Një qasje kundër kapjes së Drejtësisë nga Rama

May 31, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

Kastriot Islami

KASTRIOT ISLAMI

Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për t’u mbyllur gojën analistëve mjeranë të Ramës, po deklaroj që në fillim se “kam qenë i vendosur dhe jam pa asnjë mëdyshje për miratimin e Reformës në Drejtësi dhe mbështes fuqimisht projektin amerikan për ngritjen e FBI-shqiptare, e cila në konceptin tim duhet të nisë me investigimin e të gjitha “akuzave” të publikuara në raportin e brendshëm të OSBE-së dhe më konkretisht, në krye të radhës, me pasurinë 200 milionë euro të Edi Ramës të fshehur në një llogari offshore në emër të të vëllait…”.

Nëse kjo s’do të ndodhte, atëherë shumica e shqiptarëve do të zhgënjeheshin sepse do të perceptonin që “asgjë s’ka ndodhur as pas bërjes së reformës dhe gjithçka, këtej e tutje, s’do të ishte ndryshe nga ajo ç’ka ndodhur për 25 vjet”.

Ky moment, në njëfarë mënyre, do të ishte një test për moskapjen politike të sistemit të Drejtësisë nga Rama, që po bën sikur përgjërohet për Reformën në Drejtësi dhe ata të inkriminuar apo korruptuar që do të miratojnë paradoksalisht reformën, them paradoksalisht, se ata që do të duhet të miratojnë një reformë drejtësie perëndimore, stigmatizohen njëkohësisht si “të korruptuar, kriminelë, trafikantë…”!

1. RAMA KA MUNDËSINË DHE SYNIMIN PËR TË KAPUR POLITIKISHT DREJTËSINË…

Synimi parësor i Ramës aktualisht është kapja e plotë e sistemit të Drejtësisë dhe vënia në hyqmin e tij. Rama mendon se arritja e këtij objektivi do ta shpëtojë nga makthi i dështimeve dhe do t’i japë mundësi të qeverisë në një mandat të ri, i gjithëpushtetshëm, ku gjithçka do të jetë nën kontrollin e tij dhe vetëm në këtë rast, suksesi do të mund të jetë i garantuar. Aktualisht, Rama ende ndihet i pangopur me pushtet.

Ai gjykon se opozita dhe kundërshtarët e pengojnë në arritjen e sukseseve, të cilët po ashtu ia nxijnë shumë nga sukseset e tij “spektakolare”. Metën, ndonëse “aleat”, ai e konsideron një pengesë të madhe për mënyrën klienteliste të qeverisjes së tij. Natyrisht edhe opozita në tërësi kanë filluar ta tronditin e çorodisin gjithnjë e më shumë, madje ta destabilizojnë.

Blushi përbrenda po ashtu e bezdis dhe trullos pa masë. Prandaj i duhet të ketë nën kontroll edhe prokurorët, edhe gjykatësit, për të pasur mundësi të kryejë sa herë i paraqitet nevoja gjuetinë e shtrigave, të kërcënojë apo të spastrojë të gjithë ata që e pengojnë në rrugën e tij të “marrëzive”, ashtu siç ka vepruar në Bashkinë e Tiranës, në PSSH, me maxhorancën aktuale.

Kjo shpjegon përse Rama është i vendosur për të kapur politikisht Drejtësinë. Ai e shikon edhe “suksesin”, edhe mbijetesën e tij, me zotërimin e të gjitha pushteteve. Rama është i bindur se vënia nën kontroll e gjyqësorit dhe më tej eliminimi i kundërshtarëve do të mund t’ia garantonin përfundimisht edhe mbijetesën e, për rrjedhojë, edhe suksesin e ardhshëm. Nëse Rama do të mund të arrinte të vinte nën kontroll Drejtësinë, zhvillimet do të futeshin në një rrugë të rrezikshme e të paparashikueshme.

2. DISA NGA PYETJET QË SHTROHEN PËR REFORMËN NË DREJTËSI…

Reforma në Drejtësi është konsideruar shumë e rëndësishme, madje nga deklaratat e të gjitha palëve është krijuar ideja se pas kësaj reforme do të realizohet mrekullia si me shkop magjik. Rëndësia e kësaj reforme është, pa asnjë dyshim, shumë e madhe dhe pritshmëria e publikut ndaj saj është po ashtu e konsiderueshme. Partnerët ndërkombëtarë u kanë bërë me dije shqiptarëve interesin dhe angazhimin e tyre, shumë më të lartë sesa çdo herë tjetër.

Pala shqiptare, më konkretisht Rama, LSI dhe opozita, pavarësisht mundësive dhe synimeve të ndryshme, kanë artikuluar rëndësinë e madhe dhe angazhimin për këtë reformë. Pyetjet që shtrohen në këto momente janë disa:

a) A do të përmbyllet kjo reformë dhe kur?;

b) Çfarë garancie ka që sistemi gjyqësor i krijuar të mos kapet politikisht nga Rama dhe/ose maxhoranca?;

c) Nëse reforma bllokohet, çfarë ndodh dhe si do të reagonin partnerët në këtë rast?;

d) Nëse reforma realizohet, a do të jetë sistemi i Drejtësisë më i ndershëm, më profesional dhe më i drejtë për qytetarët? ;

e) A do të mundet sistemi i ri i Drejtësisë të realizojë ndëshkimin e “korrupsionit dhe krimit” që ka kapur shtetit dhe ku është implikuar “elita më e lartë politike, pra a do të mundet sistemi i ri i Drejtësisë të “çrrënjosë” oligarkinë, banditizmin, krimin…?

3. FILLIMI I REFORMËS POR EDHE VIJIMI S’ISHIN SHUMË PREMTUES…

Reforma në Drejtësi nisi në mënyrë të njëanshme politikisht. Ndonëse do të duhej pjesëmarrja e opozitës në vendimmarrjet kushtetuese, Rama dhe maxhoranca preferuan të mos pranonin një komision ad hoc të reformës që garantonte “konsensus substancial” (konsensus të vërtetë).

Vetëm me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe garantimin e tyre për “konsensusin substancial”, opozita u bë pjesë e komisionit ad hoc. Por, njëanshmëria vijoi me hartimin e draftit të parë, por edhe të dytë, nga një grup tërë- sisht në “konflikt interesi”, por edhe qartë- sisht pranë Ramës. Fatmirësisht do të ishte Komisioni i Venecias që do “frenonte” ambicien e Ramës për të kapur shpejt e shpejt sistemin e Drejtësisë.

Kjo i dha mundësi opozitës të orientonte argumentet e saj në rezonancë me parimet e Venecias. Por “hilet tinëzare” të Ramës për të vënë nën kontroll Gjyqësorin dhe Prokurorinë s’do të mund të ndaleshin as në draftin e formuluar teknikisht nga eksperti amerikan e gjerman, ndërkohë që ata kishin lënë pikat më delikate (ku flinte lepuri i kapjes së drejtësisë) të diskutoheshin dhe vendoseshin politikisht me konsensus.

Pra, ndërkombëtarët e kishin lënë topin në fushën e “shqiptarëve”. Duket sikur reforma është afër fundit, ndërkohë që Rama tinëzisht vazhdon të synojë kapjen e sistemit. Opozita në këtë moment deklaron se është pro një reforme që garanton një gjyqësor e prokurori

i) jo të kapur politikisht;

ii) jokorporatiste; dhe

iii) jo sui generis.

4. OPOZITA E QARTË: OK, PROKURORISË E GJYKATËS SPECIALE DHE NJËSISË SË HETIMIT

Opozita ka përcaktuar me kohë qëndrimin e saj të palëkundur për “Prokurorinë Speciale, Njësinë e Hetimit dhe Gjykatën Speciale” dhe është e gatshme të miratojë pa asnjë hezitim ndryshimet kushtetuese e ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me këtë mekanizëm që lufton “krimin e korrupsionin” e peshqve të mëdhenj të politikës.

Për këtë aspekt të reformës vonesa vjen vetëm nga Rama, me argumentin se “duhet ta bëjmë reformën integralisht”. Në realitet, Rama, i informuar nga homologët e tij (rumunë, bullgarë, kroatë…) ndihet personalisht i rrezikuar nga ky mekanizëm (që e percepton nën kontrollin e partnerëve, pra jashtë ndikimit të tij), për më tepër që raporti i brendshëm i OSBE-së, tashmë publik, e stigmatizon atë si “zotërues të një pasurie të paligjshme prej 200 milionë eurosh, të fshehur në një llogari offshore…”.

Lidhur me ndryshimet kushtetuese për këtë aspekt “sugjerimet” e opozitës janë vetëm dy

a) duke qenë dakord me angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë, do të ishte dinjitoze që pasqyrimi kushtetues të bëhej sipas një marrëveshjeje, pra në një mënyrë të ngjashme me ato të vendeve të tilla si Kroacia, Rumania, Bullgaria dhe

b) funksionin e “vlerësimit” (vetingut), pas kryerjes së lustrimit për 3 institucionet e para nga një komision i përkohshëm, ta merrnin institucionet e reja kushtetuese që do ta kenë këtë funksion permanent, Gjykata Kushtetuese, KLGJ dhe KLP.

5. RAMA SYNON KAPJEN POLITIKE, KURSE LSI TË MBETET “KING MAKER” EDHE NË PUSHTETIN GJYQËSOR…

Në realitet Rama, tinëzisht,

i) duke luajtur me rëndësinë e kësaj reforme;

ii) me interesin e angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë;

iii) duke i mëshuar në mënyrë abuzive e të ekzagjeruar “korrupsionit të gjyqtarëve dhe prokurorëve” thjesht për të justifikuar spastrimin e thellë të sistemit të drejtësisë; dhe

iv) duke kontrolluar e vetme të gjithë hapat gjatë “draftimeve të njëanshme teknike”, ka synuar i vetëm kapjen e sistemit gjyqësor.

LSI, për më tepër e kompleksuar dhe e frikësuar nga loja e Ramës, e realizuar fshehtas me partnerët për goditjen e Metës “poshtë brezit”, është përpjekur në mënyrë pragmatiste të garantojë minimalisht pozicionin e saj prej “king mejkeri” edhe në pushtetin e ri gjyqësor, në kuptimin që të mos lejojë kapjen politike të sistemit vetëm nga Rama, por të ketë të paktën rolin, mjetet e individët që i garantojnë edhe në sistemin e drejtësisë të njëjtin rol që ka mbi sistemin politik, aq më tepër që këtë rradhë është krijuar përshtypja se Rama do ta përdorë sistemin e ri gjyqësor për gjueti shtrigash, edhe kundër Metës.

Këto synime të Ramës dhe LSI mundësohen edhe nga madhësitë e tyre prezente në Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë që frenimi i ambicieve të tyre për kontrollin e sistemit të drejtësisë duket se ka ardhur nga angazhimi serioz i ndërkombëtarëve dhe qëndrimi parimor i opozitës.

6. OPOZITA PËRBALLË “KAPJES POLITIKE”: KONSENSUS DHE RESPEKT TË “PARIMEVE” TË VENECIAS…

E vetmja që ka tentuar të pengojë kapjen politike të sistemit nga Rama dhe/ose eventualisht nga maxhoranca aktuale ka qenë opozita; opozita ka kërkuar gjithëpërfshirje/ konsensus substancial, sepse roli i saj mbetet i rëndësishëm në vendimmarrje vetëm për sa i përket krijimit të “maxhorancës kushtetuese” nëse edhe kjo s’do të kapej nga Rama, përmes “blerjes tipike oligarkike” të mandateve.

Opozita ka shprehur qëndrimin e saj pro reformës jo vetëm për arsye parimore e integruese, por edhe sepse ajo është e bindur se një reformë e drejtë dhe e pakapur politikisht përbën

i) një mekanizëm sigurie për zgjedhje të lira e të ndershme;

ii) një mekanizëm për të realizuar në kohë dhe me saktësi procesin e dekriminalizimit;

iii) një mekanizëm për të goditur e çrrënjosur “oligarkinë, banditizmin, krimin dhe korrupsionin” e elitës aktuale dhe parandaluar kapjen e qeverisjeve të ardhshme nga korrupsioni e krimi;

iv) një progres që do të rriste shpejtësinë dhe cilësinë e anëtarësimit në BE.

Kjo është arsyeja përse opozita ka shtruar vetëm dy kërkesa parimore:

a) konsensus substancial dhe

b) respektim të parimeve të Venecias.

7. RAMA SYNON VËNIEN E DREJTËSISË NËN KONTROLL PËRMES IMPONIMIT TË “DRAFTIT” TË TIJ…

Ndryshe nga Rama që bllokoi për 3 vjet hapjen e negociatave me BE-në, me sebepe të stisura, opozita aktuale ka deklaruar se është e interesuar të marrë pjesë në hartimin dhe miratimin konsensual të Reformës në Drejtësi.

Rama lëviz mes dy opsionesh

1) ose kapje e drejtësisë përmes draftit të tij për Reformën në Drejtësi, për të mundësuar më tej gjuetinë e shtrigave kundër opozitës dhe kundërshtarëve ose

ii) akuzë ndaj opozitës për gjoja bllokim të reformës dhe më tej përdorim i kësaj karte në zgjedhjet e ardhshme, përderisa s’ka asnjë arritje mbi të cilën do të mund të mbështetej fushata e tij zgjedhore.

E thënë më troç: nëse drafti ekzistues ku mjaft nga momentet politike presin “konsensus politik” të palëve, do të miratohej sipas variantit që mbron Rama, atëherë kapja politike e sistemit të Drejtësisë nga Rama është ngjarje e sigurt. Ky variant për të cilin Rama i “lutet” tani opozitës, të cilën dikur e kërcënonte me “shkatërrim në zgjedhjet e ardhshme” s’mund të jetë i pranueshëm nga opozita.

Shumë nga elementët e tij janë ndërtuar në mënyrë të tillë që i japin mundësi Ramës të kontrollojë politikisht përbërjen dhe funksionimin e Prokurorisë dhe Gjyqësorit.

8. QASJA ANTIKAPJE PËRBALLË “KAPJES POLITIKE” TË DREJTËSISË NGA RAMA

Përballë tentativës së Ramës për të kapur politikisht Prokurorinë e Drejtësinë, një qasje antikapje mund ta rikthente draftin aktual në kufijtë e një normaliteti të pranueshëm (ndonëse jo perfekt) ose e thënë më shkoqur “mund të pengonte të paktën Ramën të vendoste nën kontroll Drejtësinë”.

Qasja antikapje është e vendosur mbi këto “shtylla”:

i. Reforma e Drejtësisë dhe Reforma Zgjedhore duhet të draftohen e miratohen njëkohësisht e me konsensus, sepse zgjedhjet e lira e të ndershme dhe drejtësia perëndimore janë të lidhura pazgjidhshmërisht mes tyre; pa dyshim edhe procesi i dekriminalizimit.

ii. ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimet në të gjitha kodet dhe ligjet që rregullojnë funksionimin e sistemit të ri të Drejtësisë duhet të miratohen me konsensus e njëkohësisht;

iii. Reforma në Drejtësi duhet të shmangë kapjen politike të sistemit nga çdo forcë politike, në të tashmen e në të ardhmen; më konkretisht, duhet konsensus për nenet kushtetuese për dizenjimin e sistemit të institucioneve të Drejtësisë(jo më shumë se 7 institucione në vend të 11 në draftin e Ramës dhe mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve në institucionet e reja (Gjykatë Kushtetuese, KLGJ dhe KLP; jo me 3/5, as me 2/3, por me balancim të themi të tipit 2:2:1);

iv. Reforma në Drejtësi duhet të shmangë në çdo kohë korporatizmin;

v. Reforma e Drejtësisë s’duhet të jetë një rast “sui generis”, pra një eksperiment për Shqipërinë, por e standardeve perëndimore (së paku në rezonancë me ndryshimet në vendet të ngjashme si Sllovenia, Kroacia, Rumania, Bullgaria, apo vende të tjera anëtare të BE); dhe

vi. ndryshimet kushtetuese duhet të kufizohen në mënyrë strikte brenda mandatit të komisionit të Reformës në Drejtësi, ndërkohë që ndryshimet e tjera kushtetuese, qoftë edhe për çështje shumë të rëndësishme, duhet të jenë objekt i një analize dhe amendimi tjetër kushtetues.

Bazuar në këto shtylla, janë të gatshme propozimet konkrete, të hapura për debat e negocim, natyrisht pa vendosur asnjë parakusht dhe pa asnjë paragjykim. Por, edhe duke mos pranuar asnjë kusht apo imponim. Ripërsëris se nëse Rama do të mund të arrinte të vinte nën kontroll Drejtësinë, zhvillimet do të futeshin në një rrugë të rrezikshme e të paparashikueshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura