BESARTA BASHA/ Çdo i porsalindur që vjen në jetë në një nga dy maternitetet shtetërore “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni” nuk do të trajtohet më me bonusin e bebeve nga bashkia.
Çeku prej pesë mijë lekësh në formën e një bonusi për çdo jetë të re që i shtohet qytetit, do të zëvendësohet me një shportë me produkte që do të blihen nga bashkia.
SHPORTA E BEBES
Lista me gjërat elementare që prindërit mendohen shumë dhe i zgjedhin me përkujdes shumë kohë përpara se të vijë në jetë i/e vogla e tyre, do të vijë dhuratë nga bashkia.
Shporta përmban gjithë çfarë u duhet bebeve, që nga pelenat njëpërdorimshme, letrat e lagura, kremin, vajin biberonin fals e deri te libërthi për kujdesin ndaj fëmijës në vitin e parë të jetës. Të gjitha këto blerje do të bëhen përmes prokurimit publik. Do të jenë përfaqësuesit e bashkisë, ata që do të sigurohen që vlera e shportës të mos e kalojë shumën që jepte dikur bashkia në formën e bonusit cash.
“Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale propozon që kostoja e parashikuar për një ‘Shportë bebeje’, të përbërë prej produkteve të mësipërme, të mos e kalojë shumën maksimale 5.000 lekë për çdo fëmijë të lindur që regjistrohet”, citohet në vendimin që do të merret këtë të mërkurë nga Këshilli Bashkiak, pa dhënë arsye për rrëzimin e atij të vitit 2007 për bonusin e të sapolindurit.
KUSHTET
Jo të gjithë banorët e rinj kryeqytetas përfitojnë nga projekti “Shporta e bebes”. Ata që lindin në spitale private apo ata që nuk kanë pasaportizim në Tiranë (së paku njëri prind) nuk marrin shportë.
“Synimi i kësaj shporte është mbështetja në ditët e para të lindjes me produktet e nevojshme dhe të domosdoshme për çdo nënë, e cila ka sjellë në jetë të një bebe. Sa më sipër, ‘Shporta e bebes’ i jepet nënës nëse plotëson një nga kriteret e mëposhtme:
1. Të dy prindërit janë me vendbanim të përhershëm në Bashkinë Tiranë dhe foshnja ka lindur në maternitetin publik “Mbretëresha Geraldinë” ose “Koço Gliozheni”. 2. Një prind është me vendbanim të përhershëm në Bashkinë Tiranë dhe foshnja ka lindur në maternitetin publik “Mbretëresha Geraldinë” ose “Koço Gliozheni”, thuhet në relacionin e projektvendimit të nisur për miratim në Këshill.
Procedurat e përfitimit do të përcaktohen në kontratën e lidhur ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe subjektit që do fitojë tenderin për blerjen e produkteve. Shpërndarja e “Shportës së bebes” do të realizohet pranë njësive administrative, bazuar në numrin e lindjeve të regjistruara nga punonjësit e gjendjes civile pranë institucioneve shëndetësore, ku foshnjat kanë lindur.
Kusht është aplikimi brenda 30 ditëve nga lindja e bebit. Ndërsa bashkia do të kujdeset që shporta të merret jo më larg se dy javë pas marrjes së kërkesës.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al