Nik Xhelilaj ndërkohë që luan në serialet turke, shpallet aktori më i mirë në SHBA

Apr 19, 2014 | 15:05
SHPËRNDAJE

Nik: Ishte surprizë e këndshme, ia vlen të lodhesh kur vlerësohesh.

Aktori shqiptar me famë jashtë kufijve tanë, Nik Xhelilaj, është vlerësuar me çmimin “Best Actor” (Aktori më i mirë) dhe filmi ku ai është protagonist, ka marrë Çmimin Special të Jurisë në Houston të SHBA. Vlerësimi ka ardhur për rolin e tij në filmin “Seven Lucky Good”, gjatë ceremonisë së festivalit të filmit “WorldFest-Houston International Film Festival”, i cili mbahet çdo vit në muajin prill. “Në fakt, nuk kam shumë për të thënë. Pa diskutim që çmimi më gëzon, si çdokush që vlerësohet pasi lodhet për diçka mbi të cilën punon shumë. Ishte surprizë e këndshme. Tani filmi është në fazën e promovimit dhe festivalet janë pjesë e kësaj faze”, u shpreh Niku për “Panorama Plus”. Filmi në fjalë u xhirua vitin e kaluar dhe mban firmën e producentit britanik me origjinë nga Pakistani, Jamil Dehlavi, i cili i ka paraqitur projektet e tij në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit. “Seven Lucky Good” mori çmimin “Filmi më i mirë” edhe në “Tirana International Film Festival” nëntorin e kaluar. Niku u zhvendos për një periudhë në Londër, gjatë xhirimeve të këtij filmi, edhe pse jetonte në Turqi. Aktori aktualisht po xhiron për një tjetër serial turk, pasi prej dy vitesh vazhdon karrierën si një nga aktorët më të preferuar të regjisorëve atje. Paralelisht po luan edhe në një film të ri shqiptar të regjisorit Gjergj Xhuvani, nga xhirimet e të cilit është shkrepur kjo foto. Për shkak të famës që ka marrë në Turqi, Nik Xhelilaj është i preferuari i gazetarëve turq me intervista dhe foto paparacësh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura