Nga Pandeli Pasko Kuteli
Në vitin 1995, Z. Ramón Sánchez Lizarralde (1951-2011), studiues, kritik letrar dhe përkthyes i njohur i letërsisë shqipe, i dhuroi lexonjësit spanjoll gjashtë rrëfime të Kutelit në botimin ‘El Otoňo de Djeladin Bey’ (Vjeshta e Xheldin beut). Libri duhet të ketë pasur sukses, mbasi lexojmë se është botuar dy herë. Madje në një natë udhëtimi me anije në Adriatik rreth viti 2005, qëlloi të dëgjoj tek Radio Exterior de Espaňa edhe komente mjaft dashamirëse për këtë libër dhe për Kutelin.
Z. Ramón Sánchez Lizarralde u diplomua për gjuhën shqipe në Universitetin e Tiranës në vitet ’80, kur pati qëndruar gjysëm ilegalisht si shumë marksist-leninistë të asaj kohe. Më pas ka mbajtur poste drejtuese në Spanjë në mjaft organizma të rëndësishme kombëtare në fushën e letrave dhe përkthimeve.
I dashuruar pas gjuhës, pasurisë folklorike dhe letërsisë shqipe, pas viteve ‘90 ai iu kushtua përkthimeve spanjisht të autorëve të mirënjohur shqiptarë, përpiloi e përktheu dy antologji me përralla dhe epikë legjendare shqiptare. Për punën e tij të madhe n këtë lëmë ai është vlerësuar më 1993 me Çmimin Kombëtar (spanjoll) për përkthimin më të mirë dhe më 2005 me çmimin ‘Pena e Argjendtë’ nga Ministria e Kulturës shqiptare.
Përtej përkthimit cilësor të një autori jo të lehtë, Z. Sánchez Lizarralde jep edhe gjykime me vlerë për Kutelin, të cilat duke ardhur nga një këndvështrim i jashtëm i një njohësi të mirë të letrave shqipe, marrin rëndësi të veçantë. Si të tilla në vijim po rreshtojmë e komentojmë disa prej tyre.
Qysh në krye, Z. Ramón Sánchez Lizarralde e vendos pa mëdyshje Kutelin si shkrimtar që nuk u pat pajtuar dhe ‘… pat qenë keqtrajtuar për dhjetvjeçarë të tërë nga regjimet të cilët pasuan njëri tjetrin në vendin e vet’.
Dhe vërtet, kritik ndaj monarkisë dhe ndërhyrjes italiane, me vepra letrare (kundër shtypjes), me shkrime ekonomiko-politikë (kryesisht në Gazetën ‘Shqipëria e Re’ në Konstancë), Kutelit iu patën ndaluar në Shqipëri libri ‘Tri problema në lidhje me Bankën Kombëtare’ e madje në një kohë edhe ‘Netet Shqiptare’.
Më pas për Kutelin, çiltas kundër pushtimit fashist dhe filo-fashistëve, filloi një kalvar i gjatë pikërisht me akuza bashkëpunimi me fashizmin nga akuzues ‘të panjohur’, të cilët jo vetëm që e çuan në burg por vazhduan përndjekien ndaj tij e veprës së tij në vitet ’50 e më tej pas vdekjes. Ndërkohë jo vetëm Z. Sánchez Lizarralde, po edhe të huaj të tjerë që i lexuan veç një pjesë të vogël të shkrimeve, patën mendim të kundërt. Aleksandër Zoto në parathënien e ‘Anthologie de la prose albanaise’ (Fayard, 1984) e vendos Kutelin përkrah Migjenit, ndërsa shkrimtari Pierre Gamarra e nis paraqitjen e kësaj antologjie në revistën ‘Europe’ po më 1984, pikërisht me një pasazh nga Kuteli, duke e cilësuar ‘quel grand écrivain!’.
Fakti që në botimin shqip të paraqitjes nga Pierre Gamarra u censuruan pikërisht pasazhi i hyrjes dhe vlerësimi i mësipërm, është tregues se edhe pas përfshirjes në antologjinë e mësipërme, çdo vlerësim superior i tij ishte i papranueshëm për qarqet drejtuese të Lidhjes së Shkrimtarëve edhe në vitet ‘80.
Këtë situatë e sqaron fort mirë prof. Shaban Sinani në kumtesën e mbajtur në Korçë në Konferencën shkencore kushtuar 110 vjetorit të lindjes së Kutelit në maj 2017, ku flet për mospërfshirjen e Kutelit në projekt-botimet e vëllimit III të Historisë së letërsisë shqipe nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë në vitet ’60 e ’80, mbasi M. Kuteli grupohej me të tjerë shkrimtarë kolaboracionistë jashtë historisë së letërsisë.
Prof. Sinani jep të dhëna edhe për një klasifikim më të ashpër të shkrimtarëve shqiptarë të viteve ’30 në studimin monografik – punim diplome të D. Agollit më 1957 në Leningrad, ku M. Kuteli vendoset në grupin me shkrimtarë reaksionarë ose romantikë reaksionarë, në kundërvënie me revolucionarin Migjeni.
Nga ana estetike Z. Sánchez Lizarralde e konsideron Kutelin si të parin shkrimtar shqiptar që ka lëvruar realizmin magjik kur thotë: ‘Kuteli, në pjesën më të madhe të punës së tij, kontribuon për krijimin e një hapësire letrare konkrete, një lloj realizmi magjik me motërzime në hapësira të tjera të Ballkanit e mund të njihet si i veçantë – dhe që paraprin me disa dhjetvjeçarë atë që na mbërriti nga ana tjetër e detit’.
Po ashtu ai bën krahasime të cilat nuk i gjen në kritikën shqiptare: ‘Kuteli ishte pa dyshim prozatori më i mirë i Shqipërisë deri në hyrjen vrrullshëm të Ismail Kadaresë. Dhe madje në një aspekt të caktuar, që lidhet me përshkrimin e botës tradicionale të fshatit dhe trajtimit letrar të saj, vazhdon ta ruajë këtë vend’.
Në një tjetër shkrim paraqitës të librit të tij ‘Cuentos albaneses’ me bazë folklorin shqiptar, përsëri Z. Sánchez Lizarralde duke shqyrtuar ‘vështirësinë e “konvertimit” letrar të tregimeve’, krahason punën në këtë lëmë të I. Calvino-s, shndritëse dhe të mrekullueshme….’ me.. ‘tregimet e Mitrush Kutelit, e vetmja ndërmarrje shqiptare që njoh në këtë terren të vështirë të rikrijimit letrar të tregimit’.
Pas viteve ’90 edhe në Shqipëri, Kuteli është cilësuar si shkrimtar i realizmit magjik, i (A. Plasari, A. Uçi, B. Gjoka, V. Canosinaj, etj.), dhe A. Uçi e quan madje fillestar të këtij shtegu letrar të përsosur më pas nga J. L Borges, ‘prej kohës kur termi ‘realizëm magjik’ përdorej vetëm për pikturat e viteve ’20. A. Plasari analizon ngjashmëritë dhe ndryshimet mes ‘Vjeshtës së Xheladin beut’ të Kutelit dhe ‘Vjeshtës së Patriarkut’ të Marques-it dhe rrëfen si janë mrekulluar bashkëbisedues të tij në forume e mjedise të spikatura letrare nga paraqitja e rrëfimeve fantastike të Kutelit.
Në vlerësimin kohor historik për Z. Sánchez Lizarralde vepra letrare e Kutelit mbetet aktuale duke nënvizuar se ‘Përmes veprës së tij, në çdo rast, ne mund të vëzhgojmë një univers i cili për vite të tëra konsiderohej i tejkaluar’. Ky është një vëzhgim i veçantë për paralelizmin mes ndryshimeve të kufijve në Europë pas rënies së Murit të Berlinit dhe trajtimit që iu bën Kuteli situatave në Shqipëri në tregime të ndryshme që zhvillohen në periudhën e shpalljes së pavarësisë dhe luftrave ballkanike, të cilat pasuan këtë pavarësi, duke iu mëshuar padrejtësive ndaj të drejtave të popullit shqiptar.
Z. Sánchez Lizarralde zbret edhe në terrenin e vështirë dhe të vështirësuar të aspekteve jetësore të Kutelit. Ai kupton fort mirë tragjedinë e mobilizimit me forcë të Kutelit nga nazistët dhe nuk i jep rëndësi variantit imagjinar e kontradiktor që pat paraqitur qysh më 1990 I. Kadare (Ardhja e Migjenit…) ‘i mobilizuar në trupat rumune “Kryqet e hekurta”’, por ‘që iu afrua Stalingradit si oficer i ushtrisë gjermane’, variant shumë pranë dosjes së akuzës dhe përfoljeve të Lidhjes së Shkrimtarëve në vitet ’50 e më tej.
Megjithëse I. Kadare ka shënuar më pas se ishte bazuar në pëshpëritje të dëgjuara nëpër Tiranë, ai i ka përsëritur ‘pëshpëritjet’ me zell të madh si lajtmotiv më 2014 tek Mëngjeset në Kafe Rostand. Madje edhe së fundmi më 2021 në Koha për rrëfim. Duket më fort si përbetim për të krijuar një opinion të njollosur për Kutelin në qarqe letrare shqiptare dhe europiane se sa dëshirë për t’ju treguar një nga kulmet letrare shqiptare.
Në përfundim shënoj se mbetet ende aktuale vërejtja e Z. Sánchez Lizarralde se ‘Kuteli nuk e ka marrë vlerësimin që meriton madje as edhe në Shqipëri’, ku tërthorazi nënvizohet nevoja për njohjen e vlerave të Kutelit edhe jashtë Shqipërisë, pra në Europë.
Dhe kur kthehem e vështroj përkthimin cilësor të Kutelit nga Ramón Sánchez Lizarralde, që është sprovë jo e vogël, kontributin për përhapjen e kulturës shqiptare në botë me përkthime e shkrime origjinale dhe kthjelltësinë e mendimeve të tij, më vjen vetvetiu një psherëtimë: ah si nuk jetove më shumë, o Ramón!
Paraqitje
nga Ramón Sánchez Lizarralde
(parathënie e botimit ‘El Otoňo de Djeladin Bey’, Madrid 1995)
Mitrush Kuteli, pseudonim letrar i Dhimitër Paskos, lindi më 13 shtator 1907 në qytetin shqiptar të Pogradecit, buzë liqenit të Ohrit, dhe vdiq në Tiranë më 4 maj 19ó7. Pavarësisht përpjekjeve të disa mbrojtësve adhurues të veprës dhe figurës së tij, Kuteli nuk e ka marrë vlerësimin që meriton madje as edhe në Shqipëri, mbasi pat qenë keqtrajtuar për dhjetëvjeçarë të tërë nga regjimet të cilët pasuan njëri tjetrin në vendin e vet.
Dhimitër Pasko studioi shkencat ekonomike së pari në Selanik dhe më pas në Bukuresht (qytet ku filloi bashkëpunimet e tij letrare dhe gazetareske në qarqet e mërgatës shqiptare[1]), dhe pastaj punoi si ekonomist në poste të ndryshme. Ishte studiues i folklorit shqiptar dhe atij rumun. Libri i tij i parë letrar, Nete Shqiptare, u botua në vitin 1938 në Konstancë, pas punimeve të ndryshme në fushën ekonomike. Lufta botërore dhe pushtimi gjerman e shtynë në peripeci dhe tragjedi të njëpasnjëshme, duke qenë i mobilizuar me forcë nga nazistët. Mundi të kthehej në Shqipëri vetëm në vjeshtën e vitit 1942, ku, megjithëse në vitin vijues fashistët i vranë babanë dhe i dogjën shtëpinë, ai qëndroi jashtë luftës politike dhe iu kushtua letërsisë[2]. Në dy vjet ai boton rreth dhjetë libra me tregime, poezi, ese letrare, përkthime dhe vështrime folklorike. Mban poste të ndryshme në Bankën e re Kombëtare menjëherë pas luftës dhe së bashku me shkrimtarët dhe intelektualët e tjerë, merr pjesë, në regjimin e ri, në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, si anëtar i këshillit të parë të saj, si dhe në botimin e revistave të ndryshme letrare dhe ndërkohë boton një novelë, një dramë, artikuj të shumtë…
Natyrisht, pas pak kohe, ai përballet me parimet politike dhe artistike të sundimtarëve të rinj, nga të cilët ai mënjanohet dhunshëm, madje dërgohet në punë jashtëzakonisht të rënda në tharjen e një kënete[3], dhe më pas atij i mohohet e drejta për të botuar. Qysh nga ky moment, i dënuar rreptësisht, mbijeton falë punës së tij kolosale si përkthyes – shqipëron një numër të madh të klasikëve rusë, francezë dhe të tjerë – dhe vetëm në fund të jetës së tij ja del mbanë të botojë një pjesë të veprave të tij, veçanërisht tregime të shkurtra, por edhe pjesët e para të dy romaneve, përmbledhje të tregimeve dhe baladave popullore, poezi …
Vetëm nga vitin 1990, kur po vdiste regjimi i Enver Hoxhës tashmë të vdekur, del një botim i parë i Veprës së tij letrare në pesë vëllime, edhe pse me mungesa të dukshme dhe, mbi të gjitha, pa i njohur ende rëndësinë dhe ndikimin vendimtar të veprës së tij në tregimtarinë në gjuhën shqipe.
I mbështetur më shumë se askush tjetër në traditën e fuqishme gojore të popullit të tij, të cilës i shton zotërim të gjuhës, njohuri të thella të letërsisë universale, dhunti të mëdha imagjinuese dhe një vizion midis melankolisë dhe bërjes drejtësi, të mbjellë gjithnjë me ironi, nga një botë tashmë të kaluar kur e pati njohur, por që po bënte qëndresë – dhe po e bën ende – që të mos vdesë, Kuteli ishte pa dyshim prozatori më i mirë i Shqipërisë deri në hyrjen vrrullshëm të Ismail Kadaresë. Dhe madje në një aspekt të caktuar, që lidhet me përshkrimin e botës tradicionale të fshatit dhe trajtimit letrar të saj, vazhdon ta ruajë këtë vend. Kuteli, në pjesën më të madhe të punës së tij, kontribuon për krijimin e një hapësire letrare konkrete, një lloj realizmi magjik me motërzime në hapësira të tjera të Ballkanit e mund të njihet si i veçantë – dhe që paraprin me disa dhjetvjeçarë atë që na mbërriti nga ana tjetër e detit.
Përmes veprës së tij, në çdo rast, ne mund të vëzhgojmë një univers i cili për vite të tëra konsiderohej i tejkaluar, por që sot, pas kthesave mizore dhe plot gjarpërime të historisë sa iu përket ndryshimeve të kufijve në kohët e fundit, rishfaqet e vërteta – e shpifur, e shtrembëruar, që ka humbur çdo pafajësi – mes dështimit të eksperimenteve sociale, rrënimit të shkaktuar nga jashtë dhe braktisjes së këtyre popujve në një fat të tmerrshëm nga “Fuqitë e Mëdha”.[4]
Pjesa më e madhe e rrëfimeve dhe rrëfenjave të Mitrush Kutelit zhvillohen në hapësirat juglindore të Shqipërisë, veçanërisht përeth qytetit të Pogradecit, ku lindi shkrimtari dhe liqenit të Ohrit, në kufirin e sotëm me Maqedoninë, buzë të cilit jeton ky popull. Kuteli rikujtoi disa nga rrëfimet e tij që i pati ngjizur gjatë qëndrimit në Bukuresht në kujtimet e fëmijërisë – “Vendosa të shkoj në Amerikë” – dhe tregimet gojore pak a shumë mitike të cilat i pati dëgjuar gjatë viteve të tij të para – “Si u takua Ndoni me Zallorët”,”Gjonomadhë e Gjatollinj”…-, dhe të gjitha zhvillohen në skenën e vendlindjes së tij. Për të mos e lodhur lexonjësin, edhe për të mos rrezikuar që disa pjessë të mbeten të errëta për atë që nuk e njeh realitetin shqiptar, kam parapëlqyer të mos vendos shënime shpjeguese, gjithnjë të padëshirueshme në një botim jo kritik dhe të cilat në këtë rast do të ishin padyshim tejet të shumta. Fjalori bashkëlidhur do të ndihmojë lexonjësin të kuptojë disa terma.
Duke synuar të ofrojmë një ndihmë të vogël, do të thoshim se krahina e lartpërmendur në të cilën zhvillohen të gjitha rrëfimet e përfshira këtu, dallohet si zonë kufitare: aty gjenden si ndikime turke, njëlloj si në gjithë Shqipërinë, ashtu edhe greke, edhe sllave; pra edhe tepri njoftimesh lidhur me aspekte të kulturave dhe feve të ndryshme nga njëra tjetra dhe pasazhe humoristike sa iu përket ndërveprimeve mes tyre. Të ndodhurit në afërsi të kufirit, ushtron në popullatat dhe te njerëzit që përshkruhen këtu, një ndikim të fortë si nga Perëndimi, mbi të gjitha nëpërmjet Greqisë – gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit të sundimit otoman, dhe kjo përmes një fenomeni shumë të përhapur në ato vise në atë kohë: mërgimi.
Sa i përket figurës së banditit – kapedan, kaçak – është karakteristikë e pjesës më të madhe të territorit të Shqipërisë – dhe të Greqisë – gjatë shekujve 18 dhe 19. Këta ishin njerëz fshati, të cilët, përballë shtypjes së madhe tatimore të Perandorisë dhe shtrëngimeve nga bejlerët, kuturisnin të ngjiteshin në male – për shembull në malet e Mokrës dhe Gorës në këto rrëfime, duke përfituar nga lehtësitë që u jepte terreni i ashpër dhe simpatia e popullit, të cilin ata ndonjëherë e ndihmonin, sipas stilit të Tempranillos dhe Candelas[5]-it tonë. Pjesa më e madhe e tyre janë personazhe të cilët ne nuk i njohim përveç se nga rrëfimet e historitë e ardhura gojë pas goje dhe që Kuteli i rikrijon me ëndje pas shijes dhe kujtimeve të tij.
Natyrisht, në disa rrëfime ka jo pak referime ndaj periudhave pak përpara dhe pas pavarësisë së Shqipërisë – nëntor 1912 – dhe luftrave ballkanike të cilat u bënë për të vendosur kufijtë sipas diktatit të fuqive të mëdha. Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria, janë të katër krajlat të cilët kërcënojnë tokat shqiptare dhe që do t’i rrëmbejnë jo pak territore shtetit të ardhshëm, edhe pse jo aq sa kishin synuar dhe sa patën pushtuar sundimtarët e tyre. Këto, së bashku me shumë të tjera, janë disa nga përbërësit e lëndës, së këtij libri: e gjithë historia e një populli dhe fqinjëve të tij, të cilat lexonjësi, pavarësisht nëse i njeh apo jo, duhet t’i hyjë një leximi të faqeve në vijim e kjo do t’i shpërblehet mirë. Ka të ngjarë që disa pasazhe të ngjallin kureshtjen e tij për fenomene pak të njohura: pra ky lexim do të jetë një mënyrë e mirë për t’iu qasur pranë një populli jo të panjohur më pak të afërt, vetëm pak kilometra nga Italia që ndodhet shumë pranë. Edhe pse synimi kryesor dhe ajo çka dëshirohet më shumë me këtë libër është gjithmonë kënaqësia letrare të cilën ai e ofron, po ashtu, meqënëse letërsia rrugëton gjithmonë nëpër territore të cilat nuk i njohim, të zbuluarit e gjërave të reja që mund të bëjmë nëpërmjet saj është veçori dalluese e leximit qysh në krye të herës.
Përktheu nga spanjishtja: Pandeli Pasko Kuteli
[1] Kuteli pati bashkëpunuar fillimisht me mërgatën dhe shtypin shqip të Konstancës e më pas me atë të Bukureshtit.
[2] Kuteli kontribuoi shumë në këtë periudhë me shkrime kundër pushtuesit italian dhe për mbrojtjen e ekonomisë dhe financava nga grabitjet gjermane si konsulent i monedhës pranë Bankës.
[3] Më 1947Kuteli u dënua me 5 vjet burg, nga të cilat kreu 2 vjet, përfshirë 9 muaj hetuesi dhe në kampin burg të Vloçishtit, ku jeta kishte humbur çdo vlerë.
[4] Bëhet fjalë për ndryshimet në Europë pas rënies së Murit të Berlinit
[5] José María el Tempranillo – bandit spanjoll i Andaluzisë, (1805-1833) dhe Luis Candelas Cajigal – bandit nga Madridi (1804 – 1837) – figura me popullaritet të madh në Spanjë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al