Qeveria shqiptare miratoi një shtesë fondi prej 4.6 milion lekësh për Akademinë e Shkencave për vitin 2020, shumë e cila do të shkonte për “shpenzime korrente” për projektet studimore dhe kërkimore lidhur me Covid19.
Ndryshe nga shumë institucione të tjera që u ndërprenë fondet për shkak të pandemisë, për Akademinë e Shkencave ndodhi ndryshe.
Shuma në fjalë u dha më 28 tetor të vitit të shkuar, periudhë kur Akademia kishte prezantuar këndvështrimin shkencor shqiptar anticovid, ku shprehej statistikisht jo vetëm për shkallën e përhapjes, por edhe për impaktin negativ që po shënjohej në ekonominë e vendit.
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, kontaktoi me Akademinë e Shkencave për t’u informuar se ku do të përdorej ky fond shtesë i akorduar nga Qeveria shqiptare.
Në përgjigje, Akademia thekson se njësia e biotekonologjisë (pranë ASH) po bashkëvepron me komisionin e mjekësisë dhe grupin e punës të pandemisë Covid-19 për të kryer disa studime.
“Më i rëndësishmi është studimi për seroprevalencën SARS-CoV-2 në popullatën e Qytetit të Tiranës e cila është ndarë në tre faza. Faza e parë dhe e dytë kanë pasur një buxhet prej 494,404 lekësh dhe faza e tretë e cila kishte një buxhet prej 2.500.000 lekësh”.
Ndërsa dy fazat e para janë realizuar përkatësisht në maj dhe dhjetor të vitit të shkuar, faza e tretë nuk dihet ende se kur do të zhvillohet.
Midis studimeve të miratuara, është studimi për “përbërës me oksid grafeni kimikisht të ndryshuar me bioplastike të bazuar në amidon për film mbështjellës ushqimi me veti antibakteriale”, apo tek studimi “Nano-mbështjellja e sipërfaqeve me bazë çimento me veti antivirale”.
Këto studime i kushtojnë buxhetit të shtetit plot 6,417,904 lekë. Ndërkohë që këtu realizohen studime të tilla mbi mbrojtjen ndaj virusit, në vendet e tjera ka nisur procesi i vaksinimit.
Në studimin e dhjetorit të vitit 2020, akademikët Genc Sulçebe dhe Alban Ylli, ku arrinin në përfundimin se 50% e popullsisë së Tiranës kanë fituar imunitetin.
“Në fazën e tanishme të dhënat çojnë në përfundimin se gjysma e popullatës së Tiranës, 50 për qind e saj, ka fituar imunitet. Por ka dallime të dukshme me rajonet e tjera të Shqipërisë”, sqaronin dy mjekët.
Studimi i prezantuar u shoqërua me kritika të shumta, duke nisur nga kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj. “Mora një lajm 50% imunizim, po se ku u bë, sa ishin, numrin, me çfarë metodologjie dhe kush e kontrolloi nga ana shkencore? U tha nga Akademia e Shkencave. Mesa di, janë rreth 800 veta që u testuan dhe nuk mund të quhet studim dhe as bën një tregues për popullsinë. Unë mendoj se imunizimi nuk është më shumë se 20-25%”, thotë Brataj.
Akademiku i njohur Artan Fuga, anëtar i Akademisë së Shkencave, e kundërshtoi publikisht studimin. “Si anëtar i asaj Akademie Shkencash, deklaroj distancimin tim personal nga deklarimet në fjalë, duke i konsideruar ato të pambështetura mjaftueshëm për të qenë të besueshme, metodologjikisht të pa vërtetuara me transparencën e kërkuar dhe të deklaruara me nxitim, pa respektuar deontologjinë e kërkimit shkencor”, thekson Fuga.
Akademikët Genc Sulçebe dhe Alban Ylli që e prezantuan studimin në fund dhjetori, mbeten “avokatët” më të mirë të çështjes.
“Opinionet e dhëna në media janë nga individë jo eksperte të fushës së epidemiologjisë apo imunologjisë dhe pa eksperiencë në punë kërkimore. Ato opinione janë dhënë me hamendësi, në mënyrë emotive, pa njohur në detaje metodologjinë e studimit dhe pa kritere shkencore”, insiston për ACQJ doktori Sulçebe.
Ndërsa Ylli nuk pranoi të jepte një përgjigje dhe u shpreh se për këtë çështje është shprehur në njoftimin për shtyp të Akademisë.
Në intervistat e zhvilluara me dy akademikët, ajo çfarë bie në kontradiktë me njëri-tjetrin është fakti se me çfarë parash është financuar ky studim. Sipas Sulçebes, ky studim është financuar me mbështetjen financiare modeste të Akademisë së Shkencave dhe pjesërisht të dy kompanive private. Ndërsa i pyetur për emrin e dy kompanive, Sulçebe nuk dha detaje.
Ndërsa, ndryshe nga kolegu i tij në këtë studim, Ylli u shpreh se është përdorur një fond minimal për blerjen e kiteve laboratorike që është dhënë nga Akademia e Shkencave.
Të dy akademikët pretendojnë se shumë shpejt studimi i tyre do të jetë i aksesueshëm me të gjitha rezultatet dhe të gjitha detajet shkencore.
ACQJ kontaktoi edhe me përfaqësuesin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, e cila thotë se studimi, studimi nuk i është vënë ende në dispozicion OBSH.
“Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka parë këtë studim dhe nuk është këshilluar. Prandaj, ne nuk mund të japim ndonjë përgjigje”, thuhet në përgjigjen zyrtare të OBSH-së në Shqipëri.
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore kontaktoi sërish me Akademinë e Shkencave, për ta pyetur nëse është konsultuar ky studim me organizmat ndërkombëtarë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk mori asnjë përgjigje.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al