AFRIM IMAJ/ “Lexojnë shkrimtarët e ndaluar, Shatobrianin, Lamartinin, Bodlerin e Dideroin dhe bëjnë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Raportet e para të agjentëve të fshehtë në adresë të dy poetëve të martirizuar, që publikuam numrin e kaluar, i përkasin fashikullit të panjohur të dosjes operative “Blloshmi-Leka”.
Përveç faktit që Vilson Blloshmi e Genc Leka ishin dy fëmijë kulakësh, të dhënat e siguruara në rrugë agjenturore, se konsumonin literaturë borgjeze dhe shkruanin vjersha të dyshimta, për policinë sekrete, në fillimin e viteve ‘70 ishin prova të pakontestueshme të një veprimtarie të rrezikshme armiqësore. Të vënë në garë me njëritjetrin agjentët e fshehtë, “Bleta”, “Shebeniku”, “Studenti”, “Burreli”, “Dardha”, “Nogoli” e “Shkumbini” formulojnë e firmosin ditë pas dite raporte mbi bisedat dhe sjelljet e dyshimta të Blloshmit: “Vilsoni, gjatë një takimi ka pohuar se diktatura e proletariatit është diktaturë fashiste”.
“Duke folur për kritikat që i bëhen Kadaresë për Dimrin e vetmisë së madhe, Blloshmi ka thënë se ia bëjnë nga zilia, pasi Ismaili është i madh. Sa për Dritëro Agollin, ai një herë ka rrëshqitur, por nuk është kapur gabimi i tij”. “Shqipëria nuk ka përkrahje nga të huajt, ne jemi i vetmi vend që s’morëm pjesë në Konferencën Europiane. Mehmet Shehu ka shkuar në Francë me pushime, aty ka mundësi të zhvillojë bisedime për përkrahje politike, por nuk e mbështet njeri”.
Seria e raporteve të tilla është e pafundme. Pjesa në vazhdim u përket informacioneve të mirëfillta politike dhe bën fjalë për komentet e Blloshmit për ngjarjet më të rëndësishme të vendit, siç janë ato të arrestimit të Beqir Ballukut, Koço Theodhosit etj.
VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)
Vilsoni pohon se i pëlqejnë shumë idealistët, për mënyrën si iu kundërvihen materialistëve. Ai i ka thënë një shokut të tij se “do të shkojmë një ditë së bashku në Tiranë dhe atje do të të prezantoj me disa shokë, të cilët kanë njohuri të thella për letërsinë dhe artin në përgjithësi”. Gjithashtu, i premtoi se do të prezantonte me një grua, e cila jep mësim privat në gjuhën frënge në Tiranë.
RAPORT I DATËS 30.10.1974
“Bleta”, më datë 11.09.1974, është takuar në dhomën e Vilson Blloshmit me të dhe gjatë bisedës që kanë bërë, ra fjala për emancipimin e gruas dhe rolin e saj në shoqëri. Për këtë gjë, Vilsoni, duke shprehur mendimin për emancipimin e gruas në shoqëri, tha: “Gruaja, sado që të emancipohet, ajo është prapë grua”. Sipas tij, kjo ndryshon në sisteme të ndryshme shoqërore. P.sh., në sistemin tonë socialist, gruaja është e barabartë me burrin, ajo i ka të gjitha aftësitë. Vilsoni vazhdoi: “Tek ne edhe një grua që arriti diçka, nuk diti ta mbajë” (ai mendon se këtu flitej për Liri Belishovën).
Më poshtë u shpreh për arsimin në përgjithësi dhe për artin në veçanti, ç’është arti dhe kujt duhet t’i shërbejë ai. Për këtë gjë Vilsoni u shpreh se “arti është art dhe asgjë tjetër”. “Diçka tjetër, është tjetër”. Ai i tha: “Por jo kështu – arti është i popullit dhe u shërben qëllimeve të shoqërisë”. Vilsoni tha: “Art nuk mund të quhet një art i imponuar dhe, kur ta imponojnë artin, ai nuk është kurrë i bukur”. Në fund të bisedës, megjithëse ai ia kundërshtoi Vilsonit këtë mendim për artin, Vilsoni nuk u bind, por ngulte këmbë dhe i mbronte mendimet e tij. Mbas kësaj, biseda u mbyll dhe ai, mbasi i mori Vilsonit nja dy vjersha për t’ia shtypur, u largua nga dhoma e tij.
SHËNIM I OPERATIVIT A. POBRATI
Bashkëpunëtorit “Bleta” nuk iu dha detyrë në drejtim të Vilsonit, meqenëse ky shkon së shpejti për të kryer shërbimin ushtarak. Të shikohet mundësia që në drejtim të Vilson Blloshmit të drejtohet ndonjë bashkëpunëtor tjetër, ose të stu diohet ndonjë kandidat për të tërhequr e për t’u drejtuar pastaj te Vilsoni.
RAPORT I DATËS 22.03.1975.
“Nogoli” thotë se Vilson Blloshmi ka mbaruar shkollën e mesme në Elbasan. Gjatë vazhdimit të shkollës ka ndenjur te Pasho Kullolli. Ai thotë se Vilsoni është shumë i zgjuar dhe bisedon vetëm me Hasan Blloshmin, që është xhaxhai i tij. Burimi thotë se ai para disa kohësh kishte qenë për darkë te Hasan Blloshmi. Gjatë asaj nate, me sa i kujtohet, bënin polemikë për vizitën e Niksonit në Kinë, por konkretisht se çfarë thoshin, nuk i kujtohet, vetëm mban mend që Hasani thoshte se kjo vizitë ka ndonjë gjë, kurse Vilsoni hapi disa herë radion në stacionin e Prishtinës. Gjithashtu, ai thotë se Vilsoni ka shumë shoqëri me Genc Lekën nga Bërzeshta, që ka pasur babanë të arratisur.
DETYRË E OPERATIVIT L. KURTI
Meqenëse Vilsoni punon në Përrenjas, shko ndonjë ditë atje dhe mundohu që të takohesh me të, me justifikimin se gjoja kërkon punë për djalin. Gjatë bisedës që do të bësh, nuk do t’i hapësh ndonjë bisedë politike, vetëm do t’i qash hallin e familjes se ngele kulak përgjithmonë, nuk gjen punë për djalin e të tjera.
RAPORT I DATËS 16.4.1975
“Studenti” njofton se në një bisedë me Vilson Blloshmin, kur do të kthehej nga ndërmarrja për të punuar në kooperativë, ai, ndër të tjera, i ka thënë: “Pse më kthejnë në kooperativë? Çuditem se çmendojnë këta njerëz, xhanëm. Ç’pretendime do të kisha unë i futur në zgafellë 1500 metra thellësi nën tokë?”.
DETYRË E OPERATIVIT E. KONDI
Do të bisedosh me Vilsonin dhe do t’i thoni atij që një ditë më thatë se përse më prunë në kooperativë. Unë isha futur nën tokë 1500 metra në thellësi, nuk të kuptova se ku e pate ti këtë edhe këtu në kooperativë mirë jemi. Po neve, që e kemi lëkurën me plagë, nuk na lënë rehat, se kështu e ka kjo. Po të ishe ti në fuqi ose unë, nuk do t’i lije rehat këta, apo jo? Sikundër nuk i lanë prindërit e tu.
SHËNIM OPERATIV (LIBRAZHD 17.7.1975)
Unë, V. Gjorga, punëtor operativ në Degën e Punëve të Brendshme, mbasi u takova me Afërdita Lep., mami në Sharrën Stravaj, ndër të tjera, ajo më tha se “jam takuar para ca ditësh me Vilson Blloshmin dhe më tha se unë kam një bibliotekë shumë të pasur, lexoj shumë libra në gjuhë frënge dhe do të mësoj edhe italishten. Ne nuk jemi mirë. Flota sovjetike po shëtit nëpër Mesdhe.
Një gjë do ta bëjnë ata, po ja ku nuk po e bëjnë”. Kur ajo i ka thënë se asgjë nuk do të bëjnë, Vilsoni është përgjigjur se ata nuk shëtisin kot këtej. Afërdita i ka thënë “mos e ushqe kot atë mendim”. Vilsoni është përgjigjur: “Jo, jo, unë nuk e ushqej një gjë të tillë”. Ai e ka ftuar Afërditën një natë për të shkuar në shtëpinë e tij.
SHËNIM I SHEFIT TË
SEKSIONIT TË SIGURIMIT
Vilson Blloshmi, në datën 15.02.1975 u mor në përpunim paraprak me tendencën e “agjitacionit dhe të propagandës”, për arsye se ka komentuar me bashkëpunëtorin “Studenti” dhe “Bleta” pakënaqësi të theksuar ndaj Partisë dhe qeverisë, nuk është dakord që arti ynë të përshkruhet nga një partishmëri e thellë dhe thotë mendimin që ky duhet të lihet i lirë.
Gjatë kohës së verifikimit të këtyre materialeve na rezulton që ky objekt të ketë rënë në pasivitet nga frika se mos zbulohet kjo veprimtari e tij dhe nuk zhvillon biseda të këtij karakteri. Ka mundësi që ky element, duke u nisur edhe nga përbërja e tij e keqe, të aktivizohet në një të ardhme. Prandaj, mendoj që ky person të mbahet nën kontrollin tonë, që herë pas here në drejtim të tij të aktivizohet agjentura e masat të tjera agjentur ore operative.
RAPORT I DATËS 23.10.1975
Implikim nxjerr nga procesi i të pandehurit Kristo Pepa për Vilsonin në punë, në Përrenjas: Në procesin e dt. 23.10.1975, i pandehuri Kristo Pepa, në mes të tjerave denoncon se: “… Gjatë bisedës që kam pasur me Vilsonin në Përrenjas, ai më ka folur se udhëheqësi kryesor i Partisë është bërë nervoz i madh dhe nuk pranon njeri të bisedojë me të, se ai nuk e priste kurrë atë gjë që i ndodhi me Beqir Ballukun. Se nga i dinte Vilsoni këto gjëra? Ai nuk ma ka treguar dhe unë nuk e kam pyetur për këtë”.
RAPORT I DATËS 3.11.1975
“Studenti” njofton se më datën 25.10.1975, kur po bisedonte me Vilson Blloshmin, ndër të tjera, Vilsoni i tha: “Rri se po të them një llaf”. “Çfarë do të më thuash, more?”, i tha ai. “Ja, më je bërë si Koço Theodhosi”, i tha Vilsoni. Ai i tha: “Po atë Koçon e ke afër ti?”. “Jo, i tha Vilsoni, ai është i yti”. (Këtu ishte fjala për Koçon që ka dalë tradhtar nga radhët e Partisë, prandaj Vilsoni fliste me humor.
DETYRË E OPERATIVIT V. GJORA
“Të bisedoni përsëri me Vilsonin dhe t’i thoni se si ma pate atë ditë që më the se je bërë si Koço Theodhosi? Përse ma thatë dhe unë u shpreha se ti e ke më afër? Unë bëra gabim se ata nuk janë më shokët tanë, por kanë tradhtuar, si thua ti Vilson? Ti flet ndonjë fjalë dhe nuk bisedon. Unë nuk e di se si e ke hallin”.
DETYRË KONTROLLI 5.11.1975.
Meqenëse në ngarkim të kontrollit operativ 28 të Vilson Blloshmi kanë dalë edhe materiale të tjera që ai agjiton kundër pushtetit popullor, me qëllim që të vërtetojë edhe dokumentojë veprimtarinë e tij armiqësore, do të ngrejë këto detyra: – Meqenëse bashkëpunëtori “Studenti” ka dhënë informacion në drejtim të tij, duhet të marrë takim që të bisedojë edhe për arrestimin e një shoku të tij që ka punuar në minierën e Përrenjasit, i quajtur Kristo Pepa.
Në bisedë, ai të nxjerrë nëse Vilsoni ka shqetësim për arrestimin e tij. Në qoftë se do t’i thotë ndonjë gjë për veprimtarinë armiqësore që kanë biseduar së bashku, sipas të dhënave të tij do të jepen dhe detyra të tjera që të zbulojë veprimtarinë armiqësore. – Të takohet me bashkëpunëtorin “Shkumbini” dhe do t’i jepet detyrë që të bisedojë me Vilsonin duke i thënë se ne mbaruam shkollën, po ç’e do që e mbaruam, se nuk na le njeri të punojmë si arsimtarë. Pastaj të bisedojë mbi situatën ndërkombëtare, t’i thotë atij se kam dëgjuar që ju mësoni gjuhë të huaj. -Të vërtetohet nëse ka punuar Andrea Kosta Pepa në N.N.Miniera në Librazhd dhe çfarë shoqërie ka pasur ai. Të nxirren shokët e Vilsonit në atë ndërmarrje.
RAPORT I DATËS 24.I.1976
“Studenti” njofton se Vilson Blloshmi, më 20.12.1975, kur po ikte për në shtëpi, afër furrës së Bërzeshtës nxjerr nga xhepi raportin e Koço Theodhosit dhe i tregoi atij të lexojë fjalën e parë, duke i thënë se a e njeh atë. “Studenti” i përgjigjet: e njoh. “Yti është”, u përgjigj Vilsoni dhe iku duke qeshur. (Vilsoni e kishte fjalën se gjithë shokët e Partisë po degjenerojnë). Më gjatë me Vilsonin nuk u bisedua, se ai iku.
DETYRË E OPERATIVIT V. GJOGA
Bisedoni me Vilsonin dhe thoni se nuk të kuptova perse i mban fjalimet e Koço Theodhosit në xhep. Ai është tradhtar dhe më erdhi keq që më thatë që është yti. Më shumë është yti, se ti je kulak apo je si u bë, çfarë mendimi keni ju?
Vijon…
*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al