“Në kufi, një berberhane dhe një dyqan veshjesh…”, rregullat e rrepta për turistët që hynin në Shqipëri. Ja vendimi i ‘75-ës

Jul 24, 2024 | 15:11
SHPËRNDAJE

Dy pedagoge dhe eksperte të turizmit, Brunilda Liçaj dhe Arjana Isaku kanë hapur një ekspozitë të veçantë në qytetin e Durrësit, duke kthyer banesën e vjetër të familjes Mima në një nga rrugicat e qytetit bregdetar, në shtëpi-dëshmi të viteve të regjimit komunist.

turiste te huaj hotel dajti

Ekspozita titullohet “Turistë të përgjuar” dhe rrëfen përmes ndërtimit, arredimit, dokumenteve dhe botimeve të kohës, historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, vite në të cilat jo vetëm shqiptarët, por dhe turistët e huaj që u lejuan ta vizitojnë Shqipërinë, iu nënshtruan përgjimit. Ekspozita vjen si një udhëtim pas në kohë, në vitet e diktaturës komuniste dhe përgjimit nga Sigurimi i Shtetit. Ekspozita sjell edhe një eksperiencë të veçantë e disi të harruar që të krijon sirena e alarmit që paralajmëronte futjen në vendstrehime, për t’u mbrojtur nga armiqtë imagjinarë. Turistët ishin kureshtarë. Donin të zbulonin dhe kuptonin më shumë nga vendi më i izoluar i globit, që gjithçka e realizonte me forcat e veta, por përballeshin me lëvizje dhe informacion të kontrolluar nga partia-shtet. Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët e huaj dhe vendas, duke ofruar një dritare informative për të njohur dhe reflektuar mbi këtë periudhë të errët të historisë shqiptare.

SITUATA

Më ardhjen në pushtet të regjimit komunist pas vitit ’44, situata e turizmit ndryshon. Iniciativat e para private për zonat turistike shtetëzohen. Zona rrethohet nga tela me gjemba dhe për të pushuar aty nevojitej autorizim. Për udhëheqjen e lartë ndërtohen shtëpi pushimi të veçanta ndërsa për familjarët ndërtohen kampe pushimi. Jo të gjithë punëtorët apo familjarët arrinin të siguronin një fletë kampi. Për familjet shqiptare, pushimet ishin sa argëtuese, aq edhe të mundimshme pasi për 15 ditë pushime, familja duhej të merrte gjithçka me vete. Gjatë periudhës së regjimit komunist, turizmi nuk u konsiderua thuajse asnjëherë si degë kryesore e ekonomisë. Parimi i ndjekur ishte ai që “shërbimet kanë influencë në shpërndarjen e mirëqenies, por nuk kanë ndikim në konfigurimin e prodhimit të brendshëm bruto”. Gjatë periudhës së regjimit komunist nuk synohej zhvillimi i industrisë e as rritja e të ardhurave në valutë të huaj dhe qëllimet ishin të ndryshme, në varësi të marrëdhënieve ndërkombëtare që kishte vendi e në varësi të rrethanave të brendshme.

Një prej qëllimeve të turizmit ishte ai ideologjik e në funksion të këtij qëllimi u ngrit edhe infrastruktura e turizmit në vend. Interesimi i qeverisë komuniste për turizmin fillon në epokën e fillimit të lidhjeve të Shqipërisë me vendet e tjera lindore. Dhe në funksion të marrëdhënieve me jashtë e në funksion të kërkesave të vendeve komuniste, nis të ndërtohet në Shqipëri infrastruktura përkatëse. Në këtë periudhe, Shqipëria vizitohet nga turistë gjermane, polakë, çekë, hungarezë apo rusë. Edhe nga pala shqiptare, nuk mungojnë turistët që pushojnë në vendet e rreshtuara në bllokun sovjetik. Në këtë periudhë u ndërtuan hotelet e para në Durrës ku më i njohur ishte hotel “Adriatik”, që ende sot mban të njëjtin emër. Pas tij ngrihen hotele të tjera që për nga stili arkitekturor ishin sovjetikë e kishin si qëllim t’i shërbenin kampit komunist. Viti 1961 dikton ndër të tjera edhe në shkëmbimet turistike. Prishja e marrëdhënieve të Shqipërisë me bllokun sovjetik sjell jo vetëm ndërprerjen e turistëve shqiptarë që shkonin drejt vendeve të bllokut lindor por edhe turistët e vendeve lindore që duhej të vinin drejt Shqipërisë. Shqipëria nis të izolohet dhe numri i turistëve bëhet gjithnjë e më i paktë. Në këtë kohë, sa ishin përfunduar edhe investimet e para të hoteleve, të ndërtuara sipas frymës sovjetike. Në këtë mënyrë, Shqipëria trashëgoi një infrastrukturë turistike të përshtatur për turistët nga blloku lindor.

TURIZMI

Gjatë periudhës së regjimit komunist, edhe pse turizmi nuk konsiderohej degë prioritare e ekonomisë, sërish nuk kanë munguar turistët e huaj. Në vitet ’50 do të krijohej ndërmarrja shtetërore e turizmit e cila do të organizonte pritjen e turistëve. Krahas dokumentarëve promovues të Shqipërisë, nuk do të mungonin as guidat përkatëse që informonin për mënyrën e sjelljes dhe të menaxhimit të grupeve të vizitorëve. Nga ana tjetër, edhe vizitorët e huaj duhej të respektonin disa rregulla. Turistët vinin kryesisht nga vende komuniste me të cilat Shqipëri kishte shkëmbime politike dhe ekonomike. Për të vizituar Shqipërinë, turistët e huaj duhej të pajiseshin me vizë, kohëzgjatja e së cilës ishte 1 muaj. Sa i përket bagazheve, turistët e huaj lejoheshin të merrnin me vete aparate fotografike, radio e sende të tjera me kushtin që t’i deklaronin në doganën shqiptare. Sa i përket sjelljes dhe veshjes, turistët e tuaj në guidë instruktoheshin që të tregonin kujdes që të mos ecnin në rrugë me rroba banje pasi ishte e ndalur. Po ashtu, turistet femra paralajmëroheshin që të mos visheshin me minifunde apo me dekolte të ekzagjëruara kur dilnin në qytet pasi kjo ishte e ndaluar. Një gjë të tillë e dëshmonte një dokumentari të vitit 1963 të Kinostudios, që është përpunuar në laboratorin e Hungarisë duke u sjellë me ngjyra. Ato tregonin procesin e pritjes së turistëve të huaj në portin e Durrësit, transportin e tyre me automjetet e “Albturist” e akomodimin e tyre në hotel “Dajti” në Tiranë, që ishte hoteli me modern i asaj periudhe.

VËZHGIMI

Gjatë viteve të regjimit komunist, çdo i huaj që shkelte territorin shqiptar merrte vulën “i dyshuar” dhe strukturat e Sigurimit të Shtetit e kishin nën vëzhgim të përhershëm për sa kohë qëndronte në Shqipëri. Për survejimin e përfaqësive diplomatike, në Tiranë ishin ngritur katër baza. Në rrugën “Ismail Qemali” ishte ngritur baza me numrin 20, me 43 efektivë të cilët survejonin përfaqësitë diplomatike gjermane, italiane, franceze, rumune dhe vjetnameze sikurse edhe dy përfaqësi tregtare rumune e gjermane. Kjo bazë kishte 3 pika survejimi nga të cilat njërën të përhershme. Me të njëjtën logjikë ishin ngritur edhe bazat 30 dhe 40 për përfaqësitë e tjera të huaja në Tiranë. Ndërsa baza 50 ishte ngritur me qëllim ndjekjen e tyre dhe përbëhej përgjithësisht nga agjentë shoferë (të specializuar për ndjekjen e automjeteve). Drejtuesi kryesor në survejimin e të huajve ishte Oficeri i Drejtimit të Turizmit, i cili organizonte punën agjenturalo-operative me të huajt në të gjithë Republikën.

Për të kryer këtë detyrë ai ishte kamufluar si zv.drejtor i Albturizmit. Më tej survejimi i hoteleve, bëhej përmes një skeme të mirëmenduar nga Sigurimi. Në këto hotele, ishin vendosur punonjës të Sigurimit, po ashtu të maskuar në detyra të caktuara. Psh., në hotel “Tirana” shefi i Sigurimit ishte kamufluar si shefi i pritjes së hotelit. Ai kishte në varësi edhe një punëtor operativ në hotel dhe bashkë me të organizonin punën agjenturale-operative. Po ashtu, punëtori operativ i hoteleve turistike në plazhin e Durrësit ishte kamufluar si zv.drejtor i hoteleve turistike. Ndërsa në hotel “Dajti” punëtori operativ ishte kamufluar si shef i pritjes së hotelit. Dhomat e caktuara për të huajt në këto hotele ishin të pajisura me teknikë operative (TO) dhe survejoheshin 24 orë në ditë. Pak metra larg hotel “Dajtit”, në “Shtëpinë e Gjetheve”, me një pajisje përgjimi ku ishin shënuar numrat e dhomave nën survejim dëgjohej gjithçka ndodhte aty.

Përveçse survejoheshin, turistët që hynin në Shqipëri, duhet edhe t’u bindeshin rregullave të rrepta estetike që i detyronin ata të pritnin flokët dhe basetat, nëse ju gjykoheshin shumë të gjata dhe në kontrast me “estetikën socialiste”. Për këtë qëllim, që nga viti 1975, në pikat kryesore kufitare u vu në shërbim një berberhane e posaçme dhe një dyqan veshjesh, për t’i “lejuar” turistët që të përshtatnin stilin e tyre me atë që duhej për të hyrë në vend. Femrat e huaj, që ishin martuar me shqiptarë apo kishin zgjedhur të jetonin në Shqipëri ishin po ashtu të vëzhguara me kujdes. Survejimi i të huajve, sidomos i përfaqësive diplomatike njohu kulmin në vitin 1989 – 1990, në prag të mësymjes së ambasadave në korrik 1991, si përpjekje për të frenuar ikjen masive të shqiptarëve të lodhur nga izolimi dhe varfëria.

PARA DIKTATURËS

Fundi i viteve ‘20-të dhe vitet ‘30-të shënuan një vëmendje në rritje të qeverisë shqiptare për organizimin dhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri si dhe një angazhim maksimal të legatave dhe konsullatave shqiptare jashtë vendit për të rritur interesimin e të huajve për të vizituar Shqipërinë si turistë. Kjo punë intensive bëri që Shqipëria në vitet 30-të të ishte pjesë e destinacioneve turistike të perëndimit të Ballkanit, përkrah Jugosllavisë dhe Greqisë, jo vetëm me turizmin automobilistik, por tashmë edhe për turistët që mbërrinin me transport detar në skelat e Durrësit, ose hynin të organizuar nga kufiri verior apo jugor i Shqipërisë.

Legatat dhe konsullatat shqiptare në kontakte të vazhdueshme me agjencitë e huaja turistike, i propozonin qeverisë shqiptare krijimin e sa më shumë lehtësirave për turistët e huaj pasi të ardhurat që vinin nga kjo veprimtari kishin peshë të madhe në buxhetin e shtetit. Vlen të veçohet një informacion i 5 gushtit 1929 i Konsullit shqiptar në Vjenë Çatin Saraçi, ku ndër të tjera shkruan “ Randësinë e turizmit e kanë njoftun mbas luftës botnore shumë shtete të vogla e të mëdha, dhe bajnë shumë sakrificë për me e vu në veprim në gjithë pikëpamjet..”( V.1929, D.815). Duke e organizuar turizmin si aktivitet shtetëror, qeveria shqiptare hoqi taksën e vizës për turistët e huaj dhe i pajiste ato me “Kartën e Turizmit” e cila jo vetëm i diferenconte turistët nga kategoritë e tjera të të huajve që qëndronin në Shqipëri, por edhe u krijonte lehtësira të tjera gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri.

Këto Karta u jepeshin vizitorëve të huaj nga legatat e konsullatat shqiptare në momentin e lëshimit të vizave hyrëse për në Shqipëri. Përfaqësitë shqiptare luanin rolin e koordinuesve midis agjencive turistike të huaja dhe qeverisë shqiptare për sjelljen dhe trajtimin e turistëve të huaj në Shqipëri. Turistët ishin kryesisht belg, holandez, austriakë, anglezë, amerikanë, francezë, gjermanë, italianë dhe çekosllovakë. Përshtypjet e tyre nga mikpritja shqiptare , bukuritë e natyrës dhe traditat e veçanta, i përcillte shtypi i huaj i kohës, kryesisht shtypi anglez dhe ai gjerman. Në dokumentet online gjenden edhe pjesë nga faqet e këtij shtypi apo komentet e legatave shqiptare që ndiqnin shtypin vendas. Për një organizim sa më të mirë të kësaj veprimtarie u krijua në fillim të viteve ’30-të edhe “Klubi Turistik dhe Automobilistik Mbretëror”, një organizatë nën mbrojtjen dhe përkujdesjen e qeverisë, sipas modelit bullgar, rumun apo atij turk në këtë fushë. Duhet theksuar se pati oferta të ndryshme nga sipërmarrës të huaj që të ndihmonin në organizimin dhe më pas të drejtonin një Agjenci Shtetërore Shqiptare për Turizmin dhe Informacionin, apo propozime nga agjenci të huaja turistike që mirëprisnin një përfaqësues zyrtar nga shteti shqiptar që të punonte pranë tyre për nxitjen e turizmit të huaj në Shqipëri.

Ata e shihnin me optimizëm të ardhmen e turizmit në Shqipëri, por këto propozime nuk u konkretizuan nga qeveritë shqiptare të kohës duke e menaxhuar vetë me strukturat shtetërore këtë veprimtari. Nga mesi i viteve ‘30-të, me rritjen e kërkesave të të huajve për të vizituar Shqipërinë u krijuan në vend edhe zyra private që merreshin me turizmin. Për të mbështetur dhe disiplinuar aktivitetin e autoriteteve publike e zyrave private që kishin të bënin me turizmin, në vitin 1938 u krijua institucioni i Entit Kombëtar të Turizmit nën drejtimin e Ministrit të Punëve të Brendshme. Vitet 30-të dëshmojnë për një turizëm të organizuar mirë në Shqipëri, një burim i mirë të ardhurash dhe mënyrë efikase për njohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura