Nuk taksohen profesionistët e lirë, taksohet shtresa e mesme!

Jun 25, 2024 | 9:06
SHPËRNDAJE

NGA JORIDA TABAKU jorida tabaku

Mbase këtë javë Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim në lidhje me padinë e dorëzuar nga Grupi Parlamentar i PD dhe mbi 6 grupe interesi nëse taksimi për profesionet e lira është në shkelje të Kushtetutës, sikundër pretendojmë. Gjithsesi, debati ka arritur në një pikë ku palët po diskutojnë mbi llogore, nëse duhet apo jo të taksohen profesionet e lira. Problemi themelor që kemi parë nga shtatori 2013 kur qeveria socialiste erdhi në pushtet është çedukimi fiskal. Që në paketën e parë fiskale të vitit 2014, socialistët implementuan të ashtuquajturin taksim progresiv, ndërkohë që ndërruan regjimin e taksave nga i sheshtë në taksim progresiv për punën, të ardhurat që sigurohen prej punës tatohen deri në 23% nga ana e qeverisë, ndërkohë që një biznes i madh taksohet 15%.

Duke taksuar punën nën moton e një taksimi të drejtë, socialistët u hapën rrugën formulave dhe skemave për t’i ikur taksimit të punës me 23% dhe kështu profesionistët e lirë nisën të hapnin NIPT për të ofruar shërbimin e tyre në këmbim të një biznesi të vogël. Për njëmbëdhjetë vite me radhë çedukimi tatimor ishte sjellja që qeveria i mësonte publikut. Ndonëse në Shqipëri janë kryer mbi 23 ndryshime fiskale, apo më saktë mbi 2 ndryshime fiskale për vit në dhjetë vitet e fundit, qeveria socialiste e taksimit të drejtë kurrë nuk u angazhua për të ndryshuar apo rakorduar politikat fiskale ashtu që të vlerësonte punën, dijen, shkollimin dhe investimin në profesion. Fatkeqësisht të gjitha këto ndryshime janë më së shumti interesa klienteliste të vogla, që fatkeqësisht parlamenti noter dhe autor i mbi 12 ligjeve me porosi i ka miratuar. Këto ndryshime ligjore dhe politika çedukuese kanë prodhuar një sistem të korruptuar fiskal, që rëndon në kurriz të shtresës së mesme, ndërkohë që ofron lehtësira fiskale për një pakicë që jo rastësisht përfiton edhe fondet e buxhetit të shtetit.

Kështu, taksimi i profesionistëve të lirë është një vazhdim i trishtë i këtij sistemi dhe këtyre politikave. Inkonsistenca e sjelljeve të qeverisë ka qenë produkt i një barre të vështirë fiskale, që është dashur të mbahet mbi shpinë nga shtresa e mesme. Mirëpo qeveria socialiste në retorikën e tyre djallëzore që hidhet për të mbrojtur këtë taksë artikulon se profesionistët e lirë nuk paguajnë asnjë taksë, ndërkohë që një i punësuar paguan TAP deri në 23%. Përtej këtyre alibive që më shumë kërkojnë të vendosin kundër njëri-tjetrit qytetarët, e vërteta është që një i vetëpunësuar (pra, profesion i lirë) dhe një i punësuar janë dy entitete të ndryshme juridike. Mjafton të themi që një i vetëpunësuar duhet të gjejë vetë punën, të paguajë taksa bashkiake, të ketë shpenzime me qiratë, dritat, sigurimet shoqërore/shëndetësore dhe gjithashtu edhe TAP për pagesën e tij. Ndërsa nga ana tjetër, një i punësuar është totalisht i mbrojtur nga Kodi i Punës dhe ka një kontratë punësimi.

Me pak fjalë, përpjekja e qeverisë është të krahasojë mollët me dardhat duke u përpjekur të justifikojnë kështu veten e tyre. Fatkeqësisht shterpësia e argumenteve politike dhe teknike të qeverisë evidentohet sidomos gjatë shqetësimit se me ligjin e ri të miratuar nga qeveria socialiste, një profesionist i lirë (që bën xhiro deri në 14 mln lekë) do të paguajë 23% taksa dhe kjo do të thotë më shumë se sa një biznes i madh, që paguan 15%. Në përgjigje të kësaj, qeveria argumenton që biznesi i madh paguan në fakt 23% taksa. Në këtë përfundim, qeveria vjen pasi bën aritmetikën e 15% taksim mbi të ardhurat + 8% e dividentit. Edhe në këtë rast dashakeqësia e saj për të justifikuar një veprim tërësisht të padrejtë e shtyn të nxitohet. Fakti është që taksimi dividentit nuk zbatohet mbi kompaninë, por mbi atë që përfiton nga dividenti, pra mbi aksionmbajtësin dhe jo mbi kompaninë.

Me pak fjalë, një biznes i madh taksohet me 15%, ndërkohë që një i vetëpunësuar taksohet me 23%. Së fundi, por jo nga rëndësia, duhet të adresoj akuzën se shteti nuk mbahet dot pa taksa. Siç e përmenda më sipër, në asnjë moment nuk është pohuar që profesionet e lira nuk duhet të kenë taksa. Në fakt, ka qenë qeveria socialiste, që në janar 2021 u tha bizneseve të vogla (përfshirë dhe profesionistëve të lirë) që deri në vitin 2029 do të kishin 0 taksa. Madje, kur FMN dhe Banka Botërore këmbëngulnin që një politikë e tillë fiskale të mos implementohej, madje kërkonte që çdo përjashtim nga taksat të rrëzohej, qeveria këmbëngulte për të kundërtën.

Aludime se opozita apo dhe grupet e interesit të profesioneve të lira nuk duan taksim janë joserioze. E vërteta është që të gjitha palët që kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese këtë projektligj kërkojmë që taksimi të jetë i drejtë dhe proporcional, të mos cenojë sigurinë juridike të një biznesi. Kjo do të thotë që ata të rinj si artistët freelancer, dezajnër, arkitektë interior, fotografë/videografë apo dhe webdseign që kanë hapur një NIPT pas premtimit të rremë të kryeministrit se deri në 2029 do kenë 0 taksa, nuk duhet të lihen në mëshirë të fatit dhe në harresë. Kreditë që kanë marrë sepse i besuan një qeverie që bëhet socialiste përpara zgjedhjeve dhe një ditë pas rikthehet në origjinën klienteliste, nuk mund t’u ngarkohen edhe taksat që me përllogari shkojnë deri në 50% të fitimit. Sistemi korrupt që ka ngritur qeveria socialiste ka rënduar shtresën e mesme dhe i dhuron një pakice përjashtime. Ky është një sistem aq i padrejtë, saqë qeveria mbyll veshët kur FMN dhe Banka Botërore i kërkojnë heqjen e përjashtimeve për hotelet me 5 yje dhe rezortet me 5 yje, por ama kërkesat e këtyre dy institucioneve të respektuara për heqjen e përjashtimeve nuk mendohet dy herë për t’i sjellë si argumente, ndërsa mbron taksimin e shtresës së mesme.

Duke provokuar një pabarazi të thellë ekonomike mes bizneseve edhe në një farë mënyre duke provokuar një monopol apo oligopol, pasi këto taksa do të largojnë dëshirën e të rinjve për të riskuar përmes sipërmarrjes dhe duke rritur numrin e atyre që largohen. E gjitha kjo në një kohë ku Saharaja e mendjes është në Shqipëri. Prej 3 mandatesh, qeveria socialiste ka taksuar punën, mendjen, dijen dhe investimin në to. Që prej vendosjes së taksës progresive për të ardhurat nga puna, kur ka unifikuar këtë taksim për ata të dypunësuar që harxhojnë ditën duke punuar dhe taksohen më shumë se sa oligarkia.

Qeveria socialiste është e qartë në politikën e saj fiskale; ajo takson shtresën e mesme ndërkohë që u ofron lehtësira fiskale asaj pakice, që tanimë kontrollon tregun. Diferenca është e qartë; mes atyre që besojnë tek tregu i lirë, taksat e ulëta, vlerësimi punës dhe krahut tjetër që beson tek oligopoli si formë tregu, taksat e larta për shumicën dhe tolerancë për shumicën. Prandaj dhe në Kuvend të gjithë jemi të qartë; një shumicë socialiste që ngre kartonin për ligjet me porosi dhe një opozitë që kërkon të sjellë ndryshimin, që kërkon kushdo që ndjehet i tradhtuar dhe mbitaksuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura