VALENTINA MADANI/ Partia Socialiste dhe Partia Demokratike u dakordësuan dje për projektrezolutën ndaj Greqisë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Dy partitë kryesore në vend vendosën të mbështesin partinë që përfaqëson interesat e komunitetit çam dhe të miratojnë në Kuvend një deklaratë për forcimin e marrëdhënieve me Greqinë dhe heqjen e ligjit të luftës. Në Konferencën e Kryetarëve si rrallë ndonjëherë me unanimitet përfaqësuesit e të gjitha grupimeve kanë vendosur që kjo deklaratë të miratohet në datë 18 korrik në parlament.
“Diskutimi në Kuvend nuk i bën dëm askujt, por ngre peshën e përgjegjësisë së që qeverisë shqiptare, por edhe asaj greke në një nivel të ri për t’iu përgjigjur vullnetit të sovranit, popullit tonë, që përfaqësohet përmes deputetëve për të abroguar këtë ligj që nuk reflekton as marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, as marrëdhëniet miqësore mes dy qeverive dhe as marrëdhëniet miqësore mes dy popujve tanë”, – tha ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Edhe pse deklarata vjen nga partia që mbron interesat e komunitetit çam, çështja çame nuk përmendet në këtë dokument, i cili me një gjuhë të kujdesshme vlerëson nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe me Greqinë. Në këtë deklaratë bëhet thirrje që të krijohet një grup pune mes dy parlamenteve që të punojnë për heqjen e ligjit të luftës që Greqia vendosi ndaj Shqipërisë në vitin 1940.
Gjithashtu nëpërmjet kësaj deklarate i kërkohet qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme në mënyrë specifike që të bëjnë çdo përpjekje për heqjen e ligjit të luftës nga ana e Greqisë. Kjo lëvizje e parlamentit të Shqipërisë vjen në një situate kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të tensionuara për shkak të çështjes “Beleri”.
Prej momentit të arrestimit të Alfred Belerit, i cili është pjesë e minoritetit grek, nuk ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë mes Athinës dhe Tiranës zyrtare dhe duket e vështirë që në këtë situatë të gjejnë zgjidhje probleme si heqja e ligjit të luftës, i cili është në fuqi prej 84 vitesh.
Çfarë përmban ligji i luftës me Greqinë
Më 28 tetor 1940, Italia i shpalli luftë Greqisë dhe e sulmoi territorin e saj përmes territorit të aneksuar të shtetit shqiptar. Më 10 nëntor 1940 shpallet dekreti mbretëror grek nr. 2636 “mbi veprimet juridike të armiqve dhe konfiskimin konservativ të pasurive armike”. Në bazë të këtij ligji, pasuritë e shqiptarëve anembanë Greqisë u vunë nën sekuestrimin konservativ dhe si pasojë, ato do të administroheshin nga shteti grek.
Më 28 gusht 1987, qeveria greke vendos për heqjen e ligjit të luftës, mirëpo pa e botuar në gazetën zyrtare. Ekzistojnë disa akte nënligjore që bazohen te ligji i luftës. Greqia me dy akte nënligjore të Ministrisë së Financave (nr. 14882) dhe Ministrisë së Ekonomisë (nr. 3574), si dhe me ligjin nr. 4506/1965, ka bërë përjashtim për shtetasit shqiptarë me kombësi greke, duke iu dhënë të drejtën e rifitimit të pronave të sekuestruara.
Këtë aktsekuestro e ka mbrojtur Gjykata Kushtetuese greke edhe në vitin 1970, duke shpallur vazhdimin e sekuestros së pronave të shqiptarëve me kombësi jogreke, deri në momentin e shfuqizimit të Ligjit të Luftës dhe të nënshkrimit të traktatit të paqes mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Më 29 shtator 1976, prokurori apelit në Janinë, Vasilios Xhavellas, i shkruan Ministrisë së Drejtësisë së Greqisë që ishte detyruar nga po kjo ministri të zhdukte të gjitha dosjet me çështjet penale që shteti grek kishte hartuar ndaj popullsisë çame. Deri më sot, dekreti i gjendjes së luftës me Shqipërinë dhe ligji i sekuestros për pronat e shqiptarëve nuk janë shfuqizuar.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al