Nga qendër fshatare te vila rustika e bazilika! Nëpër gjurmët e Mozaikut të Tiranës

Sep 20, 2023 | 10:26
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Gjurmët e “thesarit” arkeologjik të kryeqytetit, Mozaikut të Tiranës, datojnë në shekullin I pas Krishtit. Por ky vendbanim ndër shekujt ndryshoi nga nisja si një qendër fshatare te një kompleks godinash, deri te bazilika paleokristiane!

mozaiku tirane

Ndërsa në ditët e sotme Mozaiku i Tiranës është qendra më e re dedikuar trashëgimisë kulturore ku dita-ditës po merr jetë. Në zonën e njohur si Mozaiku i Tiranës po ngrihet një qendër informimi për të gjithë mozaikët e Shqipërisë, me hapësira ekspozimi, ateliesh dhe edukimi.

“Kjo vepër jo vetëm nxjerr në dritë gjurmët e historisë së qytetit, por ridimensionon gjithë zonën përreth, në shërbim të turizmit kulturor dhe komunitetit”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndërsa ndau në rrjetet sociale një video nga kantieri ku po kryhen punimet.

Së shpejti vizitorët vendas dhe të huaj do të kenë mundësinë që njëkohësisht të shohin gjetjen arkeologjike më të vjetër në kryeqytet, e po aty të gjejnë edhe informacion për mozaikët e tjerë anembanë Shqipërisë. Mozaiku i Tiranës mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit. Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale, por edhe motive tipike të Krishterimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit.

Përveç mozaikut “Bukuroshja e Durrësit”, që gjendet i ekspozuar në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar, Tirana ka edhe mozaikun e zbuluar në territorin e saj. Gjatë punimeve për ndërtimin e një godine banimi në bllokun “Partizani”, në vitin 1972, u hasën rrënojat e një ndërtese antike.

Me të filluar gërmimet, arkeologët nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Historisë, zbuluan se ambientet ishin të shtruara me mozaik, ku u konstatua edhe prania e ambienteve të një kishe të kultit kristian. Pjesët e mureve, fragmentet e tullave, pjesë enësh qeramike, mozaiku, sipas informacionit në faqen e Institutit të Monumenteve të Kulturës, e datuan vendbanimin në shek. I pas Erës Sonë, e cila mendohet të ketë qenë banesë e tipit rural (“vila rustica”), me një sipërfaqe rreth 250 metër katror. Në shek. III të Erës Sonë, vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë, atë për banim (“pars urbana”) dhe në pjesën prodhuese të vilës (“pars rusticae”), të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor.

Në vitin 313 pas Erës Sonë, me Ediktin e Milanos, Kostandini I (306-337), njohu lirinë e kultit kristian dhe i hoqi paganizmit të drejtën e të qenit besim zyrtar shtetëror. Deri në marrjen e këtij vendimi nga qendra e Perandorisë Romake, “besimi kristian konsiderohej i paligjshëm dhe për pasojë mbledhjet e komunitetit kristian zhvilloheshin në banesa private, të njohura ndryshe si ‘domus ecclesiae'”, shkruhet në tabelën e informacionit, paraqitur në hyrje të monumentit.

Rrënojat ku gjendet “Mozaiku i Tiranës” renditen në tipologjinë e kishës paleokristiane njënefshe. Në fillimet e veta objektet e kultit kristian shfrytëzuan arkitekturën paraardhëse romake, duke përshtatur ndërtimet e veçanta, në ambiente të kultit kristian. Të tria ambientet janë të shtruara me mozaik, ku dominojnë motivet gjeometrike e floreale, si gërsheti i stilizuar, tipike këto në fillimin e artit paleokristian, si vazhdimësi logjike e atij romak.

Në mozaikun e narteksit motivet paleokristiane janë më evidente, ku kemi simbolet e peshqve, gjetheve të urthit, gërshetit dysh, për dhe vetë simbolin e kryqit. Si të gjitha kishat e kësaj periudhe edhe këtu kemi një riorganizim të ambienteve të brendshme. Brendësia ka tashmë një aks gjatësor dinamik, pikërisht si rezultat i hyrjes përballë altarit, që theksohet nga ritmi i arkadave. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u mor në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) në vitin 1973.

Gjatë viteve 2003-2004, punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit. Më kryesoret këtu ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme.

Në ambientet e “Mozaikut të Tiranës” është vendosur edhe administrata e “Sektorit të Tiranës”, në varësi të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, që merret me përkujdesjen dhe monitorimin e monumenteve të kulturës në territorin e Qarkut Tiranë. Mozaiku u rihap për publikun në janar 2010. Vendndodhja e tij është pranë “Sheshit Zogu i Zi”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura