Nga Kongresi i Lushnjës te Revolucioni i Qershorit, përplasjet e forta politike për udhëheqjen e vendit! Kush e rrënoi themelimin e parë shtetëror

Jul 1, 2024 | 11:00
SHPËRNDAJE

ROMEO GURAKUQI/ Në këtë artikull dua të ofroj një lexim/kuptim dhe disa përkufizime mbi kohën e pas-Luftës së Parë Botërore në Shqipëri, mbi rrugën drejt stabilitetit institucional të shtetit, kahun nga eci Legaliteti Institucional në raport me periudhën pararendëse (1912-1914) të themelimit të shtetit shqiptar si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, elitat drejtuese themelvënëse dhe mënyra e pasimit të tyre në krye të punëve mbi atdheun, eliminimin në harkun kohor 1913-1926 i një radhe të tërë të themelvënësve të shtetit kushtetues dhe të europianizuem, dhe kundërshtarëve të tyre, origjinat dhe prejardhjet e kreut të shtetit dhe përplasjet për udhëheqësinë, jetën politike dhe parlamentare të Shqipërisë në periudhën nga Kongresi i Lushnjës i janarit 1920 deri në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe Kundër-Revolucionit që pasoi 6 muaj më pas, me themelimin e një kuadri të ri institucional, me fshirjen dramatike të pjesës fundore të themelvënësve të Shqipërisë nga Regjimi i Ri.

Kongresi i Lushnjës

Përkufizimet janë të mbështetura mbi burime arkivore të vëzhguesve dhe diplomatëve amerikanë, italianë dhe britanikë dhe i përkasin historisë politikë. Po ashtu leximi dhe kuptimi i ngjarjeve, zhvillimeve të kësaj periudhe nuk mund të mos kishte dëshminë e personaliteteve më të rëndësishme me formim oksidental dhe patriotik të botës shqiptare. Kjo sepse, Shqipëria e asaj kohë ka pasur korrektorë të brendshëm mendjehapur dhe vullnetmirë, lexues të kthjellët të thelbit të zhvillimeve politike në vend, analizues të fakteve të shkëputura, që ia kanë dalë të kapin fillimet dhe fundet e fenomeneve historike me impakt afatgjatë. I mbetëm qëndrimit se Revolucioni i Qershorit 1924 , ose Kryengritja e armatosur për përmbysjen e sundimit të oligarkisë konservatore të pjesës më primitive të bejlerëve prej forcave përparimtare, modernizuese, ende në pakicë në një shoqërie të prapambetur dhe të pa zgjuar nga gjumi otoman, nuk mund të kuptohet si një akt i shkëputur historik nga periudha pararendëse e jetës politike për kontrollin e vendimmarrjes shtetërore, nga konflikti i thellë mes dy pjesëve të botës shqiptare me vizione të ndryshme mbi vendin e Shqipërisë në kontinentin e vjetër dhe nga ndërhyrjet e vendeve drejtpërdrejtë të interesuara për mbajtjen e Shqipërisë vend të përçarë në shtyllat përbashkuese të nacionit.

Përfundimi i Luftës së Parë Botërore dhe 6 vitet që e pasuan janë të shënuara Koha e Rithemelimit të Shtetit, Ripërcaktimit të Kufijve, Rivendosjes së Konstitucionalizmit, Lirive, stabilizimit të Shekullarizmit dhe e vendosjes së Ekuilibrit të Brendshëm Ndërkulturor dhe Krahinor, në aspektin administrativ dhe udhëheqës institucional. Mbi të gjitha, jetën politike të Shqipërisë e ka trazuar vakumi i krijuar në Kreun e Shtetit, kuptuar si figurë institucionale unike vendimmarrëse dhe përbashkuese e qytetarëve, prejardhur ky vakum prej vendimit të paplotë të 9 nëntorit 1921 të Konferencës së Ambasadorëve në raport me vendimin e 29 korrikut 1913, nga mosgjetja e zgjidhjeve të përshtatshme edhe prej faktorëve të brendshëm që endeshin, nga aspirata për vijimësinë e para luftës, tek përsëritja e modeleve esadiste në zënien me forcën e mercenarëve krahinarë dhe qarqeve shoviniste fqinje, të pushtetit në Tiranë, për llogari individuale dhe ballkanike. Normalisht që edhe prishja e konsensusit të Fuqive të Mëdha në lidhje me Shqipërinë ndikoi mjaft në këtë zbrazëti.

Një kombinim i faktorëve të jashtëm ndërhyrës që lidheshin me interesat xhonturke, serbe dhe malazeze dhe greke, me aleatët e brendshëm esadistë dhe elikjamistë, respektivisht otomanistë, kishin rrënuar Themelimin e Parë Shtetëror të Shqipërisë pas shtatorit të vitit 1914 në kaosin e vitit 1915. Austro-Hungaria dhe Italia, më pas, për interesa të përkundërta strategjike, në zonat e tyre të kontrollit ushtarak, në 3 vitet fundore të Luftës, përveçse njohën formalisht nën kontrollet e tyre ushtarake, autonominë në Veri (njoha e vetëqeverimit për gjithë Shqipërinë me 24 janar 1917 brenda Perandorisë) dhe pavarësinë e Shqipërisë në Jug (pas shpalljes së 3 qershorit 1917 të Komandantit të Giacinto Ferrero për bashkimin dhe pavarësinë e gjithë Shqipërisë nën mbrojtjen e Mbretërisë së Italisë), nxorën jashtë ushtritë e vendeve fqinje, rindërtuan administrimin e brendshëm shqiptar, që edhe pse në rrafshe të ndryshme strategjike, shërbeu si proces për ringritjen shtetërore të pas luftës, kur diskutohej rendi i ri europian, jeta shtetnore e Shqipërisë dhe kufijtë e njohur ndërkombëtarisht.

Austriakët gjatë kontrollit shtetërorë 3-vjeçar (1916-1918) arritën të stimulonin mjaft impulse të qytetërimit dhe administrimit europian dhe vendosën në drejtim të punëve shumë prej njerëzve të shkolluar, nga të gjitha viset që ato kontrollonin. Mbi të gjitha, sundimet e lartpërmendura, austriake në njërën anë dhe italiane në jug, shuan gjurmët e lëvizjes otomaniste, ndërsa Tërheqja e Madhe Serbe (nëntor 1915-shkurt 1916) mori me vete dhe transferoi jashtë Shqipërisë, Esadin dhe burimet e tij njerëzore, institucionale dhe ushtarake të shtetit të vogël arnaut. Ishte mirë që fundi i luftës e gjeti Shqipërinë me faktorët destabilizues të qeverisjes së parë shtetërore të neutralizuar, por hija e tyre do jetë ende vepruese dhe kujtuese edhe më tutje. Gjithsesi, edhe pse kemi mbërritur në “post” luftë, valët e pushtimeve serbe, malazeze dhe greke, kishin lënë pas goditjen e krahut të armatosur të Lëvizjes Kombëtare Albanianiste të Vlorës 1912: eliminimet e Dedë Gjo Lulit, Isa Boletinit, Çerçiz Topullit, Themistokli Gërmenjit, Mustafa Qullit, Gjeto Cokut disa dhjetëra pasuesve dhe bijve të tyre, ishin vetëm fillimi i një serie eliminimesh të udhëheqësve politike të Pavarësimit të Parë, që do të përmbyllen në rrjedhën e pas të ashtuquajturit “Triumf i Legalitetit”, ose i eliminimit të faktorëve relevantë që llogarisnin në mënyrën shqiptare të politikëbërjes dhe vendimmarrjes së brendshme.

Kjo fazë e dytë fillon me vdekjen e papritur i helmuar në Perugia (Itali), të Babait te Kombit, Ismail Qemali, ndërkohë që ishte nën mbikëqyrje të rreptë prej autoriteteve italiane të sigurisë dhe inteligjencës, vijon me vrasjen me atentat të figurës më të fuqishme të Shqipërisë, të Princit Trashëgimtar të Mirditës, Preng Bib Dodës, ekzekutimin për arsye të ndryshme nga të parët, të Essad Pashë Toptanit, udhëheqësit të rrymës së fuqishme politike dhe ushtarake për një Shqipëri të Vogël të qethur nga kristianizmat e lashtë autoktonë arbnorë, nga Kosova nga Malësia dhe nga Epiri, gjegjësisht Shqipëria Natyrale e Jugut. Nuk kemi të bëjmë thjesht me eliminimin e dy personazheve, por kemi daljen nga skena të dy faktorëve vendimtarë, që kishin mundësinë, për arsye të ndryshme nga njëri tjetri, Bib Doda për arsye princore tradicionale, Essad për arsye të një tradite formative pashallarësh otomanistë dhe mercenarë, të organizimit brenda natës së dy forcave ushtarake, që impononin pushtet në Shqipërinë ende të pastabilizuar. Edhe pse e privuar nga forca mbështetëse pararendëse politike e Ismail Qemalit dhe ushtarake e Bib Dodës, e Dedë Gjo Lulit dhe Isa Boletinit, Rryma Albanianiste e Shtetformimit të Vlorës dhe Principatës së Wied, tharmi i asaj kohe krenare të bashkimit të elitës së vetëdijshme dhe të përgjegjshme, kishte lenë pas një trashëgimi të rëndësishme, një frymë që u përforcua me pasues të një kualiteti të lartë politik dhe diplomatik.

Mërgata shqiptare në SHBA (Fan Nolin, Faik Konica, etj.) dhe në Zvicër (Mihal Turtulli, Pandeli Cale, Sotir Kolea) ushqeu me udhëheqësi të një kualiteti të epërm intelektual, nuklet e gatshme patriotike në vend, të ringjallura nga koha e artë e Austrisë për kombin shqiptar, pas traumës esadiste dhe elikjamiste (kryengritëse). Kjo rrymë ia doli të “prodhojë” dy kongrese nacionale dhe dy qeverisje kushtetuese, patriotike mbarëkombëtare pas luftës, në Durrës në dhjetor 1918 dhe në Lushnjë në janar 1920, të mbronin me përkushtim të patriotik çështjen e Shtetit në kufijtë etnikë, të ristabilizonin kushtetutshmërinë dhe legalitetin e paraluftës dhe të fillonin për herë të parë në historinë tonë, jetën politike parlamentare, por pa zgjidhur dot në mënyrë përfundimtare problemin e vijimësisë së Kreut të Shtetit.

Gjithsesi, vërtet nga skena ushtarake e Mbrojtjes së Nacionit si Një i Tërë, ishin larguar prijësit e rendit të parë tradicionalë të trojeve, por vendin e tyre e plotësuan me po aq vendosmëri të mbijetuarit e një kohe sakatimesh të atdheut si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kadri Prishtina; largimin nga kjo jetë të bashkëthemeluesit të Shtetit, Dom Nikollë Kaçorri, e vijuan me një përkushtim në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar Luigj Gurakuqi, Faik dhe Mehmet Konica, Imzot Luigj Bumçi, Atë Gjergj Fishta, Fan Noli, Stavri Vinjau, Abdi Toptani, Mihal Turutulli, Lef Nosi dhe mbi të gjitha, figura më e fuqishme dhe më e respektuar në vend ndër shqiptarët e të gjitha besimeve, Aqif Pashë Biçakçiu nga Elbasani. Ndërkohë mes prijësve krahinorë që ia kishin dalë të përforcoheshin nën Austrinë, të kishin forca ushtarake krahinore, krahas grupeve kosovare të Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit, ishte Ahmet Bej Zogolli, i dalluar ky i fundit në dy faza: në avancimin e trupave austro-hungareze në territorin e Shqipërisë në fundin e dimrit 1915- 1916 dhe më pas në rivendosjen e autoritetit shtetëror dhe nxjerrjen jashtë të trupave pushtuese jugosllave nga Kongresi i Lushnjës dhe në vijim.

Transformimi i tij nga një Prijës Ushtarak Lokal i një krahine të brendshme në përkrahje të rrymës progresiste të nacionalistëve, në një politikan që mban gjithmonë me vete forcën e tij pararendëse të besnikëve të krahinës dhe mbetjeve mercenare të Essadit të shuar, në Tiranën tanimë me Parlament, Qeveri dhe jetë civile, do të ushtrojë ndikime përcaktuese, vendimtare, do të thosha, mbi gjithë jetën politike, institucionale të Shqipërisë 1920-1926, rendin publik, në të dyja kahet, pozitivë dhe negativë, por mbi të gjitha në neutralizimin dhe nxjerrjen tërësisht jashtë Shqipërisë të burimeve njerëzore politike progresiste të Vlorës 1912, të Durrësit 1918 dhe Lushnjës 1920, pas Kundërrevolucionit, ose Rikthimit të Legalitetit qeverisës për të vendosur një Legalitet të Ri krejt të ndryshëm nga Marrëveshje e Brendshme dhe e Jashtme për Shtetin, një Legalitet të transformuar, në dhjetorin e vitit 1924. Si paraqitej Shqipëria e viteve 1920? Shqipëria ishte shfaqur në dekadat e para të shekullit XX tërësisht e deformuar nga pikëpamja kulturore nga Arbëria e dikurshme Adriatikase. Ky deformim në mënyrë të natyrshme do te reflektohej në vizionet politike të shtresave të ndryshme shoqërore, krahinave, partive parapolitike, që ngjizen, formësohen dhe shkërmoqën brenda ditëve, javëve dhe muajve, të individëve me edukatë euro piane dhe demokratike dhe të fortëve me mercenarë dhe gangsterë të paskrupuj, të mbetur trashëgim nga koha otomane. Gjithsesi, fryma demokratike që kishte përfshirë mbarë kontinentin u ndie edhe në këtë vend: Shqipëria, pas Luftës së Parë Botërore, doli nga feudalizmi dhe mesjeta dhe dalëngadalë filloi të marrë ngjyrën e një shteti modern , por ky modernitet do të ecë vështirësisht për shkak trashëgimisë që i rëndonte nga pas.

PROBLEMI KRYESOR PËR SHTETIN ISHTE SE NGA DO TË ECTE PROCESI STABILIZUES I SHQIPËRISË?

Nga linja e përcaktuar nga vendimi i 29 korrikut 1913, i konkretizuar me Monarkinë e Wilhelm von Wied, dmth., nga Ripërtëritja deri në fund e Legalitetit të afirmuar tanimë, të lënë hapur si opsion nga kuvendet e Durrësit dhe të Lushnjës? Apo do të prirej drejt zgjidhjeve të reja, drejt një legaliteti të ri të prodhuar me forcën e armëve të turmave, të financuara nga fqinjët, që kërkonin në këmbim heshtjen ose teatrin kinse nacionalist, të Tiranës zyrtare, për tokat shqiptare të lëna jashtë sërish prej vendimit të 9 nëntorit 1921?

Në çdo skicë të kompleksitetit politik të Shqipërisë do të duhet të kemi parasysh se ky vend kishte mbërritur në modernitet pas aq trazimesh, i copëtuar jo vetëm territorialisht, por edhe me vektorët e vet kulturorë përbërës të copëtuar, të Veri-Perëndim, Verilindje, Lindje dhe Jug, me balanca natyrore të prishura artificialisht, me dallimet ndërfisnore dhe krahinore që ushtronin një rol vendimtar në cilësinë e produktit modernizues dhe europianizues. Për rrjedhojë, edhe ndarja në partitë e reja politike që fillojnë e formësohen vetvetiu, sapo pluralizmi u impostua në qendrat politike, në Durrës ose në Tiranë, ishte në një farë mase një pasqyrim i dallimeve të mprehta që ekzistonin në besimin fetar, formacionin kulturor dhe krahinor, shkollimin dhe rrethet kulturore nga vinin.

MES KËSAJ TËRËSIE QË MBËRRITI NGA MESJETA NË MODERNITET DALLONIN DY QENDRA:

-Korça në mënyrë të veçantë ishte shtëpia e shkollës progresive dhe demokratike, e burrave të shtetit që pak nga pak, në vitin 1922 do të vendosën në kontroll të qeverisë, por si apendiks i atyre qe kane forcën e armëve. Shkodra, qyteti më modern në Shqipërinë e asaj kohe, ishte jo vetëm qendra më e madhe tregtare dhe ekonomike, por edhe kryeqyteti moral intelektual, që prodhonte përfaqësi politike intelektuale për shkak të shkollave të kahershme, rolit të klerit katolik në përcjelljen e frymës arbnore në të gjithë grigjen e vet, dhe hapësirës publike me përmbajtje nacionale që u mundësua ndër sundimet ndërkombëtare dhe posaçërisht në kohës e Austrisë.

Elita pro europianizimit të vendit, e mbërthyer në boshtin Korçë-Shkodër kërkonte që në Shqipëri të vendosej një sistem perëndimor i demokracisë, me një opozitë parlamentare, por bejlerët e botës së vjetër provinciale, pra jo aq pjesa më elitare e tyre, dëshironin të përjetësonin një stil të administrimit të trashëguar që nga koha e Perandorisë Otomane, e kështu pushteti të mbetej edhe më tutje në duart e pronarëve të mëdhenj të tokave. Shqipëria e sapodalë nga sundimi i gjatë obskurantist otoman ishte vendi më i prapambetun i Europës, e nga nji vend i tillë nuk mund të prisje që të dilnin në mënyrë demokratike, apo të vetvetishme, administratorë me përvojë dhe të aftë. Pjesa më e madhe e popullsisë ishte një klasë fshatare pa tokë, e shfrytëzuar prej shekujsh në emër të të huajve nga ata që këto kohë kontrollonin jetën politike të Tiranë; ishte analfabete në mënyrë masive, e kësisoj liderët e kësaj klase, bejlerët e trashëguar nga Perandoria Osmane, nuk mund ta kuptonin dot ndryshe dashurinë për atdheun, vetëm si një dashuri dhe prirje drejt pushtetit.

Personat e arsimuar ishin të paktë në numër, kryesisht nga radhët e popullsisë së krishterë, që përbënin një të tretën e numrit të popullsisë, por ata nuk ishin të pajisur me artin e të qeverisurit, e mbi të gjitha ishin pa kurrfarë të drejte nga klasa e bejlerëve të ish perandorisë, e cila kishte zënë tanimë, njëlloj si më parë, vendet në administratë dhe i mbarështronte punët me metodat e vjetra otomane. Pas shpalljes së pavarësisë kjo klasë i drejtoi tashmë sytë nga marrja e pushtetit në Shqipëri, duke kërkuar që të përfitonte nga kushtet politike primitive që ekzistonin në vend. Si në çdo shkencë, mbledhja e të dhënave (dokumenteve), menaxhimi i tyre mbi kritere përzgjedhore dhe sistemimi, është shumë i rëndësishëm edhe në studimin e historisë. Bazuar mbi prioritetet kryesore të jetës politike dhe parlamentare të Shqipërisë nga Kongresi i Lushnjës deri në prag të Revolucionit të Qershorit, Prirjen Vendimmarrëse në Zgjidhjen e Problemit Themelor të Stabilizimit Institucional – Kush do ta drejtojë vendin?

Rrugës së vështirë dhe mundimshme për transformimin e Statutit në Kushtetutë Shtetërore, thyerjeve në udhëheqësinë e përkohshme të vendit mes dy rrymave kryesore, spikatjes së individëve të udheheqësisë, në ballë ose në hije, jetën politike dhe parlamentare në këtë hark 5-vjeçar unë kam menduar ta ndaj në pesë faza, por me dy spikatje në tërësinë e vet: Nga janari 1920 deri në dhjetor 1921, figura me e rëndësishme politike ka qenë babai i Kongresit të Lushnjës: Aqif Pashe Elbasani, figurë tërësisht e respektuar ne vend. Ai, Imzot Bumçi, Abdi Toptani, Mihal Turtulli, donin t’i jepej fund situatës së anarkisë së shkaktuar nga ndërhyrja gjithnjë e më e përshkallëzuar e elementeve kundërshtarë të linjës politike rilindase, përmes rikthimit të legalitetit kushtetues të vitit 1914, kthimin e monarkisë dhe restaurimin e Princ Wied-it në fronin e Shqipërisë, por nuk dëshironte të bënin presion për një gjë të tillë, në qoftë se kjo nuk do të pëlqehej nga Fuqitë Aleate.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura