Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një bilanc të punës së tij sot, teksa ka mbushur një vit e gjysmë në krye të Qeverisë së Kosovës.
Kurti, duke listuar disa arritje u ka premtuar qytetarëve të ardhme të mirë përpara.
“Përkundër krizave globale shëndetësore dhe energjetike, vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike prej 10,7% që është edhe rritja më e madhe në rajon. Ndërkaq, në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike”, ka shkruar ai.
“Për progresin që kërkojmë e për Kosovën që ëndërrojmë duhet të punojmë të gjithë pa dallim e me qëllimet më fisnike”, ka shkruar kryeministri.
Ky është postimi i plotë i Kurtit:
Të dashur qytetarë,
Sot u bënë një vit e gjysmë të qeverisjes sonë.
Përkundër krizave globale shëndetësore dhe energjetike, vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike prej 10,7% që është edhe rritja më e madhe në rajon. Ndërkaq, në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike.
Në 2021 kishim pakon e ringjalljes ekonomike me mbi 300 milionë euro, kurse sivjet duke shtuar edhe pakon e përballjes me inflacion mbështetja po i kalon edhe 350 milionë euro të tjera. Shtesat për lehonat e fëmijët, pensionistët e personat me aftësi të kufizuara, mbështetje për prodhuesit e eksportuesit, fermerët e studentët, mësimdhënësit e stafin shëndetësor, për kursyesit e energjisë dhe 13 kuzhina popullore etj.
Të hyrat e Doganës dhe ATK-së janë rritur për 30.8% dhe 28%, respektivisht, dmth. të dyja gati trefish më shumë se rritja e Bruto Produktit Vendor.
Të hyrat e ATK-së për periudhën janar-gusht 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2021, janë 22.2% më të larta.
Eksportet u rritën për 83.6% vitin e kaluar kurse këtë vit kemi rritje për 29% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Kemi nënshkruar marrëveshjen me MCC-në në vlerë prej mbi 200 milionë dollarë.
Kemi luftuar ekonominë joformale, punën e padeklaruar dhe kontrabandën. Dogana ka zbuluar 1,778 veprime të kundërligjshme në 2021 (64% më lartë se në 2020), dhe vetëm për 8 muajt e parë të këtij viti e ka arritur kuotën mesatare për muaj të vitit 2021. ATK ka parandaluar dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë prej mbi 12 milionë euro. Ndërsa, Inspektorati i Tregut ka rritur për mbi 50% numrin e inspektimeve (më shumë se 6 mijë gjithsej).
Kemi rritur mundësitë e barabarta për zhvillim duke e bërë arsimin publik falas, duke shtuar buxhetin për arsim prej 12%, duke dhënë mbështetje financiare për studentë e nxënës si dhe duke rritur përfshirjen në Edukimin në Fëmijëri të Hershme. Duke lansuar sistemin dual të edukimit kemi hyrë në një etapë të re ku diploma siguron një vend pune pasi më në fund do të lidhim shkollat profesionale me tregun e punës.
Kemi investuar në mbrojtje duke dyfishuar buxhetin. Kemi luftuar krimin dhe kontrabandën në gjithë territorin e vendit.
Me Vettingun për drejtësi, Byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjet anti-korrupsion kemi filluar reformat e kërkuara nga qytetarët që synojnë të bëjnë gjyqësorin efikas dhe prokurorinë aktive në luftimin e kriminalitetit dhe në dhënien e drejtësisë.
E bizneset dhe investitorët do të zgjidhin më shpejtë kontestet përmes Gjykatës Komerciale duke eliminuar pritjet dhe humbjet.
Kemi themeluar Institutin për dokumentimin e Krimeve për të ruajtur kujtesën tonë kolektive dhe për t’i treguar gjeneratave të reja dhe botës krimet e kryera gjatë luftë në Kosovë.
Kemi lartësuar Kosovën në botë duke u renditur të parët në rajon për sundimin e ligjit, duke u përmirësuar për 17 vende në indeksin kundër korrupsionit dhe për avancimin e lirës së medias dhe kemi nxjerrë Kosovën nga izolimi duke aplikuar në Këshillin e Evropës, duke adresuar të gjitha pengesat për liberalizimin e vizave dhe duke përgatitur aplikacionet për anëtarësim në BE dhe në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe.
Të dashur qytetarë, këto janë vetëm disa nga arritjet në rrugëtimin tonë të përbashkët që kemi filluar nga 23 marsi i vitit të kaluar kur e morëm detyrën.
Me punë dhe dije, dinjitet dhe guxim, jemi angazhuar për të arritur rezultatet që na duhen të gjithëve.
Pritjet tuaja janë të mëdha, sepse ndryshimi që na duhet është i madh. Por ashtu siç dëshmuam me 14 shkurt të vitit të kaluar, ndryshimi është i mundur vetëm kur secili jep kontributin që i takon sepse Kosova është shteti e vendi ynë i përbashkët.
Për progresin që kërkojmë e për Kosovën që ëndërrojmë duhet të punojmë të gjithë pa dallim e me qëllimet më fisnike.
Të ardhmen e mirë e kemi përpara nesh.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al