Njeriu dhe “xhaketa e kohës”

Jun 28, 2024 | 10:06
SHPËRNDAJE

NGA GËZIM TUSHI GËZIM TUSHI

Shumë probleme të ndërlikuara sociale e paqartësi individuale po kalon shoqëria shqiptare. Ka një kaos në diagnostikimin e shkaqeve të kësaj situate shumë të zgjatur dhe shqetësuese. Një pjesë e tyre janë padyshim me natyrë materiale e ontologjike, por më duket se shumica e turbulencave që përjetojnë njerëzit tanë janë konceptuale, të lidhura me aftësinë, përpjekjet e qarta e të individualizuara, me kapacitetin e vullnetit të personalizuar për të kuptuar natyrën, thelbin dhe fenomenologjinë e kohës që jetojmë, mbi të gjitha imperativat e reja, krejtësisht të ndryshuara të saj. Një gjë aspak e lehtë për shumë nga njerëzit tanë, që të ndodhur përballë këtyre ndryshimeve eruptive shfaqen të paqartë, janë të paorientuar, me mungesë të piketave subjektive të sigurta, se çfarë duhet të bëjnë, si dhe nga duhet të ecin. Një kosto sociale me përmasa të mëdha dhe dimension social tejet problematik. Një realitet që në instancë të fundit është e lidhur pazgjidhshmërisht me situatat, kushtet e jetës që kalojmë, është e lidhur më së pari me njeriun dhe “veten” e tij të individualizuar, me disponimin për të kuptuar “tingullin e kohës”, për të hedhur hapat e jetës të sinkronizuara me të. Kjo analizë mund të duket sikur është pretenciozitet teorik, që nuk përkon plotësisht me thelbin e problematikave sociale që ka njeriu dhe shoqëria shqiptare sot. Por nëse gjërat do t’i shikojmë pa “parti pris” politike e ideologjike, përtej kornizave të interpretimit sociologjizant të realitetit, do të kuptojmë dhe reflektojmë më mirë si shoqëri për balancat e përgjegjësitë që kemi si shoqëri dhe individualisht, në raport me kohën që jetojmë.

Unë besoj se kemi nevojë për një ndryshim të raporteve të përgjegjësive midis shoqërisë dhe individit, duke bërë të mundur konceptimin dialektik dhe jetik të thelbit të ankesave dhe dështimeve individuale, por edhe të natyrës së tendencave jo shumë të qarta të progresit social, duke krijuar bindjen e patundur si modus viventi dhe modus operandi, për të përballur problemet që kanë njerëzit me veten, me vështirësitë e përfshirjes dhe integrimit në shoqërinë e tyre. Pavarësisht arsyeve të tjera historike, ekonomike, kulturore, të traditës të cilat kanë peshën e vet, duhet të ndihmojmë njerëzit tanë, sidomos të rinjtë të kuptojnë e të binden se prioritare, thelbësore është angazhimi serioz individual, konceptimi i drejtë i raportit të personalizuar të secilit me “kohën” që jeton. Qoftë në kuptimin filozofik apo si koherencë sociale, duke e parë dialektikisht si rrjedhë lineare jetësore pa kthim, si element vlerësimi për aftësitë e kompabilitetit të njeriut me kohën dhe shoqërinë e vet.

humë të personalizuar dhe sociale. Këto janë probleme konceptuale, që shqetësojnë shoqërinë dhe njerëzit tanë, që pavarësisht terminologjisë së përdorur, përtej koncepteve thjeshtëzuese që kanë njerëzit, kanë ndikim të madh në ndërtimin e raporteve të secilit me kohën e vet. Në këtë kontekst, duke e parë realitetin social, kupton se nga mënyra si konceptohet marrëdhënia e njeriut me veten, kohën dhe shoqërinë e tij, jo vetëm është i rëndësishëm, por është në të njëjtën kohë treguesi më evident, që përcakton “fatin individual” të njeriut, që lidhet me aftësitë e tij për të “kuptuar kohën” veçoritë, sfidat e saj, mundësinë e orientimit në rrjedhën e natyrshme apo në antinomi me të.

Këtë të vërtetë të vjetër të jetës dhe mendimit filozofik, e ndeshim përditë në qëndrimet, vlerësimet dhe reagimet e njerëzve tanë, në përballjet e forta me vështirësitë kalimtare të jetës, sidomos me problemet e panjohura deri në fund të së nesërmes. Njerëzit tanë kanë vështirësi, që në thelbin e tyre janë të natyrshme, qoftë për të “dirigjuar të sotmen” apo për t’u përgatitur të menaxhojnë, administrojnë të ardhmen. Unë besoj se duhet të na shqetësojë fakti, që disa njerëz, nuk po dinë të vendosin marrëdhënie të drejta me imperativat e kohës së tyre, duke mbetur në kornizat e ngushta të koncepteve arkaike, duke dashur akoma t’i veshin kohës moderne “xhaketën e tyre të vjetër”, që jo vetëm është e “ngushtë”, por dhe jashtë apo në periferi të kërkesave ultimative të dimensioneve të reja të saj. Kjo është arsyeja, mendoj unë që shumë probleme sociale, ekonomike, shpirtërore që përjetojmë si shoqëri, por edhe individualisht, janë të lidhura me mënyrën si e “veshim” dhe e përdorim “xhaketën e kohës”, si e trajtojmë, sa jemi në përputhje me rrugën drejt progresit, zhvillimit, rritjes individuale e sociale.

Ka shumë njerëz që bëjnë arsyetime vanitoze, duke filozofuar bosh për kohën dhe përgjegjësitë që janë “jashtë tyre”, duke mbetur në “pritje të Godosë”. Dhe nuk janë pak. Është një kategori e zgjeruar sociale e njerëzve që jetojnë në boshllëk social, që kanë përtaci mendore e vanitet personal, që anohen për “kohën që jetojnë” dhe mendojnë me naivitet për përgjegjësitë që kanë të tjerët që janë jashtë tyre, dhe që kanë në dorë “fatin e tyre”. Është imperativë, gjykoj unë, që duhet të bëjmë gjithçka si familje, shkollë, media, shoqëri dhe institucionet alternative të formimit dhe edukimit human e qytetar, që te këta njerëz të krijojmë koncepte të reja, dinamike moderne për kohën që jetojnë, imperativat e saj. Kjo do të thotë që njerëzit të mësojnë, se nuk ka “kohë tjetër” për të jetuar veç “kohës së tyre”. Sido që ajo është.

Realisht për shumë njerëz është e vështirë, ca për faj të mungesës së aftësisë koherente për t’u përshtatur me kërkesat e kohës, por edhe për faktin që jeta sociale në Shqipëri është bërë shumë e komplikuar, plot kontradikta. Nganjëherë të pashpjegueshme, të papërballueshme. Ndaj është bërë më shpeshtuar frekuenca e takimit me njerëz që vuajnë, nga që nuk kanë koncept të drejtë, nuk kuptojnë si duhet kohën që jetojnë dhe bëhen njerëz qaramanë, që zvarriten si “vemje” pas stratagjemave likuide të saj. Në këtë kontekst, duhet menduar më shumë për pasojat social ekonomike, shpirtërore e psikologjike që sjell zgjerimi numerik e demografik i kësaj kategorie sociale. Sepse duhet pranuar si realitet sa subjektiv po aq dhe objektiv, që koha moderne në Shqipëri për disa njerëz që për fat të keq nuk kanë konceptim të qartë e të saktë për kohën e tyre, imperativat e personalizuara të saj, jeta e përditshme është bërë “barrë individuale” që duket kaotike, e papërballueshme.

Pavarësisht se në ç’masë është i vërtetë konstatimi, duhet pranuar se këto gjëra që po ndodhin në shoqërinë tonë, janë probleme të natyrshme, që në thelbin e tyre janë të lidhura dhe burojnë nga filozofia, tipologjia dhe standardet e “tranzicionit të pambyllur”. Akoma më keq është situata për disa të tjerë, që kanë këputur artificialisht lidhjet e duhura me kohën dhe mendojnë në “gjatësi vale” që nuk i kap koha jonë, që besojnë pasivisht në filozofinë mesianike, duke besuar se nuk do të jetë gjithnjë kështu, se shoqëria shqiptare do të bëhet më e mirë, më humane dhe solidare, se shteti në të ardhmen do të bëhet më social, etj., etj. Këta janë ata që “nxijnë” realitetin, që mallkojnë kohët moderne, që flasin për “rënie” apo regres të shoqërisë shqiptare, ngaqë janë mësuar me modelin e shoqërisë me “xhaketë të vjetër” të ngushtë e demode që i shkonte për shtat një rendi të palëvizshëm, statik me dhunë ideologjike e barazi në varfëri. Adhuruesit e kohës së shkuar, apo ata që kanë akoma iluzione se ato kanë qenë kohë të “arta” është pak që t’i quash jashtë kohe. Konceptet e tyre janë retrograde, pa të sotme dhe të nesërme.

Por, duhet parë edhe ana tjetër e medaljes, sepse është e vërtetë që njerëzit janë të shqetësuar për shumë dukuri sociale që ka sjellë koha dhe “xhaketa moderne” e jetës sociale, lidhur me martesën, familjen, shkollën, humanizmin, solidaritetin, egoizmin, korrupsionin, etj.. Dukuri e fenomene sociale që realisht janë shqetësuese. Ndërkaq ka të tjerë që janë të alarmuar për marrëdhëniet e çakorduara midis brezave në familje, për funksionimin e familjes moderne një bërthamore, për varfërinë, numrin në rritje të krimit, divorceve, sjelljeve brutale dhe kriminale. Koha moderne ka sjellë konflikte të thella midis prindërve dhe fëmijëve, midis të moshuarve dhe të rinjve. Familja e sotme jo vetëm nuk është “qelizë” apo “bërthamë”, por nga mënyra se si po bëhet organizimi i saj, nuk ngjet as si “agjenci sociale”, që të paktën të garantojë ekzistencën dhe qëndrueshmërinë tipologjike. Martesa nga ana tjetër është duke përjetuar krizën më të thellë në historinë e shoqërisë sonë. Tronditjet brenda saj, shtimi i divorcit e kanë vënë këtë institucion para provave të mëdha ekzistenciale, që kanë të bëjnë me të sotmen dhe të ardhmen e saj. Bashkë me to duket se vazhdon të jetë në ngjitje kurba e qëndrimeve agresive, sjelljeve jo qytetare e antisociale. Po rritet numri i krimeve, vrasjeve dhe vetëvrasjeve që kanë marrë masivitet të frikshëm.

Të gjitha këto shqetësime të thella strukturore të shoqërisë shqiptare, kanë tronditur natyrshëm besimin e njerëzve tek vlerat e kohës moderne. Tek shumë njerëz ka humbur besimi se e ardhmja e shoqërisë tonë do të bëhet një ditë më e mirë se sa është sot. Në këtë situatë kaotike të marrëdhënieve të njeriut me kohën, janë gjallëruar edhe idetë kontroversale. Liberalët në shoqërinë tonë janë nxitës pa kompromis të zhvillimit dhe modernitetit, duke qenë radikalë në synimin e tyre për të ecur përpara, për të mos e frenuar rrjedhën e lirë të zhvillimeve, qoftë edhe të vështira dhe kontradiktore. Ata janë të kënaqur me atë që po ndodh, sepse janë të bindur që kjo rrjedhë e lirë e fenomeneve dhe dukurive sociale, do të na çojë në mënyrë të natyrshme drejt standardeve të shoqërisë moderne. Të bindur që koha moderne nuk ka ndalesa, ca më pak “kthime pas”, ata përpiqen të “nxitin xhirot” progresive të “motorit social” të shoqërisë. Nganjëherë pa menduar fare për “anën e errët” të procesit, për problemet dhe kontradiktat e thella, pasojat që po sjell koha për individë dhe grupe sociale të caktuara.

Të tjerët, ata që tremben nga ritmet e shfrenuara të modernitetit, nga marramendjet metafizike, çoroditjet ekzistenciale, turbulencat psikologjike të modernitetit, kanë “zënë pozicion” përballë shoqërisë moderne dhe “gjuajnë” me “topat” e konservatorizmit çdo cep të shoqërisë. Ata inventarizojnë çdo gjë të re që nuk është konform me moralin, zakonet, traditat, tipologjinë sociale të shoqërisë së kaluar. Numërojnë me imtësi të gjitha kontradiktat, deformimet, dhe të tmerruar nga ritmet e çmendura të postmodernitetit, mbeten duke sharë “kohën e tyre. Madje çdo gjë, duke besuar se një ditë shoqëria jonë mund të bëhet normale duke ndalur ritmin e zhvillimit apo ndryshuar aksin e drejtimit të zhvillimit të saj. Në të vërtetë po qe se kohën dhe zhvillimet në shoqërinë tonë i shikon në mënyrë të thjeshtëzuar, duke i parë dukuritë sociale kontradiktore vetëm në sipërfaqe, dhe ca më tepër në se fenomenet vlerësohen nga dukja, natyrisht për shkak të kësaj optike, normalisht do të dukej se shoqëria jonë në vend që të orientohej drejt një situate me të vërtetë njerëzore, duket se është duke ecur drejt një anomie dhe çrregullimi social. Padyshim është e vërtetë që ka një koncept në zgjerim në shoqërinë tonë që shfaqet tek shumë njerëz, shtresa dhe grupe sociale të pafavorizuarish, të njerëzve që momentalisht janë në boshllëk ekzistencial, të paorientuar me sfidat e jetës, të cilët mendojnë se në kohën tonë asnjë vlerë njerëzore përveç aftësisë për t’u përshtatur me realitetin empirik të kohës, nuk vlen. Sipas psikologjisë së njerëzve që ndihen të dështuar qëllimi i vetëm, është aftësia që njeriu të mësojë si të ruhet nga rreziqet, si të përshtatet për të qenë i suksesshëm me imperativat e jetës. Kjo është e vërtetë, por nuk është e “vërteta e plotë”.

Idetë e deformuara për kohën dhe konceptimin e gabuar të saj janë të rrezikshme dhe me pasoja të thella sociale. Sidomos kur nga vështirësitë që kalojmë aktualisht, ka njerëz që mendojnë se e kaluara për ta ka qenë më e mirë, më e sigurt se sa e sotmja që është më e lirë, por edhe më e pasigurt. Besoj që në emër të kohës që jetojmë, duhet që në shoqërinë tonë këtë psikologji retrograde ta sulmojmë, kudo që ajo të shfaqet apo të fshihet, jo aq për rrezikshmërinë sociale, se sa si një pengesë madhore për perceptimet individuale, realiste dhe optimiste të jetës moderne në shoqërinë tonë.

E thënë nga njerëz të zakonshëm, të mërzitur dhe të lodhur nga hallet, nga varfëria dhe pamundësia për t’i zgjidhur problemet, kjo nuk do të përbënte ndonjë problem të madh social. Por kur dëgjon që herë me shaka dhe herë seriozisht këtë qëndrim e mbajnë edhe intelektualë, përfaqësues të medias, kjo është vërtetë shqetësuese. Të besosh dhe propagandosh idenë, se për shkak të vështirësive të progresit apo mungesës së aftësive individuale të disa njerëzve për të “kapur kohën” e tyre, për t’u orientuar sipas saj, “koha e kaluar” ka qenë qoftë në aspekte të veçanta më e mirë, do të thotë të kesh “amnezi historike” dhe të harrosh të vërtetën që në mënyrë të dhunshme “ajo” zhduku çdo gjë të ndryshme, në mënyrë totalitare e bëri gjithçka të njëllojtë, unifikoi çdo gjë, zhduku çdo dallim dhe diversitet. Kjo ide më e pakta është hipokrizi sociale. Në atë shoqëri është e vërtetë që çdo gjë e veçantë ishte identike me gjithçka. Por ajo është koha vrastare, që nuk lejoi askënd që të kishte shansin që të ishte “identik me vetveten”.

Politologu i shquar spanjoll, Josep Ramoneda, e ka karakterizuar fare qartë këtë shoqëri, duke perifrazuar thënien e një intelektuali nga Vajmari, sipas të cilit, “Socializmi real ishte një stallë. Të gjithë ishim aty brenda, secili i lidhur me zinxhirin e vet, po kishim një çati mbi krye edhe pse çati mjerane. (J. Ramoneda, “Fundi i pasionit politik”, faqe 27). Por, kjo barazi shoqërore ka qenë jo vetëm e shëmtuar, por edhe një “barazi shtypëse” për njeriun si individ. Në një farë mënyre shoqëria u bë një “furrë sociale” në të cilën u shkrinë të tëra cilësitë individuale. Ajo është kulmi i kohës së mbrapshtë, e cila determinoi që të gjithë njerëzit u bënë vetëm hipokritë dhe konformistë. Shoqëria nuk ishte aq shumë shoqëri, por më shumë një “kolektiv i manipuluar”. Të paktën në kohën tonë gjërat janë të qarta, të ndara midis tyre. Koha ka krijuar shanse për këdo të dallojë, të ndajë përgjegjësinë e përgjithshme të kohës dhe shoqërisë nga përgjegjësitë e veçanta të individit të lirë. Për këtë arsye njerëzit tanë duhet të kuptojnë, se përfundimisht koha nuk ka më “kthim pas”. As sot as nesër…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura