Kallëzimi për pasurinë 500 mijë euro, fillon hetimi ndaj Ridvan Bodes

Apr 22, 2015 | 16:20
SHPËRNDAJE

Regjistrohet në Prokurorinë e Përgjithshme procedimi penal për kallëzimin e ILDKPKI ndaj ishministrit të Financave, Ridvan Bode, për akuzën e fshehjes së pasurisë.

“Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar procedim penal për Ridvan Boden, në bazë të kallëzimit të ILDKPKI për veprën penale “fshehje, mosdeklarim dhe deklarim të rremë të pasurisë”, kanë thënë dje burimet zyrtare. Sipas tyre, organi i akuzës vlerëson se është e nevojshme kryerja e veprimeve hetimore për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementët e veprës penale për të cilën është bërë kallëzimi. Vendimi për nisjen e procedimit penal ka ardhur dy javë pas dorëzimit në Prokurorinë e Përgjithshme të padisë së ILDKPKI për deputetin Ridvan Bode, njëherësh edhe ish-ministër i Financave. Më datë 7 prill 2015, Inspektorati i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive deklaroi se ka bërë padi penale në Prokurorinë e Përgjithshme për Ridvan Boden në lidhje me çështjen e pasurisë. Pas regjistrimit të procedimit penal, Prokuroria pritet të kryejë verifikimet e nevojshme në banka dhe në zyrat shtetërore të pasurive në lidhje me pronat që pretendohet se nuk janë deklaruar nga ish-ministri dhe të afërmit e tij.

Ridvan Bode

HETIMI

Ai u denoncua për ndjekje penale për dy akuza: “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Prokuroria e Përgjithshme mori në shqyrtim kallëzimin i cili ndonëse nuk është bërë publik, mësohet se e fajëson ish-ministrin e Financave për fshehjen ose mosdeklarimin e 500 mijë eurove prona e llogari bankare në emër të tij dhe të familjarëve. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë dje se regjistrimi i procedimit është bërë për nevoja procedurale. Grupi i hetimit ka bërë me dije se veprimet e nevojshme hetimore për këtë çështje nuk mund të kryheshin pa regjistruar procedimin penal që u jep mundësi hetuesve të bëjnë verifikimet e nevojshme. Më konkretisht, mësohet se në ditët e ardhshme pritet që ishministrit t’i dërgohet një ftesë për t’u paraqitur për të dhënë sqarime. Ftesa për Boden do të bëhet për të dëgjuar argumentet e tij pasi ish-ministri nuk ka dhënë shpjegime as në ILDKP gjatë hartimit të padisë penale të ngritur ndaj tij.

Dy akuzat, sa rrezikon të dënohet Bode

 Dy akuzat për të cilat është kallëzuar për ndjekje penale ish-ministri Ridvan Bode parashikohen si vepra penale dhe janë të dënueshme sipas ligjeve në fuqi. Njëra akuzë që i bëhet ish-ministrit është ajo e bazuar në nenin 257/a të Kodit Penal, ku thuhet se “refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë së personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

Sipas këtij neni të Kodit Penal, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Vepra tjetër penale për të cilën është paditur Bode, është pastrimi i produkteve të veprës penale sipas nenit 287 të Kodit Penal, vepër kjo që ka një dënim me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

NGA TRAZHGIM SOKOLAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura