EC? Cilësia përmbushjes së përgjegjësive shtetërore vlerësohet nga eficenca e masave dhe aftesitë e kapaciteteve në mbrojtje të jetës, pasurive dhe infrastrukturave në rastet e fatkeqësive natyrore, epidemive, aksidenteve industriale, ambjentaliste, etj, perfshi zjarret dhe përmbytjet që pothuaj përsëriten çdo vit në vendin tonë.
Sistem i EC karakterizohet nga 3 faktorë: (1). parashikimi dhe peshimi i listës së kërcënimeve; (2). modernizimi i kapaciteteve si dhe (3). masa të përshkallëzuara dhe integruara për çdo skenar.
Tre elementët e sipërtrajtuar kanë demostruar mangësi të theksuara në menaxhimin e EC, pasi ka pasur më shumë spontanitet, gati “rrëmuje të organizuar”, sesa veprimtari, masa dhe kapacitete të integruara.
Kërkohen përditësime ligjore, modernizimi i strukturave dhe kapaciteteve, integrimi i masave ndër-institucionale, trajnime, stërvitje të përbashkëta, etj.
Krahas konsolidimit të strukturave kombëtare të EC si dhe e përsëris fortë, ngritjes (sa më shpejt më mirë) së një projekti të përbashkët me Kosovën, na duhet të përmirësojmë rrënjësisht kulturën e bashkëpunimit në nivel rajonal, me NATO-n dhe BE-në, të cilat kontribuojnë me kapacitete, ndihma materiale, financiare, etj.
Po kush është sistemi ynë aktual i EC (infrastruktura ligjore, strukturat, kapacitetet, rregullat e angazhimit dhe mësimet e nxjerra, në raport p.sh me Italinë, Kroacinë, Slloveninë, etj ?
Së pari, duhet të përditësohet kuadri ligjor, doktrinat dhe rregullat e angazhimeve për EC. Shqipëria ka (në letër) një kornizë ligjore efikase për EC, ndërsa kapacitetet dhe aftësite operacionale janë shumë të kufizuara.
Sigurisht, ligjet janë si “muri i Berlinit”, pra mundet dhe duhet të ndryshojnë, duke adresuar mësimet e nxjerra në 10 vitet e fundit.
- Kushtetuta e Shqipërisë, (pjesa e 16-të, masat e jashtëzakonshme), ne nenet 170, 171, 172, 173, 174, 175, dhe 176 mirë-përcaktojnë kriteret për (a) gjendjen e luftës(kur kërcënohet territori), (b) të gjendjes së jashtëzakonshme (rendi kushtetues), si dhe të (c) gjendjes së fatkeqësive natyrore ose aksidenteve teknologjike, në një pjesë, ose në të gjithë territorin e vendit.
Në këto nene përcaktohet lloji i emergjencës, kohëzgjatja, parimet dhe “shkalla e kufizimeve të drejtave dhe lirive të njeriut” dhe balancohen përgjegjësitë e institucioneve kushtetuese: Parlamenti, Presidenti dhe Ekzekutivi. Pra s’ka boshllëk kushtetues, për të vlerësuar, planizuar dhe angazhuar në situatat/gjendjet e EC.
- Paketa ligjore dhe VKM.Sh ka një paketë të plotë ligjore, që përcakton definicionet, institucionet përgjegjëse në përballjen me rastet e EC. Si VKM-të për: “Ngritjen dhe funksionimin e strukturës së sistemit kombëtar të planifikimit dhe përballimit të EC”; “Organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e shërbimit të EC”; “Tarifat për përdorim të përkohshëm në situata emergjente, të çdo mjeti privat”; “Përbërjen, funksionimin dhe përgjegjësitë e komisionit teknik këshillimor të specialistëve për EC”; si dhe udhëzimet për: “Ngritjen e komisionit vendor të EC, në bashki dhe në nivel qarku”.
- Definicionet mbi llojet e EC, përcaktohen në Ligjin 8756, dt. 26.3.2001, neni 2, për EC: “kuptohet një situatë kritike urgjente e një natyre të përkohshme, që dëmton seriozisht jetën, shëndetin dhe sigurinë e shtetasve të RSh, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin, në një masë e natyrë të tillë që kalon mundësinë ose autoritetin e organeve të qeverisjes vendore për përballimin e saj”. Qeveria, ka detyrimin ligjor të shpallë gjendjen e Emergjencës (FN),që legjitimon përdorimin e strukturave, kapaciteteve dhe aseteve.
Jo sa njihen, po sa zbatohen mbetet pyetje miliona Euro dhe sfidë e vështirë e qeverisë së radhës!
Së dyti, transformimi i strukturave dhe modernizimi i kapaciteteve për përballjen me EC është një detyrë e komplikuar dhe e shtrenjtë, pra kërkon ekpertizë të spikatur dhe alokimin e fundeve përkatëse.
Këto kapacitete ndërtohen mbi bazën e skenarëve mbi emergjencat që kanë ndodhur apo ka shumë gjasa të përsëriten. Në dokumentin e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes janë 13 skenarë, 7 prej të cilëve për EC, ku përcaktohen forcat dhe mjetet që nevojiten në secilën prej tyre.
Në dijeninë time, shumë pak është bërë për të zhvilluar kapacitetet që përcaktohen në këtë dokument (RSM). Do të doja të jem gabim, por të jepet përshtypja se ashtu si ligjet, dokumenti RSM, skenarët, etj. nuk janë lexuar jo vetëm nga drejtuesit e Institucioneve përgjegjëse por edhe nga nivelet operacionale!
Zhvillimi i kapaciteteve të EC bëhet bazuar ne listimin/peshimin e prioriteteve. Prioriteti i I-rë i kushtohet pajisjeve/kapaciteteve që kanë të bëjnë me shpëtimin e jetës së njerëzve, pastaj shërbimet sociale (spitale, shkolla), pronave, infrastrukturave, ambientit, etj.
Së treti, Sa shfrytëzohen dhe adresohen mësimet e nxjerra nga EC? Reagimi ndaj fatkeqësive është proces i vështirë sepse shoqërohet me të panjohurën. Pra EC bëhen më të efektshme kur shfrytëzojnë eksperiencën e grumbulluar gjatë viteve të fundit, përfshi dhe rastit në fjalë.
Vendi ka një ligj të emergjencave, që përcakton misionin, kapacitetet, përgjegjësitë e strukturave dhe në terren konstaton gjithmonë vullnet, pëkushtim dhe përgjegjshmëri e spikatur nga personeli përkatës. Ajo që mbetet është mungesa e një doktrine të përbashkët ndër-institucionale të reagimit në secilin nga skenarët e mundshem të EC, pra “kush bën çfarë, kur dhe në bashkëpunim me kë?”.
Edhe mungesa e stërvitjeve ndër-institucionale për sejcilin nga skenarët e EC, krijon “rrëmujë të organizuar dhe show” politikanësh seksere, që si kryetarët qëmoti, mbajnë shënim “ankesa” dhe bëjnë “premtime” piramidale. Shpesh, arritjet maten me sasinë e prezencës së ushtarëve dhe civilëve në zonën e operacionit, në vend me eficencën e veprimtarive të tyre në mbështetje të komunitetit.
Sindroma bollshevike për të privatizuar dashurinë për qytetarët dhe protagonizmi politik për të gjetur armikun te Qeveria e radhës, janë tërësisht të tejkaluara dhe që nuk kontribuojnë aspak për strandartet e sigurisë që meritojnë shqiptarët. Edhe media, i drejton më shumë kamerat te “kush politikan vajti/ku dhe tha cfar?”, në vënd të fokusohet te eficenca e sistemit të EC në raport me rreziqet dhe nevojat e qytetarëve.
Së fundmi, mësimet/tymi dhe flaka e rreziqeve të natyrës si dhe mirëmenaxhimi EC, duhet të “shikohen, shënohen dhe adresohen me profesionalizëm, përunjësi fisnike dhe përgjegjshmëri të lartë shtetërore”.
Si në çdo rast, qytetarët nuk duan shumë fjalime, ata në raste fatëkeqësish natyrore, presin dhe meritojnë mbështetje dhe zgjidhje institucionale sa më të shpejtë.
E thënë sa më lart, RSh ka domosdoshmëri jetike modernizimin e sistemit EC dhe kapaciteteve për përballjen me kërcenimet e natyrës, epidemitë, njerëzore, ato industriale, ambjentaliste, etj.
Kështu mësimi nga emergjenca e radhës, dhe jo vetëm nga kjo, është ngritja e një sistem të qëndrueshëm që peshon rreziqet, identifikon misionin, përgjegjësitë, strukturat, adreson mësimet e nxjerra dhe mat në kohë reale cilësinë e ushtrimit të përgjegjësive zyrtare (kush – bën – çfarë) !
Me statusin dhe përgjegjësinë e Ekspertit të Sigurisë, ndër prioritetet emergjente të Qevrisë Rama-3, do këshilloja pëgatitjen e një Plaftorme Kombëtare për transformimin rrënjësor të sistemit të EC, me qëllim: “modernizimin e qasjes zyrtare, strukturave, paisjeve dhe kapaciteteve; përmirësimin rrënjësor të aftësive operacionale dhe kulturës së bashkëpunimit mes intitucioneve shtetërore, me vendet e Rajonit, NATO-s dhe BE-së, në interes të sigurisë së jetës, pronës, mirëqënie dhe dinjtetit të qytetarëve të RSH”.
Më konkretisht, mbështetur në ekperiencën e RSh dhe modelet e Italisë, Sllovenisë, Austrisë, Kroacisë, do rekomandoja ngritjen e: “1 Agjensie Kombëtare për EC në vartësi të KM; të 2 Bazave Logjistike (force provider) në vartësi të MM dhe 12 Qëndra të Mbrojtjes Civile në Prefektura (mbështetur në gjenerimin me forca rezerviste) për në peshimin e rreziqeve, planizmin, përballjen dhe menazhimin e EC”.
* Gjeneral ® PiroAhmetaj,
Espert për Sigurinë Kombëtare & NATO;
Zv/President i Këshillit të Atlantikut, & ish:
Këshilltar për Sigurinë Kombëtare– PD;
Këshilltar Ushtarak i Presidentit të R.Sh;
Zëvëndës Shef i ShP të FA;
Përfaqësues Kombëtar në SHAPE/NATO.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al