Nga joshja te dhuna fizike/ 4 fazat e një operacioni politik të Edi Ramës për të vënë në kontroll grupin mediatik informativ më të fuqishëm në vend

Sep 4, 2022 | 15:30
SHPËRNDAJE

Gazeta Shqiptare/ Dikujt që nuk ka qenë 3 ditët e fundit në Shqipëri dhe është i panjohur me ngjarjet e aktualitetit, mund t’i duket e çuditshme që skrepat e fadromat kanë nisur mësymjen ndaj “Prestige Resort” në Golem.

prestige resort

I maskuar me emrin e operacionit “Bregdeti ynë” dhe i kamufluar si një përpjekje për t’i rikthyer plazhistëve rërën, ky akt i paligjshëm nuk ka të bëjë aspak me një operacion urbanistik. Ai është në rradhë të parë, një operacion politik. Nëpërmjet policëve dhe fadromave të paligjshme të IKMT-së nuk synohet vetëm shkatërrimi i një pishine. Qëllimi nuk është rrënimi  i betonit, por i ngrehinës mediatike më të fuqishme në Shqipëri, e cila përmbledh mes të tjerash, televizionin informativ më të shikuar, portalin informativ më të klikuar dhe gazetën më të lexuar.

“News 24”, “Balkanweb”, “Panorama”, “Gazeta Shqiptare”, revista “Psikologji” janë pjesë të këtij grupi mediatik që kanë bërë historinë e medias shqiptare së post-komunizmit.

Në krye të këtij operacioni politik, qëndron Edi Rama. Fadromat janë etapa e fundit e një përpjekje të vjetër të pushtetit për të kontrolluar këtë grup mediatik.

Ky operacioni ka kaluar në 4 fazaJoshja, tentativa për blerjepresioni dhe në fund, faza e dëshpërimit. Rruspa.

Le t’i marrim me rradhë.

Edi Rama dhe enturazhi i “Rilindjes” u përpoqën ta joshin në të gjitha mënyrat grupin mediatik dhe tentuan ta vendosin nën kontroll duke përdorur “karrotën”. Vetë Rama tregohej i dashur dhe i afërt, duke arritur deri aty sa nën pishat e “Prestige Resort” skiconte me dorën e tij modelin e pishinave apo jepte ide për ngjyrën e hotelit. Ai mendoi se duke qëndruar afër grupit mediatik, do ta kishte të lehtë të bënte kryeredaktorin duke vendosur në detaje politikën editoriale të grupit. Por, ai nuk ia doli. Sepse “Hysenbelliu Group” bënte biznes të ligjshëm e të ndershëm dhe nuk u var kurrë nga paraja publike që Rama ishte mësuar të daroviste klientët e vet.

Ndaj, operacioni politik kaloi në fazën e dytë. Njerëz me dhe pa biznes, me ‘background’ të qartë dhe të paqartë shpalosën ofertat e tyre për ta blerë dhe për ta vënë nën kontroll qeveritar të gjithë grupin mediatik. Në fund të fundit, blerësit nuk synuan zhvillimin, por rrënimin e grupit mediatik.

Por, këtyre u mbeti sharra në gozhdë. Autoriteti i mediave të sipërcituara mbeti i pacënuar dhe ato vazhduan të jenë pikë referimi në mjedisin e brishtë mediatik shqiptar.

Dihet që propaganda për kryeqeveritarin është gjithçka. Ndaj, operacioni i tij politik kaloi në fazën e tretë, atë të presionit.

Ai urdhëroi të gjitha agjencitë qeveritare të mësynin mbi median dhe bizneset duke “krehur” letrat në kërkim të shkeljes më të vogël. Dëshpërimi e solli që ai t’i dërgonte një shkresë televizionit “News 24” për lirimin e hapësirës ku ky TV operon prej 2 dekadash. Gjykata ia rrëzoi poshtë këtë letër presioni.

Por, siç dihet, një autokrati i duket sikur po e kërcënon, kur ti je thjesht në të drejtën tënde. Ai nuk mund ta kuptojë dot që dikush e shumëkush të mos i bindet. Sepse autokrati sundon me vasalë, nuk qeveris me rregulla demokratike.

Ndaj, si fazë të katërt të operacionit politik për vënien nën thundër të grupit të mediave ai përdori dhunën fizike.

Në fillim prishi një mur e më tej rrethoi me fadroma dhe ekskavatorë qindra turistë të huaj në “Prestige Resort” në Golem.

Nëse ky do të ishte një film, fare mirë mund të ekranizohej si një skenë e Luftës së Dytë Botërore, ku tanket naziste ndërhyjnë në zonat urbane duke shkatërruar gjithçka, në Europën Qendrore në fund të viteve ’30.

Dhuna fizike, pra shkatërrimi me “tanket” e IKMT-së janë faza e fundit dhe e dëshpërimit të një qeverie dhe një kryeministri që synon të kontrollojë grupin më të rëndësishëm informativ në vend.

Askush nuk e ka fituar betejën me median e lirë. Rama këtë e di më mirë se kushdo. Kur bie fuqia e fjalës dhe vendin e zë fuqia e dhunës, aty ka nisur fillimi i fundit. Por kur të vijë fundi, nuk do të mjaftojë një pishinë për të larë mëkatet e Edi Ramës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura