Ndotja e detit me naftë, Prokuroria i kërkon informacion SHISH-it

Nov 9, 2015 | 8:15
SHPËRNDAJE

Masakra mjedisore në bregdetin e Durrësit dyshohet të jetë e qëllimtë dhe për këtë shkak, prokuroria i kërkon ndihmë SHISH-it. 

Megjithë angazhimin maksimal të autoriteteve lokale e qendrore për identifikimin e anijes që derdhi një sasi të konsiderueshme nafte e vajrash të djegur duke e ndotur të gjithë vijën bregdetare, ende nuk janë identifikuar përgjegjësit.

Ndotja ne Durres
Ndotja ne Durres
Burime nga grupi hetimor, i cili u ngrit urgjent për të zbardhur ngjarjen, bënë të ditur se shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete.

ANIJET
Mësohet se kapiteneria e Portit të Durrësit ka njoftuar Policinë e Shtetit se nga verifikimi i lëvizjeve të anijeve në ujërat shqiptare kanë identifikuar dy anije të dyshimta, që mund të jenë shkaktare në ndotjen mjedisore.

Burime nga kapiteneria thonë se janë konstatuar dy mjete lundruese, një anije italiane që transportonte hidrokarbure dhe një tjetër që është ankoruar në portin e Malit të Zi, e cila transportonte mallra të ndryshme. Të njëjtat burime shtojnë se për të dy këto anije është kërkuar nga portet përkatëse të verifikojnë depozitat e vajit të djegur të motorëve, për të parë nëse janë të boshatisura.

Gjithashtu, dyshohet derdhja në mënyrë të papërgjegjshme e mbetjeve në tankerët e karburantit. Për të saktësuar vendin dhe kohën e derdhjes, mësohet se Prokuroria e Durrësit ka kërkuar ekspert të flotës detare të ushtrisë dhe kapitenerisë së Durrësit për të specifikuar sasinë e mundshme të derdhjes, vendin dhe kohën që i është dashur solucionit të hedhur të mbërrijë në bregun e plazhit të Durrësit. Kjo shkaktoi ndotjen e të gjithë vijës bregdetare nga pista “Iliria” deri te sektori “Apollonia”.

PISTAT
Dy pista ka ngritur Prokuroria e Durrësit për ngjarjen: atë të derdhjes me qëllim ndotjen e ujërave shqiptare dhe pista e dytë, është për të evituar detyrimet financiare që anijet bëjnë në çdo port kur shkarkojnë në depozitat portuale vajin e djegur të motorëve.

Për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë ekologjike, mësohet se Prokuroria ka kërkuar ndihmë edhe nga Shërbimi Informativ Shtetërore, për të dhënat konfidenciale mbi këtë ndotjen e ujërave shqiptare. Sipas Prokurorisë, mësohet se është kërkuar nga kapiteneria e portit të identifikojë dhe verifikojë të gjitha lëvizjet e anijeve të transporteve që kanë kaluar në ujërat shqiptare në tri ditët e fundit.

Hetimet për ngjarjen në fjalë janë regjistruar për akuzën e “ndotjes së ujërave” dhe nëse arrihet të provohet e identifikohet personi apo kompania që ka kryer këtë derdhje, sipas legjislacionit shqiptar, rrezikon një dënim nga 5 deri 10 vjet burg. Si pasojë e derdhjes së vajit të djegur të motorëve, apo e naftës, janë ndotur ujërat shqiptare me një perimetër rreth 3 km.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura