Numrat e Dibrës

Oct 18, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

sHEREFEDIN-sHEHUSHEREFEDIN SHEHU

Deri më sot janë bërë disa analiza për zgjedhjet në Dibër. Përfundimet e tyre bazohen më shumë në eksperiencat dhe tendencat historike, brenda dhe jashtë Shqipërisë, sesa në realitetin shqiptar dhe faktet konkrete nga procesi zgjedhor në Dibër. Kjo më nxiti që të bëj një paraqitje të fakteve të ndodhura në periudhën parazgjedhore dhe në muajin e fushatës elektorale, të cilat flasin qartë për presionin qeveritar të gjithanshëm dhe blerjen masive të votave. Fakti më i dukshëm është se kandidati fitues mori 4000 vota më shumë se humbësi.

Ky fakt është lexuar dhe interpretuar si një fitore bindëse dhe që i mbyll gojën humbësit. Por fakti i ruajtjes së numrit të votave nga koalicioni humbës tregon se këto vota iu përkasin votuesve të shtuar me presion në këto votime. Ata janë detyruar që të shkojnë në votime mbasi pjesëmarrja ishte më e larta që prej vitit 2000. Rritja e pjesëmarrjes dhe votimi i tyre për Qeverinë nga ana tjetër nuk është një tendencë normale. Përgjithë- sisht rritja e pjesëmarrjes në votime ndodh kur qytetarët duan të ndëshkojnë Qeverinë e tyre dhe ta ndryshojnë atë.

Ndërsa votimi nga votuesit e shtuar në favor të Qeverisë tregon se ata ishin njerëz të blerë dhe të sjellë nga Qeveria për të votuar në favor të saj, mbasi Qeveria është në ditët e saj më të këqija, ishte shkaku i zgjedhjeve të parakohshme dhe koalicioni real i saj në Dibër nuk garanton përmirësim të qeverisjes. Rritja e pjesëmarrjes në votime në favor të Qeverisë u realizua duke abuzuar me të gjitha burimet njerëzore dhe financiare, të ligjshme dhe të paligjshme, në dispozicion të Bashkisë.

Qeveria, në mënyrë të qëllimshme, e la qeverisjen e Dibrës gjatë periudhës maj-shtator në duart e një force politike që nuk përfaqëson vullnetin popullor dhe nuk jep llogari para qytetarëve. Kjo mungesë llogaridhënieje hapi të gjitha shtigjet për abuzime me punësimet pa kufi dhe fondet marramendëse të shtuara nga Qeveria në këtë periudhë. Në periudhën qershor-gusht, në Bashkinë Dibër janë bërë punësime masive të paligjshme. Gjatë kësaj periudhe janë punësuar 188 persona mbi numrin e punonjësve të miratuar nga Këshilli Bashkiak dhe pa asnjë procedurë konkurrimi dhe transparence.

Këshilli Bashkiak i Dibrës, më 29 shkurt 2016 kishte miratuar numrin total të të punësuarve për 496 persona. Më 26 korrik 2016, kryetari pa mandate propozoi rritjen e tij edhe me 61 punonjës të tjerë dhe Këshilli Bashkiak i dominuar nga koalicioni qeverisës e miratoi atë. Kështu, numri i miratuar i punonjësve u bë 557, por kryetari pa mandat punësoi edhe 188 punonjës mbi këtë numër, duke e çuar numrin e të punësuarve në fund të gushtit në 745 ose 34.5% më tepër sesa numri i miratuar.

Si rezultat, të dhënat e sistemit të Thesarit tregojnë se fatura mujore e pagave në Bashkinë Dibër nga 29.5 milionë lekë që ishte në muajin maj, u rrit në 35.2 milionë lekë në muajin gusht ose 5.7 milionë lekë më shumë. Të punësuarit në administratën qendrore dhe lokale, të ligjshëm dhe të paligjshëm, ushtruan presion të hapur për heqjen e ndihmës ekonomike ose shtuan përfituesit e ndihmës ekonomike në këmbim të votës. Një program i njohur televiziv tregoi se në periudhën majgusht vetëm në njësinë administrative Maqellarë, që përfaqëson 1/15 e njësive administrative të Dibrës, është rritur me 83 familje numri i përfituesve të ndihmës ekonomike.

Ndërsa të dhënat e sistemit të Thesarit tregojnë se në Bashkinë Dibër fatura mujore e ndihmës ekonomike nga 30.3 milionë lekë që ishte në maj, u rrit në 34.8 milionë lekë në gusht ose 15 për qind më shumë. Qeveria e zgjidhi qesen për të fituar zgjedhjet në Dibër. Shuma e financimeve nga Qeveria, numri i tenderave dhe shumat e tenderuara gjatë muajit gusht janë më të mëdha se ato të realizuara në 3 vitet e kësaj Qeverie. Të dhënat e Agjencisë së Prokurimit Publik tregojnë se në periudhën korrik-gusht 2016, kryetari pa mandate ka shpallur dhe firmosur mbi 30 tendera, shumica e të cilëve kanë qenë premtime të kandidatit të Qeverisë në fushatë.

Në periudhën korrik-gusht 2016 janë lidhur 14 kontrata me prokurim të drejtpërdrejtë, pa konkurrim, shumica e të cilave për investime elektorale si rikonstruksione, sistemime, kanale, rrugë lagjesh e blerje materialesh. Gjatë muajit gusht janë shpallur 9 fitues tenderash të mëdhenj në shumën 430 milionë lekë pa përfshirë në të tatimin mbi vlerën e shtuar që përfaqëson 20% të kësaj vlere. Kështu, shuma e financimeve është mbi 5 milionë dollarë dhe Dibra nuk e ka marrë një shumë të tillë në 4 vitet e fundit të marra së bashku. Tenderat më të mëdhenj janë fituar nga ofertuesit më të shtrenjtë dhe për to janë bërë me ngut pagesat paradhënie, të cilat janë përdorur për të blerë votat.

Ndër to, dy tenderat më të mëdhenj, Bulevardi i qytetit Peshkopi, me një gjatësi 800 metër dhe me vlerë 265 milionë lekë pa TVSH, dhe shkolla Maqellarë, me vlerë 80 milionë lekë pa TVSH, janë fituar nga e njëjta kompani, e cila është e lidhur me kupolën e Partisë Socialiste. Përveç burimeve të mësipërme, tashmë është provuar se edhe kultivimi masiv i drogës është mbështetur nga Qeveria dhe në Dibër është përdorur edhe për qëllime elektorale. Të gjitha burimet dhe mekanizmat e përdorura nga Qeveria vlerësohen të kenë siguruar të paktën 6 mijë vota për kandidatin e Qeverisë.

Këto u shoqëruan edhe me presione ndaj votuesve, të cilat u dukën qartë në përpjekjet e mëdha për fotografimin e votës, që janë dokumentuar në të paktën 18 qendra votimi. Por ka edhe një numër tjetër të rëndë- sishëm, që është ai 14.500 votave të kandidatit humbës. Ky numër tregon se edhe në kushtet e varfërimit ekstrem dhe presionit të madh qeveritar, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve nuk u dorëzuan.

Kjo pjesë është e rëndësishme për të mos humbur shpresat, por edhe për t’u konsideruar nga fituesit. Konkluzioni i një analize politike është se PD vazhdon të ruajë mbështetjen e madhe në Dibër dhe humbja nuk erdhi nga braktisja e saj prej votuesve, por nga sjellja në votim e një segmenti që për shumë arsye nuk kishte marrë pjesë në zgjedhje. Por rezultati i zgjedhjeve në Dibër është një kambanë alarmi se në Shqipëri nuk do të ketë zgjedhje të lira ku rezultati të përfaqësojë vullnetin e qytetarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura