LEONIDHA MUSAJ/ Një krim i rëndë brenda familjes u regjistrua paraditen e djeshme në Fushë-Krujë, ku ka humbur jetën një grua 45-vjeçare.
Viktima Klarita Ismalaja u qëllua për vdekje me thikë nga bashkëshorti i saj 51- vjeçar, i cili më pas ka tentuar të kryejë vetëvrasje, duke qëlluar veten me thikë.
Autori i dyshuar i krimit, Artan Ismalaja, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Reanimacionin e Spitalit të Traumës në Tiranë.
Burri mësohet se ka marrë një plagë në pjesën e qafës. Ka qenë disa kalimtarë të rastit që kanë pikasur burrin e plagosur, duke lajmëruar Policinë.
“Më datë 05.07.2021, në orën 10:45, në Bubq, Krujë, në afërsi të një magazine, brenda mjetit tip ‘Ford‘ në pronësi të tij, dyshohet se shtetasi A. I., 51 vjeç, banues në Krujë, ka goditur me mjet prerës (thikë), bashkëshorten e tij, shtetasen K. I., 45 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë. Më pas, shtetasi A. I. ka tentuar të dëmtojë edhe veten me mjet prerës (thikë) dhe është transportuar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi Policia e Krujës nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
Çifti është gjetur brenda makinës së tyre tip “Ford” në ambientin e brendshëm të një magazine. Ka qenë roja i objektit që ka pikasur automjetin dhe ka shkuar pranë tij me qëllim për të larguar çiftin.
Vendi ku ndodhi krimi i rëndë përveç magazinës në ndërtim e sipër, nuk ka banesa të tjera përreth. Në vendngjarje shkuan menjëherë forca të shumta policie.
HETIMET
Ndërkohë, grupi hetimit po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe motivin e saj. Bashkëshorti, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi tentoi vetëvrasjen, pritet të hedhë dritë mbi motivin e këtij krimi brenda familjes.
Nuk dihet se përse çifti ndodhej në fshatin Bubq, pasi jetonte prej 12 vitesh në Tiranë. Ata kishin edhe një biznes të vogël në kryeqytet ku shisnin pajisje filmimi (kamera-aparat fotografik dhe pajisje të ndryshme që shërbejnë në fushën e xhirimit), pasi burri punonte si kameraman.
Artan dhe Klarita Ismalaja janë prindër të dy djemve, përkatësisht 22 dhe 17 vjeç, të cilët presin gjithashtu të mësojnë nga babai tyre pse ua vrau nënën.
“Deri në momentin që autori të përmirësohet nga ana shëndetësore s’kemi asnjë motiv. Nuk e dimë ende nëse kemi të bëjmë me një konflikt çasti, me një konflikt të vazhdueshëm familjar apo për motive xhelozie.
Ai e kishte qëlluar me shumë mllef disa herë në pjesën e qafës, çka do të thotë se ka qenë shumë i revoltuar në momentin që ka kryer vrasjen. Më pas është qetësuar dhe pasi ka reflektuar ka tentuar edhe të vrasë veten”, thanë burime nga grupi i hetimit.
Të afërm të çiftit kanë deklaruar në Polici se nuk ishin në dijeni të ndonjë konflikt mes tyre, duke lënë mister motivin e krimit në familje.