Ekipi i nxënësve nga shkolla ‘Ded Gjo Luli’ nga Hot i Ri, Shkodër fitoi vendin e parë në Sfidën e tretë të Kodimit, organizuar nga British Council si pjesë e programit “Shkollat e Shekullit 21”. Qëllimi i këtij eventi ishte që të frymëzonte nxënësit të përdornin kodimin në zgjidhjen e problemeve të jetës së përditshme të cilat ata identifikuan në shkollat e tyre dhe në komunitetin lokal.
Emri i projektit fitues është ‘Komuniteti im’. Duke përdorur kodimin, mendimin kritik dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve, të cilat u mësohen në programin “Shkollat e Shekullit 21”, ekipi i nxënësve të rinj Marija Pllubaj dhe Marin Dedvukaj, me mbështetjen e mësueses së tyre Jasmina Bajraktari, zgjidhën problemin e shpyllëzimit, përmbytjes, sinjalistikës, ekosistemit, parashikimit të motit si dhe disa lojërave antistres për fëmijët gjatë periudhës aktuale të pandemisë.
“E shijova vërtet shumë kodimin me mikrobit. Shoku im dhe unë ia dolëm të punonim si një ekip dhe të krijonim një prototip tërësisht funksional të problemeve të ndryshme që prekin komunitetin tonë. Padyshim që të nxënit është më argëtues kështu.” – u shpreh një nga fituesit.
Pavarësisht pandemisë dhe mësimit në distancë, mësuesit dhe nxënësit treguan aftësi përshtatëse dhe gatishmëri të madhe për të krijuar projekte inovatore dhe për të qenë pjesë e garës. Procesi i aplikimit, si dhe vetë Sfida e Kodimit u zhvillua online, për të mbrojtur të gjithë personat e përfshirë. Nga 145 që aplikuan, dhjetë ekipet më të mira të shkollave u përzgjodhën për t’i prezantuar projektet e tyre përpara jurisë.
Deklarata e zv. Ambasadorit z. Jason Ivory
Projekti “Shkollat e Shekullit 21’’ është partneriteti më i rëndësishëm arsimor mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Është me rëndësi të madhe që nxënësit nga Shqipëria të kenë gjithashtu mundësinë të jenë në kontakt me të njëjtat mjete mësimore të përdorura nga fëmijët në Mbretërinë e Bashkuar, pasi kjo pastron hendekun dixhital midis tyre dhe u jep atyre mundësi të barabarta pune në të ardhmen.
Deklarata e zv. Ministres znj. Nina Guga
Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, tashmë kanë një qasje më bashkëkohore në metodën e mësimdhënies dhe përmirësimin e bashkëpunimit dhe komunikimit të ndërsjelltë me mësues të tjerë në Ballkanin perëndimor dhe më gjerë. Duke ju përgëzuar për punën e bërë deri tani jam shpresëplotë se ky projekt do të masivizohet më shumë dhe idetë tuaja inovative e kreative do të gjejnë zgjidhje nëpërmjet pajisjeve teknologjike.
Rreth Programit “Shkollat e Shekullit 21″
Programi “Shkollat e Shekullit 21” është një program ambicioz trevjeçar me vlerë 10 milionë paund, i financuar nga qeveria e MB-së, i hartuar dhe zbatuar nga British Council për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Programi po zbatohet në partneritet me institucionet arsimore përkatëse në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe synon të mbështesë mbi 1 milion nxënës të moshave 10-15 vjeç në zhvillimin e kodimit, mendimit kritik dhe aftësive të zgjidhjes së problemeve, duke ofruar mundësi më të mira për punësimin e të rinjve dhe si pëfundim të mbështesë zhvillimin ekonomik.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al