Kryeministri Edi Rama u ndal në Vlorë pasditen e sotme, ku foli për projektet infrastrukturore që sipas tij, janë parashikuar në buxhet e që do të nisin së shpejti.
Aeroporti – Lidhur me aeroportin e Vlorës, kryeministri u shpreh se do fillojë puna vitin e ardhshëm. “S’di ta them kur, por brenda këtij mandati do ta bëjmë Vlorën me aeroport”.
Hekurudhat – Për ndërtimin e hekurudhës së shpejtësisë së lartë Rinas-Durrës do nisë puna vitin e ardhshëm, tha Rama, ndërsa premtoi edhe rindërtimin e linjës hekurudhore Fier-Vlorë, pa dhënë një afat konkret për nisjen e punimeve.
Porti i Vlorës – Në portin e Vlorës, tha kreu i ekzekutivit, po bëhet një investim shumë serioz. “Ministrit (Gjiknuri) i kam thënë, ‘o bjeri vlonjatëve traget që meriton të quhet traget, o s’mund të jesh më jo drejtues po as deputet në Vlorë’. Traget për vlonjatët, jo një magazinë që lëviz në det ku dhe Saliun ta fusja do të vinte keq, jo më vlonjatët. Mirë do ishte ta shikojmë para fillimit të sezonit, domethënë nga marsi-prilli. do ishte mirë që ky traget që është të zhduket e mos të vijë më në Vlorë”, tha Rama.
Lungomarja – “Bulevardi i ri do jetë besojmë më i bukuri i Shqipërisë”, tha Rama. “Gjithë vija e Lungomares do jetë jo vetëm vijë urbane e mrekullueshme, por edhe një plazh i populluar, deklaroi kreu i qeverisë, duke premtuar se me projektin që do nisë vitin e ardhshëm, do zgjodhet përfundimisht çështja e ujërave të zeza, tha Rama.
Impiantit fotovoltaik i Akërnisë – Për Impiantit fotovoltaik të Akërnisë, nis puna me fillimin e vitit të ardhshëm, tha Rama. “Do kemi sasinë e parë e një energjie të gjelbër që s’vjen nga uji dhe në zonën e Akërnisë ku jetë aeroporti, do ndërtohet një pol i ri me shumë rëndësi”.
Stadiumi – “Jemi duke punuar për të filluar ndërtimin e stadiumit të ri të Flamurtarit”, deklaroi kreu i qeverisë. “Një projekt që përfshin edhe stadiumin, dhe ndërtimin e një pallati (sporti) dhe një kompleks sportiv që mbetet për tu përcaktuar se ku do ndërtohet”.
“Ambicia është që të çojmë gratë dhe vajzat për të parë Flamurtarin, por që të ndodhë kjo, duhet të bëjmë një stadium që të jetë tamam qendër argëtimi”, shtoi.
Rrugët – “Do fillojmë rrugën Orikum-Llogara dhe ministri (Gjiknuri) duhet të mbajë zotimin për tunelin e Llogarasë që ka të paktën 30 vjet që kujtohet. Është koha që tunelin ta bëjmë realitet”, tha Rama, “do nisim shumë shpejt vazhdimin e lungmares te tuneli i ujit të ftohtë dhe rindërtimin e gjithë aksit nga Uji i Ftohtë në Radhimë, e në Orikum, ku do bëhet bashkimi me rrugën e re Orikum-Llogara dhe pastaj tuneli për të shkuar në anën tjetër”, shtoi.
“Më vjen shumë mirë që përfundoi makthi i rilidhjes së kontratës për bajpasin e Ferit dhe të Vlorës. Puna për bajpasin e Fierit ka filluar të organizohet. Brenda pak ditësh do të fillojë intensivisht edhe nuk dikutohet që në sezonin e ardhshëm, traseja do jete e hapur, s’do ketë më nevojë për ti rënë nëpër xhepa për të hyrë në Vlorë, apo për të dalë nga Vlora. E njëjta gjë për bajpasin e Vlorës, ku do të fillojë puna dhe ai bajpas do jetë një lehtësim i madh për gjithë zonën poshtë të Orikumit”.
Për rrugën e lumit të Vlorës, Rama tha se loti që ka filluar do të përfundoje së shpejti, ndërsa premtoi se brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, do të nisë puna në të treja lotet e tjera, përfshirë edhe Selenicën.
Rikualifikimi urban – “Paralelisht me problemin historik të elektrifikimit, ne po punojmë për gjithë pjesën e vijës bregdetare të Orikumit, do vazhdojmë paralelisht në bulevardin Ismail Qemali dhe Sheshin e Skelës që ka mbetur në mes dhe do ta çlirojmë nga gjithë ajo rrëmujë kioskash e topash, Muzeun e Pavarësisë. I vetmi vend në botë ku shtëpia e Pavarësisë është e rrethuar nga koska dhe byrektorja shkon deri te muri i Shtëpisë së Pavarësisë. Po bëjmë një projekt me bashkinë dhe do bëjmë një investim aty për të krijuar një pikë zhvillimi urban të qytetit. Ashtu si vizituam kantierin e qendrës historike, që ka filluar të dalë pak nga pak në dritë dhe do jetë një pikë e re referimi në këtë qytet”, tha Rama.
Hotelet me 5 Yje – “Ambicia ime është që të fillojmë të sjellim hotelet e para me 5 yje në Vlorë, sepse na duhet, siç e tha ministri, që sezonin turistik ta shtrimë përtej kohës tradicionale prej dy muajsh dhe për këtë na duhet të fuqizojmë jo vetëm infrastrukturën publike, por edhe infrastrukturën private të mikpritjes. Të kemi salla konferencash të standardeve ndërkombëtarë, një tërësi elementesh që Vlora sot, megjithëqë transformimet e mëdha që kanë bërë sipërmarrësit dhe me gjithë hotelet që janë përmirësuar ndjeshëm, nuk i ofron akoma. Pra, kjo ambicia që të rrisim cilësinë e mirëpritjes, në mënyrë që të rrisim numrin e turistëve dhe ta zgjasim turizmin në kohë gjatë vitit, duke rritur kështu mundësinë për punësim, duke rritur në të njëjtën kohë të ardhurat”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, akuza lëshoi edhe ndaj opozitës. Paraardhësit e tij në drejtimin qeverisë, Rama i quajti “të paaftë”.
PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al