NGA DR. VALBONA ZENELI
ka qene si një alarm zgjimi për Bashkimin Europian (BE) dhe ka shtuar urgjencën e diskutimeve mbi çështjet e zgjerimit të BEsë. Lufta agresore e Rusisë ka nxjerrë në pah nevojën për proces të përshpejtuar për integrimin për Ukrainën dhe Moldavinë dhe për ta rigjallëruar atë për vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë ende në BE: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Në fillim të muajit shtator, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, madje mirëpriti edhe një afat kohor të 2030- ës për zgjerimin e ardhshëm, duke shpresuar se kjo do të mobilizojë energjitë si në BE, ashtu edhe në shtetet kandidate. Pyetja është se si të përgatiten vendet kandidate për t’iu bashkuar bllokut europian. Ajo që do të ndihmonte më shumë Ballkanin Perëndimor është një plan i rritjes ekonomike i udhëhequr nga BE-ja.
Një treg i vogël prej gjashtë vendesh me më pak se tetëmbëdhjetë milionë konsumatorë dhe një produkt të përgjithshëm të brendshëm bruto (PBB) prej 144 miliardë dollarësh, ose më pak se 1 për qind e PBB-së së BE-së, Ballkani Perëndimor mund të përqafohet lehtësisht në tregun e BE-së.
Në të njëjtën kohë, rajoni mbetet ende pas pjesës tjetër të Europës, me të ardhura mesatare për frymë prej vetëm 7,650 dollarë, ose vetëm 14 për qind e mesatares së BE-së (54,100 dollarë), sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Konvergjenca ekonomike me BE-në ka qenë shumë e ngadaltë gjatë njëzet viteve të fundit. Pjesërisht për të ngushtuar këtë hendek, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula Von der Leyen, propozoi para disa muajsh një plan rritjeje ekonomike për Ballkanin Perëndimor të bazuar në katër shtylla.
Synimet e planit përfshijnë afrimin e rajonit me tregun e vetëm të BE-së, thellimin e integrimit ekonomik rajonal, përshpejtimin e reformave themelore dhe rritjen e fondeve financiare të paraanëtarësimit.
AKSESI NË TREGUN E VETËM TË BE-SË
BE-ja është partneri kryesor tregtar i Ballkanit Perëndimor dhe përbën më shumë se dy të tretat e tregtisë totale të rajonit. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor gëzojnë akses në tregun e brendshëm të mallrave përmes Marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit, por këto marrëveshje nuk janë mjaftueshëm të thella, madje edhe në krahasim me marrëveshjet e thella dhe gjithëpërfshirëse të tregtisë së lirë që BE-ja ka me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.
BE-ja duhet të synoje të thellojë integrimin ekonomik të rajonit përpara anëtarësimit të plotë të këtyre vendeve në BE. Për ta arritur këtë, duhet gradualisht t’u krijojë mundësi qasjeje këtyre vendeve në të gjithë sektorët ekonomikë të BE-së, duke u dhënë atyre akses të plotë në tregun e vetëm dhe katër liritë e tij (mallra, njerëz, shërbime, dhe kapital). Kjo do të nxiste konvergjencën dhe do të ndërtonte kapacitetet institucionale në rajon dhe në të njëjtën kohë do t’i jepte BE-së një levë më të mirë në sigurimin e pajtueshmërisë me reformat e sundimit të ligjit.
Kjo do të ishte e ngjashme me marrëdhëniet ekonomike të BE-së me Norvegjinë dhe Islandën, ku Zona Ekonomike Europiane shtrin ligjet e tregut të vetëm në të dyja vendet (me përjashtim të bujqësisë dhe peshkimit). Ndërsa marrëveshja ekonomike me Norvegjinë dhe Islandën është qëllim në vetvete për vendet e Ballkanit Perëndimor, është një synim që përshpejton thellimin gradual të integrimit të rajonit në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Që prej marsit 2022, Ukraina ka gëzuar katër liritë e BE-së përmes Direktivës për Mbrojtjen e Përkohshme, duke dëshmuar më tej se ky nivel i aksesit në treg për shtetet joanëtare të BE-së është i realizueshëm. Përfitimet e mundshme për vendet e Ballkanit Perëndimor nga rritja e pjesëmarrjes në tregun e përbashkët të BEsë janë të qarta. PBB-ja e Kroacisë, për shembull, është rritur me 75 për qind (nga 59 miliardë dollarë në 79 miliardë dollarë) që kur u bashkua me BE-në në 2013-ën, duke u përkthyer në të ardhura më të larta për qytetarët e saj, me një rritje mesatare të PBB-së për frymë prej 67 për qind (nga 13,900 dollarë në 2013 në 20,537 dollarë).
Mbështetja me e larte financiare është thelbësore për reduktimin e boshllëqeve ekonomike dhe infrastrukturore midis anëtarëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Në të vërtetë, BE-ja ka qenë në 30 vitet e fundit donatori më i madh i asistencës financiare dhe zhvillimore në Ballkanin Perëndimor, duke mbështetur reformat kryesore me asistencë financiare dhe teknike, nëpërmjet Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit (IPA), i cili ka lëvruar mbi 12.8 miliardë euro midis 2014-ës dhe 2020-ës.
Por, angazhimi për IPA sipas buxhetit aktual afatgjatë të BE-së është 14 miliardë euro, më pak se 1 për qind e totalit të buxhetit afatgjatë dhe fondeve të gjeneratës së ardhshme të BE-së për 2021-2027 (2 triliardë euro). Duke pasur parasysh rëndësinë gjeostrategjike të Ballkanit Perëndimor, mbështetja financiare e BE-së për rajonin duhet të rritet për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike të vendeve të saj me bllokun dhe për të rritur socializimin me rregullat e BE-së dhe kulturën e saj organizative.
NEARSHORING (AFRIMI NË BRIGJE) NË BALLKANIN PERËNDIMOR
Të bëhesh pjesë e tregut të vetëm të BE-së nuk ka të bëjë vetëm me tregtinë – ka të bëjë mbi të gjitha me investimet, modernizimin ekonomik, përparimin demokratik, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin më të mirë rajonal. Në vitet e fundit janë miratuar disa nisma rajonale për të nxitur integrimin ekonomik rajonal, duke përfshirë Planin e Veprimit të Përbashkët Rajonal të Tregut 2021-2024. Këto nisma synojnë ndërtimin e një tregu të përbashkët rajonal, bazuar në ligjet dhe rregullat e BE-së dhe në katër liritë themelore. Ato synojnë të shërbejnë si hapa ndërmjetës për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, për t’u integruar më mirë në zinxhirët europianë të prodhimit dhe tregtisë dhe për të përmirësuar konkurrencën e tyre.
Iniciativat janë fokusuar në katër fusha kryesore rajonale: tregtia, investimet, dixhitalizimi dhe industria dhe inovacioni. Krijimi i “korsive të gjelbra” – kalimet kufitare të rregulluara për automjetet e mallrave – gjatë pandemisë COVID-19 ishin një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit rajonal. Rigjallërimi i Procesit të Berlinit është thelbësor, si një nga nismat më të rëndësishme rajonale, që ka shtyrë për një integrim më të shpejtë ekonomik dhe institucional me BE-në dhe takimi i radhës do të mbahet në Shqipëri javën e ardhshme. Integrimi ekonomik rajonal është imperativ që Ballkani Perëndimor të përfitojë nga tregjet më të mëdha dhe konkurrenca më cilësore, duke nxitur kështu zinxhirët e prodhimit ndërkufitar dhe duke shfrytëzuar avantazhet krahasuese rajonale.
Për të tërhequr interesin e investitorëve seriozë të huaj, është i nevojshëm bashkëpunimi në një garë “të bashkuar” për investimet e huaja direkte. Kjo do t’i ndihmonte vendet të përmirësojnë konkurrencën e tyre, duke nxitur grupimet teknologjike dhe industriale, si dhe të ndihmonte në modernizimin e ekonomive rajonale, të lehtësonte proceset inovative dhe të përmirësonte aftësitë dhe produktivitetin rajonal. Ndërsa kompanitë europiane po kërkojnë të zhvendosin zinxhirët e tyre të prodhimit dhe furnizimit më afër tregjeve te tyre, investimi në Ballkanin Perëndimor për prodhimin e mallrave kritike do të kontribuonte në autonominë strategjike ekonomike të BE-së, në bazë edhe të objektivat për “de-risking” “çrrezikimin” që zënë një vend kyç në Strategjinë Europiane të Sigurisë Ekonomike, të sapopublikuar nga BE-së.
Investimet në grupime (clusters) industriale europiane në Ballkanin Perëndimor do të rrisnin konkurrueshmërinë e BE-së, duke përfshirë fusha kyçe si industritë e gjelbra dhe diellore, bioteknologji dhe automjetet elektrike. Portet në detin Adriatik janë të rëndësishme për qëndrueshmërinë e rrugëve tregtare si edhe kanë potencial për investime edhe transportin e gazit natyror të lëngshëm (LNG). Kostot më të ulëta të punës në Ballkanin Perëndimor dhe lidhja strategjike për sa i përket energjisë dhe transportit e bëjnë rajonin tërheqës, por ajo që nevojitet është më shumë investime të BE-së për të përmirësuar rrjetet infrastrukturore.
Investimi i BE-së në projektet strategjike të infrastrukturës në rajon për të rritur ndërlidhjen do të ishte gjithashtu një përgjigje ndaj rritjes së gjurmës ekonomike dhe diplomatike të Kinës në Ballkanin Perëndimor. Kjo gjurmë ekonomike në rritje e Kinës sfidon interesat e biznesit evropian dhe nxit praktikat që pengojnë BE-në për të rritur promovimin e normave dhe standardeve perëndimore.
NJË RRUGË DYKALIMSHE PËR INVESTIME DHE REFORMA
Për të përmbushur afatin kohor të aspiratës për zgjerim në vitin 2030, BE-ja duhet të shumëfishojë përpjekjet e saj për të ndihmuar në përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim. Rritja e investimeve europiane në rajon është e nevojshme për të nxitur krijimin e grupimeve industriale, duke promovuar gjithashtu standarde më të mira ekonomike dhe për të përshpejtuar reformat e rëndësishme ekonomike. Por kjo nuk duhet të jetë një ndërmarrje e njëanshme në të cilën BE-ja përparon, por mangësitë e status quo-së në rajon mbeten të pakundërshtuara.
Qeveritë në Ballkanin Perëndimor duhet të jenë të përgatitura për të ofruar një platformë serioze për zhvendosjen e investimeve të BE-së nga Kina dhe vendet e tjera të Azisë në rajon. Një mjedis miqësor biznesi i bazuar në standardet e BEsë, sundimin e ligjit, transparencë dhe integrimin rajonal janë kushtet bazë për të tërhequr investime serioze. Një fokus më i fortë në aspektet e sundimit të ligjit duhet të jetë gjithashtu në thelb të procesit të zgjerimit të BE-së.
Von der Leyen njoftoi këtë muaj në fjalimin e saj të përvitshëm në Parlamentin Europian se BE-ja do të prezantojë raporte të sundimit të ligjit edhe për vendet kandidate. Ky është një hap i mirëpritur. Pa një angazhim dhe një shkallë të lartë përgjegjësie nga ana e liderëve të zgjedhur në Ballkanin Perëndimor, çdo investim i burimeve, kohës dhe vëmendjes nga BE-ja do të rezultonte vetëm në kthime margjinale.
Është momenti i duhur për një ndryshim të mentalitetit të zgjerimit dhe është në interesin e BE-së që ta konsiderojë Ballkanin Perëndimor si pjesë integrale të zgjidhjeve europiane për sfidat globale.
*Dr. Valbona Zeneli është eksperte e lartë në “Atlantic Council” dhe studiuese në Qendrën e Studimeve Europiane në Universitetin Harvard Botuar në “Atlantic Council”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al