Operacioni sekret/ Rrëfimi i Kadri Hazbiu në hetuesi: Eshtrat e Beqir Ballukut i nxorrëm nga varri dhe i dogjëm me acid! Si përgjoheshin shqiptarët nga Sigurimi

Mar 21, 2022 | 17:10
SHPËRNDAJE

Kadri Hazbiu-Beqir Balluku-eshtrat-acidAFRIM IMAJ/ “Eshtrat e Beqir Ballukut dhe gjeneralëve të tjerë të pushkatuar në vitin ‘75, janë nxjerrë nga varri dhe janë djegur me acid me një urdhër të fshehtë”. Dëshmia tronditëse e Kadri Hazbiut për këtë akt makabër është regjistruar në procesverbalin e hetimeve të datës 12 mars 1983.

Duke iu rikthyer ditëve të dënimit të Mehmet Shehut, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme zbërthen me detaje kronikën e kësaj ngjarjeje të pazakontë. “Fillimisht, kujton Hazbiu, pyeta Feçor Shehun nëse ishin dekompozuar kufomat e tradhtarëve të ekzekutuar në 1975. Kur më njoftoi se ishin hapur varret në Lincë dhe eshtrat e puçistëve ishin djegur me acid për të shpejtuar shpërbërjen e tyre, e urdhërova për t’i çuar diku gjetkë për të bërë të pamundurën, gjetjen e vendvarrimit të tradhtarëve”.

Veç këtij fakti të panjohur më parë, “Panorama.al” zbardh nga libri më i ri i studiuesit Kastriot Dervishi, “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, edhe pjesë të tjera të përgjigjeve të ish-kreut të Ministrisë së Brendshme mbi praktikat e ndjekura nga Policia Sekrete me armatën e madhe të kontigjentëve, shifrat e së cilës, sipas Hazbiut, në mesin e viteve ‘70 kalonin mbi 2000 vetë për çdo rreth…

12.3.1983 Pyetje:
E dini ju i pandehur vendin e varrimit të komplotistëve që u dënuan në vitin 1975? Përgjigje:

Atë e di si vend, por jo si pikë ekzakte. Këtë e di, sepse u interesova që të bëhej e pamundur gjetja e kufomave të tyre sido që të ndodhte, sepse kështu ishte edhe porosia. Pyetje: A jeni interesuar pas ekzekutimit të komplotistëve e sabotatorëve për varret e tyre?
Përgjigje:
Jam interesuar me sa kujtoj, pasi kam shkuar si ministër i Mbrojtjes para vetëvrasjes së tradhtarit Mehmet Shehu, kam biseduar me tradhtarin Feçor Shehu në telefon dhe e kam porositur që të shikonte, nëse ishin dekompozuar kufomat e tradhtarëve që ishin ekzekutuar në 1975.
Mbas disa kohësh, tradhtari Feçor Shehu më njoftoi se kishin shkuar dhe kishin hapur varret e dy sabotatorëve që ishin ekzekutuar e ishin varrosur në rajonin e Tiranës, të cilët sipas Feçorit nuk ishin dekompozuar. Ai më tha se kishin hedhur në varr klor apo acid, nuk e kujtoj mirë, për të shpejtuar shpërbërjen e kufomave. Me të e lamë që hapja e varreve të puçistëve të bëhej mbas një kohe. Këtë interesim unë e kam treguar, sepse doja që, pasi të dekompozoheshin kufomat e tyre, eshtrat t’i varrosnim nga vendi i parë dhe t’i varrosnim në një vend tjetër për të bërë të pamundur gjetjen e tyre, sepse kështu e kishim porosinë. Jam interesuar në atë kohë, sepse ka ardhur te unë personi që i kishin besuar ruajtjen e varreve dhe më ka thënë se ç’do të bëhet me ta, mbasi ne i kishim thënë atij idenë e varrosjes së eshtrave pas dekompozimit të kufomave. Këtë çështje unë ia kam ngritur edhe ministrit të Punëve të Brendshme pas arrestimit të tradhtarit Feçor Shehu, me qëllim që të merreshin masat e nevojshme sipas porosisë që ishte dhënë për varrosjen e eshtrave të puçistëve.
24.3.1983
Pyetje: Kush dhe me ç’qëllim ka përpiluar materialin me titull “Mbi evidencimin dhe kontrollin e kontigjentëve që ndiqen nga organet e punëve të brendshme”, i cili i është dërguar udhëheqjes së partisë më datë 21.9.1974?
Përgjigje: 
Mua nuk më kujtohet me ekzaktësi se kush e ka bërë materialin që m’u lexua dhe nuk kujtoj nëse këto na i kanë kërkuar ose e kemi paraqitur vetë, por për problemin e kontigjentëve, që është problem bazë për punën e Sigurimit të Shtetit dhe të Policisë, janë dhënë informacione herë pas here me iniciativë ose kërkesë nga lart. Për rastin konkret, ka mundësi që materialin bazë ta ketë përgatitur Drejtoria e Sigurimit të Shtetit dhe Drejtoria e Policisë, ndërsa dorën përfundimtare duke e gjykuar nga problemet që trajtohen dhe nga stili i të shkruajturit ia kam dhënë unë.

Këtë informacion e kemi bërë për të evidentuar gjendjen reale dhe pikëpamjet tona rreth këtij problemi për punën e mëtejshme me kontigjentët. Mendimet e shprehura në materialin e sipërm kanë qenë mendimet e mia për problemin e kontigjentëve.

Së pari, unë kam menduar që numri i përgjithshëm i kontigjentëve në atë kohë, që i binte mesatarisht mbi 2 000 veta për çdo rreth, ishte relativisht i vogël në raport me kompleksitetin e luftës klasore që zhvillohej. Së dyti, kam shprehur mendimin që evidenca e kontigjentëve që kishin organet e punëve të brendshme duhej të shfrytëzohej nga drejtuesit e ndërmarrjeve, institucioneve, organizatave të masave dhe të partisë në ndërmarrje për njohjen e njerëzve, kur ngrihen në përgjegjësi kur dalin jashtë shtetit, para se të diskutohet pranimi në Parti, sidomos i atyre që nuk janë vendas. Për këto raste mund të pyetej punëtori operativ i Policisë ose i Sigurimit se si e njeh personin e dhënë. Këto kanë qenë mendimet që kam unë për këtë problem, të cilat i kam trajtuar në materialin e përmendur.

25.3.1983
Pyetje: Në procesin e datës së djeshme ju i pandehur folët për relacionin që keni bërë në vitin 1974 për problemin e kontigjentëve. A keni marrë porosi për këtë problem nga tradhtari Mehmet Shehu në atë kohë? Nëse po, ç’porosi keni marrë?
Përgjigje: 
Mua nuk më kujtohet që të kem marrë ndonjë porosi nga tradhtari Mehmet Shehu për këtë problem, me gojë ose me shkrim. Pyetje: Në kopjen e këtij materiali që i është dërguar tradhtarit Mehmet Shehu, ndodhet një shënim i bërë prej tij, për të pasur parasysh vërejtjet që ju ka bërë me gojë ai. Çfarë vërejtjesh e mendimesh ju ka bërë e ju ka dhënë tradhtari Mehmet Shehu për problemin e kontigjentëve? Përgjigje: Unë nuk kujtoj se çfarë vërejtjesh ka bërë Mehmet Shehu për këtë problem, por edhe në qoftë se ka bërë të tilla, ato nuk kanë qenë të rëndësishme. Në parim ai ka pranuar mendimet tona për problemin që kemi parashtruar. E them këtë se po të kishte qenë e kundra, ai do të kishte bërë vërejtje në material, do të më kishte mbetur ndonjë problem në kujtesë.

Pyetje: Po udhëheqësi i partisë a e ka bërë vërejtje dhe a ka dhënë porosi për problemin e sipërm?
Përgjigje:
Unë nuk mbaj mend, por mund edhe të ketë dhënë. Di që mendimet tona u pranuan, mbasi nuk jam thirrur e të kem kritikuar për këtë problem, pse nuk është zbatuar vija e Partisë.
Pyetje: Mbi pikën e parë të këtij materiali, udhëheqësi i partisë ka bërë shënimin. Mund të shtohet, por edhe mund të pasohet kontigjenti, puna e revolucionare e partisë i ndreq dhe hiqen nga kontigjenti, sidomos të rinj, prandaj të ruhen kriteret, të shtohet vigjilenca dhe të ndiqen rrethanat e brendshme dhe të jashtme me kujdes, si lidhen kontigjentët me to. Nisur nga kjo vërejtje, a kanë qenë konceptet tuaja dhe praktika lidhur me kontigjentët në përputhje me vijën e partisë?
Përgjigje:
Oshilacionet në shifrat për kontigjentët që jepen në këtë raport, flasin për një moskuptim e moszbatim të drejtë kudo të udhëzimeve dhe kritereve të caktuara nga Ministria në bazë të vijës së partisë. Për këtë mbaj përgjegjësi unë si ish-ministër në atë kohë, zv. ministri për Sigurimin, Feçor Shehu, shefat e sektorëve përkatës e sektorët e drejtuesit në rrethe. Në këtë drejtim, vërejtja e udhëheqësit për ta parë problemin në brendësi dhe në thellësi, dhe jo në treguesit e jashtëm, është e lidhur me këto koncepte e praktika tonat që janë vërtetuar në atë kohë.

Pyetje: Kur tërhiqni konkluzionin se numri i kontigjentëve të evidencuara nga organet e punëve të brendshme ka qenë dhe mbetet ende i vogël, ç’përfundime nxirren për t’i pakësuar apo për t’i rritur ato?
Përgjigje:
Si rregull, për t’i shtuar ato, por kjo është e lidhur gjithnjë me zbatimin e kritereve që janë për këtë problem.
Pyetje: Veç problemit të sipërm, a janë bërë vërejtje të tjera në materialin që keni paraqitur për problemin e kontigjentëve?
Përgjigje:
Nuk më kujtohet nëse janë bërë vërejtje të tjera. Ndoshta janë bërë vërejtje nga sekretari i Komitetit Qendror të PPSH që merrej me organet e punëve të brendshme në atë kohë.
Pyetje: Kur trajtoni problemin e shfrytëzimit racional në kohë dhe për çdo gjë të evidencës së kontigjentëve shpreheni: “Kjo gjendje bën të detyruar një kujdes të posaçëm e punë serioze për njohjen e njerëzve në tërësi e sidomos të atyre që caktohen si kuadro në sektorë të rëndësishëm që propozohen të dalin jashtë shtetit etj. Ndoshta do të ishte me vend të theksohej se manifestimi, sado i pakët i një qëndrimi të tillë gjatë njohjes dhe verifikimit të kandidaturave që pranohen në parti, do të ishte edhe shumë më i dëmshëm”. Cili ka qenë qëllimi këtij propozimi që keni bërë?
Përgjigje:
Siç e kam shpjeguar edhe në procesin e mëparshëm për të ruajtur pastërtinë e njerëzve që vihen në punë në vende delikate për të evituar futjen e tyre kudo deri në parti të njerëzve jo të mirë e të panjohur, për shkak të lëvizjeve demografike, për të parandaluar daljen jashtë shtetit të njerëzve të panjohur mirë, kam shfaqur mendimin që evidencat e kontigjentëve mund të shfrytëzohen në dy mënyra kryesore, e para, që vetë punëtorët operative duhet t’u bënin prezent kontigjentët e hapur drejtuesve të ndërmarrjeve e institucioneve, si dhe organizatave të masave të pyeteshin nga punëtorët operativë përkatës, të cilët për kontigjentët e mbyllura, për të cilët nuk kishin të drejtë të njoftonin, duhet të njoftonin në rrugën përkatëse për të zgjidhur problemin. Di që ky propozim nuk u kundërshtua dhe për sa u përket organeve të punëve të brendshme, janë dhënë porositë përkatëse si më sipër d.m.th. që në qoftë se pyeten për kontigjentët e panjohur, të informonin instancat më të larta të tyre, të cilat duhet ta zgjidhnin çështjen nëpërmjet organeve të partisë.
Pyetje: A ju ka dhënë ndonjë porosi me shkrim apo me gojë tradhtari Mehmet Shehu për këtë problem? Nëse po, ç’porosi ju ka dhënë?
Përgjigje:
Mua nuk më kujtohet që për këto probleme të më ketë dhënë ndonjë porosi Mehmet Shehu.
Pyetje: Po udhëheqësi i partisë a ju ka dhënë porosi ose a ka bërë vërejtje për këtë çështje? Nëse po, ç’vërejtje ka bërë dhe ç’porosi ju ka dhënë?
Përgjigje:
Mua nuk më kujtohet se udhëheqësi i partisë të më ketë bërë vërejtje të veçantë për këtë problem.
Pyetje: Udhëheqësi i partisë në faqen 4 të këtij materiali, ku përmendet problemi që ju cituam më sipër, ka shënuar: “Ky vështrim është i gabuar. Është e palejueshme që të vëmë tërë njerëzit mbikëqyrje të Sigurimit, po ashtu edhe kuadrot. Sigurimi duhet të sinjalizojë partinë, por jo partia të pyesë për këdo Sigurimin, pastaj të vendosë”. Nisur nga këto vërejtje parimore, pikëpamjet tuaja dhe veprimet e kryera mbi këtë bazë a kanë qenë në përputhje me vijën e Partisë?
Përgjigje:
Është e qartë që pikëpamjet e mia të shprehura në material për problemin që u citua më sipër, d.m.th. që të bëhet kujdes i posaçëm e punë serioze për njohjen e njerëzve në tërësi etj., nuk janë të drejta e në përputhje me vijën e partisë, ashtu si i cilëson edhe udhëheqësi i parisë. Unë di që udhëzimet nga ne i janë dhënë bazës për të vepruar, siç e shpjegova më parë, që po të pyeten, të japin mendim për kontigjentët e mbyllura. Po kështu, mendimi për të pyetur edhe organet e Sigurimit për personat para se të pranohen në parti, duke shfrytëzuar gjithmonë evidencat e kontigjentëve të mbyllura, është i gabuar.
Pyetje: Me ç’qëllim i keni bërë këto propozime ju i pandehur?
Përgjigje:
Propozimet unë i kam bërë për të ruajtur pastërtinë e njerëzve që vendosen në vende të rëndësishme dhe për të evituar futjen në parti të njerëzve që kalojnë në evidencat e kontigjentëve të mbyllur të organeve të punëve të brendshme…
VIJON…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura