Nga mbret i skenës, në hekurkthyes në Fier/ Kush e solli Spahivoglin në Tiranë?! Nexhmije Hoxha: Kryeqytetin ta mbajmë të pastër nga këta armiq

Jul 2, 2022 | 21:21
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ “Në heshtje në Tiranë u demonstrua sot një ditë zie, e pashpallur zyrtarisht dhe pa u miratuar nga autoritetet shtetërore”

Kujtim Spahivogli

Në 8 korrik 1987, komiteti i Partisë së Tiranës informonte Komitetin Qendror të Partisë se të gjitha institucionet artistike të kryeqytetit kishin anuluar shfaqjet e paralajmëruara në shenjë solidariteti për vdekjen e parakohshme të dramaturgut të dënuar Kujtim Spahivogli. Në fakt, nuk kishte ndodhur kurrë më parë të mbyllte dyert Teatri Popullor, Estrada e Tiranës, Cirku Kombëtar dhe institucionet e tjera artistike pa shpalljen zyrtaren “Ditë zie”.

Rasti i Kujtim Spahivoglit kishte thyer kështu tabunë zyrtare, sikundër vetë ai kishte tejkaluar dikur barrierat e skematizmin në artin e dramës dhe jo vetëm, për të cilat ishte ndëshkuar. Në dokumentacionin e kohës ka mbetur e arkivuar letra me shqetësimin e partiakëve lokalë të Tiranës, ndërkohë që nuk ka gjurmë për mënyrën si ka reaguar udhëheqja e lartë që drejtohej nga Ramiz Alia për ngjarjen e pazakontë në përcjelljen e dramaturgut të njohur.

Sidoqoftë, ajo sjellje atipike për kohën përveç tronditjes së aparaçikëve, ishte një gjest solidar i jashtëzakonshëm i artistëve dhe popullit të kryeqytetit që e kishte përjetuar me dhimbje jo vetëm ikjen në amshim të Kujtim Spahivoglit, por tërë kalvarin e vuajtjeve të tij, si i përjashtuar dhunshëm nga vëmendja publike dhe i degdisur punëtor llaçi.

LICEISTI I PARË, STUDENTI I SHKËLQYER I INSTITUTIT TË ARTEVE NË MOSKË

Kujtim Spahivogli njihet ndryshe si liceisti i parë, nxënësi që është ulur i pari në bankat e Liceut Artistik “Jordan Misja” në vitin 1946. Djali i një familje të njohur për kontribute të spikatura në lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare, sa mori vesh çeljen e shkollës së parë artistike në Tiranë, ndërpreu studimet që kishte nisur në teknikumin e mesëm dhe u paraqit menjëherë në shkollën e re, hapur rishtas pas luftës.

I dashuruar me artin që fëmijë dhe i përkushtuar fort pas programit mësimor, Spahivogli është regjistruar sakaq liceisti i parë i “Jordan Misjas” i diplomuar “Shkëlqyeshëm”. Në breza të tërë liceistësh, pas kaq vitesh që atëherë, pakkush e di që liceisti i parë me vlerësimin shkëlqyeshëm ka qenë Kujtim Spahivogli.

Me të njëjtin vlerësim do diplomohej ai në Institutin e Lartë të Arteve në ish-Bashkimin Sovjetik. “Shqiptari brilant që meriton respekt e nderim për rezultate të shkëlqyera në Institutin e Arteve”, shkroi ato ditë gazeta më e madhe për kulturën në Moskë.

I rikthyer në Tiranë në fundin e viteve ‘50, plot ëndrra e energji, për të ringritur teatrin dhe dramën shqiptare, i diplomuari i korifenjve të artistëve të kohës, do shkruante një tjetër histori që vinte fill pas vlerësimeve shkëlqyeshëm në Liceun e Tiranës dhe akademinë e Moskës, po këtë herë me një trajektore jo të qëndrueshme, me ulje-ngritje të shumta, deri dramatike…

“HAMLETI” SHQIPTAR I VITEVE ‘60

“Kam kënduar gjithmonë, por në një rast i madhi Kujtim Spahivogli më kërkoi të bëja dhe aktoren. Çuditërisht, e bëra mirë”.

Gjigantja Vaçe Zela shprehej kështu para disa kohësh në një intervistë për gazetën “Panorama”, duke kujtuar bashkëpunimin e parë me profesorin e teatrit. Në fakt, pakkush e di që në dramën “Një shok i klasës sonë”, shfaqur në fillimin e viteve ‘60 ka aktruar edhe princesha e këngës shqiptare.

“Nuk mundem, i thashë Kujtimit kur më ofroi rolin e dramës, unë di vetëm të këndoj”, kujton Vaçe Zela.

“Ngaqë këndon mrekullisht, mund të aktrosh bukur”, ma ktheu ai i bindur. Se aktrimi në vetvete është një këngë e veçantë, që buron nga shpirti, shtoi ai dhe direkt në skenë. Kjo ishte kredoja e Kujtim Spahivoglit. Kënga e shpirtit ishte vetë krijimtaria për të. Andaj edhe u shfaq rrufeshëm në ato vite të vështira.

Në pak kohë, në Teatrin Popullor vuri në skenë plot 25 pjesë, pa përmendur shfaqjet me studentët, realizuar në teatrin e Rinisë të krijuar nga ai. Më shumë se sasia, tërhiqte vëmendjen cilësia dhe risitë si në aktrim dhe në zgjidhjen regjisoriale.

Vetëm në vitet ‘60-‘70, mjeshtri Spahivogli vuri në skenë 20 shfaqje, në pjesën më të madhe të të cilave aktronte dhe vetë. Shkurt, në një kohë të shkurtër ai bëri emër si rrallëkush në fushën e artistit në atë kohë dhe i dha një shtysë të fuqishme dramaturgjisë shqiptare. E nisur me rolin e Xherxhinskit tek “Orët e kremlinit”, për të vijuar me personazhet e tjerë te drama “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, karriera artistike e Spahivoglit do të njihte vetëm kreshendo për të kulmuar te “Hamleti”.

Shfaqja e “Hamletit” ishte një shpërthim i vërtetë, që la gjurmë te gjithkush, por që u veçua sidomos nga komuniteti i artistëve si një vepër madhështore. Pikërisht për këtë, Kujtim Spahivogli është kujtuar prej tyre si Hamleti shqiptar i viteve ‘60. Gjetje e risi të tjera do përthyheshin në krijimtarinë e tij, fill pas suksesit të Hamletit. Tashmë regjisor në Teatrin Popullor dhe pedagog në Institutin e Arteve, por gjithnjë prodhues e novator.

Me vlerësimet më të mira janë pritur nga artdashësit dramat e realizuara në këtë periudhë si “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Në tufan”, “Banja”, “Shtëpia në bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq” etj.

NExhmije Hoxha

KTHESA E ERRËT, DRAMA E TRISHTË E DRAMATURGUT TË SHQUAR

Furtuna e nisur menjëherë pas Festivalit të 11- të të Këngës në RTSH dhe e kulmuar me plenumin e katërt të KQ të Partisë në qershor të vitit 1973, do të sillte kthesën e errët e të papritur në jetën e profesorit të dramaturgjisë.

Një ditë krejt pa kujtuar një tabor kalemxhinjsh e aparaçikësh duke kaluar në filtër gjithë krijimtarinë e Kujtim Spahivoglit, do ta kryqëzonin për modernizëm dhe shfaqje liberale. Akoma më të rëndë do ta bënte situatën e tij, fakti që kishte vënë në skenë një nga dramat e Fadil Paçramit, pas dënimit të tij. Goditja fillimisht do të vinte me pushkatimin politik. E para ishte organizata bazë e Partisë e Institutit, që do të vendoste për ta kaluar nga anëtar në kandidat partie. Pastaj menjëherë komiteti i partisë i rajonit numër 2 do të vendoste unanimisht për ta përjashtuar nga partia e për ta larguar nga Tirana.

Që këtej artisti i madh u gjend në kantierin e ndërtimit në Mbrostar të Fierit, ku shkëmbeu profesionin e dramaturgut me atë të hekurkthyesit. Disa vite aty për t’u rikthyer në Tiranë, po pa të drejtën e ushtrimit të profesionit në fillimin e viteve ’80.

Nexhmije Hoxha: Kush e solli Spahivoglin në Tiranë

I shfaqur në Tiranë pas përfundimit të “riedukimit në gjirin e klasës punëtore” në fillimin e viteve ‘80, dramaturgu i shquar Kujtim Spahivogli tërhiqte vëmendjen me praninë e tij mbrëmjeve në bulevardin e Tiranës për dashamirësit e artit dhe jo vetëm.

I harruar për pesë vjet kantiereve të ndërtimit në periferi të qytetit të Fierit, besonte se më në fund kishte ardhur momenti i shumëpritur të rikthehej pranë strehës së tij të dashur, por edhe në skenën e munguar aq gjatë. Mirëpo Tirana e atyre ditëve përjetonte një dramë shumë më të rëndë nga ajo që kishte kaluar dramaturgu i internuar.

Vetëvrasja e Kryeministrit historik në kushte të dyshimta dhe stuhia që kishte shpërthyer pas kësaj me të famshmen “Tablonë sinoptike të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut”, e artikuluar fuqishëm nga Enver Hoxhës, jo vetëm e shtynte në kohë rehabilitimin e Spahivoglit, por shfaqja e tij e shkujdesur mbrëmjeve në bulevardin e kryeqytetit ngjallte dyshime te autoritetet e Partisë.

Ishte koha kur kërkoheshin dhe në “vrimë të miut” bashkëpunëtorët e Kryeministrit tradhtar. Pjesën më të madhe të tyre, siç flitej atëherë, e kishte zbuluar Fiqrete Shehu, bashkëshortja e Kryeministrit të vetëvrarë, tashmë e prangosur në hetuesi. Të tjerët i shtoheshin dita-ditës grupit të tyre, falë “vigjilencës” të besnikëve të Partisë dhe aparatçikëve syzgjuar.

Në grackën e këtyre të fundit, kishte rënë më në fund pa e ditur dramaturgu i dënuar i rikthyer rishtas, të cilin më shumë se xhirot mbrëmjeve në bulevard, e bënte kontingjent të dyshuar shoqëria me Mihallaq e Edi Luarasin, të porsaardhur dhe ata në Tiranë pas dënimit të gjatë për veprimtari armiqësore.

Kujtim Spahivogli1

Ndryshe nga herët e tjera që denoncime të tilla i bënte armata e sigurimit të shtetit, këtë radhë sinjalin e parë e transmetoi grupi i bashkëpunëtorëve të afërt të Nexhmije Hoxhës, asokohe drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. Shtatë ndër ta: Harrilla, Raqi, Shyqyriu, Nexhmedini, Bajrami, Abdyli dhe Vasillaqi, të shtatë zyrtarë të rëndësishëm në Istitut, i kanë shkruar shefes së tyre një letër konfidenciale, ku e vënë në dijeni se Kujtim Spahivogli me disa artistë të tjerë, në mbarim të dënimit për krime politike, shfaqen në bulevardin e Tiranës në pritje për të rifilluar punë.

Sakaq, aparaçikët e KQ e çojnë më tej qasjen e tyre, duke tërhequr vëmendjen e Nexhmije Hoxhës për shtimin e vigjilencës për një kryeqytet të pastër nga këta elementë armiq. Nuk dihet si e ka pritur këtë të dhënë kjo e fundit, por në fund të letrës ka shënuar vetëm një fjali “Kush e solli Spahivoglin në Tiranë?”.

Letërshkruesit po aty shtojnë se ka dhe elementë të tjerë armiq që pasi kanë kryer dënimin po kthehen në Tiranë pa të keq, duke përmendur rastin e shoqëruesve të Mehmet Shehut dhe të dy drejtuesve të lartë të hetuesisë të dënuar, të cilët figurojnë me shtëpi në Tiranë. Po çfarë shkruajnë tjetër zyrtarët e KQ…

LETRA

nexhmije faksimile

Shoqja Nexhmije, Pasi dëgjuam fjalimin e shokut Enver për “Tablonë sinoptike të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut”, për krimet e pohuara nga armikja e popullit Fiqret Shehu dhe gjithë gjarpërinjtë e tjerë të familjeve të tyre si dhe pas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për asgjësimin e bandës kriminale të dërguar nga jashtë, në disa shokë të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, Harrilla, Raqi, Shyqyriu, Nexhmedini, Bajrami, Abdyli dhe Vasillaqi, menduam t’u informojmë për disa çështje që bisedohen në popull: 1-Pas kryerjes së dënimit, bile edhe para kohe, disa njerëz të dënuar nga Partia, kanë filluar të dalin prapë në bulevardin e Tiranës.

Konkretisht Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, ish-kryeregjisor i televizionit, Lluk Kaçi, i dënuar për veprimtari armiqësore, Edi Luarasi dhe Mito Vako. Si këta edhe të tjerë, që pasi dalin nga burgu ose mbarojnë afatin e internimit për krime politike, rifillojnë punë në Tiranë. Mbase kjo çështje duhet parë nën dritën e porosive të Partisë për të rritur vigjilencën dhe për të mbajtur të pastër kryeqytetin nga këta elementë armiq.

Mundet që ky rregull është vendosur edhe nën ndikimin e synimeve që kanë pasur armiqtë. 2=Flitet që oficerët që kanë qenë pas armikut Mehmet Shehu, një pjesë e mirë vazhdojnë t’i mbajnë familjet në Tiranë, si ajo e Ali Çenos dhe ajo e Jonuzit që rri nga prindërit e gruas së tij. Vetë Aliu thonë se ka kaluar tani oficerë në Ministrinë e Mbrojtjes.. 3-Elham Gjika, ish-drejtor i hetuesisë i Ministrisë së Brendshme që është arrestuar, e ka gruan mësuese në shkollën tetëvjeçare “7 Marsi”.

Po kështu, Kristofor Mërtiro edhe ish-punonjës të tjerë të hetuesisë që janë arrestuar, familjet i kanë me punë dhe banim në qytetin e Tiranës. Ka ndodhur kjo në rastin e Kujtim Spahivoglit, të dënuar për veprime e qëndrime liberale pas Plenumit IV të KQ të Partisë, kur ai nuk ka as lejen e banimit në Tiranë, e hequr kjo menjëherë pas dëbimit me internim në Fier.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura