“Qemal Stafa”, historia 70-vjeçare e Stadiumit Kombëtar (Pjesa 1)

May 10, 2016 | 17:26
SHPËRNDAJE

NGA BESNIK DIZDARI

Indrodukt…

Me sa duket, erdhi edhe radha ime. Mbasi kanë folur, kanë kundërshtuar, kanë komentuar, kanë polemizuar, kanë akuzuar, kanë debatuar, kanë ironizuar kushedi sa të tjerë. Kësisoj të duket se jam i fundit. Ndonëse kam qenë i pari. Kam qenë i pari që kam kundërshtuar prishjen e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” qysh më 2010, kur në faqet gazetës “Panorama”, në dy shkrime analitike e problematike, kam kundërshtuar prishjen e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” për të ndërtuar mbi “gërmadhat” e tij, siç po duan ta përcaktojnë pa mëshirë sot një të ri.

1946. Vetëm pak ditë mbas përurimit, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” ” pret veprimtarinë e parë ndërshtetëse të futbollit e të atletikës në Europë: Lojërat Ballkanike. Loro Boriçi me Kupën e Kampionit të Ballkanit në majë të podiumit të fituesve.
1946. Vetëm pak ditë mbas përurimit, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” ” pret veprimtarinë e parë ndërshtetëse të futbollit e të atletikës në Europë: Lojërat Ballkanike. Loro Boriçi me Kupën e Kampionit të Ballkanit në majë të podiumit të fituesve.

Por para këtyre, po në 2010, në të përditshmen “Panorama”, përmes një shkrimi paraprirës kam dhënë alarmin për cenimin atletik në Shqipëri. Pata shfrytëzuar rastin e vizitës befasuese të Sergey Bubka-s, i cili, si zëvendëspresident i Federatës Botërore të Atletikës së Lehtë (IAAF), kishte marrë guximin për të ardhur në Shqipëri, e cila ende nuk kishte asnjë pistë olimpike atletike, pa dyshim i vetmi shtet në Europë (sepse edhe ajo e vetme e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” qe tejet e rënë).

Madje, thashë se më dukej sikur Bubka nxitoi të vinte në Shqipëri për t’i kujtuar asaj se ka edhe atletikë, se atletika kërkon pista e stadiume, se atletika nuk mund të përparojë kur rekordet e saj mbesin 30 e ca vjet pa u thyer, pa përparuar, siç ngjet vetëm në Shqipëri edhe për mungesë të pistave atletike.

E në atë shkrim përmenda se si mbasi kishte thënë me tri fjalë rëndësinë humane të atletikës, sidomos për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinisë, Sergei Bubka ishte larguar i qetë dhe i sigurt se Shqipëria mund ta organizonte Kampionatin Botëror të vrapimit malor, çka asokohe ajo e realizoi për bukuri. Edhe ngaqë ky kampionat i natyrës nuk kishte nevojë për pistë atletike olimpike.

Bubka, po aq sa sportin, na kishte kujtuar vlerën e madhe të atdhetarisë, në këtë rast përmes zhvillimit atletik të kombit. Kujtoja ndërkaq se Shqipëria nuk është pa një traditë atletike dhe se ajo Kampionatin e parë të saj Kombëtar në një sport e ka zhvilluar pikërisht në atletikën e lehtë, qysh në 1929, para futbollit pra!

E do të kisha dashur t’i tregoja Bubka-s se pikërisht në garën e tij, atë të kërcimit me shkop, Shqipëria e vogël kishte një traditë fort interesante, teksa kishte pasur rekordmenë deri në 3 metra e 40 centimetra (i pashlyeshmi Ibrahim Dizdari) qysh në vitet ’30, duke tejkaluar asokohe shumë shtete të botës.

1946. Lojërat Ballkanike. Hyrja e parë e udhëheqësve komunistë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa: Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Tuk Jakova
1946. Lojërat Ballkanike. Hyrja e parë e udhëheqësve komunistë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa: Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Tuk Jakova

Kur sapo kisha zbuluar se një tjetër atlet i famshëm shqiptar, të cilin nuk e ka nderuar askush deri më sot në Shqipërinë e tij, me emrin Filip Sosi, dy herë kampion Kombëtar i Shqipërisë (1929 dhe 1930) me Korçën, në maj të vitit 1934, në Bastia të Francës kishte arritur në kërcimin me shkop plot 3 metra e 75 centimetra, një rezultat sensacional shqiptar, kur dihej se rekordi i Botës asokohe ishte vetëm 4 metra e 37 centimetra!

Dhe sot, ja ku jemi ne që do t’ia shkatërrojmë, do t’ia zhdukim Stadiumit Kombëtar pikërisht pistën e tij, vetë atletikën, duke u bërë Tirana i vetmi kryeqytet në botë pa një pistë atletike. Kjo është arroganca e parë e asaj për çka titulluam: “Stadiumi Kombëtar: shuarja arrogante e një historie kombëtare”.

Kështu, me këtë introdukt, nis ky udhëtim i imi gazetarie kundër një arrogance, kundërshtimin ndaj së cilës e kam nisur qysh në 2010. Dhe këtë nuk e quaj meritë. Thjesht kam bërë detyrën si gazetar dhe si shqiptar.

THIRRJA TRONDITËSE E HISTORISË…

Historia gjithmonë thërret. Thërret me një zë ndoshta shpesh disi të heshtur, por mu në këtë heshtje qëndron madhështia e thirrjes së saj. Thërret në kuptimin që nobelisti Hermann Hesse e ka përcaktuar bukur kur thotë se “Historia nënkupton largimin prej kaosit, por në të njëjtën kohë nënkupton ruajtjen e besimit te rregulli”. E, dihet, pa historinë nuk mund të shkojmë askund. Mjerë ai që nuk e kupton këtë.

Për fat, jemi mu në 70-vjetorin e përurimit të stadiumit të parë modern olimpik në Shqipëri, atij që sot quhet “Qemal Stafa”: 1946- 2016. Ai stadium të cilin dy studiuese të reja italiane, Cecilia de Marco dhe Elisabetta Lorusso, në 2005 në Laurën e tyre universitare e kanë quajtur si “Një nga simbolet më të fuqishëm të ndikimit italian në Shqipëri, para se Shqipëria të kalonte në historinë e saj të Mbasluftës”.

Dhe është vërtet e çmueshme edhe për historinë tonë të kësaj sfere, që Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit Politeknik të Torinos i dërgonte në Shqipëri dhe ua detyronte si tezë Laure (Diplome) dy studenteshave në fjalë këtë temë pra: “Njohja, Ruajtja dhe Vlerësimi i Stadiumit ‘Qemal Stafa’ të Tiranës– Shqipëri (“Conoscenza, Conservazione e Valorizzazione dello ‘Stadio Qemal Stafa’ a Tirana–Albania”).

Siç pohonin më tej këto arkitekte asokohe të reja, “ideja për t’i dhuruar qytetit një stadium krejt në kundërshtim nga çfarë mendohej, nuk është e lidhur me regjimin italian në Tiranë, sepse qysh në vitet njëzet, Mbreti Zog kishte menduar për të ndërtuar në qytetin e tij një stadium kombëtar dhe dokumentet për vendimet e shpronësimeve e provojnë këtë”.

 

1940. Dy pamje gjatë punimeve të ndërtimit të Stadiumit të sotëm “Qemal Stafa”
1940. Dy pamje gjatë punimeve të ndërtimit të Stadiumit të sotëm “Qemal Stafa”

Ideja merr forcë në vitin 1929, kur qe vendosur që “stadiumi i ardhshëm i qytetit të përkojë me Stacionin e Trenit të sotëm në veri”. E mendojnë kështu Stadiumin Kombëtar aty ku deri para pak ishte stacioni hekurudhor i Tiranës dhe të duket fantastike. (E në këtë 2016 një “dashnor” guximtar i sportit dhe i Tiranës, tash mund ta mendonte ndërtimin e stadiumit mu atje në ballë, te fundi i rrugës së re që po hapet).

Qe zgjedhur ai vend jo vetëm sepse aty hapësira e lirë ishte e pamatë, por sepse ishte kreu i vendit, në zemër të qytetit, por pa ia prekur zemrën. U mendua që ky stadium në mbyllje të Bulevardit Zog I “të kishte një funksion të madh skenografik: me një hapësirë në formë eliptike e përmbyllur prej një konstruksioni që të kujtonte kolonadën e San Pietro në Romë”, siç argumentonin studenteshat italiane.

Sot, thuajse për një përkim vërtet unikal, aty është ngritur monumenti i Mbretit Zog, ideatorit të parë të stadiumit kombëtar. Katër projekte, dy të ing. Pallavicini-t, kryetar i zyrës teknike të bashkisë dhe dy të ing. Kohler në ministri, duket se marrin jetë vetëm në fillim të vitit 1938.

Duhet të ketë qenë një duel i fortë, sepse në thelb ndesheshin projekti më i kushtueshëm i ing. Pallavicini-t me atë më pak të kushtueshëm i ing. Kohler-it, i cili duket se merr përparësi. Gjithçka lihet për disa muaj më tej, në 10-vjetorin e Mbretërisë, ditë e 6 shtatorit 1938, kur përurohen punimet. Është balli i Bulevardit Zog I, aty ku pra sot deri para pak ishte Stacioni hekurudhor i Tiranës, ku marrin pjesë qindra e qindra njerëz.

Ministri i Arsimit dhe kryetari i Federatës Sportive Shqiptare, Abdurrahman Dibra, mban fjalimin përurues dhe guri i parë i stadiumit vendoset bukur e mirë në shtresën simbolike të themeleve. Prej fjalimit të ministrit shkëpus këto radhë mbyllëse, që sot e kësaj dite mbeten emblematike për idenë kombëtare të sportit shqiptar: “E ardhmja e çdo kombi mbështetet në nji rini të shëndoshë, të fortë e patriote… Ky gur i parë që po hedhim sot në themelin e Stadiumit Kombtar âsht nji hap i ri i hedhun me siguri në fushën e zhvillimit e të përparimit t’onë”.

E ndërsa fillojnë punimet e para, 7 prilli 1939 është te dera e shtëpisë. Dëshira e Mbretit Zog I thuajse rrufeshëm kalon te një tjetër, Viktor Emanueli III, Mbret i Italisë, i Shqipërisë dhe Perandor i Etiopisë, i cili vetëm disa muaj më mbas kur nënsekretari i Shtetit, Zenone Bonini, paraqet skemën për “Ndërtimin e terreneve sportive në Shqipëri”, jetëson me këto fjalë dekretin e dhjetorit 1939:

“Vittorio Emanuele III

Per grazia di Dio e per Volonta della Nazione

Re d’Italia e d’Albania, Imperatore d’Etiopia

Abbiamo decretato e decretiamo:

Art. I

I progetti per la costruzione, l’acquisto, l’adattamento, di restauro e le modifiche degli impianti sportivi…”

(“Viktor Emanueli III. Falë Zotit dhe Vullnetit të Kombit ne Mbreti i Italisë dhe i Shqipërisë, Perandor i Etiopisë kemi dekretuar dhe dekretojmë: Art I: Projekte për ndërtimin, blerjen, përshtatjen, restaurimin dhe rregullimin e ndërtimeve sportive…”).

 

Besnik Dizdari
Besnik Dizdari

Firmoset dhe publikohet Dekreti. Kësisoj, nga janari 1940 dhe deri në fund të këtij viti, punohet me një shpejtësi të mahnitshme nën drejtimin e ndërmarrjes italiane “S.A.I.Ferrobeton”, e cila është nën urdhrat e të famshmit ing. Gherardo Bosio, drejtues i “Ufficio Centrale per l’Edilizia e l’Urbainistica dell’Albania”, i cili papritmas sëmuret (ndahet nga jeta më 1941). E zëvendësojnë ing.Giuseppe Paladini dhe mbas tij arkitekti Leone Carmignani dhe ing.Ferdinando Poggi.

Projekti i ing.Bosio për stadiumin, ndërtimin e të cilit tashmâ ai e zhvendos në jug të Bulevardit, aty ky është sot, përfshihet brenda një projekti më të gjerë me synimin për t’i dhënë një vulë gjithnjë e më fort italiane kryeqytetit shqiptar. Ing.Bosio, stili i të cilit dihej që ishte nën ndikimin e së shkuarës antike të Perandorisë Romake, pati edhe mëdyshjet e tij, duke paramenduar që stadiumi të ngrihej në perëndim, aty ky është ai që do të bëhej Teatri Shqiptar i Operës (Akademia e Arteve) së bashku me Palestrën.

Mandej, gjithçka kalon përballë, në vendin e sotëm me stadiumin që përfaqëson simbolikisht pjesën e përparme të një çekani me majë, element që i përket repertorit figurativ fashist, sepse “sporti përfaqëson një bazë të rëndësishme për të mbrojtë vlerat dhe forcën e kurajës që ishin baza e etikës fashiste”, siç përcaktohet.

“Tirana do të ketë Stadiumin Olimpik, ndërtimi i të cilit sapo ka filluar. Do të jetë i një strukture eliptike me diametrin më të madh 274 metra, më të voglin 142, me kapacitet 15.000 spektatorë”, deklarohet në shtypin italian të kohës. Në gjithë këtë projekt të famshëm në atë që ne sot i themi Bulevardi Dëshmorët e Kombit, viti 1942, ndërsa shënon përfundimin e hotel “Dajtit” historik (17 shkurt 1942)–(si nuk na vjen turp që e kemi shndërruar sot në gërmadhë dhe askush nuk flet e vepron?), po aq mund të themi se shënon edhe ngritjen e Stadiumit Kombëtar, ndonëse pa iu dhënë dora e fundit.

Për dy vjet të tjera, ato 1943-1944 nuk kryhet asnjë punim. Stadiumi do të mbetet i heshtur, në çuditshmërinë e tij. Nuk do të guxojë askush t’i heqë një gur, pa i prishur asgjë. Si shpjegohet kjo, në vite lufte pra, kur afër 50 vjet më vonë shqiptarët nuk do të linin themele fabrikash e ndërtimesh shtetërore e publike pa ua gërryer themelet? Prania e Nazizmit në Shqipëri shkaktoi ndalimin e përfundimit të Stadiumit Olimpik të Tiranës, por nga ana tjetër, me rreptësinë e tij, ai e ruajti atë pa guxuar ta prekë askush. Arroganca e sotme kundërolimpike…

Është ky çast i vitit 1943, kur ideologu i sportit kombëtar, gazetari po dhe themeluesi, i përkujtueshmi ynë, dr.Vasfi Samimi, ndër të parët ngjit shkallët e heshtura të stadiumit kombëtar, mediton, dhe ulet të shkruajë esenë e tij të famshme “Duke vizituar stadiumin”, teksa ëndërron, parashikon veprimtarinë olimpiste të Stadiumit tonë:

“… Mbylla sytë,- shkruan Dr.Samimi,- hapa shpirtin t’im në ditët që do të vijnë dhe fillova të dal’ të pëshpëritem me vehten t’ime: “Mendoni… Një ditë të bukur të Pranverës. Ky stadium modern jeton një festë, një spektakël, një ditë të jashtëzakonshme. Anfiteatri, tribunat dhe taracat janë mbushur me një turmë spektatorësh… Çdo anë e kanë stolisur me flamurë, me ngjyra dhe me një frymë gjallnije. Poshtë në fushën e gjelbërt xixillojnë me qindra e me mijëra sportista të shëndoshë e të dashur. Banda fillon… Ngrehuni në këmbë!

Shikoni edhe nderoni valvitjen e Flamurit Kuq e Zi, me Zhgabën dy krenore në qiellin e kaltërt t’Atdheut… Po marrshojnë, parakalojnë çapat e hekurta, muskula të çelnikta, krahnore të gjerë, sy të shkëlqyer kundrejt ardhmenisë, ditëve më të bukura, jetës më të lumtur… në popull. Rroftë Djalëria, rroftë Atdheu! Shikoni me zemër, po parakalon ardhmenija…

Po marrshojnë skuadrat e rregullta, të pastërta, të shëndoshta, po marrshojnë të gjithë sportistat e çdo dege me ngjyrat e me veglat e veta, një federacjon civil, i organizuar dhe i disiplinuar në kulm, sa që tërheq admirimin e miqve e të gjithë të huajvet, një popull i edukuar, xhentil dhe admirues i sportit dhe më në fund një qytet që jeton pulsin e kësaj feste: Tirana e bukur, zemra e ngrohtë e atdheut t’onë të dashur!”. (Sa larg këtij mendimi të madh të olimpizmit që janë propaganduesit e sotëm të ndërtimit të stadiumit të ri, teksa orë e çast e quajnë stadiumin si “shtëpia e Kombëtares”, duke kujtuar se vërtet ka naivë të pambarim që nuk e dinë se Kombëtarja luan vetëm 4 ose e shumta vetëm 5 ndeshje në vit në Shqipëri)!

(Por për këtë do të përsiatim në pjesën vijuese të këtij shkrimi)… Do t’i takonte Partisë Komuniste Shqiptare ta gëzonte përurimin përfundimtar të Stadiumit Olimpik të Shqipërisë, të shndërruar në Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”. Do t’i jepej rifinitura pa prekur asgjë në ndërtimin e tij të mbaruar katër vjet më parë. Rifillohet përmes një aksioni edhe më politik e më zhurmëmadh sesa ai i fashizmit. Emrat e këtij rifillimi janë të shumtë. Mbi të gjithë, prof. Irfan Tërshana.

Mandej inxhinieri gjerman Danech, ing.Dedali Kosturi, Shinasi Dragoti, Nikolla Kolevaci, ing. Gjovalin Kroqi… Dhe 120 punëtorë ushtarë italianë, 120 të burgosur gjermanë, 700 punë- torë shqiptarë, vullnetarë, të rinj, të reja. Katër turne nga 6 orë, 24 orë në 24 orë! 1.045.000 franga ari preventivi. Dhe gjithçka në vetëm katër muaj punë: 7 qershor – 1 tetor 1946. Stadiumi shndrit me stemën simbolike të Shqipërisë Komuniste: shqiponja me yllin e kuq në ballinën e tij! Ndonëse ende në përfundim e sipër, Stadiumi do t’i hapë portat para kohe për hir të një ndeshje zâmadhe, sa sportive, po aq dhe të një gjeopolitike të re: Partizani–Spartak i Moskës 2-5!

Kjo është ndeshja e parë që është luajtur në këtë ndërtim sportiv historik: 21 prill 1946, të vetmet 3-4 orë kur u ndërprenë punimet që do të ndalnin vetëm më 1 tetor 1946, ditë kur “dorëzohen çelësat e stadiumit”, siç thonë kronikanët. Ky ishte stadiumi që bëri të mundur zhvillimin e Lojërave Ballkanike të para të Mbasluftës, aty ku askujt nuk mund t’i shkonte nëpër mend: në Tiranën e drobitur të Shqipërisë, nga 6 deri më 13 tetor 1946, dita kur mbas fitores 1-0 me Rumaninë, Shqipëria bëhej për herë të parë dhe të fundit, kampione e Ballkanit me legjendarin tonë Loro Boriçi në krye të podiumit të fitimtarit me Kupën ndër duar.

Edhe në këtë rast jemi në një 70-vjetor të madh. Ai nuk ishte megjithatë, një stadium vetëm i futbollit, por me natyrën dhe funksionin e tij mirëfilli olimpik, ai ishte një stadium edhe i atletikës, por dhe i basketbollit dhe volejbollit, gjithashtu të garave kampionale Ballkanike.

Siç kam shkruar te libri “Ballkaniada 1946”, historia e tij e një fillimi të bujshëm madje për gjithë Europën sportive, “nis me një njoftim krejt të vogël, të shkurtër, çuditërisht disi të padukshëm, të së përditshmes së vetme shqiptare “Bashkimi”, të datës 18 korrik 1945 nën titullin: “Propozohet një Ballkaniadë për në Tiranë”, në të cilin thuhet: “Stefo Dorocky, referent i Komisionit të XII-të, duke konsideruar lidhjet ekonomike, kulturale dhe sportive ndërmjet Rinive të vendeve Ballkanike, propozoi midis të tjerash që në vitin e ardhshëm të bëhet një çfaqje e madhe sportive e Rinisë Ballkanike, e cila do të ketë formën e një Ballkaniade.

Në këtë Ballkaniadë do të marrin pjesë ekipet më të mira të vendeve ballkanike. Gjatë punimeve të Komisionit u propozua që kjo Ballkaniadë të bëhet në Tiranë ku ndodhet një Stadium i përshtatshëm për këto lodra”. Ky ishte Stadiumi Kombëtar në Tiranë, kundër të cilit sot gati po villet vrer me epitete të pamëshirshme si të ishte një armik i gjallë…

Në 70 vjet, ky stadium “më i përshtatshmi në Ballkan”, i stilit dhe arkitekturës musoliniane do të kishte dhe tre çaste epokale të gjeopolitikës e historisë së tij. Nuk do t’ia arrinte të ulej në tribunat e tij ideatori i tij, Mbreti Zog. Fati historik do të ishte zemërgjerë për tre të tjerë: udhëheqësi komunist Enver Hoxha në tribunën e nderit më 7 tetor 1946, ndeshja Shqipëri–Jugosllavi 2-3; presidenti i parë i Shqipërisë së lirë demokratike, Sali Berisha, më 29 maj 1994 në fundoren e Kupës së Shqipërisë SK Tirana–Teuta 1-0, rasti i parë në historinë e Shqipërisë që Kupa Kombëtare iu dorëzohet fituesve prej Presidentit të vendit; dhe çka është më e rëndësishme, prania në stadium e Presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO), Huan Antonio Samaranch në tribunën e Nderit të “Qemal Stafës” në ndeshjen e Kampionatit Europian të futbollit Shqipëria–Moldavia 3-0, 29 mars 1995.

1995. Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO), Huan Antonio Samaranch, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, i shoqëruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha
1995. Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO), Huan Antonio Samaranch,
në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, i shoqëruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

Kam shkruar 6 vjet më parë, në 2010, këto fjalë: “Kjo është historia e shpejtë e këtij Stadiumi që për sportin shqiptar qe simboli. Dhe që siç është njoftuar, do të përjetojë fundin dhe rilindjen e tij përmes modernizimit të shekullit XXI. Autori i përvûjtë i këtij shkrimi do të pëlqente paprekshmërinë e tij, duke e ruajtur si një Arkiv gjigant, si një monument historie– (sepse nuk kemi lënë gjë pa denatyruar), dhe ndërtimin krejt të ri të një stadiumi tjetër”.

Atë ditë kur kthetrat e buldozerëve do të ngulen mbi trupin historik të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, shoqëria mbarëkombëtare sportive e Shqipërisë do t’i ndiejë dhimbjet në trupin e saj të mpakur prej një arrogance!… Po për çudi, ende shpresoj se nuk do të ndodhë kështu dhe se nuk do të triumfojë arroganca e një mendimi që sapo ka shpërthyer. Do t’i kushtoj shkrimin e nesërm pikërisht kësaj arrogance të mendimit, tejet “origjinale” në kalamendjen e saj…

Vijon nesër

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura