Ndryshon procedura e marrjes së librezës shëndetësore, ç’duhet të dini

Oct 6, 2017 | 11:30
SHPËRNDAJE

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu njoftoi vendimin për uljen e çmimit të librezës shëndetësore në 100 lekë dhe regjistrimin e fëmijëve ne kopshte e çerdhe vetëm me dokumentin e vaksinimit.

libreza-ok

Të gjithë të punësuarit në biznese privatë kryesisht bare dhe restorante, por edhe arsimtarët tashmë nuk kanë nevojë të vërtiten dyerve të Drejtorive të Shëndetit Publik apo Drejtorive të Higjienës për tu pajisur me Librezë shëndetësore.

Në bazë të vendimit më të fundit të marrë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ky dokument tashmë mund të merret pranë mjekut të familjes i cili ka edhe kartelën dhe ecurinë shëndetësore të çdo pacienti të tij.

Po kështu, për këtë dokument sipas vendimit, nuk duhet të paguhet 500 lekë, por vetëm 100 lekë.

“Të ulet me 5 herë tarifa administrative për librezat shëndetësore. Tarifa simbolike do të jetë 100 leke. Mbi 100.000 libreza shëndetësore në të gjithë vendin, tashmë do të merren tek mjeku i familjes, aty ku gjendet dhe kartela shëndetësore , duke eliminuar kështu sorollatjet dhe radhët nëpër zyrat e drejtorive të higjienës “ bën me dije ministrja Manastirliu.

Deri më tani të gjithë ata persona të cilët duhet të pajiseshin me Librezë Shëndetësore kryenin tri ekzaminime si koprokultura, vizitë tek mjeku dermatolog dhe grafi pulmoni për të përjashtuar sëmundjet të ndryshme infektive.

Tashmë, do të jetë mjeku i familjes i cili gjykon ecurinë shëndetësore të pacientit të tij, dhe më pas merr vendimin nëse duhet dërguar për ekzaminime plotësuese në momentin e paraqitjes.

Një tjetër lehtësi vjen edhe për prindërit të cilët regjistrojnë fëmijët në kopshte dhe çerdhe. Tashmë nuk është e nevojshme marrja e një sërë analizash dhe vërtetimesh në dyert e drejtorive të higjienës, por vetëm duke depozituar dokumentin e vaksinimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura