Opinion nga Neptun Bajko/ Mosmirënjohja është bërë denigruese, Silvinjo e ka mbyllur me Shqipërinë (E PLOTË)

Jul 5, 2024 | 21:24
SHPËRNDAJE

Në një analizë të bërë para disa muajsh në “Panora ma Sport”, kam thënë për trajnerin e Kombëtares, Silvinjo, këto fjalë: “Të fillosh diçka, në veçanti në profesionin e trajnerit të një ekipi kombëtar, padyshim është fuqi, por ta përfundosh atë është zotësi”.

neptun bajko

Për mendimin tim, Silvinjo i përmbushi të dyja këto. Kjo është meritë dhe vlerë e shtuar e tij, që nuk është e lehtë të arrihet. Ai që do të vendosë për të ardhmen e tij është vetë Silvinjo. Ka dy pluse që i ka fituar tashmë: fuqinë dhe zotësinë. Duhet edhe një faktor i tretë dhe atë e di vetëm Silvinjo, sepse nuk ekziston sukses pa meritë. Megjithatë, në futbollin e sotëm modern, mosmirënjohja është bërë denigruese deri në cenimin e vlerave të vërteta morale. Këto që po them, janë thjesht refleksione dhe jo një analizë e thelluar, sepse nga gjërat e vogla lindin ato të mëdha. Pikërisht detajet dhe këto gjëra të vogla nuk i dhanë mundësi trajnerit dhe ekipit të pasqyronin arritjen e objektivit, që vetë ata na i dhanë neve për të besuar edhe te kualifikimi në fazën e grupeve. U morëm me grupin e ferrit, duke harruar se ky grup nuk ishte aq ferr sa u propagandua, duke përjashtuar vetëm Spanjën.

silvinjo

EKIPET E VOGLA, ZHGËNJIMET DHE ROLI I PORTIERIT

Së pari, pothuajse të gjitha ekipet me humbjen e topit ktheheshin në gjysmëfushën e tyre, duke aplikuar lojën në bllok, duke zvogëluar hapësirat për të lehtësuar lojën në mbulimin e kundërshtarit dhe hapësirave, si dhe lehtësuar veprimet e mbrojtjes. Së dyti, u pa që të gjitha ekipet e njihnin mjaft mirë lojën e kundërshtarit. Pra, në themel të formacionit, vendoseshin lojtarë që kishin karakteristika për të përballuar me sukses në veçanti lojën e ajrit. Edhe pse u luajt me shumë krosime, golat me kokë janë ishin të paktë. Ekipet e ashtuquajtura të vogla kishin punuar mjaft mirë dhe kishin rritje në veçanti në përgatitjen atletiko-fizike, por edhe në nivelin tekniko-taktik. Ndërsa kombëtare të mëdha si Anglia, Franca, Portugalia, Holanda, Gjermania etj., duke përjashtuar këtu vetëm Spanjën, nuk pasqyruan një rritje cilësore, siç edhe pritej. Karakteri dhe shpirti i garës u reflektuan në maksimum nga skuadra si Gjeorgjia, Zvicra, Austria, Turqia, Sllovenia dhe ndonjë tjetër. Kjo ka qenë dhe është një vlerë që vendos edhe mbi atë tekniko-taktike-fizike.

kombetarja shqiperia

Edhe ky Europian po e pasqyron mësë miri këtë dukuri. Së treti, dua të vlerësoj në maksimum rolin dhe detyrat specifike që ka loja e portierit. Europiani tregoi që portierët e aftë ishin shumë të përgatitur dhe u bënë jo vetëm shpëtimtarë të portës së tyre, por duke ndikuar deri në fitoren ose kualifikimin e ekipeve. Së katërti, mesi i fushës ishte faktor përcaktues, si në mbështetje të organizimit, ashtu edhe në aspektin mbrojtës. Sikurse u pa në shumë takime, reparti i mesit të fushës ishte një repart që kishte rolin më të madh dhe më domethënës në fitoren ose në arritjen e suksesit në ato ekipe që i kishin formuar shumë drejt, me lojtarë të aftë teknikisht dhe me ata të cilët kishin një shikim periferik dhe ndryshonin spektrin e lojës nga një moment në tjetrin për të kapur në befasi kundërshtarin. Së pesti, shfrytëzimi i goditjeve nga këndi dhe loja. Lojtarët që e kërkonin me aftësi marrjen e faullit afër zonës së rreptësisë për të përfituar nga goditjet e dënimit, nga ku shpesh herë erdhën golat e shënuar nga ekipet.

KOMBETARJA

Dhe në këtë aspekt, disa skuadra kishin punuar mjaft mirë. Gjithashtu u panë së tepërmi lojtarë, madje edhe shumë trajnerë, që nervozizmi dhe zemërimi i shtyu ata të gabojnë. Kjo dukuri spikati shumë në këtë Europian, të paktën deri më tani. Ata kërkonin që të mohonin gabimin, por binin në një gabim të dyfishtë, pasi u dënonte lojtari dhe njerëzit që drejtonin nga stoli. Gjërat e mëdha nisin nga gjërat e vogla. Dhe në këtë aspekt kishte shumë të bukura, kur ekipet shfrytëzonin mjaft mirë detajet e vogla, ato të parëndësishme, por që jepnin rezultate pozitive. Një tjetër dukuri është ajo që u panë disa lojtarë dhe ekipe që përdornin mjaft mirë driblimin për të kaluar kundërshtarin dhe e dilnin në lojën 1 me 2. U aplikua loja në mur, në qendër të zonës dhe gjuajtjet nga distanca, të cilat u tentuan jo pak, por mbrojtjet e ngjeshura dhe lojtarët e vendosur mjaft mirë, nuk lejonin që goditjet të ishin të sakta.

KOMBETARJA

NDIKIMI I FAKTORIT PSIKOLOGJIK DHE TENSIONI NË PUSHIM

Faktori moralo-psikologjik tani po bëhet gjithnjë e më shumë i një rëndësie tepër të madhe. Kjo, sepse duke u ngjeshur ndeshjet, duke u rritur vështirësia, padyshim që edhe sjellja ndaj skuadrës, lojtarëve, trajnerëve, duhet të ndryshojë dhe të jetë harmonike në çdo aspekt. Në pushimin e lojës ke të bësh me lojtarë që janë të nevrikosur, të zemëruar me veten e tyre dhe zgjidhja duhet të jetë brenda 15 minutave, drejtuar nga trajneri dhe nga një psikolog që ka qenë në dhomën e zhveshjes, për të ngritur moralin ose për të ulur tensionet. Sulmi më i mirë është kur di si të mbrohesh. Në të gjitha ekipet, pa përjashtim, u pa që kjo të vihej në realitet.

shqiperia kombetarja

Pra, edhe te Franca, Holanda apo Gjermania, kur kishte momente presioni nga kundërshtari, gjithë skuadra kthehej në gjysmëfushë dhe përpiqej që të respektonte në maksimum cilësitë mbrojtëse, qoftë si grup ose si individ. Futbolli është loja që adhurohet nga miliona tifozë, prandaj është edhe sporti më pluralist. Të gjithë kanë të drejtë të japin mendime dhe refleksione. Në këtë aspekt asnjë njeri nuk duhet të çuditet nëse ka kundërshti ose aprovime, që edhe nuk janë realiste. Personalisht, kur unë mora drejtimin e ekipin të të rinjve të Partizanit për herë të parë si trajner, Loro Boriçi më tha diçka që nuk do ta harroj kurrë: “Ke marr përsipër një profesion të vështirë o Neptun, sepse këtu te ne futbollin shumë e njohin, por pak e dinë…”. Kjo përputhet tani me realitetin tonë dhe studiot e ndryshme që flasin dhe bëjnë gallatë.

LISTA QË CENOI KLIMËN DHE FENOMENI “BROJA”

Rëndësia e Europianit është e tillë që ta heq vëmendjen nga këto aspekte të marrjes ose mosmarrjes së lojtarëve. Unë mendoj, që padyshim, lista ka cenuar në unitetin dhe harmoninë e ekipit. Se sa u pasqyrua dhe u reflektua, këtë nuk e dimë.

Mund të dalë më vonë, mund të ketë qenë pozitive ose negative. Unë e kam cilësuar edhe herë të tjetra, që talenti fiton mbi trajnerin. Pra, është talenti që fiton mbi trajnerin dhe jo ekipin. Dhe kjo është një divizë që duhet pasur parasysh dhe e kanë pasur parasysh shumë trajnerë në botë, duke filluar nga më të mirët si Guardiola, Ançeloti, Klop e të tjerë. Por, në të njëjtën kohë trajneri ka detyrën më të vështirë për ta përpunuar dhe futur në kokën e tij dhe edukuar, që talenti t’i shërbejë ekipit. Talentin ta detyrojë t’i shërbejë lojës kolektive dhe kështu të dyja palët marrin frytet që dëshirojnë.

Grupi ynë u cilësua si grupi i ferrit, por realiteti tregoi që nuk ishte kështu, sepse Shqipëria qoftë me Italinë, por në veçanti me Kroacinë, duhet të kishte marrë tre pikët. Edhe vonesat në ndërrim, edhe futja e Brojës shumë vonë dhe e Arbër Hoxhës, ndikuan që të mos arrihej ky rezultat ose të kishte bindje për një fitore. Edhe me Italinë, u nisëm më tepër nga fama dhe nga bëmat e italianëve në të kaluarën, se sa nga realiteti që kishte kundërshtari. Fakti tregoi, që ekipi italian ishte më i dobëti në të gjitha aspektet në këtë turne. Tani, a do të ndihet i penduar Silvinjo për ato që ka bërë?! Unë besoj se në këtë aspekt do të ketë pendesa. Frika ekziston gjithmonë te trajneri.

Dhe frika është një anë e medaljes së trimërisë. Por, kjo tregon dhe atë që nuk janë studiuar ekipet kundërshtare, megjithëse diheshin se cilat ishin. Nuk janë studiuar në atë masë që t’i kundërvihesh me sukses dhe mos të kesh frikë. Pra, të gjitha këto fillimisht kanë ardhur nga subkoshienca e Silvinjos që të ruaj veten. Domethënë, ka menduar se ka një ekip “të vogël”, por katastrofat nuk pranohen në çdo lloj skuadre. Kështu që në këtë aspekt ai ka qenë shumë i rezervuar dhe i ka mëshuar së tepërmi mbrojtjes, duke iu frikësuar një goleade të mundshme. Por a e ka bërë i bindur këtë apo nga situatat që i erdhën, këtë nuk di ta them…

BROJA DHE MUÇI ISHIN DILEMAT E FORMACIONIT

Silvinjo mund të jetë bërë pishman për zgjedhjet që ka bërë sa i takon formacionit, por për mendimin tim, dy kanë qenë dilemat e tij: Broja dhe Muçi. Ky është mendimi im personal. Me Brojën duhet të kishte punuar në mënyrë individuale për ta arritur sa më mirë formën e tij. Me Muçin duhej të kishte bërë menjëherë zëvendësime, qoftë Asani apo Seferi. Muçi duhej të aktivizohej më tepër, sepse është lojtar me të dhëna shumë të mira dhe i duhej ekipit kombëtar, pikërisht në ato ndeshje të para. Nuk e di a janë këto edhe dilemat e Silvinjos, por për mua këto të dyja janë. Sepse, edhe aktivizimi i Brojës me shumë vonesë kundër Spanjës, më la përshtypjen sikur ishin thirrjet e tifozëve që ndikuan te Silvinjo për ta futur në fushë aq minuta.

LOJTARËT QË BINDËN DHE ATA QË PRITEJ MË TEPËR

Fillimisht dua të lavdëroj lojën e Strakoshës, sepse një portier që nuk është aktivizuar në klubin e tij, bëri një paraqitje shumë të mirë. Detyrat e tij i zbatoi me sukses dhe u bë shpëtimtar i disa golave që mund të pësonin. Pashë një rritje nga pikëpamja profesionale të portierit. Dua të lavdëroj patjetër Gjimshitin, edhe pse në momente të caktuara ishte i lodhur dhe nuk e kryente dot punën e liderit. Por, ai është një nga lojtarët më të mirë që kemi në mbrojtje. Gjithashtu, një lojtar me shumë perspektivë dhe i paparashikueshëm është Mitaj.

Unë mendoj që pozicioni i tij duhet të jetë pak më përpara se sa në aspektin e një mbrojtësi të majtë. Një lojtar tjetër që do ta dëshironte çdo trajner në ekip, sepse jep shpirtin në fushë, të gjitha aftësitë që ka dhe është një ndihmesë e madhe në aspektin mbrojtës është Ramadani. Prisja shumë më tepër nga Bajrami, por mendoj se detyrat e kanë penguar atë lojtar që të japë maksimumin e tij dhe të nxjerr në pah aftësitë e tij të mira. Asllani m’u duk në rritje dhe është një lojtar me perspektivë në mesin e fushës.

Po ashtu edhe kontributi i Laçit vlen të evidentohet. Kur u fut në lojë, ka bërë veprime shumë të mira, ka ndihmuar ekipin dhe ishte një plus i madh në këtë Europian. Nga Asani prisja më shumë, por ndoshta mungesa e aktivizimit në Korenë e Jugutu nuk e lejoi atë të shfaqte vlerat e veta. Do kisha shumë dëshirë që Ismajli të ishte aktivizuar dhe të mos krijohej ajo polemika. Aty mund të bënte Silvinjo ndonjë ndryshim në aspektin e konceptit të lojës, që ta fitonte atë lojtar në këtë Europian. E kishte lojtar bazë dhe duhej që ta shpërblente për formën që gëzonte, jo për atë që ka dhënë më përpara.

TANI TRAJNERI TË “ÇIMENTOJË” ARRITJEN NË NJË VEND TJETËR

Së pari mendoj se mes drejtuesve të FSHF-së dhe trajnerit ka pasur thyerje të herëpashershme të vogla, të padukshme, por që janë themelore. Së dyti, Silvinjo u konfirmua si trajner nga ekipi ynë Kombëtar. Shqipëria i dha atij atë përvojë, atë famë dhe atë arritje që ai mund të pretendojë dhe të kalojë në një klub apo kombëtare tjetër.

Nëse unë do të pyetem në këtë moment, se si duhet të veprojë, me modesti e këshilloj trajnerin brazilian, që ai duhet ta gëzojë këtë arritje dhe ta çimentojë në aventurat e ardhshme në futbollin botëror. Nuk mund të them që të qëndrojë apo të ikë, por ai duhet ta çimentojë këtë arritje profesionale dhe ta kurorëzojë në një vend tjetër. Vazhdimi i aventurës me Shqipërinë, mua më duket se ka përfunduar.

*KY ARTIKULL ËSHTË EKSKLUZIVISHT PËR “PANORAMA SPORT”. RIPRODHIMI I TIJ NGA MEDIA TË TJERA NË MËNYRË TË PJESSHME OSE TË PLOTË PA LEJEN E KOMPANISË DO TË NDIQET NË RRUGË LIGJORE.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura