Ndryshon udhëzimi për shpërndarjen e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit. Zbardhet dokumenti, ja si përllogaritet përfitimi

Jun 19, 2024 | 9:38
SHPËRNDAJE

Procedura e ndarjes së pagesave për ishtë dënuarit e regjimit komunist që jetojnë ende, gratë apo fëmijët e tyre dhe çdo trashëgimtar që i takon të përfitojë do të ndryshojë.

Te-perndjekurit-1

Një udhëzim i Ministrisë së Financave, hyrë në fuqi tashmë pas publikimit në fletoren zyrtare njehson kategoritë prioritare dhe ato joprioritare duke ndarë proporcionalisht (jo më 70:30) të gjithë fondin e vënë në dispozicion për ish-të dënuarit politikë, me kushtin e vetëm që vlera e përfitimit të mos e kalojë shumën e 1 milion lekëve.

“Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë nga regjimi komunist do të ndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë përfituesit, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më i madh se 1 000 000 (një milion) lekë”, – citohet në udhëzimin e ri, nr.30, datë 07.12.2023.

Për të përmbyllur procesin e listë pagesave të kanalizuar deri më tani në dy drejtime, plani i qeverisë është përshpejtimi i procedurës, e cila do të bëhet në varësi të vlerës për t’u shpërndarë. Ata me më pak lekë, deri në 1 milion, do të mund ta marrin përmes vetëm një kësti, pavarësisht fazës ku janë.

“Për të gjitha subjektet përfituese parësore, kur vlera totale e dëmshpërblimit është mbi 8 000 000 (tetë milionë) lekë, do të vijohet me pagesën e këstit pasardhës deri në shpërndarjen e plotë të shumës së miratuar. Në rast se vlera totale e miratuar për të gjithë përfituesit është deri në 1 000 000 (një milion) lekë, shpërndarja e dëmshpërblimit do të kryhet me një këst të vetëm, pavarësisht fazës në të cilën ndodhet shpërndarja e dëmshpërblimit. Me kryerjen e pagesës së dëmshpërblimit, për të gjithë përfituesit, brenda këstit më të ulët, fillon pagesa e këstit pasardhës. Ky mekanizëm do të përsëritet deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit financiar”, – detajohet në dokumentin shpjegues.

Për të dënuarit e regjimit që jetojnë, pagesat parashikohet të kryhen me një këst të vetëm në një llogari në emër të tij, përmes një prokure të posaçme, ku të specifikohet tagri ligjor për tërheqjen e shumës së dëmshpërblimit. Ndërsa me dëmshpërblimin e trashëgimtarëve që kanë sasi të konsiderueshme parash për t’u lëvruar (mbi 1 milion lekë) do të vijohet njëjtë, aty ku kanë mbetur, sipas një radhe kronologjike. Këta të fundit duhet të ndjekin azhurnimet e njoftimeve të publikuara në uebsitin e Ministrisë së Financave, për të mos humbur mundësinë e tërheqjes së dëmshpërblimit në momentin që iu vjen radha. Në të kundërt, pagesa që duhet të shkojë për ta, kalon në favor të të tjerëve që janë në pritje.

“Brenda një afati 3-mujor nga data e publikimit të listës, të gjithë trashëgimtarët e ish-të përndjekurve politikë, të cilët janë përfitues të dëmshpërblimit financiar, duhet të dorëzojnë në drejtorinë përgjegjëse për pagesat dhe dëmshpërblimet dokumentet e parashikuara në aktet nënligjore. Kur një ishi dënuar politik ose trashëgimtari i tij nuk dorëzon dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të parashikuar më sipër, ai/ajo njoftohet lidhur me përfundimin e afatit dhe i jepet edhe një afat shtesë deri në 30 ditë. Në rast se dokumentacioni i kërkuar nuk dorëzohet edhe brenda afatit 30- ditor, pagesa u kalon personave që nuk bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve përfituese parësore, të cilët në përputhje me ligjin kanë dorëzuar dokumentet e duhura dhe janë të gatshëm për pagesë”, – nënvizohet në udhëzimin e ministrisë.

Procesi i dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë ka nisur në vitin 2008 dhe për të ka pasur shpesh rezerva. Shumë prej të dënuarve kanë humbur jetën gjatë këtyre viteve pa mundur të marrin atë që iu takon, ndërsa të tjerë janë ende në proces. Aktualisht, për kategoritë parësore, procesi ka mbetur në këstin e 22-të të dëmshpërblimit, ndërsa për kategoritë jo prioritare, siç janë trashëgimtarët, procesi është vetëm në këstin e tretë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura