Gjithçka është gati, teksa këtë të diel do të ngrejë siparin Botërori 2023 i Moto GP-së, me garën e parë sezonale në Portimao të Portugalisë. Françesko Banjaja dhe Dukati futen me misionin për të mbrojtur titullin kampion për pilotë dhe konstruktorë, ndërsa si gjithnjë pritet një sezon elektrizues dhe me rivalitet të lartë. Duke i ndalur te konstruktorët, Dukati duhet të bëjë llogaritë me kundërshtarë si Aprilia, Yamaha, KTM dhe Honda. 11 skuadra për 5 konstruktorë që premtojnë betejë. Por le t’i shikojmë me detaje, duke u ndalur më konkretisht te shifrat.
DUKATI – E themeluar në vitin 1926, marka italiane regjistron 4 tituj kampionë për konstruktorë në Moto GP dhe 2 tituj për pilotë. Numri i garave të fituara nga Dukati është 70.
APRILIA – Viti i krijimit të markës tjetër italiane, Aprilia, daton në 1945-ën. Një skuderi që numëron 19 tituj për konstruktorë, nga të cilët 10 në kategorinë 125 dhe 9 të tjerë në kategorinë 250cc. Nga 295 fitore të arritura gjithsej, vetëm një është në “top klas”.
YAMAHA – Japonezë, të krijuar në vitin 1955, janë shpallur plot 37 herë kampionë për konstruktorë: 4 në 125, 14 në 250, 5 në 350, 14 in “top klas” (9 në 500 e 5 in Moto GP). Titujt për pilotë nga Yamaha janë 39: 4 në 125, 14 në 250, 3 në 350, 18 në “top klas” (10 në 500 dhe 8 në MotoGP). Ndërsa skuderia regjistron 517 gara të fituara: 245 në “top klas” (120 në 500 e 125 në MotoGP).
KTM – Motori me bazë në Austri është themeluar në vitin 1934, ndërsa koleksionon 6 tituj për konstruktorë: 1 në 125 dhe 5 në Moto3. Tituj për pilotë nga KTM janë 5, të gjithë në Moto3. Ndërsa garat e fituara 120, nga të cilat 6 në Moto GP.
HONDA – Gjigantët japonezë janë marka më fituese në historinë e Motobotërorëve. E themeluar në vitin 1948, Honda është shpallur plot 72 herë kampionë për konstruktorë: 2 në klasin 50, 15 në 125, 19 në 250, 5 në Moto3, 25 në “top klas” (13 në 500 dhe 12 në MotoGP). Për sa u përket titujve kampionë për pilotë, numri i sukseseve është 62: 1 në klasin 50, 13 në 125, 16 në 250, 6 në 350, 5 në Moto3, 21 në “top klas” (11 në 500 e 10 në MotoGP). Ndërsa garat e fituara janë 810, nga të cilat 156 në kategorinë 500cc dhe 156 in Moto GP.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al