Ndërtimi i muzeut, si e shpëtoi nga burgosja Aleks Buda arkeologun Hasan Ceka

Jul 11, 2024 | 13:36
SHPËRNDAJE

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi ndarjen nga jeta të Aleks Budës (1910- 1993), “Mësues i Popullit”. Emri dhe prestigji i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që u themelua në vitin 1972 është i lidhur pazgjidhshmërisht me përpjekjet e profesor Aleks Budës, kryetarit të parë të saj.

a

Ai kontribuoi shumë, aq sa e gjithë jeta e Aleks Budës mund të konsiderohet e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e Shqipërisë. I lindur në vitin 1911, në një familje fisnike dhe patriote, Aleks Buda ishte i biri i Dhimitër Budës, farmacistit të famshëm, i cili kontribuoi së bashku me burrat më të shquar të kombit, jo vetëm si delegat i Elbasanit në Kongresin e Manastirit por edhe financiarisht. Dhimitër Buda, gjithashtu ishte një nga financuesit e Shkollës Normale të Elbasanit. Historian i shquar, profesor, kryetar i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Buda lindi në Elbasan në një familje të njohur intelektuale. Shkollën fillore e kreu në Leçe, Itali), të mesmen në Zalcburg (Salzburg, Austri), studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë (dega filozofi-letërsi) të Universitetit të Vjenës (1929- 1935).

Më pas (1939-1943) punoi si mësues në Liceun e Tiranës e në atë të Korçës. Ai mori pjesë në Lëvizjen ANÇ; më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit ANÇ të qarkut të Elbasanit. Në vitet 1945-1946 ishte drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Me formimin më 1955 të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë Aleks Buda si një ndër organizatorët e tij dhe punonjësit shkencorë më me përvojë, themeloi sektorin e historisë së Mesjetës dhe me këtë hodhi bazat e mediavistikës shqiptare. Punoi veçanërisht për përgatitjen e historianëve të rinj e sidomos të studiuesve të historisë mesjetare të Shqipërisë. Si kryetar i ASHSH që në themelimin e saj (1972) dhe si studiues me formim e kulturë të gjithanshme, historike gjuhësore, arkeologjike, etnografike, të artit mesjetar etj., Aleks Buda dha një kontribut të çmuar në organizimin e punës kërkimore-shkencore sidomos në fushën e albanologjisë. Ka marrë “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë, është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” të klasit I dhe me “Urdhrin e Flamurit të Punës” të kl. I. Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar më “Medaljen e Madhe të Artë” (1990).

JETA

Kalimi nga shkolla fillore shqipe e Elbasanit në shkollën unike italiane të Leçes, vazhdimi i mëtejshëm në gjimnazin austriak të Salzburgut dhe vitet universitare në Vjenën e kulturuar, e pajisën profesorin me një bagazh kulturor si klasik aq edhe modern. Nga ky cikël arsimor, fillorja e Elbasanit i dha atij dashurinë për gjuhën amtare dhe për atdheun e tij. Kultura austriake dhe shkolla e Vjenës, si hallka e fundit e ciklit arsimor, e pajisën atë me parametrat kulturore më përparimtare të kulturës botërore. Në Vjenë, Aleks Buda përvetësoi pikëpamje të majta, ashtu siç qenë njerëzit më të shquar në mbarë botën në periudhën midis dy luftërave botërore. Vendosja e pushtetit komunist e gjeti prof. Aleks Budën të formuar dhe të kompletuar tërësisht nga pikëpamja ideologjike dhe politike si një demokrat i majtë. Ai qëndroi larg radhëve të partisë komuniste.

Enver Hoxha, i cili e pati për disa kohë koleg në Liceun e Korçës, kishte një konsideratë të veçantë për të si njeri i kulturuar. Aleksi e ndiente për detyrë t’i shërbente vendit vetëm në fushën e arsimit dhe kulturës shqiptare. Grumbulloi një bibliografi të pasur qindra e qindra vëllimesh prej vitit 1500 gjer në ditët tona, ku kanë hedhur mbi kartë qindra e qindra historianë, politikanë, poetë, ushtarakë nga viset e kohët më të largëta e më të afërta. Aleks Buda përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet kombëtar në shumë takime shkencore ndërkombëtare. Si njohës i shumë gjuhëve, ai mori pjesë në debate duke iu përgjigjur sipas rastit historianëve të huaj në gjuhën e tyre amtare: në gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht, spanjisht dhe shpeshherë me fraza të shkurtra në greqisht, serbisht, bullgarisht. Në sajë të këtyre meritave, profesor Aleks Buda ashtu si profesor Eqerem Çabej u bënë ambasadorët shkencorë shëtitës të Shqipërisë.

KONTRIBUTI

Akademiku Buda ka “shpëtuar” intelektualë dhe profesionistë me biografi të keqe për regjimin e asaj kohe. Nipi i tij, Marini, ka rrëfyer kohë më parë rastin kur gjyshi i tij e ka shpëtuar nga përndjekja dhe burgosja arkeologun Hasan Ceka. “Po! Ka disa raste kur gjyshi ka ndërhyrë për profesionistë, që më pas kanë bërë emër në fushat ku ishin specializuar. Mund të përmend rastin e Hasan Cekës që ka studiuar në Gracë, ndërsa gjyshi studionte në Vjenë dhe i Skënder Anamalit. Ma ka pohuar vetë Skënder Anamali këtë gjë. Ata kishin biografi jo të mirë pas lufte dhe rasti i Hasan Cekës ishte problematik pasi emri i tij figuronte në regjencën kuislinge dhe fare mirë mund të burgosej e ta pësonte. Aleks Buda e ka propozuar në instanca të larta që të angazhoheshin si specialistë të fushës të cilët do të ndërtonin Muzeun Historik Kombëtar. Të dy këta njerëz u hoqën nga lista e personave që rrezikohej të persekutoheshin. U bënë rrogëtarë të shtetit dhe vazhduan në rrugën e tyre të shkencës dhe kështu u shpëtuan. Ka pasur edhe kolegë të tjerë historianë me partishmëri që bënin të kundërtën por Aleks Buda i vlerësonte specialistët”, – është shprehur nipi i Aleks Budës.

Veprimtaria kryesore e tij ishte studimi i historisë, veçanërisht në fushën e historisë mesjetare shqiptare dhe të Rilindjes Kombëtare. Ai është bashkautor dhe redaktor përgjegjës i tekstit të “Historisë së Shqipërisë. vëllimi I” dhe autor i disa studimeve për periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë, sidomos për atë të “Skënderbeut” për etnogjenezën e popullit shqiptar si dhe autor i shumë shkrimeve publicistike. Buda ka shkruar edhe hyrjen 18- faqesh të botimit të veprës së Marin Barletit, “Rrethimi i Shkodrës”, e cila u përthye nga Henrik Lacaj dhe u botua në Tiranë në vitin 1962. Buda është bashkautor i vëllimit të dytë të “Historia e Shqipërisë”, botuar në vitin 1965.

Në hartimin e Fjalorit enciklopedik shqiptar (1985), e para vepër enciklopedike shqiptare, ai dha ndihmesë të çmuar në konceptimin e udhëheqjen shkencore, ashtu edhe si kryeredaktor. Ka marrë një varg me tituj dhe dekorata: Mësues i Popullit, “Çmimin e Republikës të shkallës së parë”, “Urdhrin e Lirisë” të kl. I, etj., ndërsa Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar atë me “Medaljen e madhe të artë” (1990), medalja më e lartë që jep Austria për shtetasit e huaj. Këshilli i qarkut të Elbasanit e ka nderuar pas vdekjes (2002) me titullin “Qytetar Nderi”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura