Onkologjiku dhe “banalizimi i së keqes”…

Jul 1, 2024 | 11:20
SHPËRNDAJE

NGA GËZIM TUSHI gezim tushi

Ngjarja e ndodhur pak ditë më parë me pacientët e Onkologjikut dhe marrëdhëniet e tyre me spitalin si institucion dhe mjekët si interpret dhe aktorë të tij, në një realitet tjetër social dhe urban do të ishte tejet tronditëse. Për fat të mirë, sipas rregullit të përgjithshëm dhe mënyrës tradicionale të reagimit të opinionit publik, në këto ditë të para pas skandalit, duket se ka një sensibilitet të social të dukshëm. Shoqëruar edhe me reagime të forta morale, profesionale e juridike. Por problemi është se sa në këtë shoqëri heterourbane, kaotike të anonimizuar kjo ngjarje mund të shërbejë jo vetëm si “casus beli” për veprimet dhe masat kundërreaguese ndaj ngjarjes revoltuese, por kryesore dhe mbi të gjitha është skepticizmi social se sa e deri në çfarë niveli do përdoret ngjarja sociale përtej “portave” të Spitalit Onkologjik si moment reflektimi për të rishikuar me përgjegjësi “kartat” e politikave shëndetësore në këtë vend. Dhe sidomos për të marrë masa “prej vërteti” për të ndryshuar radikalisht gjendjen, statusin dhe deontologjinë e munguar apo të cenuar rëndë të institucioneve mjekësore publike. Pa bërë “strucin” dhe pa u fshehur përballë mëkateve të sistemit të shëndetësisë, duhet pranuar se ngjarja e Onkologjikut është “maja e ajsbergut”, që tregon se sistemin jo vetëm e ka kapur e keqja moralisht degraduese, por ajo po banalizohet duke përfshirë prej kohësh edhe aspektet sociale e medikale. Personalisht mendoj se ngjarja nuk është as e thjeshtë as aksidentale. Ajo është një ngjarje dimensione shumëpërmasore: Mjekësore, Etike dhe padyshim edhe Politike.

Në këto kushte, këto ditë pas publikimit të skandalit tronditja e shoqërisë është bashkuar me atë të pacientëve me sëmundje specifike në shkallë të ndryshme agravimi. Një situatë tuerbulente dhe revoltuese që është e natyrshme, e ligjshme, revoltuese. Por jo më pak është i shqetësuar për këtë ngjarje, me të drejtë është edhe fryma e përgjithshme mospajtuese e kontestuese e opinionit publik. Kjo tronditje ka shkaqet e veta materiale dhe psikologjike.

Së pari, nuk ka turp më të madh, mbase edhe veprim amoral të shëmtuar sesa të lozësh me pacientin, të sëmurin fatkeq, me fiziologjinë e sëmundjes së tij, veçoritë patologjike të diagnostikimit dhe terapisë së vështirë. Por ajo që është akoma më shqetësuese, ka të bëjë me faktin se këto veprime kanë efekte të thella vrastare, me natyrë psikologjike (që në këto raste është një aleate shumë e mirë e sëmundjes), nga që lidhet dhe ka efekte degraduese e paralizuese mbi psikikën dhe shëndetin e dërmuar nga sëmundja kronike e recidiviste e pacientit. Një pasojë që në këtë rast është një lidhje bivalente, midis sëmundjes që për shkak të natyrës së diagnozës është vështirë dhe shumë e mundimshme për të dominuar dhe kuruar dhe sjelljes individualisht abuzive dhe veprimeve korruptive të mjekëve të tillë, me sjellje minimalisht antihumane. Në këtë kontekst janë serioze efektet psikologjike të sjelljes së mjekëve të Spitalit Onkologjik, si veprime anormale e të kundër natyrshme, cinike e pragmatiste, që nuk janë fare të dobishme për shëndetin e pacientëve. Përkundrazi janë sjellje e veprime “aleate me vdekjen”.

Pacientët që janë qenie njerëzore të barabarta me mjekët e tyre, me këtë lloj trajtimi në vend që të kenë besim te mjeku dhe të optimizohen nga trajtimi medikal korrekt, bien në gjendjen e pasivitetit dhe pesimizmit të skajshëm, që është në kundërsens me nevojat e shëndetit të tyre fiziologjik dhe psikologjik.

Nuk e di si do vlerësohet si rast unikal apo strategjikisht ndodhia e Spitalit Onkologjik. Por unë besoj se nuk është ngjarje e thjeshtë që duhet “sfumuar” apo neglizhuar me amnezinë e zakonshme sociale që ka kapur shoqërinë tonë, ajo që ka ndodhur me mjekët e onkologjikut. Është një sjellje me pasoja sociale e mjekësore të pallogaritshme, sepse së pari dhe mbi të gjitha, kjo ngjarje (që nuk është e vetmja) ka tronditur besimin e qytetarëve në përgjithësi dhe pacientëve veçanërisht, tek efektet shëruese dhe qetësuese të spitalit dhe kredibilitetin moral e profesional të “bluzave të bardha”.

Prandaj unë mendoj ngjarja nuk duhet parë dhe vlerësuar në mënyrë empirike si një “skandal i radhës”, që do zgjasë disa ditë e që pastaj do mbyllet si gjithë ngjarjet e tjera. Ky është pozicioni më të cilin është mësuar, përshtatur dhe adoptuar shoqëria shqiptare, opinioni publik, veprimet e organeve të drejtë sisë, sensibilitetet e medias dhe pasojat që vijnë nga kërkesat dhe parimet strikte të deontologjisë profesionale të mjekësisë profesioniste.

Këto qëndrime negative, indiferente, stereotipike dhe të pranuara si realitete normale të shoqërisë, që funksionon mbi bazën e parimeve të ekonomisë së tregut, të konceptuara në mënyrë banale e merkantiliste, janë realitet i padyshimtë, të cilat në vend të ndikojë në përmirësimin e shëndetit të shoqërisë dhe institucioneve të saj, po sjell trashjen e “llumit” të papërgjegjshmërisë profesionale e të sidomos të korrupsionit” në institucione të tilla delikate të lidhura me jetën e individit dhe shëndetin e popullatës në tërësi.

Nëse ngjarjen do ta shikojmë me optikë sociale më të përgjithësuar, është fare logjike të themi se veprimi i mjekëve është anormal, ndoshta besoj edhe kriminal (por këtë e ka të drejtë dhe do ta thotë drejtësia). Mbi të gjitha, është turpi social dhe profesional, nga që tërësia e veprimeve të tyre është përtej betimit dhe domosdoshmërisë hipokratike, si detyrë e institucionit dhe mjekëve për të bërë gjithçka duhet për të mbrojtur shëndetin e të sëmurit me çdo çmim. Por nga ana tjetër krahas shkeljes së “domosdoshmërisë hipokratike”, veprimet e mjekëve të onkologjikut kanë shkelur edhe parimet e domosdoshmërisë humane, si detyrë dhe përgjegjësi për të lehtësuar, zbutur vuajtjet, gjendjen e vështirë të të sëmurëve me sëmundje të rënda specifike, tumorale e terminale. Në këtë rast të sëmurët janë përballë me dy të këqija. Njëra objektive dhe lidhet me natyrën e vështirë të sëmundjes, tjetra subjektive që ka të bëjë me mjekun matrapaz e të pashpirt. Pacientët janë njerëz që kanë dinjitet dhe të drejtën universale të mbrojtjes së shëndetit. Ata janë nevojtarë përballë spitalit, por në asnjë mënyrë ata nuk janë “klone”, për plotësimin e dëshirave eksentrike të mjekëve. Sepse pikërisht zvarritjet, sorrollatjet në këto lloj sëmundjesh, mungesa e medikamenteve adekuate dhe sigurimi i tyre në kohën e duhur janë kundër parimit që sëmundjet qoftë edhe tumorale, përballohen më lehtë kur janë në gjendjen e tyre fillestare, se sa kur ato janë rrënjosur.

Po meqenëse ngjarja është e lidhur me funksionimin e rregullave dhe protokolleve të mjekimit spitalor, besoj se ngjarja është e mjaftueshme që edhe spitalet të shikojnë “veten” dhe përgjegjësitë e tyre. Ka kohë që flitet për shumë anomali në spitale dhe për procedurat burokratike e korruptive të mjekimit dhe trajtimeve spitalore. Por deri tani analizat dhe diagnostikimet për rolin dhe funksionimin e këtij institucioni specifik, ose kanë qenë empirike, të sipërfaqshme, të politizuara, të vendosura në “ping-pogun” e banalizuar të luftës politike që bëhet në këtë vend.

Në këtë kontekst, ngjarja është e mjaftueshme që këto institucione kombëtare, rajonale apo lokale qofshin, duhet t’i shohim me shumë përgjegjësi e seriozitet. Ato janë institucione që kanë nevojë për vete për të bërë me “urgjencë” diagnostikim të “patologjive institucionale”, pse jo edhe për një “kirurgji të brendshme” restauruese për t’i sjellë këto institucione të rëndësishme të jetës publike në misionin dhe funksionin e tyre të pritur e të merituar. Më shumë inteligjencë dhe mprehtësi sociale, duke parë anomalitë spitalore, filozofi dhe sociologu i shquar Edgar Morin thotë se, “Nëse ka një vend njerëzie është pikërisht spitali. Dhe nëse ka një vend çnjerëzor është po ashtu spitali”.

Padyshim, është e vërtetë që deri tani është folur për shumë politika e janë ndërmarrë disa reforma për të shëndoshur gjendjen në spitalet tona. Por faktet dhe situata brenda këtyre institucioneve tregon qartë se rezultatet e tyre kanë qenë të pjesshme, të sipërfaqshme e ndonjëherë të dështuara.

Spitalet nuk janë institucione sikurse janë institucionet e tjera të jetës publike. Spitali është “vend me mision”, sepse vetë detyra e mbrojtjes së shëndetit të njeriut është detyrë misionare. Në këtë kuptim, mjekët duhet ta ndjejnë që nuk janë thjesht profesionistë, rrogëtarë apo të njerëz të etur për para. Ata janë misionarë. Kjo do të thotë që nga mendja e mjekëve tanë duhet “shkulur” ideja e trajtimit jo human, që e kthen të sëmurin në objekt të thjeshtë, ca më keq në objekt për ta zhvatur financiarisht e në mënyrë korruptive. Është koha kur duhet bërë gjithçka, për të shkulur nga rrënjët ndjenjën e pasurimit të padrejtë në kurriz të pacientit dhe në dëm të deontologjisë së profesionit të mjekut, duke zgjuar tek ata ndjenjën e tronditur të “njerëzisë potenciale”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura