Noizy: Ju rrëfej aksidentin ku pashë vdekjen me sy

Nov 8, 2014 | 16:00
SHPËRNDAJE

“Isha duke folur në telefon, Zoti bëri mrekulli”

Dëshiron ta quajë thjesht si ëndërr të keqe aksidentin në autostradën Tiranë-Durrës, që për pak i mori jetën. Nuk kujton asgjë nga momenti i përplasjes, ndaj tani që është gjallë e konsideron mrekulli të Zotit. Vetëm 24 orë pas aksidentit, 28-vjeçari më i famshëm dhe më i paguar i momentit si reper, Rigels Rajku (Noizy), tregon për natën e tmerrit, ku veprimi i gabuar para aksidentit ishte t’i përgjigjej një telefonate. Dhe kaq mjaftoi që të humbiste kontrollin në timon…
Noizy, këto 24 orët e fundit nuk kanë rreshtur për ty lajmet pas aksidentit që bëre me makinë. Si ndodhi?

Në foto: Benzi i Noizit pas aksidentit
Isha duke u kthyer nga Kosova, ku isha për të marrë një vizë pune për në Zvicër. Udhëtimin e kthimit nga Kosova e bëra bashkë me kolegen Enca Haxhia, të cilën e lashë në Vorë. Ishte ora rreth 19:15 kur vazhdova udhëtimin i vetëm drejt Durrësit (qyteti ku jetoj) dhe diku 3-4 km larg shtëpisë sime, pikërisht afër vendit të quajtur Ura e Dajlanit, mbaj mend që po më binte telefoni. Tentova t’i përgjigjesha dhe s’kujtoj më asgjë se çfarë ka ndodhur, derisa më kanë shpjeguar më vonë se më kishte prerë rrugën një maune në momentin e përplasjes së rrezikshme. Personat prezentë në vendngjarje kanë qenë dëshimtarë të një aksidenti të frikshëm, ku unë jam nxjerrë nga makina totalisht e shkatërruar poshtë maunes.
Kush ta ofroi ndihmën e parë për në spital dhe kur u bëre i vetëdijshëm për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur?
Për fatin tim të madh, në atë moment kanë kaluar aty shokë të babait tim, të cilët kanë njohur makinën dhe kanë ndaluar për të më dhënë ndihmën e shpejtë. Me sa më treguan (unë edhe pse s’kujtoj asgjë), kam dalë vetë me këmbët e mia, deri sa kam mbërritur në urgjencën e Spitalit të Durrësit, ku dhe kam nisur të nxjerr nga goja fjalët e para. Gjithë frika e babait tim dhe familjes ka qenë se ndoshta kisha pësuar dëmtime të rënda dhe ndaj më kanë transportuar urgjent drejt Spitalit Amerikan në Tiranë, ku deri në orët e para të mëngjesit u jam nënshtruar të gjitha ekzaminimive të mundshme, si dhe skanerit në kokë.
Çfarë dëmtimesh ke pësuar në të vërtetë?
Falënderoj Zotin që vërtet ka bërë mrekulli me mua. Jo vetëm që më shpëtoi jetën, por nga ky aksident fatmirësisht nuk kam pësuar dëmtime që mund të më kufizojnë në të ardhmen. Pra, do të jem i njëjti Noizy që kam qenë. Nga ekzaminimet e mjekëve mund të them se kam pësuar krisje të vogël në shpatullën e majtë (të cilën e kam të fashuar momentalisht), gërvishtje në gishtat e dorës së djathtë dhe pak plagosje te pjesa e buzëve. Por asgjë për t’u shqetësuar, ndaj që nga dje mjekët më sollën të vazhdoj trajtimin në shtëpi.
Një aksident ndodh për 1 mijë arsye, po ti kujt apo cilës gjë ia vë fajin? E konsideron veten shofer të mirë apo të pëlqen shpejtësia?
Shokimi më i madh pas aksidentit ishte të shihja më pas fotot e makinës sime të shkatërruar totalisht, benzit A class të 2008-s (një prej katër makinave të mia). Janë pamje që të bëjnë të reflektosh vërtet për veten dhe fatin e njeriut. Për sa i përket pyetjes, mund të them se jam vërtet shofer i mirë, edhe pse nuk e fsheh që më pëlqen të udhëtoj me shpejtësi. Por atë natë humba përqendrimin nga telefonata, ndërkohë që kam qenë pa gjumë dhe i lodhur.
Sa ditë do të qëndrosh i izoluar në shtëpi, pra kur do t’i kthehesh axhendës së koncerteve?
Mjekët më kanë këshilluar të qëndroj një javë në shtëpi, më shumë për të kaluar traumën psikologjike, që është e pashmangshme në një rast të tillë. Natyrisht që axhenda ime është gjithmonë e planifikuar dhe shumë e ngjeshur kudo në botë. Unë do mungoj në koncertin e radhës që do të mbahet në Firence (Itali), por në vendin tim do të jenë Enca Haxhia dhe djemtë e grupit, pasi duhet të respektojmë publikun. Deri tani janë shtitur 700 bileta për atë koncert.
Miqtë duken në momente të vështira. More shumë telefonata nga kolegët e tu artistë?
Të them të drejtën, unë e kam mbajtur të fikur telefonin tim gjatë këtyre orëve, pasi nuk kam qenë në gjendje t’u përgjigjem miqve. Por di të them që në numrin e babait tim, që është njëkohësisht menaxheri im personal, kanë mbërritur mbi 500 telefonata brenda ditës së djeshme nga artistë dhe bashkëpunëtorë nga e gjithë bota, të cilët kanë qenë të alarmuar dhe të shqetësuar për jetën time. Fjala “aksident” është shumë e rëndë dhe ndaj gjithkush nga ne në momente të tilla duhet të reflektojë për vlerën e jetës. Personalisht besoj edhe te të mirat që duhet të bëjmë në këtë jetë, të cilat na kthehen po me të mira. Jam shumë i ndjeshëm dhe zemërbardhë, aq sa herë kam mundësi ndihmoj fëmijët jetimë apo të varfrit. Dhe ja, urimet e tyre nga zemra më bënë të shpëtoj i gjallë nga një aksident, që mund të ishte pa diskutim fatal.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura