Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend propozimet e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pasi nuk u dakordësuan me opozitën në grupin e dialogut.
Në nismën e propozuar nga PS adresohet vetëm reflektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që cilat janë detyrim për Kuvendin. Ndërsa janë përcaktuar modalitete që bëjnë të zbatueshme votën e emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare vitit 2025.
Sipas propozimit të maxhorancës, votimi i emigrantëve do të bëhet nëpërmjet postës.
“KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin jashtë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në “Neni 25/1″.
“Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit”.
Gjithashtu, është propozuar formula e re e percaktimit të herësit në ndarjen e mandateve brenda partisë/koalicionit.
Herësi, sipas formulës së re të propozozuar nga PS, nuk do te jetë më i madh se 7000 vota.
“Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi i ndarjes së mandateve. Në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7.000 vota. Në rast se herësi i ndarjes së mandateve që përfitohet nga pjesëtimi si më lart është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt”, shkruhet në neni 163, pika 3.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al