Romani më i fundit i shkrimtarit Bashkim Shehu, “Triptiku i magjistarëve”, (shtëpia botuese “Toena”) vjen për lexuesin përmes një rrëfimi jolinear ose, siç do të shpjegojë autori në parathënie, “me një strukturë që i ngjan asaj të ndërthurjeve të serialeve televizivë”. “Skicimin” e një tabloje të tillë që i paraprin leximit, shkrimtari tregon ta ketë mësuar prej Borgesit.
“Në librat e tij ‘fiction’ kryesisht ka dy pjesë, të cilat i shpjegon në parathënie, ku ndalet edhe te referencat bibliografike e disa elemente për natyrën e rrëfimit”, thotë Shehu. Ndërsa sa u përket referencave mbi të cilat është bazuar “Triptiku”, shkrimtari tregon se ndonëse ajo çka rrëfehet në roman mund të duket trill i imagjinatës, në fakt nuk është krejtësisht e tillë.
“Ngjarjet që rrëfehen duken të pabesueshme e mund të mendohet se janë narracione që s’kanë lidhje me realitetin, por në fakt unë jam bazuar në vepra biografike apo studime, të cilat më pas i kam ndryshuar. Mund të përmend këtu Historinë e Okultizmit të Bashkimit Sovjetik.
Të gjitha këto janë marrë si lëndë paraletrare dhe parathënia në libër është e nevojshme, pikërisht për të krijuar pikëtakimin e parë midis ‘fictionit’ dhe realitetit. Një pikëtakim që krijon një tension, një përplasje që kam dashur të jetë ekstreme”. Në këto 3 rrëfime, autori veçon si të vetmen lidhje të dukshme atë që krijohet nga personazhet me aftësi të mbinatyrshme, magjistarët.
“Në këtë roman ka një ndërthurje pushtetesh, visesh të ndryshme, që vijnë pak a shumë në të njëjtën kohë. Kanë një emërues të përbashkët dhe ai është personazhi i magjistarit që ka iluzionin se duke hyrë në shtëpi të diktatorit, tiranit, mund ta drejtojë apo manipulojë atë”. Personazhe misteriozë, që të rrëmbejnë me bëmat e rrëfimet e tyre e që “nxjerrin në valle” edhe figura politike. Nga magjistari i Hitlerit, murgu budist në Kinën e revolucionit e shkencëtarë të vjetër e të rinj në Moskë dhe Tiranë, politika, siç thotë Shehu, “është një nga dimensionet e këtij libri”. Autori ndalet më gjatë edhe te magjistari i Hitlerit, i cili ka inspiruar edhe mjaft autorë të tjerë ndërkombëtarë.
“Magjistari i Hitlerit është një person që ka ekzistuar dhe unë kam marrë nga biografia e tij, por duke i ndryshuar mjaft elemente”. Për sa u përket urave “të nëndheshme” ndërlidhëse mes tri pjesëve, Shehu zbulon një tjetër fije bashkimi. “Është totalitarizmi”, thotë ai. Diçka që prek edhe rrëfimin me Shqipërinë, ku autori i sjell ngjarjet në mesin e viteve ’60. Personazhi rrugëton nga viti 2001 në të kaluarën, duke u endur në bisedat me vetveten. “Nëpërmjet trukut të kohës, personazhi kthehet pas në kohë dhe do të shmangë diçka që ka bërë në të kaluarën. E kisha të nevojshme që të kishte një lidhje spirance me Shqipërinë”.
BASHKIM KUÇUKU: NJË KULM MJESHTËRIE
Kritiku Bashkim Kuçuku, ndërsa flet për romanin më të fundit të Shehut, ndalet edhe te konteksti shqiptar në të cilin shkruar, duke bërë një qasje me letërsitë moderne europiane. “Edhe pse është një prozë shqipe, qëndron brenda rregullsive, kanoneve që njeh sot rrëfimtaria moderne, të paktën në Europë”.
Edhe falë letërsisë së Shehut e autorëve të tjerë, siç thotë më tej, arti i rrëfimtarisë shqipe ka arritur në abstragime të domethënieve të strukturave. Ndërsa “Triptiku i magjistarëve” dallon sipas studiuesit edhe për kërkimin e eksperimentimin e vazhdueshëm që autori bën. “Këto janë në natyrën e tij krijuese e mbështeten në njohje të thellë e zerim të historive moderne dhe postmoderne të rrëfimtarisë. ‘Triptiku’, veçon edhe për disa thyerje e përshtatje vetjake të teknikave të rrëfimtarisë e për më tepër, për sendërtimin e një romani të pasur e të ndërlikuar në përbërës përmbajtjesorë, strukturorë dhe të poetikave.
Përmend këtu të dhënat për praktikat okulte, simbole, mjete e mënyra veprimi të astrologjisë, hipnozës, spiritizmit, të marramendjes prej prestigjiatori, të quajtura magji. Të gjoja fatthënies e parashikimit, të gjitha në shëmbëllimin e koktejit të ideologjive totalitare që hipnotizuan pjesën më të madhe të njerëzimit në shekullin e XX, duke e veshur kështu romanin me atmosferë mistifikuese, karakteristikë e vetë epokës në të cilën rrëfehet.
Ndërkëmbimi i të njëmendtës me të panjëmendtën, shndërrimi i lojërave të magjisë në një rrëfim, si për ndodhi e bëma të ndodhshme, fshirja e kufirit midis tyre, aq sa sajimi dhe fantazitë, në përngjasim me praktikat e okultizmit, mund të merren për reale… ky për ne është një kulm mjeshtërie”, shton më tej Kuçuku. Anila Dedaj
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al