Nga urdhri i Biden, te dekretimi i qeverisë së re, Meta: S’e njoh shkarkimin. Deklarata me akuza ndaj opozitës për djegien e mandateve

Jun 12, 2021 | 9:26
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës Ilir Meta theu heshtjen dje duke folur për herë të parë për shkarkimin e tij nga Parlamenti dhe urdhrin e dhënë nga Presidenti i SHBA-së Joe Biden për luftën kundër korrupsionit.

presidenti Ilir Meta

Në një konferencë për mediat, kreu i shtetit e konsideroi votimin në kuvend si një akt dëshpërues dhe shfaqjen më të fundit të parlamentit monist për të cilin nuk ndihet aspak i shqetësuar.

Meta u shpreh se koha e këtij Parlamenti të shkarkuar më 25 prill ka ikur, ndërsa iniciativa për shkarkimin e tij u nxit për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga hetimi i krimeve zgjedhore.

Presidenti u shpreh i sigurt se do të vazhdojë të jetë në këtë detyrë deri në 24 korrik të 2022, ndërsa shtoi se në shtator në vend rikthehet pluralizmi politik, me një Parlament të ri, qeveri dhe opozitë të re.

Presidenti nuk i kurseu as kritikat për djegien e mandateve nga opozita, duke e etiketuar si një veprim për “faqe të zezë”, që sipas tij e lanë vendin pa asnjë mbrojtje institucionale duke i lënë mundësi të krijohet edhe ky Kuvend që është sot.

Sa i përket urdhrit të SHBA-së ku përfshin Shqipërinë si një vend ku politikanë, të cilët krijojnë destabilitet në Ballkan iu hiqet e drejta e hyrjes dhe sekuestrohen pasuritë Meta u shpreh se e mbështet këtë iniciativë, ndërsa lufta kundër korrupsionit tani do të jetë prioritet i të gjithëve.

Presidenti Ilir Meta i ka kthyer përgjigje Kryeministrit Edi Rama për sulmet në adresë të tij për përfshirje në zgjedhjet e 25 prillit. Duke sjellë në vëmendje dy fakte, deklaratën e Ramës për prezantimin e kandidatëve të PS-së dhe vendosja e një “billboard”-i në rrugët e vendit, në figurën e të cilit ishte edhe Presidenti.

Sipas Metës, ky ishte një sulm i hapur nga ana e maxhorancës ndaj kreut të shtetit, ndërsa deklaroi se ai nuk u përfshi në zgjedhje, por u përfshi në fushatën për mbrojtjen e zgjedhjeve dhe denoncimin e krimit elektoral.

DEKLARATA

Mirëserdhët në epokën e pluralizmit politik të pas 25 prillit, sepse kam vënë re, që ka shumë të mërzitur. Natyrisht, nuk mendoj, që ka shumë arsye për cilindo, që të jetë i lumtur, por të paktën duhet të jemi të kënaqur, për faktin se nga epoka e para 25 prillit e Parlamentit monist, po rikthehemi në epokën e pluralizmit politik parlamentar, pavarësisht se zgjedhjet ende nuk kanë përfunduar dhe duhet të jemi të duruar derisa të përfundojë i gjithë procesi i ankimimit sipas Kodit Zgjedhor në fuqi.

Për shkak se në këtë periudhë kam pasur kërkesa të vazhdueshme nga ana juaj për intervista dhe konsiderata të miat lidhur me shfaqjen më të fundit të Parlamentit monist, ju e dini, që jam përpjekur të qëndroj larg asaj shfaqjeje, sepse ka qenë e qartë se ka qenë e ndërtuar për të hequr vëmendjen nga hetimi i krimeve zgjedhore dhe zbardhja e tyre, si dhe për të spostuar vëmendjen te fajtorë që nuk ekzistojnë.

Edhe pse Parlamenti ka qenë i shkarkuar që më 25 prill, ju e dini gatishmërinë time për të takuar iniciatorët e kësaj shfaqjeje, brenda afatit ligjor, që ishte data 10 maj, kërkesë kjo e bërë nga ana ime, që u refuzua prej tyre.

Ata e kishin me diktat, që Presidenti i Republikës duhet të linte takimin e planifikuar prej 10 ditësh, sipas Protokollit të Shtetit, me ministren e Jashtme të Austrisë dhe me Presidentin e Sllovenisë, për t’iu nënshtruar tekave të Parlamentit të 120 deputetëve. Atëherë, fillojmë me pyetjen: Kush e përfshiu Presidentin në fushatë, në datë 10 mars 2021? Këto janë edhe “billboard”-et e vendosura në të gjithë Shqipërinë ku është edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Të jeni të sigurt, që këto, nuk i ka vendosur as Presidenti dhe askush nga opozita, pasi siç e dini, pushtetin vendor në të gjithë territorin e vendit, e kontrollon vetëm një parti, por edhe Policinë e Shtetit, si dhe të gjitha institucionet e tjera.

Kjo “përfshirje”, një fakt, që e kanë parë të gjithë kudo, është denoncuar sipas ligjit dhe Kodit Zgjedhor është denoncuar edhe në Prokurori, pavarësisht se ende nuk kemi ndonjë të dhënë nëse është ndaluar dikush, që ka bërë një veprim të tillë tërësisht të paligjshëm, përveçse dhe shumë të kushtueshëm, sepse këto “billboard”-e kushtojnë shumë. Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur! Nuk po japim shfaqje se çfarë është thënë kundër Presidentit, por është e tepër e qartë se të gjitha shqetësimet e Presidentit u verifikuan.

Do të ishte mirë të kishim pasur zgjedhje model, por e dinë shumë mirë të gjitha ata që duan ta dinë, se Presidenti ka bërë çdo përpjekje për të parandaluar degradimin e standardit të zgjedhjeve. Është për të ardhur keq, që numri i denoncimeve të krimeve zgjedhore, para dhe gjatë procesit të zgjedhjeve është shumë herë më i lartë se sa në vitin 2017. Kjo ka ndodhur për shkak të moshetimit të dosjeve të Dibrës dhe të Shijakut, jo vetëm kaq.

Por edhe për shkak edhe të sfidës, që është bërë publikisht, për të përsëritur “tërmetin” e Dibrës edhe në Vlorë, kuptohet edhe në të gjithë Shqipërinë. Nuk kam asnjë shqetësim nga akti dëshpërues i Parlamentit të shkarkuar më 25 prill.

Unë pres me shumë qetësi dhe durim, përfundimin e të gjithë procesit të ankimimeve dhe do të bashkëpunoj me shumicën e re, kushdo që do të jetë, edhe me opozitën e re në Parlamentin e ri, gjithmonë në respekt të Kushtetutës, të procesit të integrimit europian dhe të rivendosjes së sistemit të llogaridhënies, hap pas hapi, në të gjitha nivelet. Janë të gjitha mundësitë, që kjo të fillojë të ndodhë në Kuvendin e ri.

Z. Meta, ju akuzoni qeverinë dhe Kryeministrin Rama për përfshirjen tuaj në zgjedhje?

Nuk jam përfshirë në fushatë politike. Unë jam përfshirë në fushatë për mbrojtjen e zgjedhjeve, kam bërë fushatë të hapur, denonco krimin elektoral. Janë gati 30 denoncime që janë nisur nga institucioni i Presidentit, në ato institucione që merren me këto çështje.

A e ka Presidenti Meta gati popullin e 2 marsit për t’iu përgjigjur shkarkimit, popullin që iu bashkua në protestë Presidentit?

Nuk ekziston ndonjë Kuvend i tillë në të gjithë kuptimin e fjalës, në fakt ai nuk ka ekzistuar. Ai Kuvend është turpi i atyre që e krijuan bashkë dhe e përjashtoj vetën time në mënyrë kategorike nga ajo ditë që ka ndodhur kur unë isha në Gjermani. Një nga faqet më të errëta të Shqipërisë. Faqen e zezë të gjithë ata që mund ta kenë bërë me ndërgjegje atë gjë dhe që e nxorën dhe Presidentin në pritë, jo Ilir Metën, por Presidentin e Republikës se e lanë pa asnjë mbrojtje institucionale Republikën. Ka shumë arsye ky Kuvend që iku të votojë në këtë mënyrë, sepse, ju e dini që Presidenti ndaloi në 8 qershor një gjakderdhje të programuar të 2019, të programuar të 2019, në prag të zgjedhjeve lokale që do shërbente për të shpallur opozitën në Shqipëri organizatë terroriste, ky është fakt, por do flasim më 25 korrik më shumë për këto çështje. Është normale që ky Kuvend se tani po pranojnë dhe hapur se u ka plasur cipa fare sa euro kanë marrë për të votuar shkarkimin e Presidentit.

Ata donin të pushtonin Gjykatën Kushtetuese me gjykatës që betoheshin te noteria, te Lana e jo vetëm ta pushtonte GJK-në dhe të gjithë institucionet dhe zyrat publike, çdo vend pune në Republikën e Shqipërisë, ishte Presidenti me qëndrime të qarta dhe parimore dhe populli i jashtëzakonshëm i 2- marsit, që frenoi atë proces. Pavarësisht të gjitha mangësive, vendi shkoi drejt zgjedhjeve që garantojnë një pluralizëm parlamentar. Po kështu, kanë pasur shumë arsye për të bërë këtë shkarkesë mllefi ndaj Presidentit, sepse kam mbrojtur çdo veprim për të cenuar sovranitetin dhe integritetin e Shqipërisë.

Njëkohësisht kanë shumë të drejtë, pasi u mësuan keq me 120 deputetë, kartonëngritës. Njeriu kur nuk bashkëjeton dot me llogaridhënien, që është themeli i një Republike Demokratike, normal, pasi të gjithë e dinë se kush e nxiti dhunën, kudo në Shqipëri, në Kavajë. Drejtorët e kujt ishin to që vajtën atje dhe shkaktuan gjakderdhje në zyrën e PD. Të gjithë e dinë se kush e nxiti dhunën në Elbasan dhe kush planifikonte që atë dhunë ta shtrinte në të gjithë Shqipërinë, sepse mësohesh keq me 120 kartonë në Parlament.

Sa i takon përpjekjeve të Presidentit, dua të theksoj rëndësinë e çeljes së negociatave, shpresojmë në një qasje sa më vizionare nga ana e BE-së, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Na vjen keq që ka dalë problemi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë.

Ne mbajmë mend, kur Bullgaria ishte gati, ne bëmë zgjedhje moniste. Jemi këtu ku jemi edhe ne, edhe Maqedonia, vuante Maqedonia prej nesh, tani vuajmë të gjitha së bashku. Ju e dini që në prill të para një viti, kam paraqitur një platformë politike me veprime konkrete për të ndihmuar integrimin BE dhe përballimin e pandemisë dhe përgjigja ishte hedhja në erë të Teatrit Kombëtar”.

Z. President, SHBA-ja kanë nxjerrë një urdhër ku përfshin Shqipërinë si një vend me politikanë, të cilët krijojnë destabilitet në Ballkan, iu hiqet e drejta e hyrjes dhe sekuestrohen pasuritë. Si Presidenti i Republikës dhe si person që keni informacion, a keni ju emra se kush janë këta politikanë, të cilët e detyruan Joe Biden të marrë këtë vendim?

“Nuk kam asnjë emër, por ju them se kemi firmosur e bërë publike edhe marrëveshjen e ekstradimit dhe mbështesim çdo iniciativë në këtë drejtim kaq pozitiv dhe lufta kundër korrupsionit tani do të jetë prioritet i të gjithëve.

Z. President, ku ju thatë se jeni të gatshëm për të bashkëpunuar me maxhorancën e re, A do të ndikojë vendimi që mori para ky parlament para pak ditësh që votoi për shkarkimin tuaj në dekretimin e qeverisë së re?

Nuk mund të marrë seriozisht një akt të tillë dëshpërues, të një Kuvendi të shkarkuar prej kohësh. Të një Kuvendi që ua kam thënë edhe ndërkombëtareve, edhe juve, që ka zero opozitë. Madje do i kërkoj falje dikujt, një kolegeje jo shqiptare, që më pyeti për një forcë jo të re politike dhe ia dhashë që atëherë parashikimin 0.3 për qind, por doli aty afër 0.5 për qind. Tek unë ndikon vetëm Kushtetuta e Republikës, nuk ndikojnë këto gjëra. Ndikon tek unë edhe çelja e negociatave. Kam kërkuar t’i bindim të tërë, që të çelim negociatat, se sa më mirë të ecim në këtë drejtim, do vëmë nën kontroll edhe proceset brenda vendit.

Pyetje: Nëse Kushtetuesja shprehet pro shkarkimit, a do e njihni këtë vendim?

Kini durim deri më 24 korrik të vitit të ardhshëm, do jemi këtu në mënyrë të vazhdueshme. Këto kohë s’do jemi në mënyrë shumë intensive, se do i lëmë kohë të përfundojë procesi zgjedhor i ankimimeve. Me fillimin e sezonit të ri, do jemi shumë aktivë këtu dhe të jeni shumë të qetë.

Pas 24 korrikut i qëndroni planit tuaj për të marrë drejtimin e LSI-së?

Të ftoj të kthehemi në majë të Jezercës e të Korabit në çdo moment.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura