Panorama.al publikon sot vijimin e rrëfimit të mjekut personal të Enver Hoxhës, pas infarktit, ku nga njëra anë shihej frika për humbjen e jetës dhe nga ana tjetër, frika për dobësimin e pozitave dhe marrjes së pushtetit nga “rivalët” e tij.
Ish-mjeku personal i ish-diktatorit, prof. Isuf Kalo, në librin e tij “Blloku”, botim i “UET Press”, rrëfen se si e përjetoi Enveri këtë situatë në Vilën nr. 4, në Pallatin e Brigadave, të cilën e shihte si të ishte një mallkim.
Sipas Kalos, Mehmet Shehu mendohej të ishte pasardhësi, i cili po ashtu kishte rivalët e tij, që ishin Beqir Balluku dhe Abdyl Këllezi, që shumë shpejt do të eliminoheshin si bashkëpunëtorë me kinezët e sabotime në ushtri e ekonomi.
ISUF KALO
Enveri u largua nga Vila nr. 4 pa kthim, sikur të kishte qenë ajo fajtore, ose tersi për sëmundjen dhe shkëputjen e përkohshme të padëshirueshme të tij nga ushtrimi i pushtetit.
Edhe pse ai erdhi shumë herë më pas për shëtitje në ca rrugica brenda territorit të Pallatit të Brigadave, të bëra enkas nga Sulo Gradeci për të, ai asnjëherë nuk iu afrua dhe nuk ia hodhi sytë asaj vile të “mallkuar” që ruante brenda saj kujtime të çasteve me pasiguri të frikshme të përjetuara aty.
Ajo u dënua me harresë. Ndryshe nga kasollja e Galigatit, nga shtëpitë e Konferencave të Pezës e Labinotit, shtëpia e Bije Vokshit dhe ajo e formimit të Partisë Komuniste në Tiranë, Vila nr. 4, në mes të pemëve me gjethe të verdha dhe të kuqërremta, nuk u përmend në histori, nuk u vu në të ndonjë pllakë përkujtimore me shkrimin: “Këtu u përball disa muaj me sëmundjen dhe ia doli t’i shpëtonte rrezikut të vdekjes Enver Hoxha”.
Ndoshta ndjesia e vetme e këndshme për t’u kujtuar prej saj nga Enveri ishin ngjyrat e vjeshtës. Prandaj, për t’ia sjellë ato edhe në Bllok, Suloja shkuli njërën prej pemëve me gjethe të kuqërremta dhe e vendosi në një vazo të madhe në hyrjen e shtëpisë së tij të re. Për ta kujtuar dhe si simbol i atyre ditëve, anash saj kam dalë në fotografi edhe unë.
Gjithë ata muaj brenda asaj vile ishte e vështirë të dalloje se kujt Enveri iu tremb më shumë: vdekjes apo tradhtisë së mundshme prej shokëve të tij të udhëheqjes, që prisnin me shpresë t’i zinin vendin.
Pengimin e vdekjes na e kishte besuar ne mjekëve, kurse hetimin dhe pengimin e tradhtisë së mundshme i duhej ta bënte vetë, por edhe me ndihmën e Mehmetit, i cili ishte po aq i interesuar, si pasardhës i shpallur i tij, për të mos pasur të tjerë rivalë.
Sipas sulltan Bajazitit të Dytë, “perandoria është si një grua që nuk mund të ndahet midis rivalëve”, madje sulltan Mehmeti i Dytë shpalli “që ai që trashëgon perandorinë e ka të ligjshme për të mirën e shtetit të vrasë vëllezërit e tij”.
Këtë interesim dhe shqetësim të Mehmetit për rivalët e mundshëm të tij e kuptova rastësisht atë ditë të janarit 1974, kur gjendja shëndetësore e Enverit mori befas për keq.
Pas takimit tim me dr. Yllin, me Hysniun, ky erdhi atë pasdite në Vilën nr. 4 i shoqëruar edhe me Mehmetin për të takuar Enverin e Nexhmijen, si edhe ne mjekët në gatishmëri aty. Dikush (besoj Suloja) na ka fotografuar Hysniun dhe mua të ulur në dhomën e bibliotekës të mërzitur dhe të menduar për situatën e trishtë.
Kur ata të dy u ngritën për t’u larguar, Nexhmija i përcolli deri te porta e vilës, kurse unë po i shoqëroja deri te “Mercedesi” i Mehmetit. Ky u shkëput nga Hysniu, më bëri shenjë t’i afrohesha dhe më dha një copë letër të vogël ku ishin shënuar dy numra.
“Është numri im direkt i telefonit sekret”, tha, “nëse ndodh gjë më merr nga telefoni i Nexhmijes, sepse mund të ndodhë që ajo në ato çaste të hutohet. Do të më marrësh mua menjëherë të parin të më lajmërosh. Asnjë tjetër”. Këtë e tha me ton të prerë dhe më pa në sy. “Dakord?” Unë u shtanga. Kujtoja se çështja e pasardhësit eventual të Enverit ishte e vendosur. Nuk e dija atëherë që emrin e pasardhësit në regjimet e tillë e vendosnin tanket.
Ai që i zotëronte dhe i vinte i pari në lëvizje të beftë ato. Kështu kishte ndodhur në Bashkimin Sovjetik pas vdekjes së Stalinit. Ishin tanket e Zhukovit, mik i Hrushovit, që rrethuan Kremlinin, arrestuan Berien dhe vendosën Hrushovin në pushtet.
Kuptova që Mehmeti ishte në ankth mos ia merrnin pushtetin nga duart rivalët e hapur a të fshehtë të tij që mund ta mësonin lajmin më përpara tij. Cilin vallë do të kishte lajmëruar të parin Nexhmija? Ndoshta Hysniun? Por çfarë djallin më ngatërronin mua mjekun në të tilla histori…?!!
Për fatin tim të mirë nuk lindi nevoja të lajmërohej askush. Enveri e kaloi atë krizë. Me sa u kuptua më vonë, rivalët ndaj të cilëve trembej dhe dyshonte Mehmeti ishin dy: Beqir Balluku, ministri i Mbrojtjes dhe Abdyl Këllezi, ministri i Ekonomisë.
Në rast puçi me mbështetjen e kinezëve, i pari mund të bëhej “Enver” dhe i dyti “Mehmet”, njëri i pari i partisë, tjetri i pari i qeverisë. Me origjinë ata ishin të dy tiranas dhe miq mes tyre.
Dhe falë kontakteve të tyre të shpeshta me Maon dhe Cu En Lain “tunxhe” Beqiri dhe “tunxhe” Abdyli e kishin “trashur” miqësinë dhe simpatinë reciproke me kinezët: i pari në kuadrin e furnizimeve dhe ndihmave kineze për ushtrinë tonë dhe i dyti për ato të lidhura me ekonominë.
Abdyli ishte edhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqiptaro-Kineze. Thuhej se gruaja e tij ishte mbesë a kushërirë e Fadil Hoxhës, personalitet i lartë politik në Kosovë, çka e bënte Abdylin të preferuar nga ana e Titos në planet për afrimin me Shqipërinë. Kinezët tashmë miq të Niksonit, të Titos dhe të Çausheskut, prej dy vitesh nuk ishin më miq të besuar të Enverit. Aq më pak ishin dy miqtë e tyre shqiptarë të mësipërm.
Ndoshta prandaj Enverit nuk po i rrihej me gjatë në Vilën nr. 4, larg pushtetit. Kthimi i Enverit nga Vila nr. 4 në Bllok solli stuhi në majat e udhëheqjes. Beqiri do të sakrifikohej i pari. Arsyeja u gjet te një “plan strategjik i mbrojtjes kombëtare”, që ai e paskej hartuar sipas një modeli kinez, fshehtas nga Enveri dhe Mehmeti.
Abdyli, pak më pas për “sabotime në ekonomi”. Stuhia do të vazhdonte e pandërprerë dhe do të bënte viktima të shumta gjatë plot një dekade. Ishte shpagim hakmarrës ndaj “tradhëtorucëve” që e kishin keqllogaritur Enverin para kohe “të mbaruar”, apo spastrim i qëllimshëm i tij për të demonstruar vitalitetin dhe ambiciet për rinovim si të pafashitura nga sëmundja? Mbase ishin të dyja bashkë.
Vetëm se rinovimin nuk kishte shëndet dhe aq vite jetë që ta bënte vetë Enveri, dhe as moshë dhe siguri që ta bënte Mehmeti. I duhej hapur rruga një më të riu shëndetmirë: i tillë ishte Ramizi. Ai, me një ekip të ri në Byronë Politike, të zgjedhur vetë prej tij. Kjo u tentua në Kongresin VIII të Partisë së Punës në nëntor 1981. Por, pa sukses. Në vend të rinovimit u bë… dorëzimi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al