Ata dje mundën të prekin lashtësinë. Vetëm kishin dëgjuar për të. Në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë u hap dje paradite, në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, ekspozita “Pa Dritë” apo “Galeria e të prekurit”, siç e cilësoi ministrja Kumbaro në fjalën e saj.
E konceptuar dhe realizuar nga restauratorja Edlira Çaushi, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe “Digitalb”, kjo ekspozitë erdhi si një bashkëpunim i Drejtorisë Rajonale të Kulturës, Durrës, dhe stafit të Muzeut Arkeologjik, me pedagogë e studentë të Universitetit të Arteve, si dhe degëve të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore.
Të ekspozuara në një sallë të errët, 27 artefakte, të përzgjedhura nga Muzeu Arkeologjik i Durrësit, të riprodhuara nga studentë të Universitetit të Arteve, të pajisura me mbishkrime në alfabetin brajl, u vunë në dispozicion të personave që nuk shikojnë dhe të gjithë publikut pjesëmarrës. Të rinj që nuk shikojnë, por që janë përdorues të alfabetit brail, shërbyen si guida për pjesën tjetër të publikut.
Kjo përvojë bashkëpunimi dhe komunikimi në kushte të pazakonta solli, përveç njohjes së një pjese të rëndësishme të muzeut, edhe një moment ndërgjegjësimi dhe reflektimi për të shtuar vëmendjen dhe për të gjetur mënyra të reja krijuese në përfshirjen e kësaj kategorie shoqërore me nevoja të veçanta në aktivitete kulturore dhe artistike.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa kohë, me qëllimin për t’u bërë të njohur personave që nuk mund të shikojnë një pjesë të koleksionit muzeal, por edhe për t’i përfshirë ata, si pjesë e misionit tonë.
Në ndihmë të kuratores dhe realizueses Edlira Çaushi erdhën pedagogu i skulpturës, Arben Bajo, studentë të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Fakultetin e Histori-Filologjisë, studentë të skulpturës në Universitetin e Arteve, Ledion Lako dhe skuadra e Drejtorisë Rajonale të Dje në Muzeun Arkeologjik në Durrës Kulturës Kombëtare, Durrës, dhe dizajneri Qerim Greva.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al