“Nga Kuçi i Vlorës”- Berisha: Dallëndyshe Bici bashkëpunon me trafikantët! Kush është i besuari i drejtoreshës së IKMT-së, i arrestuar për trafik narkotikësh

Sep 6, 2022 | 10:00
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Kreu i PD-së, Sali Berisha, denoncoi dje lidhjet e drejtoreshës së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, me trafikantë narkotikësh.

-1200-630-berisha-bici

Berisha publikoi dje denoncimin e një qytetari dixhital, i cili e informon se Bici ka punësuar trafikantë. Sipas kreut demokrat, drejtoresha e IKMT-së ka pasion për trafikantët duke i bërë pjesë të administratës.

“Bici e partisë ka pasion për trafikantët. Ajo i punëson ata me zell të madh! Lexoni denoncimin dhe shikoni foton e qytetarit dixhital. ‘Përshëndetje Doktor. Po ju përcjell një informacion. Personi që po ju çoj në foto dhe që është realisht nr.2, njeriu më i afërt dhe i besuar i D.Bicit të IKMT quhet Vilson Lalaj dhe është nga Kuçi i Vlorës. Ky shtetas gjatë kohës që ka qenë i punësuar në Komunën Hor Vranisht është arrestuar nga Prokuroria e Vlorës dhe konkretisht nga prokurori Dorian Tafili për trafikim narkotikësh. Ka bërë disa vite burg rreth viteve 2005 ose ndoshta pak më mbrapa.

Është informacion 100% i saktë’”, thuhet në mesazhin e publikuar nga z. Berisha. Edhe më herët, kreu demokrat ka dënuar ashpër shembjet antiligjore te IKMT në ambientet e “Prestige Resort”. Ai akuzoi Kryeministrin Edi Rama se mban përgjegjësi penale “për shkatërrimin antiligjor të pronës së tjetrit”, pasi Rama e ka firmosur vetë lejen për ndërtimin e resortit si kryetari i KKT.

“Edi Rama ka urdhëruar shkatërrimin e pjesës së resortit në kundërshtim flagrant me ligjin. Sipas zëvendëses së kësaj kompanie, gjithçka është ndërtuar mbi bazën e lejeve të firmosura nga vetë Rama, çka e bën përgjegjës penalisht atë për shkatërrimin antiligjor të pronës së tjetrit. Ndërmarrja, qoftë dhe në zbatim të ligjit të një akti të tillë kur resorti është plot me turistë, është akt i mirëfilltë banditeskt. Goditje që i jepet këtij sektori, shembulli më i keq dhe diskreditues për Shqipërinë. Ajo që unë dënoj me forcën më të madhe e nuk mund të pajtohem, sfondi politik i këtyre veprimeve. Janë të dënueshme, antikushtetuese përpjekjet për të shkatërruar një grup mediatik në kundërshtim me ligjet e vendit”, deklaroi Sali Berisha.

“RAMA, TIGËR PREJ LETRE”. DUMA: AS PUTIN S’E NDALON DOT FJALËN E LIRË

Deputetja e PD-së, Grida Duma, dënoi dje sulmin që qeveria po u bën mediave në pronësi të Irfan Hysenbelliut përmes një aksioni të paligjshëm në biznesin e tij “Prestige Resort” në Golem. Duma denoncoi se qeveria dhe Kryeministri “kanë kaq kohë që duan të japin shfaqjen e të fortit” përmes këtij aksioni.

“Këtu, në vend të ishte forca e shembullit, se ky resorti është shembull, mënyra e bukur si është shtrirë turizmi, është duke u përballur shembulli me forcën e një pushteti që s’dua më shumë ta perifrazoj, por në gjuhën shqipe pushteti është pushtet që ngrihet mbi fuqinë e asaj që duhet t’i shërbejë. Gjithçka ka problem është ta nisë zinxhirin e krimit këtu. Jo se do t’i mungojë mbrojtja medias, por ‘News 24’ është media që bën opozitë. E kuptoja që opozitarizmi i ‘News 24’ bashkë me ‘Panorama’, me ‘Balkanweb’ u rritën duke treguar korrupsionin e drejtorucëve që me një pamje të FB të vet sapo shfaqej te ‘News 24’ fshinin në llogaritë e tyre sociale të luksit të tyre njerëz që vijnë nga hiçi, vjedhin këdo e mund ta ekspozojnë luksin.

Kur ‘News 24’ nisi këtë, e kuptoja qartë që situata nuk do ishte e njëjtë për mediat tuaja. Kjo është fabula bjeri pragut të dëgjojë dera, pse ky është pragu”, tha Duma. Ajo u shpreh se Kryeministri Edi Rama nuk mund të ndërpresë dot komunikimin mes qytetarëve duke e cilësuar atë një “tigër prej letre”. “Shyqyr që nuk ka mundësi të ndërpresë edhe ‘Facebook’- un. Shyqyr jetojmë në një epokë që sado të përpiqet pushteti i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kështu është kur nuk e ke marrë pushtetin me meritë, por përmes krimit. Shyqyr jetojmë në një epokë kur ti nuk e ndalon dot komunikimin. Nuk e ndalon dot Putini, jo ky tigri prej letre. Mendoj që kemi një problem. Është problem i secilit prej nesh, Mos u kompleksoni se çfarë është e tjetrit mbetet e tjetrit. Kjo që po ndodh këtu, mund t’i ndodhë çdo biznesi të madh”, deklaroi Duma.

DEPUTETI: SHQIPTARËT DUHET TË REAGOJNË!

Deputeti i PD-së, Lefter Gështenja, e quan një sulm të paprecedent ndërhyrjen e paligjshme te “Prestige Resort”. Sipas tij, ky është një kërcënim i hapur për këdo që nuk i bindet urdhrit të Edi Ramës. “Prishja e këtij resorti gjatë sezonit turistik është kërcënim i hapur për këdo që nuk i bindet apo nuk i shkon në rresht Edi Ramën.

Për sa kohë Rama vendos se kush punon dhe kush ndërton, s’ka më liri. Kjo është arsyeja se pse qytetarët duhet të kërkojnë largimin e Ramës. Ai resort nuk u realizua brenda një ore apo një dite, pasi nuk ishte pa leje, por edhe nëse ndodh të jetë ashtu, s’mund të reagohet ashtu. A duhet të kishim në këtë rast, nëse është pa leje, të kishim një zyrtar pas hekurave?!”, tha ai.

Aksioni në “Prestige”, Kasa: Ndërhyrje e paprecedent dhe e pajustifikuar

Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, në një lidhje “Skype” në emisionin “Open” në “News 24”, ka deklaruar se aksioni i ndërmarrë prej katër ditësh nga IKMT në “Prestige Resort” është një ngjarje e paprecedent dhe e pajustifikuar. Ai u shpreh se kurrë më parë nuk është dëmtuar turizmi në këtë formë. “Jam shokuar nga kjo ngjarje. Ndërhyrje shkatërruese e paprecedent edhe e pajustifikuar, ndërkohë që jemi ende në sezonin turistik.

Në bazë të kontratave të tour kompanive, ‘Prestige’ ishin të prenotuar. I referohem asaj që kam raste të tillë të dëgjuar në Greqi kur ka shtesa pa leje dhe shteti u vendosur gjobë si masë administrative. Çfarëdo shteti qoftë, sidomos yni që ka prioritet turizmin për ekonominë, duhet ta kishte shtyrë një ndërhyrje të tillë kur të mbaronin kontratat kontraktuale me kompanitë e tjera për turistët. Kontratat kanë qenë të parapaguara. Ndërkohë, tour operatorët kanë paguar avionët dhe janë para të humbura, kush do ta paguajë?

Dëmi është edhe më shumë se financiar, se kemi një prishje të imazhit të Shqipërisë. Me plot bindje, them që kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë, vetëm për një ndërhyrje që mund të shtyhej”, tha zoti Kasa. Ai u shpreh se qindra turistë të cilët kanë qenë të pranishëm në ditën e parë të aksionit, po e ndjekin çështjen në anën ligjore, me akuzat që përveç dëmit ekonomik të shkaktuar u është vënë në rrezik edhe jeta. Zoti Kasa shtoi se 400 turistët nga vende të ndryshme europiane kanë prova dhe pamje, të cilat i kanë përcjellë në vendet e tyre dhe janë bërë virale në mediat e vendeve përkatëse. “Operatorët ndërkombëtarë janë duke e ndjekur edhe në anën ligjore, jo vetëm për dëmin, por edhe për vënien në rrezik të jetës sepse kanë prova kanë foto kanë pamje. Sidomos turistët nordikë, 400 në ditën e nisjes se aksionit, nga dhjetë vende të ndryshme të Europës.

Të gjithë e kanë denoncuar faktin edhe në vendin, edhe mediat e vendeve të tyre që janë bërë virale. Aktualisht, tour operatorët ndërkombëtarë kanë reduktuar 3 fluturime charter në javë, 6 mijë turistë të munguar në disa javë. Mundet të reduktohen edhe më shumë se shumë turistë duhet parë pamjet kanë kanceluar pushimet sepse thonë nuk dimë ç’na pret. Operatori nordik që ka vite që operon, ka vendosur që vitin e ardhshëm të mos vijojë operimin në Durrës, kjo është një humbje e madhe”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura